Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishte viti 1990 kur në Shqipëri iu dha goditja e parë e rëndësishme diktaturës komuniste. Lëvizjet masive dhe ato studentore e detyruan udhëheqjen e partisë së vetme asokohe të ligjëronte ekzistencën e partive të tjera. Kështu, Shqipëria pati një sistem politik pluralist. Njerëzit mundën të përfaqësoheshin nga forca të tjera përveç Partisë Komuniste, e cila, që prej vitit 1945, e kish sunduar vendin me grusht të hekurt. Simbolikisht, ky ishte fundi i diktaturës.
Më lehtë me fjalë, se me vepra!
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ish slogani i atëhershëm i mijërave që dolën në rrugë. Të rinj e të moshuar, gra e burra, njerëz që, në jetën e tyre, kurrë nuk kishin udhëtuar jashtë vendit, të gjithë e donin Shqipërinë të bëhej si Evropa. Ky nuk ishte thjesht një slogan që përfaqësonte një aspiratë a ëndërr.
Ai përfaqësoi besimin e patundur në mundësitë e vendit. Ai përfaqësoi thirrjen për identitet; qëndroi si kërkesë për t’iu kthyer udhës nga e cila breza të tërë ishin devijuar me forcë. Ai përfaqësoi shprehjen e qartë të vullnetit të popullit.
Që prej asaj kohe, të gjitha partitë politike në vend kanë deklaruar se duan integrimin në Komunitetit Evropian e, më pas, në Bashkimin Evropian, si synimin qendror të programeve të veta partiake e qeverisëse. Qëndrim mjaft i mençur e legjitimues në kuptimin e përfaqësimit.
Edhe pse, të thuhej ish më e lehtë se të bëhej!
Ish viti 1990, kur festivali i këngës “Eurovizion” u fitua nga Toto Kotunjo, me këngën “Insieme: 1992” apo e njohur më mirë si “Insieme” (“së bashku” në italisht) Unite Unite Europe: 1992. Kënga që jehonte në zërat e mijëra vetëve fliste për një flamur të vetëm evropian, për qytetarë përtej kufijve e një ëndërr të përbashkët evropiane. Gjatë këngës në Eurovizion, Kotunjo shoqërohej nga një grup slloven, i cili këndonte: “Evropa nuk është e largët, nuk është më një ëndërr, le të mblidhemi së bashku e ta bashkojmë, ta bashkojmë Evropën”.
E thënë kaq bukur, edhe pse më e lehtë me fjalë, se me vepra!
Titulli i këngës përmbante vitin 1992, koha kur Bashkimi Evropian u vendos të fillonte të funksiononte si i tillë. Ky ishte viti i Traktatit të Mastrihtit, me anë të të cilit Komuniteti Evropian u bë Bashkimi Evropian dhe hodhi themelet për një bashkim aktiv dhe efektiv përmes objektivave të demokratizimit të institucioneve të BE-së, zhvillimit të një politike të përbashkët të jashtme e të sigurisë, si edhe krijimit të bashkëpunimit policor e gjyqësor për çështjet penale; e thënë ndryshe, nëpërmjet ngritjes së shtyllave kryesore të Bashkimit Evropian.
Në po të njëjtin vit, Shqipëria përjetoi çeljen e një epoke të re me zgjedhjet e marsit të vitit 1992, kur më në fund, pas më shumë se 40 vjetësh totalitarizmi, një parti politike erdhi në pushtet falë votës së lirë të popullit e në përfaqësim të aspiratave dhe vullnetit të tij.
Ashtu siç kënga thosh me frymëzim, menduam se e kishim gjetur njëri-tjetrin në Evropë. Ne menduam se, më në fund, kishim gjetur Evropën në Shqipëri.
