Ringrihet infrastruktura arsimore në Laç të Qarkut Lezhë. Zinxhiri i edukimit në këtë qytet tashmë është i plotësuar sa i takon standardeve në kopsht, 9-vjeçare dhe gjimnaz. Tre institucionet kryesore arsimore të Kurbinit, shkolla 9-vjecare, gjimnazi i qytetit, si dhe kopshti Nr.1 pas rikonstruksionit kanë marrë një pamje të re dhe ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për fëmijët dhe nxënësit. Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve Kryeministri zgjodhi të jetë mes fëmijëve të këtyre shkollave.
Kopshti më i madh i qytetit, është rikonstruktuar plotësisht, duke ofruar mjedise të ngrohta, kreative dhe mjaft argëtuese për 232 vogëlushët që e frekuentojnë atë.
“Ky është kopshti më i madh në rrethin Kurbin. Ishte në gjendje të amortizuar. Ishim copë-copë, gropa-gropa. Dilnin minjtë nga gropat. S’kishim ujë. S’kishim drita. U dogjëm. 6 muaj përpara se të bëheshin punimet ne u dogjëm. Thirra zjarrfikësen. Kemi shpëtuar fëmijët nga dritaret. Na u bë kjo godinë shumë e mirë, me të gjitha kushtet, me ngrohje, me ujë, me salla ngrënieje. Kemi sallat e ngrënies, sallat e mësimit. Vijmë me dëshirë në punë,” u shpreh drejtoresha e kopshtit, e cila theksoi se kishte 20 vite që bënte kërkesa për investime dhe të gjitha kishin rënë në vesh të shurdhët.
Po ashtu shkolla e mesme e përgjithshme “At Shtjefën Gjeçovi” e qytetit të Laçit ishte deri dje në gjendje të amortizuar, me mungesë të klasave, laboratorëve, si dhe ambienteve sportive. Rikonstruksioni i plotë i këtij gjimnazi ofron tashmë të gjitha kushtet cilësore për afro 1000 nxënës dhe mësues që ulen çdo ditë në bankat e kësaj shkolle. Rehabilitimi dhe vënia në efiçencë e terreneve sportive, të hapura e të mbyllura, me fusha basketbolli, volejbolli, tenisi dhe kalçeto e kthejnë shkollën edhe në Qendër Komunitare.
Shkolla 9-vjeçare “Gjin Pjetri”, e harruar prej 57 vitesh, qëkurse është ndërtuar dhe pa ambiente të mirëfillta mësimore didaktike, tashmë i është nënshkruar rikonstruksionit të plotë. Mbi 500 nxënës që ulen në bankat e kësaj shkolle në përfundim të punimeve do të kenë jo vetëm klasa të reja dhe të standardeve europiane, por edhe të gjitha ambientet e tjera laboratorike, si dhe ato sportive të reja.
“Shkolla më e vjetër në rrethin e Kurbinit, që në vitet ‘60 e ndërtuar. Hera e parë që merr investim të tillë,” u shpreh drejtoresha e Zyrës Arsimore Laç.
“Është një investim prej 100 milionë lekësh të reja. Besoj përfundimi i investimit do ta kthejë realisht edhe në një Shkollë Qendër Komunitare, sepse janë të gjitha parametrat në projekt që të mundësohet më shumë aktivitet edhe për komunitetin. Është mbyllur korpusi, kopshti, kjo 9-vjeçare që ishte më në nevojë për investim edhe gjimnazi, që, që nga viti 60 edhe ai nuk kishte pësuar asnjëherë një investim në infrastrukturë,” nënvizoi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se investimet do të vazhdojnë edhe me një paketë të re financimi të ndërtimit dhe rindërtimit të infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore në të gjithë vendin.
“Në buxhetin e vitit tjetër kemi një tjetër paketë të rëndësishme, me 300 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë me standarde europiane dhe me po kaq shkolla të rindërtuara kompletojmë më në fund të gjithë nevojën e trashëguar prej çerekshekulli që faktikisht na mbeti në dorë me gjithë këto gërmadha të tmerrshme nga të katër anët e Shqipërisë për shkak të mungesës së prioritizimit dhe të vëmendjes të fokusuar hap pas hapi,” deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe në qendrën e qytetit ku inspektoi sheshin e rindërtuar dhe hapësirat e rikualifikuara përreth në saj të Rilindjes Urbane.