Integrimi Europian, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim në BE

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Vetëm pak ditë më parë, në Komisionin e politikave të jashtme të Parlamentit Europian, Komisioneri Hahn theksoi pa asnjë ekuivok se Shqipëria ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe se progres-raporti, i cili do të publikohet në fund të muajit maj, do të rekomandojë pa kushte hapjen e menjëhershme të negociatave për Shqipërinë. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte për të dytën herë nga ana e Komisionit, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete shumë të thjeshtë: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Është shumë e rëndësishme për të gjithë që të kuptohet se çelja e negociatave është një vendim që merret nga Këshilli Europian, nga Këshilli i përbërë prej të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare, bazuar në rekomandimin e Komisionit, por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare. Që do të thotë që, nëse raporti i Komisionit është një raport, i cili ndërtohet mbi kritere ekskluzivisht teknike, duke verifikuar një më një, kryerjen e të gjitha detyrave të përcaktuara për çeljen e negociatave, vendimmarrja në Këshillin Europian është rezultat i debatit të brendshëm në atë Këshill, që i tejkalon kriteret teknike dhe ku subjektiviteti politik i vendeve ka rolin e vet. E pra, tek subjektiviteti politik i vendeve duhet të jemi shumë të qartë që ndikimi ynë është relativ dhe për më tepër, në kushtet kur në Shqipëri ka forca që janë qartësisht të rreshtuara në funksion të integrimit dhe çeljes së negociatave për anëtarësim dhe këtu kam parasysh të gjithë ata që janë të pranishëm në këtë parlament, që përfaqësojnë pa diskutim atë pjesë dërmuese të opinionit publik dhe që shkojnë në vazhdën e një tradite shumëvjeçare të këtij Parlamenti, ku precedenti i ndarjes në këtë pikë është vendosur shumë vonë nga ata që sot janë rrugëve, do të thotë se jemi në kushtet kur nga brenda vendit u jepet forcave që janë kundër zgjerimit dhe që detyrimisht nuk e mirëpresin çeljen e negociatave, një ushqim kundër interesave të këtij vendi. Kjo është shumë e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme nga kushdo që do të kuptojë. Nuk ka asnjë justifikim të mundshëm për eksportimin e konflikteve të brendshme dhe për më tepër për nxitjen e konflikteve të brendshme, në funksion të pengimit të kësaj vendimmarrjeje dhe të krijimit të aleancave me forca që janë të vendosura kundër zgjerimit dhe për rrjedhojë, kundër çdo hapi për avancimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera, jo vetëm të Shqipërisë, në këtë proces.

Fatkeqësisht, jemi sot nga pikëpamja e unitetit politik, në raport me këtë objektiv që është objektiv kombëtar dhe jo partiak, më mbrapa se sa kemi qenë për vite e vite të tëra në të shkuarën, ku sidoqoftë pavarësisht sherreve, konflikteve, debateve që e kanë shoqëruar zhvillimin demokratik të vendit, forcat politike kanë gjetur gjithmonë një pikë përputhshmërie dhe kanë qenë gjithmonë në funksion të këtij objektivi, të palëvizshme.

Sidoqoftë, ajo që mund të bëjmë ne është të vazhdojmë të këmbëngulim në ndërmarrjen dhe jetësimin e reformave, të vazhdojmë të këmbëngulim në kryerjen me përpikëri të detyrave, jo sepse na e kërkon Brukseli, as sepse duhet ti bëjmë qejfin Gjermanisë, Francës apo vendeve të tjera, por sepse është e vetmja rrugë për të ndërtuar një shtet funksional në parametrat e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Sot, ne jemi në një moment të rëndësishëm zhvillimi të procesit të zbatimit të reformës në drejtësi, e cila është një reformë kyçe dhe është një reformë përmes së cilës adresohet në mënyrë sistemike e gjithë problematika e pandëshkueshmërisë së trashëguar në vite dhe e luftës sistemike me korrupsionin dhe kujt është mësuar të flasë e të recitojë përmendësh edhe në hapësira të ndryshme demokratike të vendeve të Bashkimit Europian për peshq të mëdhenj, i duhet dhënë një përgjigje shumë e thjeshtë çfarë lloj peshqish janë ata, të cilët sot janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë? Janë të vegjël? Çfarë lloj peshe kanë pasur ata mbi shpatullat e këtij vendi dhe sa e kanë penguar këtë vend që të zhvillojë një luftë sistemike, qoftë me krimin, qoftë me korrupsionin, në proceset hetimore apo në proceset gjyqësore dhe përgjigja është shumë e qartë. E kanë penguar jashtëzakonisht shumë.

