Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e zhvilluar në Kryeministri me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:  

Së pari, për fat të keq, situata politike thirrjet e vazhdueshme kundër shtetit, lëvizja e përgjithshme antishtet e gjithë këtyre muajve që pararendën zgjedhjet e 30 qershorit, britmat anarkike dhe sjelljet e pajustifikueshme kundër Policisë së Shtetit në radhë të parë, por institucioneve shtetërore në tërësi patjetër që kanë pasur një ndikim negativ mbi publikun, mbi sipërmarrjen por edhe mbi administratën. Një nga pasojat e të gjithë këtij ndikimi negativ mund të thuhet padyshim është edhe rritja e shkallës së informalitetit.

Është momenti për një reagim frontal, qoftë në tërësi i administratës tatimore, qoftë individualisht nga çdo drejtues dhe nga çdo punonjës i kësaj administrate.

Jemi në kushtet kur dhënia dhe marrja e kuponit është rikthyer në nivelet më të ulëta përpara sesa të niste lufta shumë e vështirë, por e domosdoshme kundër informalitetit. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e administratës tatimore për tu adresuar në mënyrë sistematike dhe pa asnjë tolerancë, ashtu sikundër është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e administratës tatimore që në këtë drejtim të mos kthehet mbrapa në praktikat dhe sjelljet e shëmtuara agresive të të shkuarës.

Nga ana tjetër, informaliteti ka prekur përsëri në mënyrë të ndjeshme edhe tregun e punës. Sot kemi aktualisht shifrën më të ulët historike të papunësisë, pas më shumë se 2 dekadash, 12.1%, ndërkohë që kemi një rritje të frikshme të informalitetot në punë, përsëri. Kjo duhet të jetë, po ashtu, një pjesë thelbësore e shqetësimit të përditshëm dhe e veprimit të përditshëm të Tatimeve, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoriatin e Punës, por përsëri, e theksoj, duke ndërtuar një veprim të mirëstrukturuar larg çdo shfaqjeje agresiviteti dhe arbitrariteti në dëm të biznesit.

Një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj shumice qeverisëse ka qenë arritja në funksion të ç’skllavërimit të njerëzve që punojnë në të zezë. Kjo arritje nuk mund të asgjësohet, por, përkundrazi duhet të rikonfirmohet dhe të çohet më tutje.

Sot, të dy këto institucione, pra Tatimet dhe Inspektorati i Punës janë në një ombrellë dhe duhet të funksionojnë si një sistem i integruar. Është për të ardhur keq që raportohet një numër i rritur kontrollesh nga viti në vit ndërkohë që efektiviteti i këtyre kontrolleve të rritura është në rënie. Mungon shënjeshtrimi i subjekteve me risk dhe kryhen kontrolle që konsumojnë energji të tepërt, cënojnë imazhin e shtetit dhe shqetësojnë në mënyrë të padrejtë sipërmarrjen. Patjetër e gjitha kjo reflektohet në cënimin e hapësirës për investime publike dhe në cënimin e paketave sociale që janë miratuar dhe janë buxhetuar.

Është e papranueshme që të preken investimet, apo paketat sociale për mos eficencë të këtyre dy strukturave!

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur indikatorë performance që nuk ndiqen për çdo punonjës dhe për çdo kontroll të thelluar.

Ndërkohë që sot, dua ta nënvizoj me forcë atë që shumëkush ndër ju këtu e ka dëgjuar më shumë se njëherë nga ministrja dhe nga zv/Kryeministri, kush nuk arrin indikatorët nuk mund të jetë më pjesë e kësaj administrate, as të Tatimeve, as të Inspektoriatit të Punës.

A më thotë dot këtu dikush nga ju, si mundet të pranohet, sot që flasim, që të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 112 mijë të tilla? Janë një faktor risku numër një.

Kush e mban përgjegjësi për këto?

Kut i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë?

Kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi?

Si mundet që të gdhijë dita e re e të gdhijë dita tjetër e të gdhijë java tjetër e të gdhijë muaji tjetër dhe këto pika të kuqe alarmi të mbeten të kuqe?!

Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për këtë.

Është ngritur një sistem që konsiderohet funksional në Tatime së bashku me Fondin Ndërkombëtar Monetar, të cilin vetë Fondi e ka marrë si model për tu përdorur dhe ne vendet e tjera në modernizmin e ndërveprimit me tatimpaguesit, me module risku që do jenë bazë e analizës dhe orientimit të kontrolleve të hetimit dhe të vizitave në terren të një aktiviteti inteligjent dhe ka vetëm një motiv për rezultatet e pamjaftueshme: çorganizim dhe anarki brenda administratës ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale, apo në grup për qëllime korruptive.

Po punojmë për projektin e fiskalizimit që së shpejti do të dalë për konsultim publik për faturën elektronike dhe nxjerrjen mbi sipërfaqe të të gjitha transaksioneve në mënyrë transparente, duke kaluar në një model digjital ku praktikisht çdo faturë në kohë reale është e monitorueshme dhe merr fund epoka e faturave fundore, thjesht e vetëm si të tilla, por edhe për faturat mes vetë bizneseve. Madje do të monitorohet nëpërmjet vetë sistemit dhe pagesa e faturës nëpërmjet bankës, në mënyrë që të mos ketë fatura fiktive.

Megjithatë, e gjithë kjo, nuk e përjashton faktorin njeri, nuk e përjashton faktorin organizim, koordinim dhe veprim i përditshëm në territor përmes syve njerëzorë.

