Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Arsyeja pse e mora fjalën lidhet me domosdoshmërinë për të vazhduar për të ballafaquar përballë shqiptarëve, dy botë dhe dy filozofi krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, që lidhen me qasjen ndaj sektorit privat si një partner potencial, i padiskutueshëm, për të zhvilluar ekonominë dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve.

Dua ta filloj nga një fakt i publikuar dje nga Transparency International, që e vendos Shqipërinë në një vend shumë më të mirë, sesa një vit më parë. E faktikisht në një vend që ka një përmirësim prej 36 vendesh në klasifikimin e Transparency International, krahasuar me momentin kur kjo qeveri filloi punën e saj. Ju që vazhdoni të jeni jo opozita, por qeveria e vjetër e këtij vendi, nga viti 2008 kur Shqipëria ishte renditur në vendin e 85-të, arritët ta çoni në vitin 2013 në vendin e 116-të. Çdo vit keni ulur në mënyrë brutale, dinjitetin dhe imazhin e vendit tonë në këtë klasifikim.

Ndërkohë që sot, ne kemi një të dhënë nga një burim tërësisht i pavarur ndërkombëtar, të faktit që reformat kanë filluar te japin rezultate edhe në luftën kundër korrupsionit. Luftë që për ne ka qenë, është dhe do të mbetet një luftë për të ndërtuar shtet dhe për të ndërtuar sisteme, të cilat ta zmbrapsin dhe ta tkurrin korrupsionin.

Vetëm para pak ditësh, Banka Botërore promovoi një rast shumë të ngjashëm të një suksesi të partneritetit  publik-privat, për të rritur cilësinë e shërbimit publik në shëndetësi. Një rast suksesi në Brazil, i promovuar nga Banka Botërore, e cila nxit dhe promovon histori suksesi të partneritetit publik-privat. Unë e di që juve, Brazili ju duket më pak i rëndësishëm se Bathorja, por duke ju kujtuar se është një nga vendet e G20-s, ju ftoj që të zgjeroni horizontin tuaj shumë të ngushtë.

Ne jemi të vendosur dhe do të vazhdojmë me këmbëngulje ta zgjerojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve, në një vend që nuk e ka kapacitetin për të rritur borxhet dhe me një qeveri që nuk ka vullnetin për të rritur taksat. Është shumë e qartë, nëse ne nuk rrisim borxhin, por, përkundrazi, kemi hyrë në një trend uljeje të borxhit dhe nga ana tjetër nuk rrisim taksat, por, përkundrazi, jemi në një trend uljeje taksash, atëherë, rruga e tretë për të rritur investimet, në funksion të përmirësimit të cilësisë të shërbimeve, është pa as më të voglin dyshim, partneriteti publik-privat.

Kjo nuk është një shpikje e jona dhe Shqipëria është vendi i fundit në rajon dhe në Europë për numrin e partneriteteve publike-private që funksionojnë me standarde europiane. Kjo është filozofi dhe një politikë e qartë dhe e mirëpërcaktuar, për të ndërtuar një sistem funksional të ekonomisë të tregut dhe të një shteti që ofron shërbime cilësore, si qëllim i strategjisë sonë afatmesme për t’ju dhënë njerëzve, shtetin që u mungon prej kaq shumë vitesh.

Është e pashmangshme që të bëhen disa krahasime midis qeverisë së vjetër dhe qeverisë së re. Midis qeverisë së vjetër, që sot ka marrë përsipër të rrisë prodhimin e baltës së përditshme, duke synuar të njollosë dhe të cenojë çdo nisëm të qeverisë, edhe në këtë drejtim dhe qeverisë së re, që ka zhvilluar disa partneritete publike-private dhe do të zhvillojë edhe të tjera, pa as më të voglin ndryshim.

Në 8 vite, nga viti 2005 deri në vitin 2013, qeveria e vjetër ka dhënë 173 koncesione. Ndërkohë që sot, në harkun e 2 viteve e gjysme janë bërë vetëm 14 kontrata. Nga 173 koncesione, 161 koncesione, – në të shumtën e herës fatale për financat, për mjedisin, për interesin publik, – janë dhënë për ndërtime hidrocentralesh. Pjesa tjetër janë koncesione tipike sesi nuk mund të shitet interesi publik te privati dhe tipike për gjithë botëkuptimin e qeverisë se vjetër, lidhur me çfarë është një  koncesion.