E kanë penguar jashtëzakonisht shumë, duke vendosur precedentë tejet të rrezikshëm, të cilët janë kthyer në normë dhe duke e kthyer pandëshkueshmërinë në normë.

Sot, jemi ende larg së qeni aty ku po shkojmë, falë reformës në drejtësi, por jemi shumë larg nga pika ku u nisëm sepse gjatë vitit 2018, siç shihet qartë në Raport, Komisioni i pavarur i kualifikimit apo procesi i vettingut, siç e njohin të gjithë, ka kaluar në sitë plot 92 gjyqtarë dhe prokurorë dhe ka dhënë 35 vendime për shkarkimin e menjëhershëm të tyre. E tani që flasim, në muajin prill, janë mbi 60 prokurorë dhe gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi. Mbi 60 të përjashtuar nga sistemi do të thotë një peshë e madhe është hequr nga shpatullat e këtij vendi dhe një lehtësim i madh i është bërë procesit të ndërtimit dhe të funksionimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë. Po ashtu, sot janë konstituuar dy këshillat dhe nga ana tjetër është krijuar baza për krijimin së shpejti edhe të prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit, SPAK.

Reforma në drejtësi është pa kthim. Ajo do të vazhdojë intensivisht dhe patjetër që Shqipëria më herët se vonë do të fillojë të ndjejë rezultate edhe përtej rezultateve që janë të prekshme dhe kuptimplota të procesit të vettingut. Natyrisht, nga ana tjetër, u duhet thënë të gjithëve se procesi i vetingut është vetëm njëra anë e medaljes dhe se përjashtimi nga sistemi i drejtësisë i atyre që janë për të përdorur një eufemizëm, të papërshtatshëm për sistemin e ri, është vetëm njëra pjesë e një historie që do të vazhdojë me ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë përpara të cilave me siguri, një pjesë e atyre që janë përjashtuar do duhet të rikthehen, jo më për t’u vettuar, por për t’u ndëshkuar, pasi gjithë ato pasuri të pajustifikuara dhe të pajustifikueshme, nuk mund të mbeten pa u hetuar deri në fund, përpara një sistemi që po ndërtohet me të gjitha atributet për t’i shkuar deri në fund, një procesi pa kthim, pastrimi, për të mos lejuar ripërtëritjen e të njëjtës histori.

Nga ana tjetër, patjetër që Shqipëria ka një problem që nuk është krijuar sot, por që sot po adresohet si asnjëherë më parë me korrupsionin. E kam thënë në kohë të padyshimta kur i thonë dhe e përsëris edhe sot nga pozicioni i kryeministrit që lufta me korrupsionin është luftë për modernizimin e shtetit në rradhë të parë dhe është kjo pjesë që kërkon kohë dhe durim të madh, por dhe një këmbëngulje të jashtëzakonshme, pasi nuk mjaftojnë vetëm hetimet dhe ndëshkimet e përditshme, por vendosja në sistem e mekanizmave që jo vetëm kanë kapacitetin të hetojnë e të ndëshkojnë, por kanë kapacitetin të parandalojnë, ta bëjnë të pamundur korrupsionin në nivelet e shërbimeve për qytetarët.

