Ky është një eveniment i veçantë që lidhet me gjuhën dhe kulturën kineze, por unë dua ta filloj nga gjuha shqipe, duke rimarrë diçka nga fjala e rektorit që tha se në Kinë është një Fakultet i Gjuhës Shqipe i cilësisë së parë dhe duke ju treguar një episod të vogël të marrëdhënieve me ambasadorin, i cili erdhi një ditë në zyrën time dhe solli një dokument shqip, në emër të qeverisë kineze.
Ishte një dokument rreth katër faqe, i cili më bëri përshtypje se nuk kishte asnjë gabim ortografik. Mendova që kishin një redaktor të shkëlqyer shqiptar në ambasadë, dhe kjo përkonte me atë kohë kur unë bashkë me kolegët po diskutonim për përfshirjen e redaktorëve të gjuhës shqipe në Kryeministri dhe në Ministri, sepse një shkresë të atillë shteti shqiptar nuk e prodhon dot kurrë për nga korrektësia e gjuhës shqipe.
E pyeta kush e ka shkruar atë dhe më tregoi me gisht atë djalin që është aty mbrapa. Kështu që, me siguri, sot për sot, kush dëshiron ta studiojë gjuhën shqipe gjerësisht dhe thellësisht dhe ta shkruajë atë në mënyrë tërësisht korrekte duhet të shkojë në Pekin.
Kohë më përpara kam patur mundësinë të kaloj disa orë në ambasadën tonë në Pekin. Është një hapësirë shumë e madhe e mundësuar nga shteti kinez, mu në zemër të Pekinit, krah për krah, me ambasadat e shteteve më të mëdha të botës, për përfaqësinë e Shqipërisë, një shteti shumë të vogël. Ajo hapësirë u krijua në një kohë kur bota ishte tjetër dhe kur disproporcioni i pamatshëm në madhësinë fizike, mes dy vendeve, nuk binte në sy, për shkak të një miqësie shumë speciale politike që lidhte reciprokisht shtetet tona për disa dekada, disa kohë më parë.
As ndërrimi i kohës që ndërroi botën dhe natyrën e shumë marrëdhënieve mes shteteve, nuk solli ndërrimin e asaj hapësire. Ambasada e Shqipërisë vijon të ketë një hapësirë të pafundme. E unë dëshiroj ta lexoj sot atë hapësirë, jo vetëm si dëshminë e lidhjes së dikurshme në një miqësi të posaçme politike mes shteteve, por edhe si shprehje të një dëshire të re për të mos e shkëputur, përkundrazi për ta forcuar lidhjen e re mes vendeve, Shqipërisë dhe Kinës.
Këtë dëshirë të re, ne e çmojmë dhe e ndajmë me popullin kinez dhe me shtetin e Kinës, me modestinë e përmasës sonë reale si vend dhe si shtet. Kjo ndjenjë mua më sjell sot këtu me kënaqësinë e madhe e të qenit i pranishëm në forcimin e një dimensioni krejt të posaçëm të marrëdhënies mes dy vendeve; ky është një dimension që përfshin arsimin, kulturën, gjuhën, dhe brenda tij, vjen këtu risia e pranisë fizike të Institutit të mirënjohur të Konfucit, i pranishëm në 96 vende të botës, në universitetet më të njohura, prestigjoze të botës dhe tanimë në Tiranë, në Universitetin e Tiranës.
Është e mirëseardhur kjo prani, sepse do të ndihmojë në dinamizimin e marrëdhënies sonë. Unë besoj se do t’i japë kuptim më të plotë edhe bashkëpunimit në sektorë të tjerë, të cilët në këto vite kanë patur të mangët një aspekt; aspektin e njohjes së vazhdueshme të njëri-tjetrit që nganjëherë sado në marrëdhënie të mira të jenë dy popuj, përsëri mund të mbetet tek klishetë që pengojnë kapjen e dimensioneve dhe planeve të shumëfishta që ndërthuren në kulturën e secilit.
Unë kam kaluar disa vite në Paris. Sot, dua të ndaj mes miqsh diçka nga ajo eksperiencë që lidhet me këtë aktivitet. Atje, unë kuptova një aspekt të veçantë të të qenit vend i zhvilluar dhe ndoshta një aspekt thelbësor që e dallon një vend të zhvilluar, nga një vend më pak i zhvilluar. Vendet nuk janë të zhvilluara sepse kanë. Vendet janë të zhvilluara sepse dinë.
Pikërisht dija, njohja dhe përpjekja e vazhdueshme në të gjitha drejtimet për të ditur dhe për të njohur më shumë, ishte përmasa e prekshme e atij vendi, e Francës, në raportet me këtë vend mik, me Kinën, por si dhe me të gjithë botën përreth.
Ne shqiptarët e kemi patur në një periudhë të caktuar të historisë sonë një marrëdhënie shumë të afërt me kinezët. Por, në Paris unë vura re se njohuria jonë mbi aspekte të veçanta të jetës kineze, kulturës, përditshmërisë së artit dhe literaturës, por dhe të mënyrës së të qenit në raport me botën, ka qenë dhe mbetet thellësisht e mangët.
