Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me përfaqësues të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë dhe shoqatave të biznesit:
E kam pritur me shumë padurim këtë takim, sepse sfida e madhe për të konsoliduar një ekonomi tregu, që sot nuk është funksionale sipas standardeve europiane, me rregulla loje të qarta dhe me zbatim të këtyre rregullave, në mënyrë që gjithkush të përfitojë atë që i takon dhe të kontribuojë aq sa i takon, është një sfidë e përbashkët.
Për asnjë çast nuk e kam kuptuar dhe nuk e kemi kuptuar këtë sfidë si një sfidë të njëanshme të qeverisë. Në fakt, sfidë është një fjalë shumë e butë. Unë mendoj që ne jemi në gjendje luftë përsa i përket rendit ligjor të ekonomisë. Gjendje lufte, ku ata të cilët respektojnë ligjin dhe rregullat plagosen çdo ditë, që nga kompanitë e mëdha, tek shitësit apo shërbimet private të pakicës dhe padyshim, tek çdo konsumator që nuk merr nga arka e shtetit, mbrapsht, atë që i takon, në formë rritje të rrogave, ulje të taksave, investime dhe shërbime publike më cilësore. Plagosen ata që duhet të jenë 100 % të garantuar dhe të mbrojtur dhe përfitojnë ata që duhet të përgjigjen para ligjit, evazorët e të gjitha niveleve, që nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjlit. Sepse kjo situatë nuk mundëson garantimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme për këdo; Nuk mundëson matjen e sipërmarrësve në treg me forcat e tyre, me idetë, talentin dhe vullnetin e tyre. Forca ilegale interferojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe e bëjnë shumëfish të vështirë, ecjen përpara të sipërmarrjes, që meriton garanci të plotë. Besoj që kjo e bën këtë sfidë krejtësisht të dyanshme dhe kjo e bënë aleancën tonë me biznesin, një aleancë jetike për t’i dhënë fund kësaj situate dhe për ta fituar këtë luftë.
Modeli i ri ekonomik që ne po vëmë në jetë me shumë vështirësi, ditë pas dite, nuk mundet dot të ketë suksesin që presim prej tij, nëse nuk është i mbrojtur nga agresioni i përditshëm i hajdutërisë, shqip; i informalitetit në gjuhën akademike. Është një agresion i kudondodhur; Një agresion që dekurajon sipërmarrësit që duan të fitojnë, por në rrugë të ligjshme; Një agresion që pengon përfituesit e ligjshëm të zhvillimit ekonomik, qytetarët dhe familjet të marrin atë që ky zhvillim ekonomik mund të japë; Një agresion që pengon qeverinë dhe shtetin t’ju përgjigjet ashtu siç duhet qytetarëve.
Nuk fillojmë nga zero. Është një operacion që përkon me një fazë të dytë të një kundërveprimi agresiv për ta fituar këtë luftë. Ndërkohë që në fazën e parë kemi bërë atë që duhej për të stabilizuar financat publike. Të mos e harrojë askush, këtu ka dëshmitarë që dy vjet më parë ishin në shtrëngesat e fundit të lakut të falimentit, për shkak të borxheve që iu kishte qeveria. Janë 600 e kusur milionë dollarë që janë kthyer në arkën e sipërmarrjes. Përfytyroni sikur ju të mos i kishit pasur ato borxhe dhe qeveria të mos kishte pasur detyrimin t’jua kthejë ato borxhe, 600 e kusur milion dollarë, me sakrifica të paevitueshme.
Mos harroni që dy vjet më parë duhet të paguanit ryshfet për të marrë rimbursimin e TVSH-së dhe qeveritë arritën kulmin me qeverinë e kaluar, duke e përdorur mbajtjen e TVSH-së, në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, për vete, në mënyrë që të kompensonin sa të mundnin, gropën që zgjerohej në raport me nevojën për të ardhurat. Sot, TVSH-ja rimbursohet automatikisht dhe askush nuk ka nevojë të paguajë asnjë qindarkë.
