Konferenca javore Ekonomina në Fokus; infrastruktura e ujit të pijshëm:
Kryeministri Edi Rama: Sot është përditësimi javor lidhur me aspekte të ndryshme të ekonomisë. Për ditën e sotme kemi temën e ujit të pijshëm dhe dhënien e një pasqyre të përgjithshme të të gjithë procesit të transformimit që po ndodh në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, ku, për hir të së vërtetës, trashëgimia është nga më të rëndat. Aktualisht janë në punë 128 kantiere të hapura, të cilat do të mbyllen brenda vitit të ardhshëm. Në ndërkohë që brenda pranverës së ardhshme do të hapen plot 70 kantiere të tjera, për të garantuar 24 orë furnizim me ujë në vitin e ardhshëm, 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe në vitin 2022, edhe në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit.
Shumëkush që ndjek faqen time, por që sigurisht përfaqëson një kategori të caktuar të opinionit publik, ngre pyetjen herë me ironi, herë në formë habitore, që në fakt është e papërshtatshme për sa kohë të gjithë kemi jetuar në këtë vend dhe për sa kohë kemi një sens të historisë së këtij vendi: Si ka mundësi që akoma flasim për ujë të pijshëm, kur bota po shkon në hënë?
E vërtetë është kjo; që bota ka shkuar në hënë me kohë, por në sistemin tonë të ujësjellësve duhet të kemi parasysh që kemi një pasqyrë shumë të posaçme në raport me botën. Jo shumë të posaçme në raport me rajonin, për hir të së vërtetës, ku vihet re që rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet ‘60-’70-të. E që të jemi të qartë, as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë për të gjithë popullsinë. As në vitet e komunizmit nuk është ndërtuar një sistem ujësjellësi i rrjetëzuar nga qendra në çdo pikë banimi të Shqipërisë. Për më tepër, në 25 vjet pas rënies së komunizmit kemi praktikisht filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë, ku kemi patur dhe akoma sot, aty ku vazhdon puna, ka depo dhe tubacione të viteve ‘60-’70-të.
Është një reformë tërësore, një nga 5 kolonat e përcaktuara në objektivat tona dhe nuk ka të bëjë thjesht me investimet, ka të bëjë me konsolidimin financiar të ndërmarrjes së ujësjellësit, ka të bëjë me një transformimin tërësor të qasjes strukturore ndaj ujit të pijshëm, që vazhdon.
Kuadri ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm. Ka një program për agregimin e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve në rang kombëtar, por duhet të shkojmë më tutje, duhet të shkojmë drejt një radikalizmi të procesit të reformës për sa i përket strukturimit të të gjithë sistemit të administrimit të ujit të pijshëm. Megjithatë, kjo është një temë tjetër.
Ndërkohë dua t’ju bëj me dije se investimet që janë kryer për ujin e pijshëm përgjatë periudhës 2014-2019, janë në total 514 milionë euro, nga të cilat, 202 milionë janë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër janë financime të huaja.
Përsa i përket vitit 2020, vetëm për rrjetet e ujësjellësve janë investuar rreth 44 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe mbi 30 milionë euro nga financimet e huaja. Në vitin 2021 do të alokohen për ujësjellës-kanalizime, 52 milionë euro dhe financime të huaja gati 46 milionë euro.
Sa i përket ujësjellësve, nga trashëgimia nuk ka vetëm se rrjete të degraduara. Po jap disa të dhëna që besoj se krijojnë një ide më të plotë për pasqyrën për ata që na ndjekin.
Në vitin 2013, kur mbaroi epoka e keqqeverisjes së kaluar kishte vetëm një qytet me furnizim 24 orë, Korca. Furnizimi 24 orë për të tjerët ishte një perspektivë shumë e largët.
Sot që flasim ka 23 zona urbane me 24 orë furnizim me ujë, nga Bilishti në Tropojë, nga Pogradeci në Lezhë, nga Fushë Arrëzi në Fier, nga Vau i Dejës e Kopliku në Poliçan, Tepelenë dhe Memaliaj.
Deri në vitin 2021, furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, duke përfshirë që nga Laçi në Kavajë, nga Fushë Kruja në Shijak, nga Kruja në Berat, në Lushnje, Gjirokastër e me radhë.