Më thoni ju, si mundet që karburantet, cigaret, akciza në përgjithësi përfshirë pijet alkoolike, por edhe ndërtimi që kanë dhe ndikimin më të lartë në të ardhura, të mos adresohen nga ky sistem administrativ në mënyrë të koordinuar, për të mos folur për turizmin për shkak të sezonit, por dhe në vazhdimësi!

Kemi bërë një ulje drastike të TVSH-së së turizmit në 6%, në funksion të lehtësimit dhe të sipërmarrjes, por dhe të formalizimit të tregut. Sipërmarrja është lehtësuar, tregu nuk është formalizuar. Përsëri mungon analiza e riskut.

Modeli është i qartë. Moduli i riskut evidenton 6100 subjekte me risk të lartë nga të cilët 270 janë subjekte akcize, 453 figurojnë subjekte ndërtimi, ndërkohë që fokusi kryesor mungon.

Atëherë kur duhet ngritur me forcë kjo pyetje e kur do t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje: Pse?

1574 subjekte vetëm në vijën bregdetare janë të regjistruara në “Booking”.

A janë të gjithë deklarues në tatime?

Çfarë do të thotë që të dihet shifra nga “Booking” dhe të mos dihet nga tatimet se ku janë këta?

Do të thotë çorganizim dhe anarki.

Në Sarandë ka apartamente, penthouse, që reklamojnë çmime deri në 550 euro nata dhe dalin dhe të rezervuara në ëeb, gjë që është fantastike për turizmin, sepse flet për një rritje pozitive në funksion të zhvillimit të turizmit dhe patjetër edhe për rritje të ardhurash.

Si mundet që për këto apartamente të mos ketë kontribute në tatime?

Cigaret dhe karburantet, e kemi thënë vazhdimisht, që kërkojnë një adresim të integruar midis Tatimeve dhe Doganës, shkëmbim të dhënash, ndjekje të zinxhirit në çdo hallkë, nga momenti i hyrjes deri tek konsumatori fundor. Ato përbëjnë rreth 40% të të ardhurave të Doganës dhe çdo rrjedhje aty, e dini mirë që ka një impakt negativ të drejtpërdrejtë. Skemat e mashtrimit me TVSH-në tek ndërtimi janë zbuluar dhe janë goditur, por nuk janë eliminuar, vazhdojnë.

Kemi së shpejti projektin e punësimit të 200 studentëve që do të angazhohen për të komunikuar me biznesin dhe për të ndihmuar në terren krah jush. Që sot zyrat e punës hapin aplikimet për rekrutimet e tyre dhe patjetër që i gjithë koordinimi i kësaj trupe do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por në fund të ditës, barra kryesore është barra e drejtuesve.

Kemi vendosur të ndryshojmë drejtuesin e përgjithshëm dhe zonja Ibrahimi që deri dje ka drejtuar INSTAT-in, do drejtojë Tatimet, por ky është vetëm fillimi i një procesi ndryshimesh në të gjithë hierarkinë, bazuar vetëm mbi një faktor, rezultati.

Rezultati ka qenë pika kyçe për drejtuesin e deridjeshëm.

Rezultati i është pika kyçe për drejtuesen e re.

Rezultati duhet dhe do të jetë pika kyçe për çdo drejtues në çdo nivel.

Është koha për të dhënë qartësisht, jo vetëm me fjalë, por dhe me veprim mesazhin se informaliteti nuk do të tolerohet më tutje!

Patjetër që, siç e nisa fjalën, situata politike e gjithë 6-mujorit të parë të vitit ka qenë tërësisht në disfavor të punës suaj, në disfavor të performancës së përgjithshme të shtetit dhe sigurisht që në këtë aspekt mund të ketë hapësirë për një mirëkuptim me bizneset dhe me qytetarët, me konsumatorët, por nuk ka hapësirë për mirëkuptim me administratën.

Nuk është i mirëkuptuar asnjë drejtues i administratës tatimore që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm.

Nuk është i mirëkuptuar asnjë punonjës, asnjë inspektor terreni që nuk përmbush objektivin e përmuajshëm dhe nuk do të ketë mirëkuptim për asnjë syresh.

E fundit që kam është hetimi tatimor. Hetimin tatimor e kemi identifikuar përpara një viti si një hallkë problematike, problematike për biznesin, problematike për qytetarin, problematike për shtetin.

Hetimi tatimor nuk mund të jetë një trupë paramilitare inspektimesh për inspektim.

Hetimi tatimor duhet të jetë shërbimi inteligjent i tatimeve.

Duhet të jetë syri që sheh aty ku të tjerët nuk shohin, veshi që dëgjon aty ku të tjerët nuk dëgjojnë dhe iniciuesi i goditjeve mbi bazë pune inteligjente, jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm se sa sjell rezultat.

Unë kam besim që drejtuesja e re, sëbashku me ekipin drejtues të Ministrisë dhe të Tatimeve, nën monitorimin sistematik të zv/Kryeministrit i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sukses, por suksesi në këtë moment dhe në këtë drejtim kërkon sakrificë, jo në kuptimin e ndonjë heroizmi, po në kuptimin e angazhimit të çdo individi dhe çdo strukture me fokus objektivin.

Duke i uruar drejtueses së re sukses dhe duke ju uruar të gjithëve ju sukses, unë dua ta mbyll me një apel për të gjithë bizneset:

Kemi zgjedhur prej më shumë se 6 muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Kjo periudhë ka përfunduar dhe besoj që legjislacioni është shumë i qartë dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse, janë të atilla që nuk ia vlen aventura e mos lëshimit të faturës. Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal të mbyllet lokali, në një njësi tregtare, të mbyllet njësia për një periudhë që sjell një dëm të madh. Kështu që, ju lutem, të gjithëve, mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do tolerohet askush!

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.