Megjithatë, kish rrugë të gjatë për t’u bërë që Evropa e Bashkuar ta jetësonte këtë unitet të sajin në kuptimin e një identiteti të përbashkët që do iu mbizotëronte identiteteve kombëtare, në kuptimin që institucionet evropiane do të kishin një zë vendimtar mbi atë të institucioneve kombëtare, në aspektin e tregjeve të përbashkëta evropiane që funksionojnë mirë, përfshi një monedhë të vetme të përbashkët evropiane që nuk do të haste përherë kërcënimin për t’u hedhur tutje, sa herë që një qeveri evropiane (kryesisht e krahut të djathtë, le ta themi) përjetonte vështirësi ekonomike.
Po ashtu ishte më se e sigurt se Shqipëria kish rrugë të gjatë për të bërë për ndërtimin e institucioneve të shtetit demokratik, shoqërisë civile, një sistemi gjyqësor të mosvarur nga politika, një administrate shtetërore të imunizuar nga korrupsioni.
Vështirësitë e rregullimit të tregut kombëtar që, deri në atë moment, kishte qenë tërësisht i izoluar nga investimet e huaja dhe plotësisht i dominuar nga monopoli shtetëror, ishin të stërmëdha.
Njësoj i stërmadh qe oreksi i politikanëve të cilët kishin arritur më në fund, të vinin duart mbi burimet kombëtare e po aq e pamatë ish dëshira e njerëzve që të arrinin mundësitë e mohuara prej vitesh të tëra.
Për më tepër, sistemi arsimor kishte dështuar kohë përpara fillimvitit ’90 që t’iu përgjigjej nevojave të një bote e cila po zhvillohej si kurrë ndonjëherë në kërkime shkencore dhe teknologji.
Kështu, vendi që, më së fundi, mendonte se ishte bashkuar sërish me Evropën, përballej me njohuri të tkurrura për të ndërtuar institucione demokratike që t’iu shëmbëllenin atyre të vendeve të zhvilluara evropiane, me një ekonomi kaotike tregu, një shoqëri civile e paqenë dhe një strukturë shtetërore të paaftë për t’iu bërë ballë sfidave e për t’i dalë zot atij besimi, pavarësisht sa subjektiv ishte, “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Nga ana tjetër, Evropa që më në fund, kishte një Bashkim do të përballej me sfida që edhe sot e kësaj dite e vënë atë në pikëpyetje, për shkak se janë thelbësore e kanë të bëjnë me cilësinë e demokracisë (po të shihni debatet e intelektualëve, aktivistëve dhe shkencëtarëve socialë francezë mbi “kufijtë e demokracisë” do të zbuloni se janë mjaft befasuese për këtë çështje); me natyrën dhe domethënien e shtetësisë evropiane (debatet e nënshtetësisë përtej kufijve, nënshtetësisë aktive, vendimmarrjet nga poshtë lart, aktet e nënshtetësisë të intelektualëve e studiuesve, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, janë mjaft dritëhedhëse në këtë aspekt); vijueshmëria e monedhës së vetme evropiane (në këtë rast, do të gjeni mjaft me dobi e interes në debatet kombëtare mbi pro-të dhe kundrat për euron, sidomos analizën e krizës greke).
Megjithatë, sfidat me të cilat Shqipërisë iu desh të përballej ishin edhe më kritike, ndërsa ajo kërkonte anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Që prej asaj kohe, Bashkimi Evropian u bë një nxitës kyç për demokratizim e modernizim.
Brukseli u bë udhëheqës i demokratizimit dhe modernizimit të vendit.
Mirëpo, marrëdhënia ka qenë e tillë që Brukseli të shfaqet si një mësues kujdestar që përcakton detyrat e shtëpisë, ndërsa Shqipëria e vende të tjera të Ballkanit gjithashtu, si studentë tekanjozë, që asnjëherë nuk i kryejnë ato si duhet.
Pas viteve të gjata të një kujdestarie të tillë, ne në Shqipëri arritëm në një kuadër ligjor që pak a shumë, u përgjigjet kërkesave të Brukselit por nga ana tjetër, përjetonim një realitet rrënjësisht të ndryshëm nga çka Brukseli priste.