Tirana është një histori më vete, ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, në tërësi flas, sepse ka edhe zona me 24 orë. Në tërësi, nga 7 orë në ditë furnizim mesatarisht, sot, vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit dhe në nivelin kombëtar, furnizimi mesatar me ujë të pijshëm i Shqipërisë ishte rreth 10 orë në ditë. Sot që flasim, jemi në 15 dhe do të arrijmë në 18 orë për të gjithë territorin e Shqipërisë.
Për më shumë dëgjojeni këtë shifër.
7 vite më pare, vetëm 59,1% e popullsisë kishin akses burimi uji të pijshëm përmes rrjetit. Nuk flasim këtu për 24 orë, flasim për akses të ujit të pijshëm përmes rrjetit, pra, në shtëpi. Sot jemi në 78,5%. Me përfundimin e punimeve të planifikuara, ato që janë në proces dhe ato që do të hapen, do të kemi në 2021-in, 85,6 % të popullsisë me akses në ujë të pijshëm.
Ndryshimi është absolutisht i ndjeshëm kudo, por është tërësisht, patjetër, i pamjaftueshëm në raport me objetivin dhe në raport me kërkesën krejt legjitime të të gjithë popullatës. Për këtë arsye mendoj që është themelore që ne të vazhdojmë punën dhe ne do ta vazhdojmë punën për të jo vetëm plotësuar të gjitha kornizat e prioriteteve të vendosura qysh në krye të herës, por edhe për të garantuar një qëndrueshmëri të atillë që të mos ketë më asnjë kthim mbrapa.
Ajo që dua t’u garantoj të gjithë qytetarëve, në të gjitha zonat ku ende ka problematikë me ujin e pijshëm, është se jo vetëm nuk janë lënë pas dore, por, e përsëris, 128 kantiere janë në punë tani që flasim, pavarësisht të gjitha vështirësive ekstra që na është dashur të përballojmë me tërmetin dhe me flamën globale të pandemisë.
Atyre që pretendojnë, pyesin, apo sugjerojnë që këto nuk janë prioritete, se investimet që ne i kemi vazhduar dhe vazhdojmë nuk janë prioritete, qoftë për infrastrukturën kombëtare rrugore, qoftë për të tjera, përfshirë këto investime për të cilat flasim sot, ju them shumë thjeshtë; që ekonomia shqiptare të rritet, duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm dhe këto investime nuk janë aspak qëllim në vetvete. Këto investime nuk janë thjesht mijëra mundësi punësimi dhe të ardhurash për dhjetëra mijëra njerëz që punojnë në këto kantiere, duke filluar nga rrugët tek shtëpitë që rindërtohen, por janë burime të reja ekonomie për të ardhmen e familjeve dhe për të ardhmen e vendit, për ekonominë familjare dhe për ekonominë kombëtare.
Eshtë njësoj si një familje, e cila në kushtet e përballjes me masa shtrënguese ka nevojë të mbyllet, por ka nevojë dhe të punojë. Çdo shtëpi duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë që të garantojë të ardhurat. Dhe shtëpia jonë e përbashkët duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë të punojë. Vetëm kështu, ne do të vazhdojmë të kapërcejmë në një nivel tjetër në aspektin ekonomik dhe në aspektin social. Vetëm kështu, ne do të kemi më shumë të ardhura për të bërë një rishpërndarje më të madhe të të ardhurave, për të rritur më tutje rrogat, për të rritur më tutje pagën minimale që tanimë e kemi vendosur në 30 mijë lekë të reja, për të rritur mundësitë për punë dhe për më shumë fitime për të gjithë përmes punës.
Unë kam disa pyetje, edhe nga paraqitjet që dëgjova nga zonja minister, por dhe nga drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve pashë që ishin shumë zona dhe të thella, dhe rurale. Shumë mirë që janë bërë investimet, por mungonin zonat turistike. Velipoja, po ta shikosh tek harta është me portokalli, që do të thotë që është planifikuar të mbyllet vitin tjetër, 2021-2023. Vlora, e njëjta situatë pjesa e bregut, Saranda gjithashtu, Durrësi gjithashtu. Mos ndoshta është zgjedhur një strategji e gabuar, për të investuar ose për të ndërtuar ujësjellës-kanalizimet edhe në zonat ku janë disa fshatra që, unë i kam parë, ka rreth 50 banorë, ndërkohë që janë evituar, ose nuk janë bërë ende investime ku ka shumë kapacitet edhe ekonomik dhe ku janë zona kryesore turistike.