Nëse sot nuk mund të imagjinohet, jo sot, por prej shumë kohësh që të paguash një ryshfet e të marrësh një shërbim në një vend të konsoliduar të Bashkimit Europian, kjo nuk vjen nga fakti se në atë vend ka një popull që është më i ndershëm apo më pak i korruptueshëm. Jo! Kjo vjen nga fakti se në atë vend ka një sistem që nuk e stimulon korrupsionin, pasi nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, janë sistemet që korruptojnë njerëzit dhe për të adresuar problemin e korrupsionit, duhet adresuar reformimi, transformimi dhe konsolidimi i sistemeve që korruptojnë.

Në këtë drejtim, unë mund ta them me bindje dhe mund ta argumentoj me këdo që është i gatshëm të përballet me shifra dhe me fakte, jo me baltë dhe me gurë nga ajo e të përditshmes së të gjithë kazanëve që vlojnë nga mëngjesi deri në darkë, ndërkohë që ziejnë nën zjarrin e një korrupsioni ku janë të përfshirë edhe vetë se sa është luftuar dhe po luftohet sot korrupsioni, nuk është luftuar kurrë më parë. Me shifra dhe me fakte.

Po sjell jo thjeshtë faktet statistikore, që me siguri do t’i përcjellë përpara kuvendit, ministrja e drejtësisë, por një fakt të ri. Faktin, që falë ndërveprimit me qytetarët, përmes platformës Shqipëria që duam, që është një platformë bashkëqeverisjeje e adresuar në radhë të parë për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi kur gjenden përpara një situate ku historikisht kanë qenë të detyruar të paguajë ryshfet, ne kemi regjistruar mbi 25 mijë ankesa direkte nga tetori i vitit 2017, në tetor të vitit 2018 dhe janë 2000 çështje individuale apo komunitare të ngritura nga qytetarët që adresohen nga qeveria çdo muaj. Nuk janë të gjitha ankesa, nuk janë të gjitha të lidhura me situata potenciale për gjenerim korrupsioni, por janë 2000 çështje konkrete individuale të njerëzve që trajtohen në kohë reale, nga qeveria, nga çdo ministër, sipas fushës kur lind shqetësimi dhe nga ku gjenerohet dhe ankesa.

Për të qenë të ndershëm dhe të vërtetë, më thoni, kur ka ndodhur kjo më parë? Më thoni ku ishte vendi, ku ishte adresa deri dje, për mijëra e mijëra njerëz të zakonshëm të këtij vendi që e gjenin të përplasur në fytyrë derën ku kërkonin një shërbim. Ku ishte? Ishte të kërkonin me ngulm një kontakt me deputetin? Gjë që mund të ndodhte, mund të mos ndodhte, por që shumë shpesh edhe kur ndodhte nuk sillte rezultat sepse edhe vetë deputeti, sado i interesuar, e kishte të pamundur të çante rrethimet e gjithë sistemit të mbyllur dhe jo transparent të shërbimeve. Adresa tjetër ishte partia, krushqia, miqësia dhe ajo më e zakonshmja ishte xhepi.

Sot, nuk është se xhepi i qytetarëve është i paprekur dhe i pa kërcënuar çdo ditë sa herë që ata kërkojnë një shërbim, por ama sot ka një mundësi të re reale dhe të cilën ne e shfrytëzojmë maksimalisht dhe duke e shfrytëzuar bëjmë që mijëra e mijëra probleme të qytetarëve me shtetin, ku gëlon tradicionalisht korrupsioni të zgjidhen dhe korrupsoni të goditet. Të goditet në formën e hetimeve administrative që pasojnë menjëherë ankesën e qytetarit dhe të ndëshkimeve për të gjitha nivelet e administratës, kur konstatohet nga hetimi që pengimi i shërbimit për qytetarin ka qenë i dyshimtë apo ka qenë për më keq, i qëllimshëm. E faktikisht, janë deri në periudhën maj – nëntor të 2018-s, 445 vendime disiplinore, që nga vërejtjet, deri tek çuarjet në prokurori të niveleve të ndryshme të administratës.