Mos harroni që dy vjet më parë, ky shtet mblidhte 23 e pak për qind nga gjithë kontributet dhe kaq ishin në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të ardhurat nga kontributet. Ky vit do të arrijë 27 përqindëshin, falë punës heroike të Drejtores së Përgjithshme të Doganave, në kuptimin e plotë të fjalës, me një administratë që është shumë larg së qeni një administratë performante dhe falë një kapërcimi historik në të dhënat e TVSH-së. Ashtu sikundër, falë edhe një pune të shkëlqyer të Inspektoratit Kombëtarë të Punës dhe një kapërcimi historik në të ardhurat nga sigurimet shoqërore.
Por, absolutisht, këto nuk janë arritje që unë po i rendis për t’ju thënë shikoni sa mirë që jemi. Janë arritje që i rendis, për t’ju thënë që e kemi nxjerrë nga koma, ekonominë dhe financat e këtij vendi; I kemi shpëtuar një kolapsi të plotë financiar, si rezultat i efektit zinxhir që do të sillte kolapsi i plotë i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Sot, për herë të parë në historinë e vet, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk kërkon më injeksione nga buxheti i shtetit, por ka filluar të bëhet tatimpagues i rregullt, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Shumë njerëz pyesin ku janë shkollat, spitalet, kopshtet, çerdhet, stadiumet që do të fitonim nga paratë e munguara çdo vit, 150 milionë dollarë të kompanisë? Në radhë të parë, kompania, për herë të parë pas kaq shumë vitesh po investon nga të ardhurat e veta për të rritur cilësinë e shërbimit. Në radhë të dytë, unë e kuptoj padurimin e njerëzve. Kanë 20 e kusur vite që u rropatën nëpër shtigje e nëpër ferra dhe ju ka ardhur shpirti në majë të hundës dhe duan që çdo gjë të bëhet sot. Por, nëse një shtëpi pa leje do dy vjet për t’u ndërtuar, një shtet i shkatërruar nuk rindërtohet i gjithi dhe të bëhet funksional në dy vjet. Të kërkosh këtë, do të thotë të kërkosh jo qiqra në hell, po shumë më tepër se qiqra në hell, do të thotë të kërkosh biletë për të shkuar në hënë, me autobusët e Ferdinandit. Nuk ka mundësi Ferdinandi, të çojë njerëz në hënë.
Tek të ardhura, – dëgjova një mik të nderuar, – e kundërta është e vërtetë. Ne kemi bërë një plan të ardhurash dhe përtej diskutimit mbi metodologjinë tradicionale të të bërit të planit të të ardhurave, që ne po e adresojmë me shumë kujdes dhe me ekspertizë ndërkombëtare, për më tutje, ajo çka ne kemi humbur si të ardhura nga plani lidhet në masën e vet më të madhe me efektet e para të modelit të ri ekonomik. Kemi një model të ri ekonomik, që e kemi thënë qysh në krye të herës, do të ndërtohet mbi burimet e qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe do të fuqizojë sa më shumë të jetë e mundur, mekanizmat e prodhimit dhe të përpunimit.
Po ju bëj një llogari shumë të thjeshtë, – dhe ju jeni të gjithë, llogaritarë më të mirë se unë, sidomos kur bëni bilancet e dyfishta, – për të kuptuar se çfarë ndodh. Na mungojnë rreth 155 milionë, – unë flas me dollarë, se jam popull në këtë drejtim, nuk jam profesor si ministri i Financave që flet me lekë të reja.
25 milionë dollarë janë të ardhurat e munguara nga ulja e çmimit të naftës dhe të mineraleve në tregun ndërkombëtar. Kjo besoj nuk ka lidhje me qeverinë.
13 milionë dollarë mungojnë nga ulja e importit të energjisë.
Të dyja këto, sigurisht janë mungesa për ne dhe do të të donim t’i kishim këto para, por janë shprehje e faktit që ekonomia, në rastin e uljes së importit të energjisë dhe mirëqeverisja në sistemin e shpërndarjes së energjisë marrin efekte pozitive.
7 milionë dollarë janë nga ulja e barrës fiskale për makineritë dhe lëndët e para. Kemi hequr TVSH-në e makinerive dhe kemi pranuar që do humbasim në buxhet dhe kemi një rritje drastike të importit të makinerive, që do të thotë se ekonomia po fillon të lëvizë në drejtimin e dëshiruar dhe në funksion të modelit të ri ekonomik që duam të stimulojmë. Nëse do të kishim TVSH-në mbi bordin e makinerive, do t’i kishim në buxhet këto. Por neve nuk na janë dashur në buxhet. Për ne ka një ekonomi, nuk ka dy. Nuk ka një ekonomi të shtetit dhe një ekonomi të privatit, është e njëjta ekonomi.