Një pyetje për Kryeministrin Rama. Ju, para ca vitesh, në vitin 2015, në mos gabohem, keni paraqitur reformën e ujit si një nga reformat më të rëndësishme pas asaj të energjisë. Humbjet në rrjet kanë qenë diku tek 60%, në mos gabohem. Si ka ecur kjo reformë dhe a ka një reduktim të humbjeve në rrjet?
Një pyetje për skemën e financimit për HEC-in e Skavicës, si është zgjedhur, apo nuk është përcaktuar ende si do jetë?
Për Zonjën Balluku, projekti Milot – Fier, si ka shkuar, si po shkon, në çfarë faze është?
Faleminderit!
Drejtori i Përgjithëm i UKT-së, Alqi Bllako: Sa i përket pyetjes së parë, konstatimi është i drejtë, por ne kemi qenë në koordinim perfekt me donatorët. Donatorët kryesorë janë Banka Botërore, Fondi Francez për Zhvillim dhe Banka Gjermane për Zhvillim dhe kemi bërë një ndarje të investimeve që do të mbulojë buxheti i shtetit dhe këta donatorë për shkak dhe të angazhimeve më të mëdha financiare. Zonat që ju përmendët janë marrë përsipër pikërisht nga donatorët. Tashmë marrëveshjet financiare janë të miratuara dhe brenda vitit 2021 pritet të fillojë financimi në të gjitha këto zona që ju përmendët, për të garantuar dhe aty furnizim 24 orë me ujë. Këto janë marrëveshje të filluara negocimi në vitin 2019. Siç e dini kanë procedurat e veta të negocimit dhe pritet që ndërtimi të fillojë në vitin 2021. Kjo ndarje është bërë për të vetmen arsye sepse janë zona që kërkojnë investime kapitale shumë herë më të konsiderueshme, sesa janë mundësitë reale të buxhetit të shtetit.
Kryeministri Rama: Sigurisht që ka një reduktim të ndjeshëm të humbjeve në rrjet, por ajo që thashë që në fillim, reforma duhet thelluar, sepse, për hir të së vërtetës, këto ndërmarrje, edhe pse janë shkëputur në mënyrë të arsyeshme nga tradita mizerabël e dekadave të para të pasrënies së komunizmit, kur u kthyen vetëm në zyra pune dhe nuk u investua për burime njerëzore, nuk u investua për profesionalizmin e tyre, mbeten problem. Kështu që është koha për ta çuar reformën në një fazë tjetër dhe për këtë jemi duke diskutuar brenda për brenda.
Përsa i përket Skavicës, është pyetje e ezauruar sepse dihet botërisht që kemi një marrëveshje me qeverinë e Shteteve të Bashkuara për ta ndërtuar Skavicën.
Ministrja Balluku: Nëse Kryeministri do më lejojë, do jepja dhe disa detaje përsa i përket Skavicës, duke qenë se këtë javë ka pasur zhvillime dhe ju jeni të interesuar si një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë tonë dhe ëndërr e të gjitha qeverive të tjera. Patjetër, ne po bashkëpunojmë me qeverinë Amerikane. Dje, në Tiranë ka ardhur një mision i DFC-së që është Fondi Amerikan i Bashkëpunimit dhe i Financimit Ndërkombëtar, duke qenë se kjo do jetë një kredi e përbashkët, pra, ne nuk do të negociojmë me banka apo me institucione të tjera, por do ta bëjmë të gjithën përmes DFC-së. Sigurisht, kolateralet janë të KESH-it, nëse kjo ishte pyetja dhe jo të buxhetit të shtetit, pra, nuk do ketë garanci sovrane nga buxheti i shtetit, por kolateralet e KESH-it që janë të mjaftueshme duke qenë se është një kompani me kolateralet më të mëdha. Përsa i përket Skavicës jemi në një rrugë shumë të mirë. Tashmë kemi hyrë në biseda teknike me kompaninë Bechtel. Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, sot flitet për të gjitha detajet teknike midis palëve, specialistëve tanë, ekspertëve dhe të Bechtel, ndërkohë që dje, unë fillimisht kam nisur negociatën me DFC-në dhe sot, grupi i misioni i dërguar nga DFC ndodhet nëpër takime me institucionet e tjera, pra, me KESH apo institucione të tjera financiare. Shpresoj të jem përgjigjur dhe në detaje për Skavicën.