Aktualisht, unë mendoj se detyrat i kemi bërë në “mënyrë shumë krijuese”! I kemi paraqitur Brukselit shumë letra të mbushura përplot, si perde të bukura që varen teposhtë e fshehin përmbas një të vërtetë kryekëput të ndryshme.
Për aq sa Brukseli ka parë së brendshmi përtej këtyre dritareve dhe nga aq legjislacion e projekte të ndryshme të përbashkëta me BE-në që kanë ndikuar në realitetin e përditshëm të këtij vendi, Shqipëria është kandidate e mundshme, nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në pritje për të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti.
Pas vitesh të gjata të periudhës kalimtare nga regjimi totalitar në një demokraci të ashtuquajtur funksionale, edhe pse mirëfilli nuk ka funksionuar, si dhe pas kaq vitesh përgjatë të cilave kemi ushqyer veten me imazhin e Evropës, ne e dimë tanimë se “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo thënë ndryshe, shpallja e vullnetit për t’u integruar në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë një lajtmotiv propagandistik, por shuma e reformave konkrete të shtetit për modernizim dhe demokratizim.
Ky nuk duhet të jetë një proces që prodhon letra të plotësuara në mënyrë korrekte apo mijëra takime mes burokratësh, por një sistem vlerash dhe institucionesh që i diskutojmë e zbatojmë gjerësisht duke synuar cilësinë e jetës së njerëzve dhe të brezave të ardhshëm.
Në fillimvitet ’90, shqiptarët thanë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!
Ndërkohë, politikanët, të frikësuar prej marrjes së përgjegjësive, nisën të flisnin rreth “rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian”.
Si metaforë u përdor treni. Shqipëria ish një tren që ecte shpejt drejt Evropës dhe si udhëheqës i opozitës, jam akuzuar ndonjëherë se nuk isha pjesë e këtij treni. Po ç’tren ish ky, ai plot letra!? Ai që ngiste shinave të propagandës qeveritare?
Jo, në atë tren nuk jam! Evropa nuk është destinacion krah nesh, përtej apo jashtë nesh, ajo është pikëmbërritja brenda nesh; është demokracia e përditshme në vendin tonë, është vetëdija se veprimet tona si vendimmarrës, ditë pas dite, ndikojnë në jetën dhe mundësitë e njerëzve të sotëm dhe brezave të nesërm, gjeneratave të ardhshme të Evropës.
Element kyç për këtë qasje të re programore të zgjerimit të BE-së në Evropën Juglindore duhet të jetë kjo vetëdije se e ardhmja e përbashkët e Evropës së Gjeneratës Tjetër ndërtohet në vendet e saj anëtare, aq sa në vendet kandidate e po njësoj në ato kandidate të mundshme, që do të thotë, në vetë Evropën Juglindore.
Kësisoj, pyetja që shtrohet nuk duhet të jetë si ta bëjmë Evropën Juglindore të gatshme për të hyrë në Bashkimin Evropian, por se si të gjithë bashkë të mund të ndërtojmë Evropën e Bashkuar, se si të gjithë bashkë të mund të krijojmë një të ardhme të përbashkët evropiane!
Kjo e ardhme e përbashkët evropiane, ashtu si në këngën e Toto Kotunjos, është e ardhmja ku i japim dorën njëri-tjetrit për të formësuar një grup vlerash, institucionesh, për të pasur cilësi jete e një hapësirë ku të gjithë jetojmë me ideale të përbashkëta.
Është bindja ime se kjo qasje do t’i jepte një tjetër dinamikë këtij raporti “mësues-nxënës”. Ajo do të zgjeronte perspektivën e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit dhe do të rriste përgjegjësinë e të gjitha palëve sa u përket efekteve që ka procesi i anëtarësimit dhe integrimit në jetën e përditshme të qytetarëve.