Koncesioni për barrat siguruese, një koncesion jashtëzakonisht i diskutueshëm në aspektin financiar dhe absolutisht i pafavorshëm në dobinë publike për rezultatin që ka sjellë.

Koncesioni për skanimin e kontejnerëve, një koncesion jashtëzakonisht i rëndë për interesin publik, për interesin e sipërmarrjes dhe për buxhetin, ndërkohë krejtësisht i panevojshëm, krahasuar me koston e tij marramendëse.

Më lejoni të nënvizoj që ne e kemi denoncuar këtë koncesion dhe kemi marrë përsipër që ta zhbëjmë atë, por mënyra krejtësisht e papërgjegjshme dhe shpërdorimi krejtësisht abuziv i vullnetit sovran të parlamentit për ta certifikuar atë koncesion, praktikisht e kanë bërë të pamundur zhbërjen e tij. Por ajo që ne kemi bërë, është që me këmbëngulje e kemi rinegociuar koncesionin e skanimit të kontejnerëve për muaj e muaj të tërë, për të lehtësuar sipërmarrjen, e cila ishte e gjitha e revoltuar dhe e gjitha e gatshme të ngrihej në këmbë për ta penguar këtë koncesion.

Përfytyroni vetëm kaq, një koncesion, i cili përkundër një investimi modest për të vendosur skanerat, jo në të gjitha pikat e hyrjes dhe daljes nga Shqipëria, por vetëm në disa pika, ju impononte të gjithë importuesve dhe eksportuesve, 39 euro për faturë doganore. Pra, jo për kamion, por për faturë doganore. Faktikisht, një koncesion ku ishte nënshkruar falimentimi i gjithë industrisë me material porositi dhe tkurrja e të gjithë marrëdhënieve të importit dhe eksportit me Kosovën, që këtu përdoret vetëm si gjethe fiku për të mbuluar panoramën e mëkatit.

Kemi pasur dhe janë të protokolluara, bisedime me qeverinë e Kosovës, me Ministrinë e Financave të Kosovës, ku na është shprehur qartësisht dhe absolutisht me të drejtë, se vënia në zbatim e atij koncesioni do të ishte fundi i çdo ëndrre dhe shprese për të zhvilluar më tutje tregtinë me Kosovën.

Ne arritëm ta ulim faturën nga 39 euro, – një fature e drejtpërdrejtë arbitrare, abuzive, grabitqare për biznesin,  – në 22 euro.  Sikundër morëm përsipër nga buxheti i shtetit, prej të cilit ju, në mënyrën më abuzive kërkoni investime, duke harruar se ndërkohë investimi më i madh që ju na detyruat të bëjmë është të shlyejmë qindra miliona dollarë borxhe, – borxhe të keqqeverisjes, borxhe të korrupsionit, borxhe të paaftësisë dhe borxhe të shëmbëlltyrës tuaj spektakolare të mungesës së plotë të sensit të shtetit, – të paguajmë çdo faturë doganore për industrinë me mallporositësin. Sepse nuk kishin pse të paguanin qytetarët shqiptarë, haraçet e tetë viteve të qeverisjes suaj dhe haraçet e filozofisë suaj për koncesionet dhe e politikës suaj për partneritetin me sektorin privat.

Vazhdojmë me koncesionin për pullat fiskale. Ju vutë shqiptarëve taksë 10% edhe për një kokërr aspirinë dhe mbi taksën 10% edhe për kokrrën e aspirinës donit të fusnit që të paguanin edhe koncesionin tuaj për pullat fiskale. Dhe e njëjta histori. Një koncesion i bërë përsëri si në ato vendet më të pazhvilluara të Afrikës, ku qeveria mendon vetëm sesi të pasurohet dhe të sigurojë vazhdimësinë e pasurimit, edhe pas ikjes vet, përmes marrjes peng të interesit publikut, duke marrë peng shërbimet.

