Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Faleminderit që pranuat ftesën tonë për të qenë me ne në studio, në këtë ditë të parë të emisionit, zoti Kryeministër.

Faleminderit juve!

Si nis mëngjesi për ju zoti Rama?

Mëngjesi nis këtu, në këtë tryezë dhe me radhë, duke pritur njerëzit e parë, në radhë të parë ata të skuadrës së vogël rreth meje dhe pastaj të tjerët. Pas jush, do të pres ministrin e Shëndetësisë dhe Drejtoren e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të folur për fillin e aksionit të nisur në qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe pastaj për takimin që kemi sot paradite aty.

Zoti Rama, cili është shqetësimi i parë që ju vjen ndërmend sapo ju zgjoheni në mëngjes, aq më tepër në mëngjesin e një të hëne?.

Shqetësimi i parë që më vjen ndërmend është sa shpejt kalon koha.

Zoti Rama, Ministër Kulture, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, më pas lider i opozitës dhe tashmë Kryeministër i Shqipërisë. Mision i përmbushur?

Për sa i përket të tjerave po, për sa i përket kësaj të fundit, gjithçka mbetet për t’u parë.

Megjithatë, sinjali i parë, ashtu si edhe në periudhën kur keni qenë Kryetar i Bashkisë, ishte çelja  e Tiranës me operacionin “Fasada”. Kryeministria, tashmë po ndryshon edhe ajo formë, falë punës suaj. Duket se kjo tendencë e juaja është e shtrire edhe në hallkat e tjera të pushtetit. Edhe Drejtoresha e re e QSUT-së, që ju do të takoni sot, po ashtu e ka nisur nga pastrimi i kioskave. “Bisturia” duhet të niste punë për operacionin kozmetik apo në ndonjë organ tjetër të rëndësishëm dhe më problematik të Shqipërisë?

Meqë po flasim për spitalin, ma thoni ju: A mund të bëhet operacion në një sallë operacioni të mbushur me plehra?! Apo në radhë të parë duhet pastruar salla e operacionit dhe pastaj të fillojë operacioni?!

E drejtë! Zoti Rama, qeveria e parë me kaq shumë gra në përbërje, por duket se edhe në nivel drejtorësh keni zgjedhur femra dhe mbi të gjitha, të reja në moshë. Pse kjo zgjedhje? Femrat janë më të përkushtuara, më pak të korruptueshme, më ambicioze, përse kjo zgjedhje? Apo të gjitha nga pak?

Janë të vërteta të gjitha këto. Por, përtej këtyre, besoj se në këto pika kyçe, që janë edhe pikat ku ndodhen gjëndrat më të mëdha tumorale të korrupsionit, është shumë e rëndësishme të ndërthurim profesionalizmin, që unë ju siguroj që të gjitha këto vajza e kanë, me luajalitetin ndaj misionit të marrë dhe me ambicien profesionale që po ashtu, të gjitha e kanë, sikundër edhe domosdoshmërinë që jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë, t’i jepet mundësi gjeneratës së re që të marrë në dorë përgjegjësi më të mëdha.

Për të mbetur te gjenerata e re, zoti Rama, përveç egos personale, por edhe profesionalizimit që nuk u mungon, është edhe çështje eksperience paksa. A e kanë këta drejtues të rinj përvojën apo….? Edhe këshilltarët janë të rinj në moshë, zoti Rama.

Më duket se edhe ju që po bëni pyetjet jeni shumë të rinj në moshë. Mesa unë di, kur ju kanë dhënë përgjegjësinë të uleni në atë banak të mëngjesit, nuk është se keni pasur më shumë eksperiencë se sa të tjerë, që mund të kenë pasur më shumë eksperiencë sesa ju, por, jam i sigurt se nuk do ta kishin bërë dot aq mirë se sa e bëni ju punën.

Zoti Rama, keni deklaruar se do të keni një qeveri me pak shpenzime, më pak se ajo paraardhëse. Vazhdoni t’i qëndroni zotimit se do të bëni publik, online, çdo shpenzim?

Absolutisht po! Po përgatisim mekanizmin që do të bëjë të mundur filtrimin e të gjithë të dhënave drejtpërdrejtë, pa asnjë reduktim apo redaktim online, të të gjitha shpenzimeve të brendshme, të Kryeministrisë dhe me radhë pastaj të të gjitha ministrive.

Keni një afat se kur do të kemi mundësinë t’i shohim të bëra publike këto shpenzime online?

Po punojmë për këtë çështje. Mos harroni që qeveria nuk ka bërë akoma një muaj.

Lidhur me çështjen e ndarjes së mandatit të deputetit, keni një marrëveshje koalicioni me LSI-në, ku ata që kanë pranuar detyrën e ministrit, janë të detyruar të lënë mandatin e deputetit, përveç Kryeministrit. Kur do të ndodhë kjo?