Një aspak tjetër që lidhet me këtë betejë është luta me krimin. Në një vend ku njerëzit gdhihen dhe ngrysen nën trysninë e një propagande të shfrenuar që fillon nga politika me krimin, tek shitja e produkteve mediatike, duke iu referuar krimit, duke iu referuar shkeljeve të natyrave nga më të ndryshmet. Para se sa të hyja këtu, pashë një lajm në media kombëtare, “një defekt elektrik që solli një zjarr, ku nuk pati dëme, në Tepelenë”.

Tani më thoni, është ky një lajm kombëtar?

Është ky një lajm për të gjithë popullin shqiptar, që, “pati një defekt elektrik nga ku pati një zjarr që nuk solli dëme”?!

Të tilla ka dhjetëra në ditë, mijëra në muaj, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë.

Ndërkohë që, referimi i fakteve tregon se lufta me krimin e organizuar është një luftë sistemike e përditshme. Faktikisht, për t’iu referuar vetëm një elementi të kësaj lufte, operacioni Forca e Ligjit ka zhvilluar 22 operacione ndaj 11 grupeve të strukturuara kriminale që kanë sjellë arrestimin e 175 personave dhe sekuestrimin e 20 milion eurove asete kriminale.

Gjatë të gjithë këtij harku qeverisjeje janë sekuestruar 160 milionë euro asete kriminale, që është 10-fishi i sekuestrimit të 8 viteve të qeverisjes së atyre që sot janë rrugëve, njësoj siç ishin rrugët e mbetura rrugëve gjatë qeverisjes së tyre.

Nuk po zgjatem me luftën kundër narkotikëve, por po theksoj se edhe në këtë aspekt, përtej faktit që e kemi çrrënjosur kanabisin si fenomen të trashëguar dhe të kudondodhur dhe e kemi çrrënjosur përfundimisht, kemi gjatë 6 muajve të parë të 2018-ës një rritje të mëtejshme të procedimeve, të cilat në vitin 2017 ishin 15% më shumë sesa një vit më parë dhe çdo vit ato rriten në 51% në vitin e kaluar.

Sot 91% e autorëve të veprave penale në fushën e kultivimit, apo trafikimit të narkotikëve arrestohen. Janë në kërkim, vetëm përqindja e mbetur.

Nga ana tjetër, dua të theksoj një tjetër aspekt që përsëri është një aspekt domethënës në këtë proces, aspekti i reformimit të administratës publike. Kemi dëgjuar ç’nuk kemi dëgjuar, dëgjojmë ç’nuk dëgjojmë, por e vërteta është që çdo ditë hedhim nga një hap të vogël për të reformuar dhe përmirësuar Shërbimin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe tanimë kemi hapur një kapitull krejt të ri me vendosjen e vendeve të lira në dispozicion të studentëve me 9-ta e me 10-ta. Është një proces që sapo ka filluar. Ka sjellë në administratë 373 të parët. Ka një thirrje të dytë që është e hapur dhe të cilës kanë filluar t’i përgjigjen me aplikime disa qindra të tjerë. Ashtu sikundër ka dhe thirrje të veçanta siç është thirrja e hapur e MPEJ, apo edhe e thirrjeve të tjera që po përgatiten, për të vënë në dispozicion të më të mirëve vendet e punës në administratë dhe duke ua mbyllur përfundimisht rrugën prurjeve të tepsisë, të cilat nuk mbaruan me marrjen e qeverisë vetëm pa të tjerë në prehër, sepse është një inerci në të cilën të gjitha partitë politike shqiptare kanë qenë të përfshira, përfshirë edhe PS-në, por ama, Partia Socialiste është e vetmja që ka vullnetin për të luftuar me këtë trashëgimi të shëmtuar të së shkuarës dhe për të krijuar kushte që më të mirët të mos thonë që na shkoi dëm i gjithë mundimi i universitetit dhe i prindërve. Sepse në fund të ditës, vendet e punës janë të ndara dhe konkurset janë fiktive, por ta gjejnë drejtpërdrejtë vendin e punës, aty ku iu takon.

