Postuar më: 27. Gusht 2018

“Integrimi i Ekonomisë Rajonale”, takim informal i Kryeministrave të rajonit

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviç, Kryeministrit të Kosovës Rramush Haradinaj, Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn dhe Presidentit të BERZH Suma Chakrabarti, në përfundim të takimit informal të kryeministrave të rajonit, me temë “Integrimi i Ekonomisë Rajonale”, i cili u zhvillua sot në Durrës:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Jemi këtu së bashku me kryeministrat e Malit të Zi dhe Kosovës, Komisionerin Hahn, si dhe Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) të cilin e falënderoj posaçërisht për praninë e tij në këtë takim informal të ditës së sotme.

Ndërkohë që, rrethana objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve tanë të rëndësishëm.

Përfitoj nga rasti që t’i shpreh ngushëllimet tona Kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik, ku kanë humbur jetën shumë persona dhe është bërë shkak për anulimin në minutën e fundit të ardhjes së tij.

Po ashtu, kryeministri i Maqedonisë pas më shumë se një ore në aeroportin e Shkupit e ka patur të pamundur fluturimin për shkak të kohës.

Kryeministrja e Serbisë na ka përcjellë keqardhjen për pamundësinë. Megjithatë, besoj që kemi zhvilluar një takim të frytshëm, të dobishëm , duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, qoftë ato që kanë ecur si duhet, qoftë ato që kanë nevojë për një shtysë më të fortë. Patjetër kemi diskutuar pastaj edhe më gjerësisht për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në BE.

Si fillim, dëshiroj ti kaloj fjalën Komisionerit, i cili është dhe në rolin kyç të Koordinatorit të procesit për ndjekjen e planit të masave për zonën ekonomike, rajonale dhe qasjet për eliminimin e barrierave jotarifore, rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve, por patjetër edhe për aspektet që lidhen me iniciativat brenda grupit të vendeve, siç është ndër të tjera edhe iniciativa më e afërt drejt realizimit, ajo e ngritjes së Qendrës për Zhvillimin e Qëndrueshëm Teknologjik, në Malin e Zi, iniciativë të cilën ne e mbështesim të gjithë fuqimisht. Fjala për ju:

Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn: Faleminderit shumë zoti kryeministër!  Së pari, më lejoni të them që jam shumë i impresionuar nga fakti që në rajon, në veçanti në Shqipëri, bota e mediave dominohet kryesisht nga zonjat, kështu që më duhet të them që jam vërtet i impresionuar nga kjo gjë.

Së dyti, faleminderit zoti kryeministër që na mblodhët sërish dhe që na mikëpritet në Durrës. Është hera e dytë që jemi në  Durrës, në një vend që ne e njohim  mirë. Në Austri, ne themi, në qoftë se diçka ndodh dy herë, kjo shënon fillimin e një tradite. Kështu që, shpresoj që një aktivitet i tillë të mund të mbahet sërish në gushtin që vjen e më pas në vitin e ardhshëm, në mënyrë që ne të mund të bëjmë një inventar të gjërave që janë realizuar gjatë vitit të fundit dhe të përcaktojmë atë që duhet të realizojmë më tej.

Ne në fakt po përqendrohemi më tepër në atë çfarë duhet të bëjmë, që të zbatojmë më nga afër në kuadrin e zonës ekonomike rajonale. Por megjithatë, është e rëndësishme që të theksojmë dhe të bëjmë një përmbledhje të gjërave, të cilat janë realizuar gjatë muajve të fundit, veçanërisht kur flitet për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, në Maqedoni,  është bërë shumë progres që ka çuar në konkluzionet e Këshillit Europian për sa i përket përgatitjes së negociatave për pranimin dhe mendoj që miratimi përfundimtar diku nga viti që vjen, do të mund të mund të behet realitet.