22 milionë dollarë mungojnë nga rimbursimi i TVSH-së. Është rimbursimi më i lartë historik.
11 milionë dollarë mungojnë për shkakun teknik të ndryshimit të procedurës në raportimin e të ardhurave, që bëjmë një raportim për një muaj më parë në 15-ditëshin e dytë të muajit tjetër. Teknikisht, kjo e shtyn rezultatin fundor, por këto para, faktikisht, nuk kanë dalë nga arka e shtetit.
30 milionë dollarë është inflacioni më i ulët. Kemi një inflacion më të ulët sesa ai i parashikuari. Pra, 30 milionë dollarë janë nga inflacioni më i ulët, që do të thotë se rritja e parashikuar e çmimeve nuk ka ndodhur. Edhe pse këtu është sport kombëtar që të ankohen të gjithë se sa të larta janë çmimet, por rritja nuk ka ndodhur. Kjo ka qenë një e mirë për konsumatorët, por faktikisht është e munguar në buxhet.
32 milionë dollarë mungojnë për shkak të cigareve. Rritja e akcizës së cigareve, rënia e provuar e konsumit të cigareve, e qëllimshme, kemi pranuar botërisht që po rrisim akcizës se duam të dekurajojmë duhanpirjen. Por ky është vetëm njëri element. Elementi tjetër është krijimi i një stoku shumë të madh, nga ana e kompanive, përpara sesa rritja e akcizës të hynte në fuqi, në mënyrë që ta përdorin me akcizën e vjetër në shitje; Një rritje e prodhimit vendas, që ka nevojë për formalizim, por që është e materializuar në rritjen e 70% të letrës së cigares nga importi dhe padyshim, edhe një element tjetër, informaliteti, që as nuk diskutohet, mbetet për t’u diskutuar vetëm shkalla.
Po t’i mbledhim të gjitha këto, jemi në volumin e shumës që propagandohet nga burime që nuk kanë asnjë besueshmëri, por që që gjenerojnë çdo ditë, propagandë. Që do të thotë që këto para as janë vjedhur, as kanë ikur në drejtim të paditur dhe as janë një shenjë e qartë alarmi, për ç’po na ndodh me të ardhurat.
Thënë kjo, dua të bëjë të qartë se ne kemi një potencial shumë të madh, – e dimë ne, e dini ju. Ju e dini dhe e keni, ne vetëm e dimë, – në rast se nxjerrim nga zona gri e paligjshmërisë, paratë që i takojnë konsumatorit. Nga ky proces, që është një proces operacioni rrënjësor, me dhimbje që do jenë të mëdha për ata që nuk janë të gatshëm t’i nënshtrohen kornizës së rendit ligjor ekonomik, ne synojmë që bashkërisht të shërojë një situatë, ku çdokush që bën biznes të ketë lirinë dhe garancinë se me idetë, paratë dhe vullnetin e tij merr atë që meriton nga konkurrenca e vërtetë. Pa pasur konkurrentë, fantazma që luajnë gjithfarë mënyrash dhe pa pasur konkurrencë as bashkëpunimin kriminal midis evazorëve dhe tatimorëve apo doganierëve.
Unë e kam thënë hapur dhe qartë dhe nuk kam asnjë problem ta rithem; zemra e informalitetit është korrupsioni i administratës. Në qoftë se administrata do të ishte e ndërtuar në gjithë këto vite, si një mekanizëm që funksionon brenda një sistemi që e bën të pamundur korruptimin e saj, ne sot s’do ishim këtu ku jemi. Njësoj si me energjinë, që grabitja kolektive e një pasurie kombëtare realizoi – dhe ka ende luftë që vazhdon në terren, – bashkëpunimin kriminal mes hajdutëve, përfitues të energjisë dhe hajdutëve brenda sistemit, që merrnin ryshfet dhe nuk faturonin energjinë. Madje merrnin para për të bërë edhe lidhjet e paligjshme, si specialist të besuar.
