Integrimi i BP, përparësi e politikës së jashtme austriake

Konferencë për shtyp e Kryenegociatorit për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi, Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dhe Ministres austriake për Bashkimin Europian dhe Kushtetutën Karoline Edstadler, pas takimit mes tyre:

 

Kryenegociatori Mazi: Mirëdita! Kam kënaqësinë që shkurtimisht të njoftoj se patëm një bisedë sot, gjithashtu patëm një bisedë edhe mbrëmë me ministren austriake për çështjet Europiane. Diskutuam gjerësisht dhe profesionalisht shumë aspekte të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Integrimi është rrugë e gjatë dhe Shqipëria ka bërë progres substancial. Mbështetja e Austrisë ka qenë dhe do të vazhdojë e pakursyer. Jemi para vendimeve shumë të rëndësishme të unionit, që i diskutuam me ministren, miratimi i kuadrit negociues për Shqipërinë dhe konferencën e parë Ndërqeveritare. Po punohet fort, si nga ana e Shqipërisë ashtu dhe nga ana e shteteve të unionit që të mbyllet me një pozitivitet, mundësisht brenda këtij 6 mujori të presidencës portugeze.

Me ministren diskutuam shumë edhe për reformën paketë në sistemin e drejtësisë. Ministrja u interesua direkt dhe po i jap fjalën ministres lidhur me çfarë u diskutua për reformën në sistemin e drejtësisë dhe për marrëdhëniet me parlamentin.

 

Ministrja Spiropali: Faleminderit Ambasador! Kënaqësi ta kishim sot ministren e nderuar për Bashkimin Europian dhe Kushtetutën të Republikës austriake, këtu.

Folëm shumë hapur dhe miqësisht mbi progresin që Shqipëria ka bërë për të gjitha prioritetet e integrimit në BE dhe nevojën e Konferencës së parë ndërqeveritare për çeljen e negociatave brenda presidencës portugeze të këtij viti.

Republika e Austrisë dhe posaçërisht Ministrja është një mbështetëse e madhe e këtij procesi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Austria ka luajtur një rol kyç si një njohëse shumë e mirë e Ballkanit Perëndimor dhe  e Shqipërisë, por edhe njohëse e thellë e reformave dhe proceseve që kanë ndodhur këtu.

Është inkurajuese që është vizita e dytë e ministres brenda pak kohësh, edhe kohë të vështira si këto të pandemisë që po i lëmë pas dhe kjo mbështetje, kjo punë e madhe, ky koordinim që është bërë besoj do të sjellë një rezultat të mirë për Shqipërinë në vendimet e majit, të qershorit dhe brenda këtij viti, jo vetëm korniza negociuese që nga Shqipëria është kryer si detyrë, por dhe vendimi i BE për kredibilitetin e institucioneve dhe të marrëdhënieve, besoj do të shkojë në vend dhe Shqipëria do të marrë vendimin  e merituar.

Folëm gjatë edhe për reformat e kaluara në parlament, pasi është ministrja përgjegjëse për parlamentin dhe Kushtetutën këtu, për punën që kemi bërë për ligjet e reformës në drejtësi, për faktin se të gjitha institucionet e qeverisjes së drejtësisë së re janë sot funksionale, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe puna e madhe që është bërë me vetingun dhe me pastrimin e sistemit të drejtësisë nga korrupsioni që vlerësohet posaçërisht nga ministrja dhe nga Republika e Austrisë.

 

Ministrja Edstadler: Është kënaqësi që jam në Shqipëri dhe të shoh vullnetin e fortë të këtij vendi që të ecë me reformat e nevojshme për të marrë perspektivën e mirëmerituar për të hyrë në Be dhe për të ecur me hapa të mëtejshme në procesin e integrimit. Nuk është sekret, Austria ka qenë mjaft e zëshme. Është një përparësi e politikës europiane dhe të jashtme në Austri të mbështesë të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, kur bëhet fjalë për procesin e integrimit, sidomos Shqipëria, por edhe Maqedonia e Veriut e meriton këtë perspektivë. Dua t’u them dy gjëra. Është e nevojshme që ju të vijoni reformat tuaja. Përgëzime për hapat që keni ndërmarrë tanimë. Mendoj që ka shumë për të bërë dhe Austria do t’u mbështesë. Ka shumë projekte që mbështeten tashmë nga Austria. E dyta, Është një çështje besueshmërie nga ana e Bashkimit Europian që të vijojë me procesin e anëtarësimit. Ne do të vijojmë të bëjmë maksimumin për të bindur edhe miqtë tanë në BE që hapat e mëtejshme duhet të përmbushen së paku në muajt në vijim të këtij viti.

Faleminderit edhe njëherë! Është kënaqësi që gjendem këtu! Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe shpresoj që s’do të jetë hera e fundit që vij këtu në Shqipëri!

 

Kryenegociatori Mazi: Faleminderit shumë zonja ministre! Ju lutem përcillini qeverisë tuaj dhe kolegëve në Këshillin Europian vendosmërinë e Shqipërisë të vijojë e pandalshme me të njëjtin hap në rrugën e reformave.