Është e rëndësishme të kujtohet gjithashtu që kemi dhënë një dritë jeshile dhe përsa i përket liberalizmit të vizave për Kosovën dhe shpresoj që Parlamenti Europian dhe Këshilli Evropian ta trajtojnë këtë çështje brenda një periudhe të shkurtër dhe të fillojnë të zbatojnë liberalizimin e vizave edhe për Kosovën.

Përsa i përket atyre që kemi diskutuar sot, është e rëndësishme që të theksohet se kemi diskutuar për axhendën e integrimit ekonomik, kemi diskutuar lidhur me atë çfarë është realizuar deri tani dhe ajo çfarë është realizuar është mbresëlënëse. Gjatë vitit të fundit janë hapur rreth 80 mijë vende të reja pune, në të gjithë rajonin dhe për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, tregtia ndërmjet rajonit është rritur me 18 % krahasuar me 2016, por një pjesë e mirë  e këtyre vendeve të reja të punës janë krijuar si rezultat i rritjes së ekonomisë së brendshme të vendeve dhe të mundësive që krijohen brenda për brenda vendit, por gjithashtu edhe dyfishimit të tregtisë ndërmjet vendeve të ndryshme të rajonit me BE, që është rritur në fakt gjatë viteve të fundit, pra është dyfishuar. Por nga ana tjetër, kjo demonstron dhe tregon edhe potencialin ende të pranishëm në rajon dhe që pret të shfrytëzohet, në mënyrë që ne të kemi mundësi të përmirësojmë kushtet ekonomike të tregtisë mes vendeve të rajonit dhe më tej, ndërkohë që mund të heqim barrierat formale dhe informale të tregtisë.

Kështu që, në këtë kuadër e vlerësoj shumë faktin që nën lidershipin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vazhdojnë negociatat përsa i përket njohjes së ndërsjellë të certifikatave dhe të diplomave universitare ose akademike. Pra, është një proces që tashmë ka filluar dhe është një proces shumë i rëndësishëm.

Në të njëjtën kohë dëgjova me shumë kujdes që mund të ketë mundësi që dy vendet e mbetura, pra dy vendet që ende nuk janë pjesë e marrëveshjes së roaming-ut, mund të merren parasysh dhe të krijohen kushtet e nevojshme politike, të cilat do të bëjnë të mundur edhe bërjen pjesë të këtyre dy vendeve në një marrëveshje të tillë, pra në marrëveshjen e roaming-ut që është një hap i rëndësishëm  për sa i përket negociatave dhe diskutimeve që kanë të bëjnë me uljen e mëtejshme të kostove të roaming-ut, në BE.

E jo vetëm kaq, por ky është një hap që ka të bëjë edhe me menaxhimin e pritshmërive. Pra, ne na është dashur brenda Bashkimit Europian, mbi 10 vjet për të gjetur një zgjidhje për uljen e tarifave të roaming-ut, por nga ana tjetër gjëja e mirë është që ne kemi eksperiencë , pra e dimë se çfarë rruge kemi për të ndjekur për të arritur të njëjtin objektiv. Mendoj se nëse do na duhet që të bëjmë të njëjtën rrugë sërish, do ta bëjmë për më pak kohë sesa e kemi bërë për BE, pra do na duhet më pak se 10 vjet për ta patur këtë marrëveshje për pjesën e rajonit.

Ne kemi folur gjithashtu për axhendën e mëtejshme të zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, të rajonit dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ta promovojmë rajonin në nivelin global, si një brand, ose si një markë, p.sh kryeministri iu referua turizmit si një fushë potenciale, bujqësisë, ndërkohë që unë personalisht do të bëja thirrje për t’i kushtuar rëndësi të veçantë përmirësimeve të mëtejshme në sektorin e energjetikes, sepse edhe këtu ka ende potencial të pashfrytëzuar për vendin dhe për të gjithë rajonin. Pra, rajoni në vetvete ka më shumë mundësi për të qenë më shumë i vetembështetur për sa i përket prodhimit të energjisë, me kusht që të ketë koordinim më të mirë, bashkërendim më të mirë, të masave për furnizimin, gjithashtu edhe tarifat. Megjithatë kjo është diçka që ne do të duhet ta fillojmë dhe ta diskutojmë me më tepër seriozitet në të ardhmen. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: I nderuar dhe i dashur Johannes, tani fjalën po ja kaloj një miku të shtrenjtë, kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviç.