Do të fillojë së shpejti. Është çështje procedurash dhe është çështje e një organizimi të brendshëm, për të bërë të mundur që të mos ndihet për asnjë moment në Kuvend, mungesa e votave, sepse po të shikoni edhe Kodin Zgjedhor, ka disa afate dhe ka disa procedura për zëvendësimin e një deputeti me një tjetër. Kështu që, kjo nuk mund të bëhet menjëherë dhe nuk mund të bëhet e gjitha bllok, sepse do të krijojë pastaj vakum.

Zoti Rama, zgjedhjet tuaja për t’i dhënë besimin dhe detyrën emrave të rinj, ndoshta dhe të panjohur, në politikën shqiptare, a kanë ngjallur ndoshta pakënaqësi te ata që, në thonjëza, le t’i cilësojmë senatorë të PS-së, ish themelues të saj apo ish ministra dhe kryeministra të kësaj partie, në grupin parlamentar të PS-së. A ndjeni një lloj presioni nga ata?

E vërteta është që ata të cilët ju iu referoheni si senatorë, janë pjesa më mbështetëse e ndryshimeve të ndodhura.

Zoti Rama, nuk keni frikë se pas këtyre muajve të parë të mjaltit do të keni edhe shumë të pakënaqur në rreshtat e partisë e ndoshta dhe të militantëve?

Nuk kam frikë nga asgjë, përveç se nga çfarë do të gjejmë përpara në kuptimin e shifrave, të të dhënave të ekonomisë dhe të financave, në kuptimin e të papriturave që mund të na ndodhin dhe mund të na vënë në kushte emergjencash kombëtare. Edhe për të gjitha këto, frika ka vetëm një emërues, që të mos gjendemi të pa përgatitur në kushtet kur realisht, këtë gjendje dhe këtë kapacitet shumë të ulët të shtetit ne e kemi të trashëguar dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi tonën. Për të tjerat nuk kam asnjë frikë.

Për të qenë më konkretë, cilat do të jenë sfidat e ekzekutivit “Rama” në këto 100 ditë të para, të paktën?

Zgjimi i një shteti tërësisht të përgjumur, me pjesë të tëra të trupit të tij që janë të paralizuara dhe me një pjesë shumë të madhe të trurit të vet që është jashtë funksionit.

 Zoti Rama, ju keni prezantuar 3 prioritetet tuaja, që janë menaxhimi i territorit, menaxhimi i ujërave dhe sundimi i ligjit. Qytetarët duhet të presin fundin e katërvjeçarit për të bërë një bilanc apo do të kenë rezultate konkrete që në 100 ditët e para, apo në 300 ditët e para?

Këto janë 3 prioritete që i keni identifikuar ju. Nuk ka problem, mua edhe këto nuk më duken pak. Por, sigurisht që në rrugën e realizimit të programit, do të ketë gjëra që do të preken në fillim, do të ketë gjëra që do preken më vonë dhe tërësia e rezultateve do të mund të shihet vetëm në fund.

Zoti Rama, përballja e parë do të jetë shumë shpejt me Brukselin. Sa shanse ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor?

Nuk është çështje date dhe për mua, e kam thënë më parë në opozitë, e përsëris sot si Kryeministër, rruga e integrimit evropian nuk është një rrugë që do të thotë ne të shkojmë drejt Brukselit, por është një rrugëtim brenda nesh, për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane këtu, në vendin tonë.

Zoti Rama, do të kemi një përgjigje pozitive? Për të hapur qoftë edhe derën e parë të atij labirinti në rrugën drejt Brukselit?

E përsëris, kjo do të varet nga ne dhe vetëm nga ne dhe kjo nuk është çështje datash, sepse gjëja më e rëndësishme është që gjërat të ndryshojnë këtu, që ato çka janë të shkruara në Raportin e Progresit apo në listën e detyrave të shtëpisë, të bëhen dhe të realizohen këtu dhe të jenë të prekshme për qytetarët shqiptarë. Për mua nuk është e rëndësishme data, për mua ka rëndësi që çdo ditë, Shqipëria të bëhet më evropiane.

Një detyrë e rëndësishme e lënë nga Brukseli është dhënia fund e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Do të kemi diçka konkrete në këto 100 ditë që kemi para?

Ju e dini shumë mirë që kultura e pandëshkueshmërisë është një kulturë që i ka rrënjët sa tek një shtet, në tërësi, i kapur prej korrupsionit, tek një qeveri e paaftë për të luftuar sëmundjen që e ushqen vet korrupsionin. Tek një prokurori e cila, deri më sot, nuk është treguar në lartësinë e duhur përballë korrupsionit dhe tek një gjykatë që, deri më sot, më shumë ka qenë faltore e korrupsionit sesa ndëshkimore për korrupsionin. Nuk besoj se ka mendje të arsyeshme që të gjitha këto, t’i kërkojë të zgjidhen brenda 100 ditësh.