Ndërkohë, përsa i përket Milot- Fierit, ashtu siç e dini, në datë 9 janë mbyllur ofertat. Tashmë i takon njësisë së vlerësimit që të marrë dy javët kohë për të vlerësuar të gjithë dokumentacionin e dorëzuar. Nuk kemi ndonjë të re nga ky projekt, deri në momentin që këto oferta do të jenë vlerësuar.
– Zoti Kryeministër, ju thatë që Tirana furnizohet mesatarisht 7 orë në 24 orë me ujë të pijshëm, por sa cilësor është ky? Dhe nëse më lejoni, ju e pini ujin që vjen në banesën tuaj nga rrjeti? Faleminderit!
Kryeministri Rama: Që unë e pi ujin që vjen në banesën time, për këtë mos ki asnjë dyshim.
Përsa i përket mesatareve, unë ju referova faktit që Tirana aktualisht ka një rritje shumë të ndjeshme të furnizimit me ujë në mesataren e vet. Ka disa zona që janë 24 orë. Ka zona të tjera që nuk janë dhe këtë e dimë shumë mire, por që kanë një rritje të ndjeshme të mesatares, krahasuar me përpara sesa të fillonte ky transformim me këto investime massive. Po kështu mund të them për Durrësin, por në Durrës nuk kemi pritur, kemi bërë një investim masiv me Bankën Botërore dhe sot kemi një rritje të ndjeshme të furnizimit, ashtu siç kemi dhe zgjidhjen përfundimtare, të kryer tanimë, të kanalizimeve për gjithë zonën e plazhit. Ndërkohë që me Agjencinë Franceze të Zhvillimit po firmoset marrëveshja për pjesën tjetër, që e kemi futur në kuadër të mbështetjes franceze për rindërtimin, në mënyrë që ta zgjidhim përfundimisht edhe problemin e furnizimit dhe të kanalizimeve të Durrësit. Por që unë, ujin në shtëpinë time e pi, kjo është pak, por e sigurt.
– Zoti Kryeministër, sa i besueshëm mendoni se jeni kur thoni se brenda vitit 2022 do të furnizojmë 200 zona rurale me ujë të pijshëm, kur furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm i Tiranës ka qenë premtim i juaji dhe i zotit Veliaj dhe ende nuk është realizuar?
Ne, nëpër shtëpitë tona nuk i lajmë dot fëmijët me ujin e rrjetit, sepse ka një sasi të pakontrolluar të klorit dhe u dëmtohen sytë. Ju e lani Zahon me ujin e rrjetit?
Kryeministri Rama: Dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë, sepse ka shumë dëshirë që të lahet dhe nuk di se ku gjendet ujë tjetër, përveç rrjetit. Nuk e laj me ujë shiu, kjo është minimumi që mund të them. Kështu që, nëse do, të ndihmojmë për fëmijët, që të vijë t’i japë kurajo dhe fëmijëve të tu, do të ta dërgoj një ditë që të shohësh si zhytët në ujë dhe është shumë mirë nga të gjitha pikëpamjet.
Përsa i përket sa i besueshëm jam unë, prisni datën 25 prill dhe do ta shihni sa i besueshëm jam.
– Zoti Rama, në 2016-ën, kur ju ishit në krah të LSI-së, kur lancuat në fakt dhe reformën e ujit, deklaruat që vetë sistemi tek ndërmarrjet e ujit të kishte një pastrim nga të paaftët dhe të korruptuarit. A kemi sot një sistem ku, pikë së pari, parësor dhe jetësor është shpërndarja e ujit dhe të gjitha çfarë pasojnë atë?
Duke qenë se jemi në periudhë COVID-i, duket ndjeshëm që uji mbetet një nga faktorët kryesor dhe jetik. Zoti Basha ju ka akuzuar që në sistemin arsimor ka institucione, të cilat nuk kanë ujë të mjaftueshëm, kur higjiena është parësore dhe po në këtë pike, Zoti Basha duket se ka qenë pararojë, apo ka pasur propozimin e tij me 5 pika, që të kishte rimbursim të ilaçeve për mjekimin në shtëpi. A jeni prapë duke i kthyer sytë nga plani me 5 pika i Zotit Basha? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Këto 5 pikat në këtë takim për ujin, ku hyjnë, se nuk janë as 5 pika uji, se të ishin 5 pika uji mund t’i përdornim 5 veta këtu nga një pikë.