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviç: Ju faleminderit shumë për organizmin e këtij takimi, i cili është një platformë mjaft e mirë për të gjithë ne. Unë jam dakord që kjo platformë është shumë e dobishme dhe duhet të bëhet tradita jonë. Është e qartë se gjatë vitit të kaluar kemi bërë një përparim mjaft të rëndësishëm në rajon. Kemi patur një dialog politik të cilësisë së lartë që është vendosur dhe kemi një nivel më të lartë të besimit dhe të konfidencës politike sa  c’kemi patur më përpara. Për këtë, kontribut të posaçëm kanë dhënë edhe rezultatet e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe nënshkrimit të marrëveshjes, gjithashtu dhe dialogu mes Serbisë dhe Kosovës për zgjidhjen e çështjeve të tyre.

Ajo çfarë ka rëndësi në këtë kuptim është edhe strategjia e re e zgjerimit që patëm mundësi të kemi, që në fakt është një shtysë pozitive për të gjithë ne, kur bëhet fjalë për perspektivën europiane. Kemi rënë dakord që ky vizion dhe kjo mundësi e përcaktuar nga strategjia, duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar shtetin e së drejtës, standardet dhe ekonominë.

Kësisoj duhet të jemi të gatshëm dhe të përgatitur për BE dhe për tregun e përbashkët europian.

Në këtë kuptim, është e rëndësishme që ne të përmbushim detyrimet dhe angazhimet që janë marrë përsipër në Trieste, në kuadër të procesit të Berlinit, duke nënshkruar planin e veprimit për konektivitetin  rajonal. Sot, bëmë një vlerësim të rezultateve të arritura, të asaj çfarë nuk kemi përmbushur ende dhe cilat janë  kufizimet me të cilat përballemi në nivel ndërkombëtar për t’i përmbushur këto detyrime dhe këto angazhime. Qartësisht, vendosëm dhe ramë dakord se plani i veprimit duhet të jetë axhenda që na mban në lëvizje të gjithëve, në mënyrë që ekonomitë tona të rriten më shumë dhe në mënyrë që standardet e qytetarëve tanë të jenë më të larta dhe të jemi më në gjendje që të krijojmë më shumë vende pune dhe të krijojmë mundësi të mëtejshme për rininë tonë.

Për rrjedhojë, sot në emër të Malit të Zi do të doja të falënderoja dhe të shprehja vlerësimin e fortë për mbështetjen e Kryeministrit Rama për nismën tonë për hapjen e Institutit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Teknologjisë në Evropën Juglindore dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne që të parandalojmë bjerrjen e trurit, në mënyrë që t’i bëjmë ata atë rinj që janë larguar që të kthehen sërish në vend, duke bërë një lidhje të mirë midis kërkimit shkencor dhe ekonomisë dhe për të arritur rezultate akoma më të mira. Ndaj besoj se koha dhe ajo çfarë shtrihet para nesh është e mbushur me sfida dhe në qoftë se do të karakterizohet nga rezultatet të mira atëherë do të bëjë që kjo platformë dhe platforma të tjera ministrore të jenë mjaft të rëndësishme për perspektivën tonë europiane.