Një aspekt tjetër që ka të bëjë me procesin dhe që lidhet me raportin për të cilin po flas, është aspekti i të drejtave të pakicave dhe të pronës. Edhe këtu ne kemi bërë progres. Edhe këtu, ne jemi lehtësisht të verifikueshëm në sa themi, me fakte konkrete, jo me propagandë, as me fjalë të hedhura në hava, qoftë brenda, qoftë jashtë kufijve tanë.

Sa i përket kriterit ekonomik, kjo është pjesa më delikate, sepse gjithmonë rrezikojmë kur flasim për rritjen ekonomike dhe për uljen e papunësisë të ndeshemi me skepticizëm, apo edhe me një ndjenjë refuzimi të njerëzve që me të drejtë të plotë kërkojnë më shumë. Sado të rritet ekonomia e Shqipërisë sot, nuk mund të jetë një rritje e mjaftueshme për njerëzit që tundin kokën në mënyrë aprovuese. Por ama, është fakt – dhe nuk e them unë, nuk e themi ne, – i shkruar e zeza mbi të bardhë, në raportin e BB për rajonin, se në vitin 2018 kemi pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe kemi prodhuar më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që ka prodhuar rajoni. Ky është fakt. Raportet e Bankës Botërore, apo të Komisionit, janë objektive për sa i përket shifrave, sepse bazohen në një punë skrupuloze, teknike dhe nuk bazohen mbi statistika të burimeve të brendshme.

Si përfundim, unë besoj, siç kam besuar edhe vjet, Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave, ashtu sikundër unë e them pa asnjë droje, me zë të lartë atë që të gjithë miqtë dhe partnerët, edhe ata që janë skeptikë e thonë me zë të ulët kur takohemi, se, asnjë vend përpara hapjes së negociatave nuk ka bërë, aq sa ka bërë Shqipëria për hapjen e negociatave. Këtu i referohem një fakti të thjeshtë.

Si ka mundësi që, – është e shkruar e zeza mbi të bardhë, – në disa raporte, në disa deklarata, por është e dëgjuar vazhdimisht në çdo bisedë, nga ata që u morën drejtpërdrejtë me këtë proces, që rajoni, përfshirë edhe vendet që janë në negociata, duhet të marrë modelin e reformës në drejtësi që po bën Shqipëria?!

Pra ne kemi krijuar një model që qenka i vlefshëm për të gjithë rajonin, ndërkohë që të tjerët negociojnë, ne duhet të presim akoma çeljen e negociatave!

Pritja jonë për çeljen e negociatave, kjo është pjesa më e rëndësishme për ne, si qeveri, si shumicë, nuk lidhet me çfarë kemi bërë ne, lidhet me sa janë gati të tjerët që të përballojnë betejën e brendshme politike në disa vende, në Francë në radhë të parë, kundër zgjerimit. Ndërkohë që në Francë drejton një president, i cili është kampioni pro europeist sot në gjithë Europën dhe sidoqoftë, kur vjen puna te zgjerimi, kur vjen puna te çelja e negociatave me Shqipërinë edhe aty duket sikur hanë arra kur flitet.

Është e mirëkuptueshme. Në fund të fundit, janë interesa që nuk përputhen në një moment të caktuar të natyrës politike, sepse dihet dhe nuk është sekret që në diskutimet e Këshillit Europian vendet vijnë si bartëse të interesave të tyre dhe në momente të caktuara interesat e brendshme prevalojnë mbi strategjinë e madhe dhe mbi mirëkuptimin e nevojshëm mbi atë strategji, por ama, për sa na takon, ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë detyrën.