Faktikisht, në koncesionin për pullat fiskale përsëri rinegociuam. Nëse sot, taksa e “sëmundjes”, e ilaçeve dhe e çdo aspirine është hequr që në ditën e parë dhe nëse sot, shqiptarëve nuk u kërkohet që kur blejnë një aspirinë të paguajnë edhe për koncesionarin që përcaktuat ju dhe i bëtë kontratën më favorizuese, kjo është meritë e kësaj filozofie dhe e kësaj politike që ne kemi për marrëdhëniet me partnerët privatë.

Le të mos flasim për tre kontratat koncesionare në Portin e Durrësit. Ato nuk janë kontrata koncesionare, por janë zaptim “toke të zanun” në portin strategjik të Shqipërisë. “Tokë e zanun” dhe e ndarë mes ballistësh që bëjnë si gjermanë. Nga ana tjetër kanë bllokuar e kanë krijuar një territor që e ka kthyer Portin e Durrësit si të është një “Bosnje ekonomike” atje. Luftë midis koncesionarëve me njëri-tjetrin, luftë mes koncesionarëve me Autoritetin Portual, luftë mes të gjithë atyre që duan të marrin shërbime me koncesionarët. Ky është sot, porti strategjik i Shqipërisë, për shkak të koncesioneve tuaja.

Ndërkohë të mos e diskutojmë asfare, sepse nuk kemi se çfarë të diskutojmë, koncesionin skandaloz për kontrollin e automjeteve. Të gjithë shqiptarët që shkojnë atje të bëjnë kontroll automjetesh, jo që nuk shikojnë ndonjë ndryshim nga koha kur atë e administronte vetë shteti, por, përkundrazi, paguajnë dhe vuajnë më shumë. Ky është realiteti, një koncesion ekskluziv për t’iu futur duart në xhep njerëzve që shkojnë për të bërë kontrollin e automjeteve dhe për t’u marrë mbi tarifën që u merrte shteti, për t’u kthyer mbrapsht një shërbim shumë më të keq, se ai që bënte shteti.

Kjo është filozofia juaj, kjo është politika juaj. Ju mendoni – jeni edhe kaq të paaftë, sa edhe kur doni të kuptoni, nuk kuptoni dot, – se çdokush që merr përsipër të krijojë një partneritet me privatin ka mbas shprehjes së parimeve, qëllimet tuaja. Harrojeni!

Le të marrin dhe të bëjmë vetëm një krahasim, koncesionet tuaja për hidrocentralet me 6 kontrata të lidhura nga ne, deri tani. Kemi lidhur vetëm 6 kontrata dhe asnjë nga ato kontrata nuk ka detyrime të shqiptarëve për t’ua blerë privatëve energjinë me tarifë fikse, pavarësisht se si është tregu. A e kuptoni se çfarë keni bërë apo jo!

Ne i kemi akoma në kurriz dhe kur them ne, qeveria ka përgjegjësinë, por barrën e kanë qytetarët, sepse nga taksat e tyre, ne duhet të paguajmë faturën e atyre hidrocentraleve, të cilët ju i lejuat të ndërtohen. Dhe jo vetëm, po vutë aty angazhime nga buxheti i shtetit, për të mohuar çdo mundësi, që ulja e çmimit të energjisë nga rritja e prodhimit në vend të sillte balanca në të gjithë tregun e lirë.

Ndaj nuk bëtë asgjë, ju gjoja të djathtët, për të liberalizuar tregun e energjisë. Zero! Nuk bëtë asgjë, për të ndërtuar me privatët një marrëdhënie të qartë, ku investimi është i yti, edhe risku është i yti; Energjinë shite ku të duash, unë shteti nuk e marr përsipër të ta blej ty me një çmim fiks, sepse interesi im është interesi i publikut dhe jo interesi yt. Aty ku pajtohen këto interesa, shteti fiton pjesën e vet dhe ti fiton pjesën tënde.

Pa llogaritur një pjesë të këtyre historive të suksesit, që janë kthyer në histori ankthesh dhe makthesh për banorët që punojnë tokat. Hidrocentrale të bëra pa asnjë studim, që u thajnë tokat njerëzve, u marrin të gjithë ujin dhe nuk punojnë dot më, tokën e tyre.