Por duhet të kuptojmë shumë qartë diçka; kjo nuk është gjendje lufte mes qeverisë dhe biznesit. Kjo është gjendje lufte në organizmin e ekonomisë sonë, që gërryhet prej 20 e kusur vitesh nga ky kancer që quhet informalitet. Dhe kjo do radikalizëm të plotë.
Nuk kemi për çfarë t’i mbushim mendjen njëri-tjetrit, pas 25 vjetësh, sesi funksionon ekonomia e tregut. Dëgjova këtu që penalitetet nuk janë gjeja e duhur. Penalitietet do të jenë absolutisht më të lartat që mund të ketë imagjinuar në fantazinë e vet, ai që vjedh. 5 milionë lekë (të vjetra) do të paguajë çdo pikë fundore shërbimi, shitje me pakicë, nëse kapet në kushtet e mosdhënies së kuponit tatimor. 100 milionë lekë (të vjetra) do të paguajë çdo burim, pra, për çdo inventar që rezulton i trukuar janë 100 milionë, ose 100 mijë dollarë. Dhe kjo mundësi është vetëm një herë, herën e dytë duhet të paguani avokatët, nuk keni më punë me ne. Jo ju, se ju të gjithë jeni në rregull, s’keni dy bilance. Ne flasim për ata që i kanë.
Nga ana tjetër, në këtë gjendje lufte jemi edhe në raport me skllavërinë. Në Shqipëri ka mijëra dhe dhjetëra mijëra skllevër, që janë skllevërit e bizneseve tuaja. Skllevër që me një copë bukë i mbanin në gjendje skllavërie. Skllevër, njerëz që nuk kanë sigurime dhe nuk ekzistojnë, “njerëz gri”. Burra dhe gra, prindër, vajza e djem, më shumë vajza se djem, fantazma në ekonominë tonë, që punojnë me orare të zgjatura dhe nuk ekzistojnë. Për këtë, penalitetet do të jenë edhe më të rënda. Kush do të kapet në kushtet e financimit të një turpi, që bota e ka bërë të qartë, me kohë, se çfarë turpi është, do të trajtohet si pronarë skllevërish. Punëtorë në të zezë mund të ketë, por, nëse do të identifikohen, do të jetë e zeza e atyre që i mbajnë në të zezë.
25 vjet janë mjaft për çdo justifikim, për çdo teori, për çdo filozofi, për çdo akademi dhe në mos qofshin boll për të gjitha këto, janë boll për detyrimin që ne u kemi si qeveri, të gjithë atyre qenieve njerëzore që votojnë, apo që kanë të drejtën e votës dhe që nuk ekzistojnë. Inekzistent, njerëz të bërë nul. Inspektorati Kombëtarë i Punës ka bërë një punë sa të shkëlqyer, aq edhe të trishtueshme, për ne të tjerët. Duke parë të dhënat, vetëm brenda një viti, mijëra njerëz të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë. I një skllavërie të legalizuar me vite të tëra dhe të konsideruar si normalitet. Por Inspektorati, njësoj si edhe tatimet, do të jetë shumë më intensivisht në terren, për t’i goditur metastazat e këtij kanceri, kudo ku të shfaqen.
Ne kemi të qartë edhe një gjë tjetër, të cilën e dëgjova nga një sipërmarrës, Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo betejë, për ata që importojnë brenda rregullave. Kjo betejë do të thotë një kërcënim i madh, nga ata të cilët importojnë jashtë rregullave, duke filluar që nga legaliteti i origjinës. Nëse dikush ka një kontratë me një markë dhe importon nga ajo markë, brenda rregullave të shtetit shqiptarë dhe ai produkt, – nuk po përmend emra, se mos më quhet reklamë, – vjen në Shqipëri, është i certifikuar dhe është shqip, sepse sipërmarrja ka një kontratë, është i kërcënuar nga të tjerë që shkojnë e marrin me çanta, me motoçikleta, me varka dhe sjellin po atë produkt, por me gjuhë të huaj, duke i bërë një konkurrencë tërësisht të pandershme në çmim. Pra, standardet që në ju kërkojmë të respektoni, unë e di shumë mirë që janë një kërcënim për ju, në rast se ne nuk jemi të aftë që të mbyllim kanalet e tjera të konkurrencës. Këtu duhet një bashkëpunim shumë i fortë. Ne nuk e bëjmë dot këtë pa ju. Në rast se kompanitë tuaja, që kërcënohen nga kjo konkurrencë dhe që e kanë shumë të qartë, se ju keni një dijeni që asnjë shërbim sekret shqiptar nuk ka për ta pasur as në vitin 3000, se çfarë ndodh në tregun e interesit tuaj, çfarë mallrash lëvizin, kush i lëviz, nga i çon dhe si i çon, këtë dijeni duhet ta vini në dispozicion të kësaj lufte dhe t’i kërkoni qeverisë, shtetit, agjencive, të veprojnë për ta bllokuar, se nuk do të dilni të luftoni me armë. Në këtë aspekt na duhet një bashkëpunim shumë i fortë.