Ajo çka programi i ri i zgjerimit të BE-së i vendos përballë rajonit të Evropës Juglindore është një bashkëpunim më i gjerë, më intensiv dhe trishtresor:
Bashkëpunim brenda rajonit të Evropës Juglindore;
Bashkëpunim mes rajonit dhe BE-së;
Bashkëpunim i secilit vend me BE-në;
Dy të parat shpjegohen si kombinim i objektivave të Strategjisë për Evropën Juglindore 2020 dhe Programit “Evropa 2020”. Sërish, mbetet rrugë për t’u bërë në këtë kombinim, pasi besoj se ka mjaft për t’u bërë për bashkëpunimin rajonal dhe shndërrimin e Programit “Evropa 2020” në hapa konkrete që prekin cilësinë e jetës dhe demokracinë e përditshme të çdo vendi.
Kështu, ne nuk përballemi vetëm me sfidën për të forcuar më tej lidhjen midis nivelit kombëtar dhe atij rajonal apo sfidën e plotësueshmërisë në nivel kombëtar me Evropa 2020.
Të gjithë së bashku, vende kandidate të mundshme, shtete kandidate dhe anëtare, jemi ballë sfidës për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, përfshirës, të integruar dhe të zgjuar, si edhe një qeverisje për zhvillim, secila prej të cilave është e përfshirë në Vizionin e Evropës Juglindore për vitin 2020 në mënyrë koherente dhe e shkrirë me programin “Evropa 2020”.
Sfida që hasim të gjithë njëherazi është vendosja e demokracisë së përditshme, cilësisë së jetës së qytetarëve dhe shtetit të përmirësuar të së drejtës në zemër të një programi të orientuar për nga zhvillimi i qëndrueshëm dhe rritja.
Kjo shkallë bashkëpunimi më sjell ndërmend qasjen, histoire croisée (histori të kryqëzuara) dhe refleksivitet (e dy studiuesve francezë të shkencave shoqërore, Bénédicte Zimmermann dhe Michael Werner).
Më kujton historinë e kryqëzuar si fate të përbashkëta dhe refleksivitetin si formësim i fateve të njëri-tjetrit.
Duke përdorur disa elemente nga qasja e tyre, do të thoja se në rajon na duhet të gjejmë pikat ky kryqëzohemi dhe veçanërisht se si ndikojmë për mirë te njëri-tjetri.
Na duhet të zbulojmë se si mund të bashkëpunojmë në nivelin mikro (rajonal, tregtimi i produkteve të veçanta, oferta të veçanta), por pa dëmtuar të përgjithshmen.
Veçanërisht, në rajon duhet ta fillojmë nga kundërshtitë mes një sërë këndvështrimesh të mundshme për të arritur pikëtakime e për t’i shumëfishuar e nxitur ato.
Në kuptimin e bashkëpunimit të lartpërmendur trishtresor, na duhet të jemi “të vëmendshëm qoftë karshi konteksteve afatshkurtra të veprimit, ashtu edhe karshi kushteve afatgjata strukturore që e bëjnë atë të mundur, në mënyrë që të jemi në gjendje të administrojmë, njëkohësisht, ndryshimin dhe stabilitetin”.
Sidoqoftë, duke ndryshuar shkallë, për t’iu kthyer një vendi individual, Shqipërisë, më ngjan se bashkëpunimi i orientuar për nga rezultatet që vihet më në pah për bashkëpunimin rajonal duhet të përmendet posaçërisht në bashkëpunimin e BE-së me vende të caktuara.
Mendoj kështu, pasi, siç e thashë, ne, në Shqipëri, kemi mjaft ligje “të certifikuara nga BE-ja”, të përgatitura me mjaft ndihmesë, për të cilat është dashur shumë energji dhe burime financiare por njëherazi, siç duhet të keni dëgjuar, kemi një korrupsion të shfrenuar që shter po kaq energji dhe burime financiare.