Pa llogaritur hidrocentralet që kanë sjellë shkatërrimin e pyjeve. Dëgjoni një fakt tjetër dhe dilni kundërshtojeni. Është një shifër faktike, e dokumentuar. Ne, në dy vjet e gjysmë kemi dhënë 27 leje për shfrytëzim pyjesh. E di sa kanë dhënë ju? Tre në ditë! Dy mijë e qindra e qindra leje për shfrytëzim pyjesh. Nuk arrij të kuptoj, po me pyllin çfarë inati kishe! Normalisht, të paktën në marrëdhënien me pyllin duhet të ishe luajal, sepse pyllin e njohe përpara se ta njihnim ne dhe mbasi dole nga pylli, nuk duhet t’i vije sëpatën, pyjeve.

Ndërkohë vetëm tre kontrata ka bërë Ministria e Shëndetësisë për partneritet publik-privat. Kjo qeveri mund të ketë shumë të meta. Kjo qeveri me siguri ka bërë edhe gabime. Por kjo qeveri, ndër shumë merita që ka, ka edhe meritën që i është kundërvënë dhe i ka vënë kufirin mafies së ilaçeve dhe mafies që kishte kapur për fyti sistemin e shëndetësisë. Nuk është absolutisht e lehtë. Sot, 30% ilaçet më të lira. Asnjë ilaç nuk shitet sot, siç shitej në kohën e qeverisë së vjetër, më shtrenjtë se në vendin e origjinës.

Mbi të gjitha, i vetmi vend në Europë, i vetmi vend në rajon dhe me siguri, në klubin e vendeve më të prapambetura të botës, që në 20 e kusur vite nuk arriti të ndërtojë asnjë bazë të dhënash për shëndetin publik. Asnjë bazë të dhënash dhe asnjë kulturë të parandalimit që është themeli jo vetëm i çdo sistemi shëndetësor, por mbi të gjitha i atij sistemi shëndetësor për të cilin jemi zotuar dhe ne do ta realizojmë, me mbulim universal ku, pavarësisht nëse është i varfër apo i pasur, ka apo nuk ka lekë, çdokush merr shërbimin.

Po check-up-in, e dini sa e kishte qeveria e vjetër dhe që vazhdon të jetë, tarifa për një person të pasiguruar për të bërë analizat, për të bërë check-up? 51 mijë e disa qindra lekë. Dhe e dini sesa kushtojnë të njëjtat analiza në spitalet private? Kushtojnë 80 mijë lekë.

Politikat në shëndetësi nuk janë thjesht vendos buxhet dhe shih se çfarë do të bësh, për të hedhur vitin tjetër, siç është bërë këtu, vite e vite të tëra. Politikat në shëndetësi janë të lidhura pazgjidhshmërisht me parashikueshmërinë dhe parashikueshmëria vjen në radhë të parë, nga njohja e të gjithë problematikës dhe statistikat mbi llojet e sëmundjeve që kërcënojnë njerëzit. Nëse në çdo vend të Europës, analizat bëhen çdo gjashtë muaj, për shkaqe kulturore, edhe për shkak të një sistemi që i imponon ato në momentin e parë, pasi nuk mund të sigurohesh nëse nuk ke bërë analizat, këtu nuk është bërë asgjë për të hedhur farën e kësaj kulture.

Kurrë nuk është menduar se çfarë kursehet, duke pasur këtë bazë të dhënash. Kjo është statistikisht e miratuar botërisht. Parandalimi kursen gjithmonë më shumë sesa dyfishin, që duhet pastaj ta paguash si kosto për kapjen në fund të sëmundjes. Nëse, për shembull, do të ishte parandaluar vite më parë, degradimi i liderit, sot do të kishim një lider më në formë, nga pikëpamja e lidhjes së logjikës me fjalën. Këto janë kostot e mungesës së parandalimit.

Këta janë e vetmja parti politike në Europë, e vetmja parti politike në rajon, që luftën politike e kthen në gjueti shtrigash për këdo që i del përpara dhe që godet nominalisht njerëzit e sipërmarrjes. Në një vend tjetër kjo nuk ndodh dhe nëse do të ndodhte, njerëzit e sipërmarrjes do të përfitonin shuma marramendëse për cenimin e biznesit të tyre. Këta janë e vetmja parti politike në Europë dhe në rajon, që vazhdojnë të drejtohen nga një Stalinist, prandaj gjuetinë e shtrigave e kanë në plan të parë, prandaj shpif, shpif, shpif se diçka do të mbetet, e kanë në plan të parë, prandaj baltën dhe përpjekjen për të poshtëruar këdo që u del përpara, e kanë në plan të parë. E vetmja gjë që nuk kanë dot, është që nuk e përfundojnë ciklin në prokurori pa avokat dhe me dënime me vdekje e me burgosje.