Kryeministri Edi Rama: Tani po ja kaloj fjalën bashkëzotit të shtëpisë, Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Faleminderit Edi! Faleminderit për organizimin e takimit informal të kryeministrave për integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe komisionerin Hahn, me kolegun tonë Dushko Markovic, kryeministrin e Malit të Zi, si dhe me Presidentin e BERZH Suma Chakrabarti që është një partner shumë i rëndësishëm i vendeve tona dhe i ekonomive tona, njëkohësisht me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që me shumë seriozitet po e kryejnë pjesën e vet për të ndihmuar njehsimin ekonomik,  pra për të qënë një treg dhe një rajon për investime, në vendet e BP.  Në këtë rast mund të flasim për infrastrukturën rrugore, jemi pak me vonesë me hekurudhat, por mund t’ju them se jemi po ashtu në proces të kycjes në roaming, pra dixhitalizimin dhe nënshkrimin e protokolleve të tjera. Kuptohet, ne kemi disa vështirësi, të cilat dallohen nga vendet e tjera. Është liria e lëvizjes. Falënderoj komisionerin Hahn që e përmendi liberalizimin e vizave. Ne kemi ende vështirësi në qarkullim të lirë kur kalojmë në Serbi. Qytetarët tanë presin me orë të tëra, qoftë në vajtje e qoftë në kthim, pastaj kemi vështirësi në qarkullim ose nuk mund të shkojmë në Bosnje. Njëkohësisht për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza, sepse është vend i BE. Pra, këto e bëjnë jetën tonë ekonomike më të vështirë. Ajo që kemi më lehtë dhe besoj që do ta avancojmë në nivelin e duhur është marrëdhënia jonë, dy ekonomitë, Kosovë-Shqipëri. Ashtu si kemi rënë dakord me ju Edi, në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin përbashkët të dy qeverive në Pejë dhe besoj se do t’i finalizojmë të gjitha procedurat e mbetura për ne. Heqjen e burokracive doganore të cilat i vonojnë edhe qytetarët, por edhe ekonominë dhe sipërmarrësit. Po ndalem me kaq. Ju faleminderit!

Desha të shtoj diçka për kufijtë që po flitet këto ditë. Kosova i ka kufijtë e vet, i ka me Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, i ka me Maqedoninë, i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizajnim të tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Ramush! Dua ta ripërsëris dhe jo për formalizëm, por sepse e çmoj vërtet, në mënyrë të veçantë faktin që sot një kontribut i çmuar dhe i shtuar ka qenë falë pranisë së Presidentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Një mik i mirë i rajonit, një drejtues që duhet të përballojë edhe ndonjëherë reagimet e bordit të bankës për faktin që edhe falë shtysës së tij, rajoni ynë ka volumin më të madh të financimeve të Bankës për frymë. Megjithatë, e rëndësishme është që sot morëm edhe konfirmimin që pavarësisht këtyre debateve të brendshme, presidenti është i vendosur që në këtë fazë, banka t’i rrisë financimet për rajonin dhe pastaj ai t’i përballojë vetë dhimbjet e kokës nga anëtarët e bordit.

Fjala është për ju zoti president. Shumë faleminderit i dashur mik!

Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti: Shumë i dashur Edi, Kryeministër i Shqipërisë. Faleminderit shumë juve dhe faleminderit shumë të gjithë kryeministrave të tjerë në këtë rajon, pasi mendoj që pa lidershipin tuaj do të ishte e pamundur që BERZH të bënte më tepër në këtë rajon. Pra është për shkak të këtij lidershipi, të gjeneratës së re të liderave në rajon, që ne mund të bëjmë më tepër gjëra në rajon dhe në fakt kemi të bëjmë me një partneritet të suksesshëm brenda për brenda rajonit, por gjithashtu edhe përtej kufijve të rajonit. Domethënë, ndërmjet rajonit dhe Komisionit Europian dhe BERZH-in po ashtu. Jam shumë krenar për këtë bashkëpunim dhe këtë partneritet. Le të themi që BERZH-i e ka krijuar ose e ka nisur këtë proces në vitin 2014 kur kemi krijuar dhe kemi organizuar takimet e Kryeministrave në Londër. Kemi organizuar tre takime të tilla deri tani, por gjithashtu duhet të ruajmë momentin. Pra, kemi parasysh edhe takimin e Berlinit apo Samitin këtu në rajon. Pa diskutim që na duhet shumë për të bërë. Kemi shumë për të bërë, por siç tha Dushko, duhet të bëjmë një inventar të gjërave që janë realizuar deri më tani. Në fakt, janë bërë shumë gjëra të cilat njerëzit, madje as nuk mund ti  mendonin 4-5 vite më përpara. Përfshirë këtu, investimet në energji, transport apo le të themi tubacionet e transmetimit të gazit. Po ashtu, edhe fakti që kemi sjellë sëbashku dhomat e tregtisë ose axhendën e konektivitetit, ose investime në të gjithë rajonin. Pra, pa diskutim që është realizuar shumë, megjithatë e dimë që ka shumë elementë të tjerë në axhendë, për shembull për sa i përket barrierave tarifore, uljes së tyre dhe po ashtu edhe krijimit të një mjedisi më miqësor si për investitorët e BERZH-it dhe për ato të huaj.

Ne, nga ana e BERZH-it kemi investuar 10 miliardë euro. Pa diskutim që është e vërtetë që ky është rajoni me investimet më të larta për frymë, brenda për brenda BERZH-it dhe jam vërtet shume i lumtur dhe shumë krenar për këtë gjë. Megjithatë, kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur ndryshim brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për faktin që ka pasur ndryshim brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, kemi pasur mundësi që të investojmë më tepër. Pra, për këtë arsye, skuadrat tona këtu në rajon, kanë një sfidë vërtet për ta tejkaluar këtë shifër prej 10 miliardësh që ne kemi investuar deri tani. Por, ndërkohë edhe sfida për të ndihmuar për perspektivën europiane, për të investuar më tepër çdo vit deri në 50 vitet e ardhshme në mënyrë që këtë axhendë të mund ta përshpejtojmë më tej.

Unë jam i angazhuar për këtë. BERZH-i është i angazhuar e për ta treguar këtë angazhim ne do ta organizojmë takimin e ardhshëm në maj, në Sarajevë. Takimi i ardhshëm i yni do të jetë për Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kryeministrat e rajonit të jenë të pranishëm atje, pra, është një takim edhe për të na sfiduar pak më tepër, në mënyrë që të bëjmë më tepër në vitet në vijim.

Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe më lejoni të them dhe unë pjesën time, duke nënvizuar që në fillim që njerëzit e dinë, e dinë në Shqipëri, e dinë në Mal të Zi, e dinë dhe në vendet e tjera të rajonit që sot janë shumë më mirë gjërat se sa ishin katër apo pesë vite më parë. Por, nga ana tjetër, unë e di dhe ne e dimë që krahasimi me 4-5 vite më parë jo vetëm nuk mjafton, por ne jemi të sfiduar nga fakti që njerëzit krahasojnë gjendjen e tyre, sot, këtu, në vendin tonë, në rajonin tonë, me Gjermaninë, me Francën, me vende të tjera të Europës, drejt të cilave janë me të drejtë të tërhequr.

Kemi pasur një diskutim të gjatë me Dushkon, lidhur me sfidën e punësimit, si dhe me vështirësitë që i hasim ne këtu, i has Mali i Zi, i has Kosova, i has Serbia, i has gjithë rajoni për të përfshirë në tregun e punës në sektorin privat veçanërisht, me të rinjtë që janë më të prirur të presin për një punë në shtet se sa një punë në privat e kështu me rradhë.

U tha edhe gjatë takimit. Diçka tha edhe presidenti i bankës. Nënvizoi komisionieri që kemi pasur një periudhë rritje të qëndrueshme ekonomike në rajon. Kemi pasur një periudhë rritje të punësimit dhe përsëri është e mirëkuptueshme që kur ne flasim për rritje të punësimit dhe kur kemi përpara shifrat e rritjes së punësimit, njerëzit përsëri janë të prirur të rrudhin buzët për shkak se e dimë shumë mirë që, pavarësisht se ne kemi rritje të punësimit, njerëzit kanë nevojë jo vetëm për një punë, por për një punë të paguar më mirë.

