Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kongresin e parë të Infermierëve të Shqipërisë:

 

Përshëndetje të gjithave dhe të gjithëve!

Pak sekonda para se të ngrihesha, lexova një shprehje të Papa Françeskut, që nuk e kisha dëgjuar më parë: “Nëse Zoti do të ishte njeri, me siguri do të ishte infermier”.

E mendova, çfarë barre e jashtëzakonshme mbi supet tuaja, që të niseni për në punë me idenë se mund të jeni Zoti në tokë për ata që kanë nevojë për shërbimin tuaj dhe nga ana tjetër, kur mendon këtë, është e pashmangshme që të mendosh edhe tjetrën, që për 1001 arsye, natyrisht të drejta dhe të padrejta, njerëzit në sistemin e shëndetësisë sot janë objekt i një perceptimi shumë të rëndë për shërbimin shëndetësor.

Natyrisht në sistemin tonë shëndetësor ka mjekë, ka edhe infermierë, ka edhe të tjerë që e njollosin bluzën e bardhë, por ajo që unë mund të dëshmoj në vetë të parë, pasi për arsye të detyrës kam parë jo pak mjedise të shërbimit tonë shëndetësor dhe kam takuar jo pak njerëz të këtij sistemi, është se jo vetëm që nuk janë të gjithë njësoj, por shumica nuk janë të tillë.

Shumica janë gra dhe burra, vajza dhe djem, që e mbajnë bluzën e bardhë me dinjitet.

E vërteta është se, nëse pyet njerëzit që për fat të mirë dhe fati i mirë i ndjektë gjithë jetën, nuk e kanë marrë ndonjëherë rrugën e spitalit në këto vite, përgjigja është se “në spital po nuk pagove, vdes”. Ama, nëse pyet ata që marrin shërbimin sot prej disa vitesh, jo vetëm përgjigja nuk është e njëjte, por në shumë raste, unë kam kënaqësinë dhe krenarinë të marr mesazhe nga njerëz të zakonshëm, të cilët, pasi kanë marrë një shërbim në spital, shkruajnë që janë të befasuar dhe që nuk e prisnin që të shërbeheshin me aq dinjitet dhe të mos iu kërkonte askush lekë.

Kjo nuk do të thotë që kështu ndodh gjithmonë dhe kështu ndodh kudo, por kjo do të thotë që pa asnjë diskutim, pavarësisht nga të gjitha investimet që ne bëjmë, që nuk janë kurrë mjaft për këtë sistem, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet që ne bëjmë për të çuar përpara reformën e sistemit, themeli i palëvizshëm i suksesit mbeteni ju dhe të gjithë ata që punojnë në sistem.

Nëse do të bëja me dijeninë time modeste dhe me eksperiencën time jo dhe aq modeste, sepse u bënë tanimë disa kohë, klasifikimin e peshës së gurëve të këtij themeli, guri më i rëndë i themelit për të pasur një shërbim dinjitoz shëndetësor është infermierja. Ka një thënie që mbase ju e dini, “shpëto një jetë dhe bëhesh hero, shpëto më shumë dhe je infermier”.

Sigurisht që këtu në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, në komunitetin tuaj mund të gjesh me mijëra dëshmi të vështirësive të jashtëzakonshme për të mbijetuar në detyrë, të vështirësive të jashtëzakonshme për të bërë detyrën, pa qenë nën presonin e tmerrshëm, jo vetëm të kushteve të vështira të mungesës së mjeteve, por edhe të pasigurisë se sot ishe, të nesërmen s’ishe, sot shkon në punë pas shumë e shumë vitesh në vendin tënd të punës si infermiere dhe nesër degdiseshe në rrugë, e zëvendësuar jo nga një kolege më e mirë, por nga dikush që mbase nuk kishte prekur akoma me dorë asnjë nga instrumentet e punës.

Ashtu sikundër ka ndodhur përtej të gjitha vështirësive dhe përtej të gjitha defekteve të një procesi shumë të shëndetshëm, që sot është i konsoliduar me mësueset dhe mësuesit, ashtu do të ndodhë me infermieret dhe infermierët.

Kurrë më partitë nuk do të përcaktojnë infermierët!

Kurrë më partitë nuk do vendosin se kush rri në punë dhe kush ikën nga puna, kush e vesh dhe kujt i hiqet bluza e bardhë!