Por na duhet një bashkëpunim shumë i fortë, edhe për të zmbrapsur dhe për të nxjerrë jashtë sistemit të administratës tonë tatimore, doganore, çdo lloj personazhi që nuk është në lartësinë e duhur, që shfaqet në derën tuaj si ata kambistët e dikurshëm, me çantat e vogla që mbajnë para, që shkel syrin dhe thotë ose kaq për shtetin, ose kaq të dy bashkë, që vepron në mënyrë injorante mbi dokumentacionin, që vendos e merr vendime të pamundura. Kjo do bashkëpunim. Sa më shumë që ju do të vazhdoni të preferoni ta mbyllni me atë, aq më të mbyllur e keni rrugën e suksesit tuaj. Është iluzion që suksesi juaj është i garantuar, duke u bërë ju, ata që ushqeni këta lloj parazitësh të rrezikshëm, që gërryejnë financat dhe ekonominë e këtij vendi. Ne do të fusim në paketën e re ligjore, ndëshkimin penal për çdo inspektor të tatimeve apo të doganave, që bashkëpunon në fshehjen e të ardhurave, në fshehjen e aktiviteteve, në fshehjen e të dhënave. Që nga ata që janë si, – u bë disa herë që po e përmend, po nuk kam gjë me Pal Mëlyshin, – si Pal Mëlyshët tuaj brenda sistemit tatimor, që nga njëra anë vijnë ju shkruajnë juve bilancin, nga ana tjetër vijnë jua kontrollojnë, tek ata që bëjnë sikur nuk e shohin një dyqan mu në mes të Tiranës.
Grupet e kontrollit do të operojnë me zona të përcaktuara, ku ka një person që, pasi bëhet krehja e parë, do të jetë përgjegjës dhe do të përgjigjet para ligjit penalisht, në rast se grupi tjetër i monitorimit do të gjejë dyqane dhe biznese të padeklaruara, të paregjistruara, apo me probleme të kësaj natyre, të fshehura, ose magazina ku mbahet mall jashtë procedurave. E di që ka pasur një shkarkim të madh të magazinave në gusht, – s’ka problem. Shpresoj që të jetë shkarkimi i fundit, për t’i ngarkuar magazinat me produkte që janë brenda gjithë proceduarve.
Padyshim ka shumë të drejtë çdokush, çdo ekonomist, çdo politikan, çdo filozof, që të flasë për taksat, për lehtësirat fiskale, për paketën fiskale etj. etj.. Por ne, sot jemi larg së qeni në kushtet që të kemi një rend ligjor ekonomik ku mund të bëjmë ndonjë çudi në këtë aspekt. Asnjë çudi nuk mund të bëjmë ne. Ne jemi në këmishën e forcës, që na e mban shtrënguar informaliteti. Sa më shumë, ne të spostojmë nga zona ilegale e ekonomisë informale, para dhe skllevër që kthehen në qytetarë dhe punonjës së rregullt, aq më shumë do të kemi mundësi të ulim taksat, për të rritur rrogat e punonjësve që janë jo vetëm në shtet, por edhe në privat. Nuk ka shans që të bëhet ndryshe.