Pra, për rroga më të larta, për të ardhura më të larta e për këtë arsye, ne besojmë që përveç reformave të mëtejshme në vendin tonë, secilin në vendin e vet, përveç progresit brenda vendit në të gjithë sektorët, është e domosdoshme të shfrytëzojmë potencialin e madh e të pashfrytëzuar të territorit të përbashkët të rajonit tonë, përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare, përmes fuqizimit të bashkëpunimit sepse në fund të ditës, pavarësisht se në Europë shumë kush e ka bërë modë që të dali kundër BE-së, është pikërisht të qenit pjesë e një Bashkimi Europian me shumë më pak barriera e shumë më pak vështirësi se sa kemi ne, që ndikon fuqishëm në ekonominë e atyre vendeve. E po të shikojmë se si ka ndryshuar ekonomia e vendeve ish-komuniste si puna jonë që sot janë pjesë e Bashkimit Europian, falë Bashkimit Europian, për të kuptuar se realiteti i Bashkimit Europian është një pasqyrë mbi të cilën ne duhet të shohim imazhin e rajonit.

Kemi folur për iniciativat që janë në proces, patjetër që ka marrë kohë, por me Bashkimin Europian dhe me proceset e kësaj natyre, gjërat marrin kohë edhe pse padurimi i njerëzve është plotësisht i mirëkuptueshëm, ama programi i konektivitetit, pra i ndërtimit të akseve që do të lidhin më mirë rajonin, duke filluar nga “Autostrada e Kaltër” ose Adriatiko-Joniane është në progres, ashtu sikundër edhe iniciativa të tjera. Kemi folur për turizmin. Në Shqipëri, në Mal të Zi, por dhe në të gjithë rajonin, ka pasur shifra më të mira këtë vit të turizmit, por ama mundësia për të bërë më shumë, duke krijuar edhe një qendër të përbashkët rajonale të operatorëve turistik dhe të shërbimeve, ekziston.

Kemi folur për bujqësinë, për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve në këtë aspekt dhe për krijimin e një qendre ndërlidhëse të informacionit, edhe të fermerëve, edhe të kompanive që operojnë në këtë sektor. Kemi folur për energjinë, siç nënvizoi edhe Komisioneri dhe patjetër që kemi parë edhe një gjë që është fakt. Sot, kemi një nivel komplet tjetër të vullnetit politik dhe të bashkëpunimit politik, por nuk është ende i shoqëruar me të njëjtin nivel të bashkëpunimit ekonomik dhe këtu, kemi vënë re, kryeministri i Malit të Zi e ka nënvizuar me plot të drejtë, që duhet të ecim shumë më shpejt me standardet e ndërveprimit europian, në raport me tarifat, kontrollet, burokracitë, e kështu me radhë e jo të bëjmë hapa mbrapa. Ashtu sikundër, ne kemi parë dhe vetë eksperiencën tonë, me Kosovën, jemi si të thuash një familje e ndarë me një kufi që nuk na pengon që të bëjmë shumë më tepër e kur vjen puna tek shkëmbimet tregtare, kemi herë pas here ngërçe dhe probleme.

Kryeministri Haradinaj e tha, në gjysmën e dytë të nëntorit, ne do të kemi mbledhjen e të dy qeverive e kemi rënë dakord bashkërisht, që kokëfortësisht këtë herë ne të kapërcejmë 2-3 ngërçe që mbeten aty të trashëguara, qoftë lidhur me lehtësimin maksimal të burokracive në kufi, qoftë lidhur me doganat dhe trajtimin e ndërveprimeve, në këtë fushë.