Ai është një korrupsion endemik politik e administrativ, që ngrihet si pengesë e stërmadhe përpara institucioneve demokratike, drejtësisë, rritjes së qëndrueshme e madje edhe përpara zhvillimit të sistemit arsimor të vendit; një korrupsion depërtues që ende gjallon, pavarësisht përparimit drejt anëtarësimit në BE.
Duke pasur parasysh se Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria kanë qenë më të suksesshme në këtë proces, a mund të themi se ky është një problem veçanërisht i shqiptarëve?
Jo domosdoshmërisht tipik i shqiptarëve, por një problem shumë serioz endemik në Shqipëri.
Unë nuk besoj se janë qytetarët, njerëzit që korruptojnë sistemin. Në të kundërt, besoj se një sistem jokoherent me nevojat e aspiratat që e kanë ndërtuar është ai që korrupton njerëzit.
Sistemi në të cilin punon një zyrtar publik në Shqipëri është larg prej të qenit demokratik apo përmbushjes së nevojave të qytetarëve. Kësisoj, ai mund të jetë korruptues për çdo individ të përfshirë në këtë proces. Ndërkohë, në ato raste ku nuk e kemi këtë korrupsion dhe le të përmendim këtu sistemin francez a gjerman, është thuajse e pamundur ta përdorësh aparatin administrativ për përfitime vetjake dhe/ose individuale.
Është e qartë se mekanizmi administrativ modern e demokratik të cilit i referohem kërkon ligje, rregulla, teknologji, por gjithashtu e mbi të gjitha kërkon vullnet politik.
Unë besoj se mënyra më e mirë për ta luftuar e parandaluar korrupsionin në afat të shkurtër është modernizimi i institucioneve shtetërore.
Ju tani do të më thoni; është më e lehtë me fjalë, sesa me vepra!
Prapë, do ju përgjigjesha, ku ka vullnet, ka zgjidhje. Më lini t’ju përmend një shembull për këtë.
Miku i parë i huaj me kompetenca institucionale që erdhi për vizitë në zyrën time si kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Chrik Poortman, i cili asokohe mbante postin e Drejtorit Vendor për Bankën Botërore. Kjo ishte vizitë e jashtëzakonshme, pasi paraardhësit e tij, qoftë edhe ai vetë, nuk kishin qenë ndonjëherë më parë në Bashkinë e Tiranës. Në fakt, pjesëtarë të stafit të tij të zyrës vendore të Bankës Botërore kishin ardhur disa herë, por gjithë sa bënin ishte të mbanin shënim problemet që ne raportonim. Unë vazhdoja të flisja me ta rreth historisë, artit, letërsisë shqiptare, madje edhe rreth kuzhinës apo klimës shqiptare, përderisa ata nuk donin të diskutonin ndonjë projekt konkret.
Refuzimi im për të folur për “çështje serioze”, përveçse po të kishte një projekt, iu raportua zyrës qendrore në Uashington, ku flitej për “kryetarin e çuditshëm të bashkisë dhe formulën e tij për bashkëbisedim të lirë”. Një gjë e tillë kish tërhequr vëmendjen e drejtorit për vendin, i cili vendosi t’i shkonte për vizitë këtij kryetari të pazakontë. Me një modesti të madhe, si çdo njeri i mençur, dhe me një personalitet mbresëlënës, Chrik Poortman u ul në këndin e miqve dhe unë i them: “Dëshironi ndonjë gjë për të pirë? Çaj, kafe, ujë me gaz, pa gaz? Ju jeni Chrik Poortman, Drejtori për vendin i Bankës Botërore dhe unë jam Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës për të cilën Banka Botërore nuk ka bërë asgjë”.
E përgëzova që kish qëlluar në shenjë dhe i shpjegova se isha i gatshëm të shkoja përtej “formulës së bashkëbisedimit të lirë”, me kusht që të mos merrja përgjigjen e zakonshme: “Ç’projekt interesant, por për fat të keq, nuk iu përshtatet programeve tona. Më vjen mirë që ju takova”.