Përsa i përket ndërmarrjeve, në tërësi nuk ka një shkop magjik dhe nuk ka një vaksinë për ta ndaluar me një gjilpërë korrupsionin. Ka reforma dhe ka sisteme që ngrihen në mënyrë të vazhdueshme dhe që japin rezultate pjesë – pjesë. Kështu që ka korrupsion sot, pa diskutim, por që ka shumë më pak seç kishte dje, pa diskutim dhe këtë mund ta argumentojmë me fakte, jo me fjalë.
Përsa i përket qytetarëve, flas në raportin me shtetin, patjetër duhet bërë punë e madhe në vazhdim dhe duhet durim i madh për të krijuar të gjitha sistemet që e bëjnë shtetin imun nga korrupsioni, në kuptimin e shpërndarjes së tij kapilare, se shtet imun nga korrupsioni në botën ku jetojmë nuk ka imun, nuk ka pasur dhe nuk do ketë, por nivelet dhe prekshmëria prej korrupsionit kuptohet bëjnë diferencën e madhe mes shteteve.
Sa i përket pastaj çështjes së shkollave; që ka probleme me furnizim me ujë në Shqipëri ka, por që për herë të parë, siç e patë dhe nga gjithë kjo paraqitje që besoj ishte shteruese për momentin, çështja e ujit po adresohet në mënyrë frontale dhe sistematike, edhe kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Kështu që ata, të cilët me në krye Lulin flasin për ujin që mungon në një shkollë apo në një tjetër, nuk kanë ardhur nga hëna. Janë ata, të cilët nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar situatën e trashëguar dhe nuk është e rastësishme që ne, sot vazhdojmë merremi me depo e me tuba të viteve ’60-’70-të dhe bëjmë zëvendësimin e tyre me depo e tuba të vitit 2020. Kështu që dallimi është shumë i qartë dhe edhe kjo është një arsye tjetër, pse mandati i tretë nuk është për mua, por është për Shqipërinë. Sepse ju siguroj që në momentin që ndodh ndryshe, nuk ka plan me 5 pika që vihet në realitet, por do ktheheni të gjithë tek 5 pika uji prapë në rubinet. Këtë jua them me garanci, sepse është me provë. Kanë qenë, i kanë pasur mundësitë për t’i bërë pikat dhe pika që s’ju bie që vazhdojnë e flasin sikur kanë ardhur nga hëna.
– Zoti Kryeministër, nëse më lejoni, kam një pyetje që nuk lidhet me reformën e ujit. SPAK-u ka nisur hetimet ndaj deputetit socialist, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës, Zotit Bushati, për fshehje të pasurisë. Një ditë më parë, ambasadorja amerikane ka përshëndetur hetimet e SPAK-ut. A keni menduar ta zhvishni Zotin Bushati nga funksionet partiake, pasi ai drejton, është bashkëdrejtues në fushatën e Tiranës, deri në momentin që të përfundojnë hetimet në mënyrë që Partia Socialiste të mos marrë kostot elektorale? Faleminderit!
Kryeministri Rama: Partia Socialiste ka një ndryshim të madh nga partia e Syrit dhe nga të gjitha partitë e tjera që mendojnë vetëm për sy e për faqe. Partia Socialiste është një parti që i ka shumë të qarta e shumë të ndara gjërat. Qëllimi është i përbashkët dhe përgjegjësia është individuale. Partia Socialiste as është bërë, as bëhet dhe nuk do të bëhet ndonjëherë mburoja e askujt që duhet që me përgjegjësi individuale të përballet me çdo akuzë, me çdo hetim, me çdo procedim. Mos kini asnjë merak në këtë aspekt. Gjërat janë shumë të qarta mes nesh. Kur dikush merr një detyrë në Partinë Socialiste, apo në qeverinë socialiste e di shumë mirë që qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia individuale dhe për çdo kapërcim të vijës ndarëse mes qëllimit tonë të përbashkët dhe interesave personale, kur ky kapërcim shkel interesin e përbashkët, secili përgjigjet vetë.