Po ashtu do të doja të thosha, – kjo ju takoj juve, por jo vetëm juve, – që ne do t’i japim fund me një afat, absurditetit që kompanitë e mëdha punojnë me kasa fiskale. Do me thënë që burimi, grosistët, shumica punon me kasë fiskale. Kjo është një absurditet. 70%, 80% ka raste. E di që kjo ka ardhur si rezultat i nënshtrimit të detyruar ndaj zinxhirit të informalitetit, por nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që i korrupton njerëzit. Edhe e keni pas të pamundur, pro edhe ju ka pëlqyer, për hir të vërtetës, se është më e relaksuar loja. Vetëm 10% me kasë fiskale deri më 31 mars të 2016 dhe pas 31 marsit të 2016-ës, asnjë përqind me kasë fiskale, ata që tregtojnë me shumicë. Asnjë përqind! Vetëm me faturën tatimore. 10 përqindëshi është vetëm për të lënë një hapësirë minimale akomodimi. Kemi bërë një diskutim shumë të gjatë. Unë kam qenë për zero që tani, ministri i Financave dhe ministri i Ekonomisë kanë qenë për një relaksim më të madh, së bashku me ekspertë dhe duke diskutuar me ju, kemi arritur në 10 përqindëshin.
Nga ana tjetër, këtë monopol të kasave fiskale, që ne e kemi trashëguar si shumë çudira të tjera, kompanitë që e administrojnë dhe që e kanë marrë në kohën e politikës informale të koncesioneve etj., ne e konsiderojmë një monopol shtetëror dhe kompanitë që bëjnë këtë shërbim nuk mund ta trajtojnë si treg të lirë, ku rrisin çmimet sa të duan. Kasa fiskale që i shesin sikur janë prodhimet e Steve Jobs-sit. Kështu që sot, pas disa takimesh, ministri i Ekonomisë dhe i Financave do të përcaktojnë çmimin e mundshëm të kasave fiskale, me një ulje të konsiderueshme dhe uljen drastike të shpenzimeve të mirëmbajtjes. Kasa, që mirë që i blejnë shqiptarët sikur po blejnë kompjuter Apple me dedikim nga Steve Jobs, po paskan edhe një limit që, në qoftë se të kalojnë 1800 raporte, duhet t’i zgjerosh memorien. Dhe për t’i zgjeruar trurin këtyre kompjuterëve, u dashka paguar 220 milionë euro. Çfarë t’i kërkojmë ne, atyre që shesin në një dyqan si të vetëpunësuar, t’ju kërkojmë që të futen në borxhin e jetës, për t’u formalizuar?! Nuk ka qenë zgjedhja jonë, është e trashëguar. Kompanitë kanë bërë investimet e tyre. Ne nuk po themi që ata do të punojnë 100% për shtetin dhe për konsumatorët, por po themi që ata duhet të mësojnë të fitojnë pa pasur gjak të thithur babëzisht nga të tjerët, në paratë që marrin.
Thënë kjo, besoj që është e nevojshme dhe për këtë ne do të diskutojmë edhe me kryetarin e Unionit dhe me Bordin, apo si jeni ju të organizuar që të gjejmë rrugë për të ndarë mirë se çfarë është biznes. Unë nuk dua më të flasim për biznes të vogël dhe biznes të madh, por çfarë është biznes që është i lidhur me zinxhirin e tregtimit me shumicë dhe çfarë është biznes që është vetëm vetëpunësim. Një grua që arnon pantallona për çunat e lagjes dhe që nxjerr vetëm rrogën e vet, një këpucar dhe një sërë zejesh të tjera, – kemi edhe ligjin e zejeve, – janë një burim, janë një mundësi e mirë vetëpunësimi, por nuk mund të jenë dot në kushtet e një biznesi që merr kontabilist, paguan TVSH-ra e histori të tjera. Këtu, ne do të bëjmë një dallim shumë të fortë, mbasi të gjithë të regjistrohen. Prandaj, unë i bëj thirrje sot, të gjithë atyre që janë në këto kushte, profesionet zeje, jo dentistët, – mos kujtojnë dentistët se do t’i trajtojmë si këpucarë, se marrin goxha për një dhëmb dhe përveçse të lënë edhe nofullën jashtë loje tre ditë, nuk e njohin fare kuponin, – nuk po mos flasim për ata, por flasim për të vetëpunësuarit me një profesion zejtarie. Dikush ka një dyqan që shet qëndisma, që nuk i vijnë as nga importi, as nga grosistët, por janë produkt i punë së një familjeje. Si mundet t‘u themi atyre, shkoni kontabilizohuni! Po, ata duhet të regjistrohen.