Kjo është një garanci themelore për dinjitetin e figurës tuaj, ashtu sikundër është edhe një siguri në punë, që do ta bëjë shumë herë më të madh motivimin e secilës dhe secilit prej jush për edukimin në vazhdim, përmirësimin në vazhdim të cilësive të zanatit dhe njohjen në vazhdim të të rejave të profesionit.

Vendosja e këtij kriteri bazë dhe kalimi përmes platformës së re të Infermierëve për Shqipërinë, si i vetmi mekanizëm punësimi i infermierëve në strukturat e shërbimit publik shëndetësor, ka bërë që sot, ne të jemi kryelartë, ose po e them më mirë, të mos jemi kokëulur përpara të gjithë atyre vajzave dhe djemve që prej vitesh kanë mbetur prapa dyerve dhe sot janë përfshirë në sistem pikërisht sepse u është njohur merita.

Janë sot 16 mijë infermierë të licensuar në Republikën e Shqipërisë, prej të cilëve 13 mijë janë të punësuar dhe 3 mijë të tjerë janë në kërkim të një pune. Këta 3 mijë të tjerë tanimë kanë vetëm një rrugë, rrugën e atyre që janë 416 të parët prej tyre, që dolën më të mirët në testimin e portalit dhe sot janë pjesë e trupës. Asnjë rrugë tjetër.

Punësimi sipas meritës është një sfidë shumë e madhe në këtë vend. Është një sfidë e jashtëzakonshme. Është një sfidë që sa më shumë të flas, aq më shumë gjëra të pabesueshme mund të them. Është një luftë e përditshme me njerëz të të gjitha kategorive, të të gjitha ngjyrave, që janë mësuar me avazin e vjetër dhe dua t’ua them shumë hapur, edhe brenda nesh. E kur them edhe brenda nesh, jo vetëm në partinë që qeveris, por dhe brenda strukturave të larta të shtetit tonë ka njerëz që akoma nuk binden se çfarë themi, duhet ta bëjmë. E nuk e themi për t’u dukur bukur kur flasim dhe pastaj ta bëjmë ndryshe kur fiken televizorët, por e themi sepse është e drejtë dhe duhet bërë.

Në këtë vend, çdo njeriu që ka të drejtë dhe e meriton përpara kujtdo qoftë tjetër të marrë vendin e punës në një shërbim, ne duhet t’i garantojmë se e merr vendin e punës. Jam absolutisht i vetëdijshëm, jam më i vetëdijshëm se të gjithë ata që shajnë, që kritikojnë, që ankohen, sepse për shkak të detyrës di shumë më tepër, në kuptimin e informacionit për atë që ndodh, se vazhdon ndodh shumëçka në inercinë e së shkuarës. Por ama kam arsye që të jem besimplotë dhe optimist që ne do t’ia dalim, sepse nuk ka qenë përpara 100 vjetësh, ka qenë vetëm përpara 3 vitesh, kur askush në Shqipëri nuk besonte se nxënësit e këtij vendi mund të hynin në universitet në radhë sipas meritës, kur askush në Shqipëri nuk besonte se mund të vinte dita ndonjëherë në këtë vend, që një nxënës, prindërit e të cilit janë të panjohur, të varfër, larg Tiranës, të hyjë në universitet në bazë të testimit krejtësisht të pakontrollueshëm dhe të pandryshueshëm dhe s’ka djalë e vajze ministri e deputeti, të pasuri e gazetari, biznesmeni e kushdo qoftë tjetër që ia kalon radhën.

Sot kjo ndodh.

Sot, nxënësit që shkojnë për të hyrë në universitet, kalojnë përmes një rruge ku politika, leku, kushëriri nuk ndihmojnë dot askënd dhe radhiten sipas meritës.

E njëjta gjë sot ndodh në 99% të rasteve me mësueset dhe me mësuesit.

Pse 99% dhe jo 100%?

Sepse ka një pjesë fare të vogël të tyre që janë me kontrata të  përkohshme dhe kontratat e përkohshme lënë shteg për vendimmarrje subjektive dhe vendimmarrja subjektive lë shteg për abuzime. Ajo që sot po bëhet është që portali i mësuesve sikundër dhe portali juaj nuk do jetë më një mekanizëm, por do jetë ligj e duke qenë ligj do bëjë që emërimet në punë të mësueseve dhe infermierëve nuk i vendos do t më askush tjetër,  përveç pikëve që secili merr në testim. Çdo vend i ri pune që hapet, del menjëherë në portalin tuaj. Çdokush i interesuar mund të njihet me vendet vakante e mund të aplikojë për t’u punësuar.