Shumë faleminderit edhe një herë për praninë, sidomos atyre që kanë ardhur nga më larg por edhe përfaqësuesve lokalë të mediave.

Konferenca është e hapur për pyetjet tuaja, duke kërkuar mirëkuptimin e faktorëve lokalë që të respektojmë edhe miqtë e ardhur nga më larg.

-Zoti Rama, ju gjithashtu edhe ministri i jashtëm Bushati u prononcuat në mediat e huaja me gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur 20 prej emigrantëve, të cilët mbërritën në brigjet italiane. Sa mendoni ju se do ndikojë kjo vendimmarrje e Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit duke patur parasysh që shumë vende të tjera të Bashkimit Europian kanë hezituar ta bëjnë një gjë të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk e kemi bërë këtë për të ndikuar mbi këdo qoftë. Ne e kemi bërë këtë sepse nuk mund të rrinim spektatorë përballë një shfaqjeje dhimbjeje dhe turpi, ku njerëz që janë larguar nga ferri, u kthyen në të burgosur të impotencës politike, apo dhe europiane po të doni. Kështu që natyrisht, ne nuk mund të zgjidhim këtë problem, por në pozitën e dikujt që rri shikon, dhe thotë boll, po bëj diçka, po bëj timen, po bëj sa mundem, po jap dhe unë një dorë, ne bëmë atë që mundëm. Ndërkohë që ishte rasti dhe është rasti për të rikujtuar se Ballkani, në krizën e 2015, ka bërë atë që duhet të kishte bërë gjithë Europa e duhet të bëjë gjithë Europa, duke u treguar një rajon mirëfilli europian, jo thjesht gjeografikisht, por në besimin dhe përkatësinë ndaj vlerave që e mishërojnë Europën dhe që na bëjnë ne të jemi kaq proeuropianë. Kështu që, duke theksuar që ishte një gjest krejt i natyrshëm për ne shqiptarët, si shqiptarë, si europianë, por dhe si njerëz që ishim ne dje, ata eritreasit e sotëm e Italia nuk na la në mes të detit, dua të përsëris që gjesti ynë nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehtë. Ndërkohë që patjetër është në shpirtin dhe në frymën e botës sonë mediatike që të kërkojë qëllimet e fshehta dhe unë jam plotësisht mirëkuptues e madje më argëton ky fakt.

Kam një pyetje për komisionerin Hahn. Në 7 shtator është caktuar që në Bruksel të zhvillohet takimi i radhës midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç ku pritet të diskutohet për një marrëveshje finale, por në këto kohë po diskutohet gjithashtu dhe për korrigjimin e kufijve siç ka dhënë një ide dhe presidenti i Kosovës Thaci, gjithashtu është thënë edhe për shkëmbim territoresh me Serbinë. Zoti Hahn, a e mbështesni ju korrigjimin e kufijve me Serbinë apo shkëmbimin e territoreve. Cila është ideja më e pranueshme apo Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë, me këta kufij të cilët ka shpallur pavarësinë.

Dhe për ju zoti Rama, sigurisht që e keni përcjellë këtë debat për shkëmbim territoresh dhe korrigjim të kufijve, cili është komenti juaj?

Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn: Unë mendoj se nuk është e përshtatshme në këtë fazë që të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociata në vazhdim. Presupozohet se takimi javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë takimi i fundit. Do të jetë një tjetër takim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje. E për rrjedhojë, ju lutem, kuptoni që nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment përveç atij që sigurisht, siç u shqiptua, siç është parashtruar në strategjinë tonë të Ballkanit Perëndimor, ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. E dyta, ajo çfarë ka vlerë për ne është stabiliteti në rajon, në të gjithë rajonin dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit, por duhet të jetë krejt e kundërta, duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon dhe cilido të jetë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe.

Kryeministri Edi Rama: Përkthejeni këtë dhe keni edhe nënshkrimin tim të fjalës që sapo tha komisioneri.