Paralelisht me këtë, me të njëjtën logjikë, unë kam bërë një bisedë dhe vazhdoj të insistoj, megjithëse nuk është vendimi ynë, por është vendimi i kryetarëve të bashkive, për të vepruar edhe për taksën e pasurisë. Në radhë të parë, njerëzit duhet të regjistrohen me një kuotë minimale për shtëpinë e parë, 1 euro në vit pasuria për shtëpinë e parë. Shtëpia e dytë është histori tjetër, apartamentet bosh që i mbajnë peng sipërmarrësit është një histori tjetër.
Por që të mos hapemi shumë, tek kjo e zejeve na duhet të bëjmë një politikë absolutisht liberale dhe mundësisht pa asnjë taksë. Zero! As taksë, as TVSH, asnjë gjë. Por regjistrim dhe monitorim, për të mos pasur nga ato lodrat që krijohen zinxhirë rrobaqepësish nëpër lagje, për të bërë fabrikë pantallonash, sepse ky është kreativitet i njohur i shqiptarëve. Ne nuk duam ta vrasim këtë kreativitet, por duam vetëm që në radhë të parë të stimulojmë fort vetëpunësimin dhe lehtësirat për këtë biznes.
Do të ulim drastikisht TVSH-në për turizmin, për hotelet. Do ta ulim drastikisht, por nuk do të bashkëjetojmë më me faktin, që në hotelerinë shqiptare rezulton mesatarisht, një person e gjysmë i punësuar. Një person e gjysmë, jo dy!
Një pronari të një hoteli, që më treguan këta të Inspektoratit, që rezultonte me një të punësuar, i kam bërë një telefon dhe i thashë: Më fal, si ia arrin që me një njeri të bësh edhe recepsion, edhe gatim, edhe larje e shpëlarje, edhe riparim ashensori dhe të gjitha.
Vetëm në një mënyrë, – më tha, – nuk jam vetëm, jemi të gjithë kështu.
Edhe kjo, sot nuk është e vërtetë, sepse ka struktura hoteliere që janë shumë korrekte, por nuk mund t’ju bëhet atyre konkurrencë nga njerëz që kanë gjithë ato hotele dhe thonë jemi një e gjysmë. Domethënë, është vetëm njëri që i bën të gjitha këto dhe pronari e quan vetën gjysmë se, meqë është pronar, nuk do të quhet i punësuar.
Do të jemi drastikë në goditjen e këtij fenomeni. Do ta ulim TVSH-në në mënyrë drastike. Do të kemi TVSJH-në më të ulët në të gjithë Europën, rajonin dhe ku të jetë. Më e ulëta e mundshme. Kush do bëjë investime në turizëm në Shqipëri, do të ketë TVSH-në më të ulët të mundshme, por, nga ana tjetër, edhe kontrollin më të rreptë, të imagjinueshëm, për këto shkarjet e tjera.
Këto janë gjëra që ju i dini. Unë fola gjatë si zakonisht, se për fat të keq më ka qëlluar të jem Kryeministër në një kohë kur gjysmën e kohës duhet me i kujtuar njerëzve se ku ishim, që të vijmë në realitet. Sepse është habi e madhe të dëgjosh ata që deri dje e frymëzuan këtë informalitet, – jo vetëm e lejuan, por e frymëzuan këtë informalitet, – që sot na tregojnë neve me gisht për qepenat e mbyllur. E nga ana tjetër, gjysmën e kohës për të thënë ku jemi dhe çfarë do bëjmë. Por fjala e fundit është: Ju lutem ndjehuni pjesë e kësaj sfide, ndjehuni bashkëluftëtarë në këtë betejë dhe mos lejoni që në dijeninë tuaj të kalojë pa u vënë re nga ne, asgjë që nuk shkon, qoftë në pikëpamje të konkurrencës së pandershme që ju bëhet, qoftë në pikëpamje të sjelljes absurde, shpeshherë, të administratës. Vetëm kështu, ne mund të riparojmë jo vetëm pjesën tuaj, por edhe pjesën tonë që na takon. Vetëm kështu, ata që vijnë atje duhet të ndjehen plotësisht të përgjegjshëm, që nuk po shkojnë tek kulakët, as te hajdutët, por po shkojnë tek njerëzit që janë fuqia më e madhe e këtij vendi, që prodhojnë zhvillim, krijojnë punësim dhe kontribuojnë me taksa.
Shumë faleminderit për durimin tuaj!