Ai pranoi dhe e ftova të shkonim bashkë drejt një dritareje të vogël që shihte nga pjesa e pasme e bashkisë. Aty gjendeshin dy kioska të ndërtuara gjatë luftës së Kosovës. Një sërë shërbimesh të bashkisë ofroheshin në këto kioska. Njerëzit prisnin në radhë të gjata për të marrë certifikata të ndryshme, leje, informacione apo për të paraqitur një ankesë.
Nëpunësit brenda kioskave që iu përgjigjeshin qytetarëve prej dritarezave mund t’i shqyrtonin këto kërkesa ose jo, mund t’iu jepnin ose jo përgjigje ankesave, po askush nuk e kontrollonte përgjegjësinë apo efikasitetin me të cilin kryhej shërbimi.
Për më tepër, për t’ia dalë në krye kësaj radhe që s’mbaronte asnjëherë e për të arritur te shqyrtimi i kërkesës së tyre apo marrja e çdo lloj lejeje apo certifikate, qytetarët dilnin nga dera e pasme e kioskës, i jepnin ryshfet një prej nëpunësve brenda dhe kështu kryenin punë!
Në fakt, pamë vetë me sytë tanë dikë që trokiti në derën e pasme dhe ofroi “gjobën” për të marrë një shërbim të përcaktuar me ligj.
Moslejimi i kësaj situate që të vazhdonte më gjatë nuk kish për qëllim kapjen e punonjësve të korruptuar në flagrancë, pushimin e tyre dhe zëvendësimin me të tjerë.
Që kjo gjendje të merrte fund, duheshin ofruar kushte të denja për këta nëpunës, një sallë e denjë pritjeje për qytetarët, një sistem i kompjuterizuar ku regjistroheshin kërkesat dhe një sistem që të siguronte monitorim përgjatë gjithë procesit.
Lufta dhe parandalimi i korrupsionit kalonin përmes ndryshimit të hapësirës, rregullave dhe procedurave që do t’i jepnin një fytyrë të re marrëdhënies midis qytetarëve dhe bashkisë.
Ajo çka i kërkova drejtorit ishte të financonte këtë hapësirë për bashkinë edhe pse kjo nuk ishte kërkesa e vetme. Ne diskutuam një projekt më të gjerë që nëpërmjet shndërrimit të hapësirës, do të riformësonte të gjithë funksionimin e bashkisë, që tanimë, nuk do të karakterizohej nga ryshfeti, radhët e gjata e shërbimi i lodhshëm e joefektiv, por nga transparenca, respekti për veten e për qytetarin.
Salla e pritjes ishte e para e llojit të saj në administratën shqiptare. Bashkia e Tiranës u bë i pari institucion publik evropian në vend. Projekti ishte një histori suksesi për Bankën Botërore e mandej, pikëfillesa e një bashkëpunimi të gjatë e të suksesshëm midis Bashkisë dhe Bankës Botërore.
Pra, u tha e u bë! Kjo, megjithatë, kërkon vullnet, vullnet politik!
I njëjti vullnet nevojitet për të transformuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian në një zinxhir rezultatesh të dukshme në jetën e përditshme të secilit prej vendeve tona në Ballkan.
Duhet vullnet për të transformuar Evropën në atë çka duhej të ishte qysh prej Planit “Marshall” (nisur në vitin 1948) dhe Marrëveshjes së Uashingtonit (NATO, nënshkruar në vitin 1949) dhe Bashkimit Evropian që nga Traktati i Romës (nënshkruar në vitin 1957) e prej këtej, nga Traktati i Mastrihtit (nënshkruar në vitin 1992) dhe së fundi, nga Traktati i Lisbonës (nënshkruar në vitin 2007), një hapësirë e begatë një vend me kufij natyrorë e jo të imponuar.