Përsa i përket veshjes apo zhveshjes së Zotit Bushati dhe cdo zotërie tjetër, kjo është një çështje që nuk i takon Syrit, por familjes tonë politike dhe e dimë ne se si dhe kur e bëjmë këtë proces në raport me qytetarët. Kështu që mos kini asnjë merak për Partinë Socialiste, ju të Syrit. Madje, juve ju kemi si hudhrën për syrin e keq.
– Zoti Kryeministër, sot e nisët ditën me një video të postuar në Facebook tuaj përsa i përket masakrës së Krushës dhe ku përmendnin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, patjetër, sepse për atë bëhej fjalë, Zotin Lulzim Basha. Për ti dhënë fund gjithë ketij debati, a keni menduar se do të ishte më mirë për të marrë informacion nga OKB, EULEX, përsa i përket përfshirjes dhe rolit të Lulzim Bashës në ato vite, sepse, nëse më lejoni, gjykimi juaj dhe i Lulzim Bashës në gjithë këtë debat që po zhvillohe 5 muaj para zgjedhjeve është subjektiv.
Kryeministri Edi Rama: Cili është gjykimi im?
Të gjithë deklaratat që keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe, po nëse mundeni t’u përgjigjeni pyetjes, nuk ka debat.
Kryeministri Edi Rama: Nuk po bëj debat, por për t’u sqaruar, cili është gjykimi im në këtë rast. Gjykimi im është shumë i thjeshtë. Një përfaqësues i një familjeje, familje si familja që ka gjithsecili, i një ndërmarrjeje, i një organizate, i një media dhe për më tepër, një përfaqësues i një numri të caktuar qytetarësh dhe aq më shumë akoma, përfaqësues i një partie politike që për më tepër akoma pretendon të qeverisë vendin, ka një detyrë të patjetërsueshme, të mbajë qëndrime dhe të shikojë në sy njerëzit e të thotë atë që i takon në raport me çështje të caktuara dhe patjetër, në raport me çështje që lidhen me të.
Nuk flasim këtu për jetën private. Jeta private e secilit është, në këndvështrimin tim, e secilit, nuk është çështje publike. Nuk flasim këtu për punët private të askujt, këtu flasim për një detyrim shumë të thjeshtë, që një lider, një drejtues, një përfaqësues ka, të shpjegohet.
Patjetër që, në këtë rast, unë jam aspak i dëshiruar që këto akuza, që nuk i bëj unë, – unë nuk kam bërë asnjë akuzë, më thoni cilën akuzë kam bërë unë – por që i bëjnë njerëz që as nuk i kam takuar, as nuk i njoh fare, të mos jenë të vërteta. Nuk jam i dëshiruar të jenë të vërteta, por është detyrim i patjetërsueshëm. Nuk është detyrim që mund të kryhet duke më sharë mua, as duke ngritur teori konspiracioni, as duke i bërë bisht, as duke heshtur, as të nxjerrë partinë të bëjë deklarata. Ҫ’punë ka partia të bëjë deklarata, kjo është individuale.
Ëshë detyrimi im, në pozicionin që unë kam, që Lulzim Bashës t’i them shpjegohu.
Nëse Partia Socialiste, në kohën kur e ka drejtuar Fatos Nano, ka mbajtur një qëndrim të caktuar që bie ndesh me interesin kombëtar, gjë që nuk ka ndodhur, por nëse ka mbajtur dhe nëse ju sot më pyesni mua për atë qendrim, unë kam detyrë të mbaj pozicion sepse jam kryetar i Partisë Socialiste dhe është partia që unë drejtoj, pavarësisht se në të kaluarën nuk kam qenë unë në krye të partisë.
Partia Demokratike, bashkë me Lëzivjen Socialiste për Integrim në qeveri kanë votuar Rezolutën e KE-së, të ngritur mbi bazën e raportit famëkeq të Dick Martin. Lulzim Basha duhet të thotë “pse?” Ndërkohë që ne në opozitë e kemi votuar kundër. Kemi qenë dy palë shqiptare në Strasburg dhe kemi votuar në dy mënyra të ndryshme për një çështje që sot dhe prej kohësh e për shumë kohë më pas do e kemi gjithmonë pjesë të kësaj historie që jetojmë bashkarisht. Mund të ketë argumente, ta thotë pse e votuan “pro”. Për cilën arsye në botë, qeveria votoi pro? Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim votuan pro, pse? Ta thonë!