Sigurisht që merita është baza, por pasi ke zgjedhur njerëzit që e meritojnë, duhet t’i mbash dhe për t’i mbajtur duhen shumë të tjera gjëra. Ne jemi angazhuar dhe kemi garantuar financimin për ndërtimin dhe rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore në rang republike, aty ku sot në kushte jashtëzakonisht të vështira, mizerabël, shkojnë prej vitesh e vitesh në punë nëna, gra të reja e vajza që veshin bluzën e bardhë.

Mbase burrave që janë në sallë mund t’i bëjë përshtypje që unë i referohem në mënyrë të paekuilibruar gjinisë femërore të infermiereve, por me gjithë respektin për burrat, nuk është sekret që unë jam gjithmonë e më i prirur e sa më shumë të punoj në këtë detyrë e sa më shumë të shoh se çfarë bëhet në këtë vend, të besoj e të veproj me bindjen se këtë vend, sa më të mirë e duam, aq më shumë gra duhet të përfshijmë për ta bërë të mirë. Gratë janë absolutisht më serioze, më të dedikuara dhe shume më pak të korruptueshme se burrat në të gjithë sistemin. Kështu që bashkëvuajtësit e gjinisë sime mos u mërzisni për këtë realitet të hidhur.

Një nga gjërat që duhet bërë është që në mënyrë të vazhdueshme të mbajmë mendjen të përqendruar tek fakti se pagat e infermierëve, të cilat sot janë rritur ndjeshëm dhe këtë besoj ju e miratoni, – nuk ka nevojë ta miratoni me zë, se do thonë pastaj që ishin mbledhur punonjësit e shtetit dhe gënjenin në kor, – duhet të vazhdojnë të rriten në çdo fazë që këtë buxheti e bën të mundur.

Në vitin 2013, paga mesatare ishte shumë më e ulët se sot. E sotmja është shumë më e lartë se e djeshmja, por e nesërmja duhet të jetë shumë më e lartë se e sotmja. Sepse, nëse i referohemi të djeshmes në të gjitha aspektet, edhe në shërbimin shëndetësor, ne mund të themi që kemi bërë jashtëzakonisht shumë, por, nëse i referohemi të nesërmes, ne duhet të themi që nuk kemi bërë asgjë akoma.

Po kështu, edhe falë taksimit, ata dhe ato që janë këtu prej më shumë se vitit  2013 e dinë shumë mirë, përfitoni një pagë më shumë në vit vetëm nga ulja e taksës mbi rrogën. E kishit taksën mbi rrogën 10%, sot e keni shumë herë më  të ulët.

Sot, unë mund t’ju them që këtë vit, ne do bëjmë çmos që ta rrisim përsëri pagën tuaj. Për disa arsye, por njëra është sepse shumica juaj janë gra dhe sa më shumë të rrisim pagat e grave, aq më mirë shikojnë punët me llogaritë në familje.

Më vjen shumë mirë që shifrat e edukimit të detyrueshëm në vazhdim flasin pozitivisht, por dëshiroj që ta mbyll duke u kthyer aty ku e nisa, tek fjala e Papa Françeskut, që “nëse Zoti do ishte në Tokë, do ishte infermier”.

Madje në fakt, nëse Zoti do ishte në Tokë, do ishte infermiere.

Pa ju kërkuar dhe pa pretenduar që ju të jeni mishërimi i Zotit në Tokë, unë do ju lutesha shumë që të bëjmë gjithçka mundemi, secili në atë të vetëm, për t’i dhënë sa më shumë dinjitet dhe për ta bërë sa më shumë të respektueshëm rolin dhe figurën e infermierit, sepse ka një rëndësi themelore, jo vetëm për momentin e shërbimit, por dhe për frymëmarrjen e shoqërisë.

Ka një shprehje shumë të vërtetë që thotë, kur trajton një sëmundje, ti ose fiton, ose humb. Por kur trajton një njeri, është e sigurt që ti vetëm ke fituar. E në një kuptim është bekimi i profesionit tuaj, që ju trajtoni shumë njerëz në vit dhe vetëm fitoni. Është mallkimi i punës time që, sado që unë përpiqem të trajtoj ata të species time, vetëm humbas.

Padashur të konkurroj me thënien e jashtëzakonshme të Atit të Shenjtë, unë dua t’ju përshëndes, duke ju thënë se nëse Zoti do ishte në tokë, do ishte infermier. Nëse djalli do ishte në tokë, do ishte në Parlamentin tonë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.