Infrastruktura shëndetësore ka marrë një zhvillim të madh vitet e fundit, falë investimeve në sistemin shëndetësor në gjithë vendin. Duke folur për këtë zhvillim të sistemit, në bashkëbisedimin e mbajtur në Korçë me qytetarët, Kryeministri Rama u ndal edhe tek menaxhimi i këtij sistemi dhe mirëmenaxhimi i sistemeve të tjera.
“Sot mund të duket e panevojshme për t’ përmendur, por është diçka që e kemi sot, nuk e kishim dje. Sot kemi në Korçë një maternitet model, që nuk e kishim. Maternitetin e vjetër e kemi kthyer në kantier për një qendër të re të zhvillimit të turizmit. Nga pikëpamja e infrastrukturës shëndetësore, ne kemi bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm, krahasuar me 7 vite më parë. Nga pikëpamja e menaxhimit brenda për brenda sistemit shëndetësor, ne i kemi tani kushtet që të bëjmë këtë kapërcim, sepse në kushtet kur nuk kishim as infrastrukturë dhe asgjë, përveç mjekëve dhe pasionit të tyre, që në kushte absolutisht të paimagjinueshme jepnin shërbime, shpëtonin jetë, sot kemi një sistem që përsëri është si ato karabinatë e rindërtimit, pra, është ende për t’u plotësuar”, – tha Kryeministri.
Duke u ndalur edhe tek spitali i ri i Fierit që ka nisur të ndërtohet, Kryeministri Rama theksoi se “vlera më e madhe e shtuar që do sjellë spitali rajonal i Fierit është pikërisht kjo, transferimi i dijes. Ka filluar ndërtimi i spitalit, por ajo që është për mua më e rëndësishme është që spitali nuk do jetë një godinë e mirëpajisur që do na dorëzohet që ditën e parë, por do jetë një godinë e mirëpajisur dhe me po ashtu, një staf menaxhimi dhe një staf mjekësor drejtimi nga Turqia, që do të shërbejë për një periudhë tranzicioni, për të transferuar dijen tek ne. Pra, qoftë në aspektin e menaxhimit, qoftë në aspektin e gjithë proceseve që kanë të bëjnë me kujdesin e drejtpërdrejtë shëndetësor. Problemi ynë themelor është dija dhe marrja e këtyre dijeve në forma të tilla, si kjo që po bëjmë me spitalin rajonal të Fierit, është pjesë e asaj që ne duam ta bëjmë gjithmonë e më shumë, me sa më shumë partnerë. Në një nga lagjet e rindërtimit në Tiranë, ne do të sjellim Ecole42, që është një nga shkollat e epokës së re, por është shkollë që i ka të gjitha ndryshe, edhe kurrikulën, edhe metodikën e të mësuarit. Kështu që me të tilla zgjedhje dhe përmes instrumenteve të tillë që sjellin energji të reja e hapin rrugë të reja brenda sistemeve, besoj që ne do të mund të kompensojmë në kohë të arsyeshme boshllëqet”.