Çfarë është në realitet, shërbimi që ofron kompania?

Kompania për check-up-in nuk bën analizat, nuk bën punën që bën shërbimi shëndetësor shqiptar. Kompania që siguron mbarëvajtjen e këtij partneriteti, bën të gjithë distribucionin dhe furnizimin me materialet dhe produktet farmaceutike që duhen për check-up-in. Për këtë arsye, edhe gara synonte identifikimin pikërisht të një kompanie që të kishte një rrjet distribucioni të shtrirë në të gjithë Shqipërinë, për të bërë të mundur që në mënyrë periodike, të përjavshme, të bëhet shpërndarja e bazës materiale në të gjithë qendrat shëndetësore. Në Shqipëri janë 3-4 kompani gjithsej që e bëjnë këtë gjë dhe cilido që të ishte, sido që të ishte, do të ishte në fund, jo një kompani që ka lidhje me shëndetësinë, por një kompani që bën distribucion dhe shpërndan bazë materiale, të cilën e siguron duke e blerë.

Keni bërë një spekulim tjetër shumë të madh, skandaloz, duke propaganduar se janë 120 milionë që do t’i marrë kompania. Kjo është një tjetër marrëzi, ndërkohë që jua përsëris, ne jemi shumë të bindur se duke iu dhënë mundësi shqiptarëve që të futen në këtë botë të re të check-up-it, pra, të analizave parandaluese, ju kursejmë atyre kosto të mëdha në shëndet, shmangim qindra e qindra vdekje nga injoranca. Nga ana tjetër krijojmë kushtet për të ndërtuar protokolle shëndetësore të domosdoshme për të shkuar drejt mbulimit universal.

Si bëhet me shtet, një shërbim distribucioni, me cilat mjete? Shqiptarët duhet ta dinë dhe ata që bënë check-up-in e dinë, prandaj numri i shqiptarëve që po shkojnë për të marrë këtë shërbim po rritet dhe do të vazhdojë të rritet. Ne nuk kemi pritur që qysh në muajt e parë t’i kishim këto shifra, kemi pritur edhe më pak se kaq. Ekspertët e huaj, që kanë konstultuar me ne këtë partneritet publik-privat, na kanë thënë se në vitin e dytë dhe të tretë, numri do të rritet dhe numri po rritet sistematikisht, duke i dhënë mundësi shumë njerëzve që kanë probleme zemre, probleme diabeti, që ta marrin vesh sa më parë dhe të marrin masa përpara se sëmundjet t’ua plasin zemrën dhe të nisen bashkë me familjen, për të ardhur të gjithë në Tiranë.

Hemodializa është një tjetër partneritet me privatin, që është vetëdiskretitues për ju. Unë nuk habitem në fakt, por është e pabesueshme që ju gjeni kurajën dhe pafytyrësinë të flisni për hemodializën, ndërkohë që 80 euro kushton një seancë hemodialize në një vend të vetëm në Tiranë, në bazë të tarifës suaj dhe kështu është bërë në vitet e qeverisë suaj.

Janë qindra e qindra njerëz që vuajnë këtë sëmundje dhe që çdo javë, prej vitesh, nga Korça, Kukësi, Shkodra, Vlora vijnë në Tiranë për të bërë hemodializën. Ajo që bën ky partneritet është që së pari siguron investimin për ta bërë me të njëjtin çmim këtë proces, jo më vetëm në Tiranë, por në një sërë qendrash të Shqipërisë, nga veriu në jug. Kjo për t’u kursyer këtyre njerëzve, vuajtjet, agravimin, kostot financiare, si dhe kohën e stresin e familjes që i shoqëron, kur vijnë për të bërë hemodializën.