Francezët kishin dije dhe njohje të madhe mbi Kinën dhe ju siguroj, jo për shkak të marrëdhënieve shumë më të hershme apo të volumit shumë herë më të madh të shkëmbimeve të të gjitha natyrave dhe ato tregtare në radhë të parë, sigurisht, por sepse eksperienca e historive i ka bërë vendet e zhvilluara dhe i kishte bërë edhe francezët të kuptonin se është dija, se është njohja që sjell zhvillim dhe jo zhvillimi që sjell dije dhe njohje.
Prandaj, insistimi i tyre si politikë shtetërore në arsim, në shkencë e kulturë, ishte të dinin dhe të njihnin përtej sipërfaqes, apo imazheve të përbotshme, mbi kulturën kineze dhe padyshim përmes kësaj njohje të efektivizonin sa në gjerësi aq edhe në thellësi aspektet e bashkëpunimit.
Instituti i Konfucit që vjen ndoshta si nevojë e shkëmbimeve në rritje, por edhe e tregut besoj se do të nxisë pikërisht këtë: dijen, njohjen. Përmes dijes dhe njohjes, zhvillimin, duke rikrijuar hapësirën e sotme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës edhe pse fizikisht është një prani në dukje simbolike, por cilësisht është një prani me doemos shumë më tepër sesa simbolike.
Jam i bindur që është një prani që duke e nxitur rikrijimin e hapësirës së sotme të bashkëpunimit do t’i hapë rrugë shumëllojshmërisë së eksperiencave në nivel individual, por edhe në nivel grupi, komunitetesh dhe sigurisht mes dy vendeve.
Për më tepër Instituti i Konfucit në Tiranë mund të kthehet në një qendër rajonale të njohjes së kulturës së këtij populli të madh dhe të gjuhës së një vendi me kaq rëndësi dhe peshë në punët e botës.
Instituti i Konfucit mund të jetë dhe një qendër e rëndësishme aktivitetesh dialogu kulturor dhe shkencor, në bazë rajoni, por dhe më tej kur sfondi i zhvillimit ekonomik pasurohet vijimësisht me rritjen e interesit të Kinës për këtë zonë të Evropës.
Unë kam shumë kuriozitet për aktivitetet dhe kurset që do të zhvillohen në Institutin e Konfucit, sepse bëhet fjalë për shumë më tepër sesa kulturën kineze si një kulturë më vete. Bëhet fjalë për një tërësi shumë të pasur kulturore, të cilën në Shqipëri, por jam i bindur edhe në rajon, e njohim më pak sesa përciptas, ndërkohë që vendet e zhvilluara perëndimore ka kohë që e studiojnë dhe e shfrytëzojnë, jo thjesht për të intensifikuar bashkëpunimin aktiv me Kinën, por për të integruar në kulturat e tyre të vjetra dhe të pasura, një dimension të kulturës njerëzore që është i posaçëm në kulturën kineze.
Ardhja këtu, u bë dhe shkas që të shfletoja pak gjëra mbi Konfucin dhe konfucianizmin, kaq të rëndësishëm për kulturën kineze.
E njihja veprën e hershme, tanimë klasike të sociologut të famshëm gjerman Max Weber, por në këtë rast u njoha nëpërmjet artikujsh me atë që quhet gjenerata e tretë në konfucianizmin e ri si akademiku i Harvardit Tu Wei-Ming, i cili prezanton konfucianizimin në vendet perëndimore, duke analizuar aspektet e tij që i flasin pikërisht sfidave të modernizimit, por edhe të globalizmit, siç thotë profesor Tan Chee-Beng kur flet për idenë qendrore të konfucianizmit, për të cilën ai nënvizon se Konfuci e cilëson si “dashuria për njeriun”. Në fakt, kjo e bën veçanërisht kuptimplotë, atë që njihet si mesazhi kryesor i konfucianizmit dhe më vjen mirë që Ambasadori e përmendi më parë: “Kurrë mos i kërko të tjerëve, atë që nuk do të zgjidhje dot për veten tënde.”
Ose ndryshe rregullin e artë që përmendet në mënyra të ndryshme në shumë fe, por duket të jetë identifikuar me mendimin konfucian për sa i përket anës shpirtërore.
Këto padyshim janë vetëm grimca nga pluhuri yjor i filozofisë konfuciane, nga një univers i tërë kulturor që lidhja me filozofinë e Konfucit e bën edhe më magjepsës, universi kulturor i Kinës në pasurinë dhe pafundësinë e vet.
Por, janë ca grimca që ma ha mendja mjaftojnë për të mos e bërë fjalimin të mërzitshëm, por edhe për të ndjerë, pikërisht, ridimensionimin që i jep marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërshoqërore një platformë e tillë si Instituti i Konfucit, i cili unë mendoj se është këtu për t’i folur të nesërmes.”