Jo më kot përmenda Planin “Marshall” dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, pasi kjo vendosmëri për integrim në Bashkimin Evropian nuk është eurocentrizëm e nuk ka të bëjë vetëm me shqetësimin për rajonin apo veten, ndërkohë që jetojmë në një botë thellësisht të ndërlidhur, ku debatohet për nënshtetësi globale, histori lidhura e fate të kryqëzuara.
Jo, vendosmëria për integrim e për “Shqipërinë si gjithë Evropa”, ushqimi i një imazhi të Evropës si Evropë e Bashkuar ka të bëjë me kontributin për suksesin e një projekti brilant ndërkombëtar, atë të Bashkimit Evropian, që do të kontribuojë në begatinë e milionave dhe një botë më të mirë.
Ky projekt është brilant në sajë vlerave me të cilat është ngjizur, përvojës së ashpër mbi të cilën u ndërtua e që ne duhet ta shmangim sot e ngaherë; falë ndjeshmërive social-kulturore e politike që mbart dhe kornizave demokratike institucionale që synon të ndërtojë.
Është brilant ky projekt sepse sfidon kombet, jo si entitete shprese e çlirimi, por si entitete paragjykimi dhe diskriminimi.
Me marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, rajoni ynë ka mbyllur njëherë e përgjithmonë një kapitull konfliktesh e i ka hapur rrugë njëherë e mirë një kapitulli të ri.
Për shqiptarët, kosovarët, malazezët, serbët, maqedonasit, boshnjakët ky duhet të jetë fillimi i një kandidature vepruese e jetësuese. Vepruese, që të mos mbetemi në pritje të legjislacionit që do të propozojë Brukseli, për ta miratuar atë, por, ndërkohë, pak rëndësi ka nëse e përshtatim.
Vepruese, për të qenë pjesë aktive edhe në hartimin e këtij legjislacion dhe për ta shndërruar atë në realitet në vendet tona. Vepruese, për të qenë të orientuar për nga rezultatet në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit.
Zbatimi nënkupton të mos presim Brukselin të na propozojë se si të kombinojmë Strategjinë e Evropës Juglindore për vitin 2020 me Programit “Evropa 2020” apo t’ia lëmë këtë ndonjë takimi ndërministror, por ta bëjmë pjesë të debatit gjerë popullor duke përfshirë shoqërinë civile, universitetet e duke qenë gjithnjë e më përfshirës, gjithnjë e më të prirur ndaj rezultateve.
Sa i përket zbatimit, mendoj se Kroacia e Sllovenia përbëjnë shembuj të rëndësishëm për vendet e tjera të rajonit. Këto vende kanë shënuar një sukses të dukshëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe mund të jenë orientim thelbësor edhe në farkëtimin e një bashkëpunimi rajonal efektiv.
Ky moment i një programi të ri – moment kur shumë gjëra janë bërë, por mjaft mbetet ende për t’u bërë dhe kur duhet novatorizëm – mund të kapet si një moment ndryshimi; ndryshim në qasjen tonë, në mënyrën se si veprojmë, ndryshim në rrugën tonë të bashkëpunimit.
Kështu, më lejoni të kthehem tek thirrja, ajo e Bashkimit Evropian dhe ajo e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe të themi, siç e thotë edhe kënga: insieme (së bashku), me vetëdijen se e ardhmja e përbashkët e Evropës së Gjeneratës Tjetër ndërtohet në vendet anëtare, aq sa në vendet kandidate e po kaq shumë në vendet që janë kandidate të mundshme. Ta bashkojmë, ta bashkojmë Evropën!
Po, është më e lehtë me fjalë, se me vepra, edhe pse, siç e pamë, kërkon vullnet … e me të këtillë vullnet, mund të bëhet. Sa herë ka vullnet, e ka edhe një rrugëzgjidhje.
Ju faleminderit!