Këto janë thjesht dhe vetëm në funksion të detyrës që unë kam. Të gjitha të tjerat, që kjo po përdoret për zgjedhje, që kjo është politike, që po kërkohet të përfshihet Kosova në fushatë në Shqipëri, këto janë të gjitha dokrra që nuk kanë të bëjnë me arsyen, pse unë ngre këtë çështje, ne ngremë këtë çështje. Dikush që pretendon për më tepër të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët nuk mund t’i bishnojë nevojës për të dalë dhe për të thënë kam qenë këtu, kam bërë këtë, kam pasur këto arsye, kjo qëndron, kjo nuk qëndron, çfarëdo qoftë.
Por kjo nuk bëhet duke thënë që këtu ka një teori konspiracioni dhe një komplot të Edi Ramës me Top Channel-in. Kjo nuk funksionon. Kjo nuk bëhet duke thënë që Edi Rama kështu bën gjithmonë dhe po e bën prapë.
Ҫfarë bën Edi Rama mund ta gjykojë kushdo tjetër, por nuk mund ta gjykojë dot Lulzim Basha, në kushtet kur duhet të shpjegojë çfarë ka bërë ai e jo se çfarë bëj unë. Shumë e thjeshtë, është elementare. Në gjithë botën demokratike funksionon kështu. Është llogaridhënie përpara njerëzve e dikujt që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët.
Nuk është çështja, ç’do të thotë një organizatë. Unë nuk jam hetues e nuk më intereson fare të jem. Por nuk do ti që ta dish se çfarë mendon realisht Lulzim Basha nga “A” tek “Zh”, pavarësisht se çfarë thotë Edi Rama, apo çfarë thotë ky apo ai, çfarë ngre apo nuk ngre një media, apo një media tjetër?
Patjetër që do.
Kjo është arsyeja pse unë e ngre këtë çështje. Është çështje karakteriale e rëndësishme. Është karakteri i lidershipit që gjithmonë testohet dhe gjithmonë është përpara njerëzve. Pastaj, e pëlqen apo jo, të tërheq apo jo, e quan arrogant apo e quan të përulur etj., këto janë të gjitha vlerësimë. Por është e pamundur, në këndvështrimin tim, që një drejtues, aq më tepër e një force politike që pretendon të qeverisë vendin, të mos ketë këtë tipar të karakterit, që të dalë dhe të përballet me çështje që kanë interes publik e jo më me çështje që kanë të bëjnë me atë vetë. Unë ndoshta e kam të ekzagjeruar këtë tipar që i dal përballë të gjitha çështjeve vetë, por t’i ikësh, t’i bishnosh, të bësh fletërrufe me partinë?! Të vë unë Partinë Socialiste që të vërë vulën dhe të nxerrë logon, për të bërë atë që duhet të bëj unë?
Është shumë e rëndësishme kjo për të gjithë njerëzit, sepse në fund të fundit jemi në sy të njerëzve dhe njerëzit duhet të na shohin e të na kuptojnë sa më shumë për atë që jemi, por minimalisht kemi detyrën t’ju themi atë që ne mendojmë.
U zgjata pak, por besoj jam i qartë. Nuk kam unë akuza. Akuzat konfirmohen nga heshtja e gjatë, nga shmangja e vazhdueshme për t’u përballur me to, nga akuzat apo kundërakuzat mbi ata njerëz. Unë nuk e kuptoj çfarë asyeje mund të kenë ata njerëz që sot i adresohen Lulzim Bashës, për t’iu adresuar Lulzim Bashës? Ҫfarë arsye mund të kenë? Pse nuk i adresohen Stamo Dumos, pse nuk i adresohen dikujt tjetër?
Nuk është bindëse të thuash që janë mashtrues. Pse janë mashtrues, për çfarë arsyeje? Për më tepër, teoritë e komplotit. Si mund të jem unë i interesuar që ta dëmtoj Lulzim Bashën në një pikë që të bëhet i papërdorshëm? Unë jam më i interesuar që ai të jetë i përdorshëm. Është një lule që nuk këputet, nga pikëpamja e lojës politike, po themi. Po këtu nuk është çështje loje politike, është çështje parimore. Kjo nuk zgjidhet duke më sharë mua.
Shumë faleminderit!