A do çelen apo s’do çelen negociatat në qershor apo këtë vit është një pyetje, të cilës duhet t’i japë përgjigje Këshilli Europian, por përgjigja që mund të japim ne, bazuar në fakte dhe bazuar në atë që është gjykatësi objektiv i këtij procesi, Komisioni Europian, është se po, Shqipëria i ka bërë të gjitha ato që duhet të bënte për çeljen e negociatave, kjo është pjesa jonë. Pjesa tjetër, po e jona, por që ne kemi pak ose aspak mundësi ta influencojmë, është roli kundër çeljes së negociatave, i atyre që nuk lënë rast, nuk lënë mundësi, nuk lënë hapësirë pa hedhur baltë mbi Shqipërinë, jo mbi ne. Mbi Shqipërinë, se mbi ne, balta e tyre ka vetëm një efekt, na shton jetën. Mbi ne balta e tyre ka vetëm një efekt, na forcon, nuk na dobëson dhe na e zgjat kohën e qëndrimit në krye të detyrës për një fakt shumë të thjeshtë se shumica e shqiptarëve, jo vetëm nuk janë të gatshëm t’i hanë ato lloj broçkullash, por përkundrazi, revoltohen nga ato lloj broçkullash e shumica e shqiptarëve pavarësisht të gjitha arsyeve plotësisht të mirëkuptueshme që ka, për të pasur pakënaqësi, për të pasur kritikë, për të pasur mërzi, për të pasur më shumë e më shumë kërkesë ndaj nesh, e ka shumë të qartë që në këtë proces ka vetëm një forcë që e çon Shqipërinë përpara, në çdo aspekt dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë.

Edhe një herë tjetër, unë përsëris qëndrimin tonë, një qëndrim fare i qartë. Ata kanë ikur, ata janë në të drejtën e tyre të ikin, janë në të drejtën e tyre të mos marrin pjesë në zgjedhje. Detyra jonë është të mos pengojmë askënd që të marrë pjesë në zgjedhje, por nuk është që të bindim të gjithë që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk na e ka dhënë njeri këtë detyrë. Edhe sikur ta merrnim përsipër nuk do ishim të suksesshëm, kështu që detyra që nuk i kemi, nuk kemi pse i marrim përsipër. Futen ata në zgjedhje apo nuk futen ata në zgjedhje, detyra jonë është që të fitojmë zgjedhjet e të vazhdojmë përpara një betejë të madhe, aspak të lehtë e të përballemi me problemet tona. Të përballemi me të metat tona, të përballemi me gabimet tona e të përmirësohemi çdo ditë, për të qenë çdo ditë e më të vlefshëm për vendin e për njerëzit. Për sa i përket mundësive për të dialoguar e për të bashkëpunuar, ne i kemi diskutuar këtu në një seancë të mëparshme, ata kanë një karrige vëzhguesi në komisionin për reformën zgjedhore dhe kanë status të veçantë si vëzhgues sepse mund të kontribuojnë dhe mund të vendosin edhe veton për gjëra, të cilat nuk janë dakord sepse ne nuk duam që ata të asgjësohen. Ne duam t’i mundim në 2021 me rregulla të përcaktuara dhe të dakordësuara bashkërisht. Kështu që ata kanë të gjithë kohën e tyre të reflektojnë, deri në 2021 kanë kohë të përgatiten e të organizohen, të përmirësojnë dhe ato selfie-t nga vetura dhe në momentin e përballjes elektorale të shikojmë pastaj se çfarë mendon populli shqiptar.

Duke falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë proces dhe duke shprehur bindjen se jo vetëm që do të vazhdojmë, por do të vazhdojmë me edhe më shumë këmbëngulje çdo ditë, pavarësisht rezultatit të mbledhjes së Këshillit Europian në qershor, kam po ashtu bindjen se, ata të cilët nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke bllokuar negociatat, do marrin pushtetin në Shqipëri, do zhgënjehen thellë, siç janë zhgënjyer dhe në të shkuarën, sepse jemi ne që do t’i hapim negociatat, jemi ne që do t’i fitojmë zgjedhjet dhe jemi ne që do ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Mbajeni mend këtë që po ju them sot. Nuk e di unë kur do futet Shqipëria në Bashkimin Europian, se kjo nuk varet vetëm nga ne dhe ju e shikoni vetë se çfarë debatesh bëhen, mblidhen ca kandidatë nëpër televizione, tani për fushatën europiane dhe bëjnë debat a futet apo nuk futet njëri apo tjetri në vitin 2025. Unë nuk e di kur do ndodhi, por unë di që kur të ndodhi, Partia Socialiste do jetë këtu dhe do jetë shumicë.

Faleminderit!