Ndërkohë që flisni, kompania që ka një kafe në Berat, ka një emër. Ajo është një kompani shqiptare, përfaqësuese e një kompanie të madhe japoneze, “NIPRO”, e cila prodhon pajisje dhe materiale mjekësore. Ajo që mjafton për të kuptuar ata që doni ju t’i çorodisni, apo ata që nuk duan të kuptojnë, ndaj ju kuptojnë vetëm juve, është xhiro e kompanisë, e deklaruar në llogaritë e shtetit shqiptar. Pse nuk shikoni xhiron e kompanisë, por merreni me faktin që pronari i një kompanie mund të ketë edhe një kafe në Berat? Çfarë lidhje kanë këto të dyja? Kjo kompani ka 2,2 milionë dollarë xhiro në 2014-n. Shikoni xhiron e kompanisë, pastaj flisni për kafen. T’ju vijë turp që dilni përditë dhe vetëm gënjeni, gënjeni e gënjeni! Ndërkohë që ajo që keni lënë trashëgim është një gjë, për të cilën do të skuqej çdokush që do të kishte ndërgjegje, jo më të dilte të fliste dhe të bënte sikur ka rënë nga qielli.

Lëre këtë budadallëkun tjetër, që kërkoni të kapeni mbas fjalëve dhe thoni “e ke me këta”. Unë nuk e kam as me këta dhe as me ata, unë e kam me ju! Ju s’jeni ata. Ata janë fatkeqë, që vijnë pas jush. Ata në Bathore, ata në Kukës, ata në Tropojë, ata atje nga ku është ai zogu i minierave, unë nuk kam asgjë me ta, por e kam me ju që nuk lini asgjë pa përdorur. Ju nuk e keni problem të merrni Kosovën e ta tundni këtu, si ato brumatriçet që bëjnë baltën dhe me atë baltë baltosni dynjanë. Ju që i doni shumë ata, që i mbroni, tregoni se sa legalizime i bëtë atyre. Aty duket se kush i do ata dhe kush tallet me ta. Shkoni tregojuani sa legalizime u bëtë atyre dhe tregojuani se çfarë legalizuat. Ju legalizuat motelet, por jo shtëpitë. Ju legalizuat kafenetë, pishinat, trampolinat mbi monumente kulture, por nuk i legalizuat shtëpitë. Për ju, ata ishin tuajit, ndaj thoshit se këta i kemi me vete dhe më mirë t’i lëmë kështu, se po u zhvilluan, do t’u hapen sytë dhe kur t’u hapen sytë, do të shohin dhe do të thonë “o Zot, kujt i shkojmë  mbrapa!”

***

As nuk ia vlen një sekondë e kohës time, një sekondë e vëmendjes së Partisë Socialiste, për t’u marrë me fjalimet dhe retorikat tuaja për reformën në drejtësi. Se kush e do reformën në drejtësi midis nesh dhe jush, le t’ia lemë popullit ta gjykojë. Mos u shqetësoni fare, vazhdoni e bëni ato tollovitë tuaja. Ne këtu jemi dhe po ju them vetëm që një gjë ta keni të sigurtë, – unë e di shumë  mirë, mbase e dini dhe ju, – kush saboton reformën në drejtësi, do të marri  një përgjigje, siç nuk e ka marrë asnjëherë, në zgjedhjet e ardhshme. Nëse unë jam sabotatori, do t’ia lëmë popullit ta vendosi. Këtë do ta shikojmë në zgjedhjet e  ardhshme. Bëjini mirë llogaritë me këtë punë. Por ju nuk keni as çfarë llogarish të bëni. Ju e keni ndarë mendjen, që nga humbja në humbje do shkoni. Shans që ju të fitoni zgjedhjet, as nuk bëhet fjalë, sepse që të fitoni zgjedhjet, ju duhet të bëheni opozitë. Ju jeni akoma qeveria e vjetër. Në këtë pikë e mora fjalën thjesht dhe vetëm për t’ju thënë vetëm kaq. Ne, këtë pozicion kemi, nuk kemi tjetër dhe e kemi që ditën e parë këtë pozicion. Ju, nëse doni t’i bëni ato tollovitë tuaja, bëjini! Sabotojeni reformën, vonojeni reformën, nuk ka problem. Do ta shikojmë në zgjedhje. Siç e patë, kur donit t’u shisnit shqiptarëve teorinë se ne po pengonim integrimin. E patë atëherë, e shikojmë prapë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.