Zoti Rama, duke qëndruar sërish tek Brukseli, duket se filozofia juaj qeverisëse synon më shumë modernizimin sesa ndëshkimin.

Qeveria nuk është as prokurori, nuk është as gjykatë. Qeveria ka objektiv të vetin modernizmin dhe modernizimi në raport me korrupsionin, do të thotë ngushtim i hapësirave për korrupsion. Por, sigurisht që qeveria, teksa modernizon, nuk mund të bashkëjetojë me korrupsionin, përkundrazi, duhet që organizmi i saj ta jashtëqitë korrupsionin. Dhe është shumë e qartë që, përmes modernizimit, mekanizmat e bëjnë të mundur edhe këtë.

Zoti Rama, në fjalën tuaj në seancën e parë plenare në Parlamentin e Shqipërisë, në këtë legjislaturë të re, ju e keni siguruar opozitën shqiptare se do t’i mundësoni asaj atë që ajo, në 8 vite, nuk jua mundësoi kurrë juve kur ishit në opozitë. Tashmë që keni 84 vota në Kuvend, a do t’i qëndroni prapë këtij premtimi?

100 përqind! Nuk ka lidhje me votat.

Çfarë mendoni për një deputet që ndërron krahun politik zoti Kryeministër?

Pyesni deputetin, unë nuk e kam ndërruar ndonjëherë krahun.

E bëjmë këtë pyetje sepse para pak ditësh u bëtë me 84 vota, me mazhorancë absolute në Kuvend, për shkak të një deputeti i cili ndërroi krahun?

Në një moment të caktuar ne mund të kemi më shumë, por kjo nuk do të thotë që për këtë duhet të na pyesni ne. Duhet të pyesni ata që vendosin që të ndërrojnë krahun, apo të votojnë për një ligj, ose një tjetër, që lidhet me vullnetin e shumicës.

Zoti Rama, kjo do të tregojë se ka negociata? Nard Ndoka do të kalojë me ju? Është përfolur ditë e fundit në media një gjë e tillë.

Ju siguroj që nuk kam pasur kohë të merrem me çfarë flitet e çfarë përflitet, sepse jua thashë, zgjohem në mëngjes pas shumë pak orësh gjumë, me ndjesinë e kohës që ikën, ndërkohë që ka kaq shumë gjëra për të bërë. Dhe për këtë arsye, do të më falni, por realisht, nuk kam dëgjuar fare se çfarë thuhet e përthuhet.

Megjithatë, do keni dëgjuar që opozita ka bojkotuar seancën e fundit plenare dhe ka paralajmëruar një bojkot edhe më të gjatë. Cili do të jetë reagimi juaj në rast se ndodh një gjë e tillë?

Është e drejta e saj.

Zoti Rama, në rast se do të ishit edhe një herë në fushatë elektorale tani dhe do ta dinit se cila është situata financiare në vend, do të kishit bërë sërish të njëjtat premtime, shëndetësi falas, legalizime falas?

Premtimet e bëra, apo zotimet e marra, janë pjesë e një vizioni dhe bazohen në një program. Është vizioni për Shqipërinë që duam, për atdheun që meritojnë fëmijët tanë dhe sigurisht, ky vizion nuk mund të kondicionohet nga gjendja financiare në një moment të caktuar. Gjendja financiare thjesht lëviz në kohë axhendën, por zotimet janë po ato, mbeten aty dhe ne do të luftojmë përditë për t’i realizuar.

Zoti Rama, ndoshta jeni e vetmja qeveri, për të qenë i sigurt që nga viti 1991, që përbëheni nga 2 parti, një koalicion i fortë. Megjithatë, si ndihen aleatët e tjerë? Keni pasur marrëveshje parazgjedhore me ta për të ndarë poste, ose për të ndarë pushtetin në rast fitoreje. A ka kontakte me ta?

Duhet të pyesni ata. Unë kam qenë shumë i përqendruar në këtë periudhë fare të parë, për të sistemuar disa aspekte të mekanizmit qeverisës, që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen me aleatët.

Pra, do të zbatohet kjo marrëveshje më vonë, në një periudhë të dytë?

Për të gjitha çfarë jemi marrë vesh, do të vazhdojmë të merremi vesh.

Zoti Rama, 18 deputetët e LSI-së, deri tani, janë një mbështetje për ju apo është ajo çka ju keni paralajmëruar dikur, një rritje e LSI-së dhe një zvogëlim i PS-së?

Nuk shikoj asnjë zvogëlim të Partisë Socialiste. Përkundrazi! Kemi marrë rezultatin më të mirë historik në këto zgjedhje. Ashtu sikundër, nuk shikoj një trupë deputetësh të ndarë në PS e në LSI. Shikoj vetëm trupën e deputetëve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, tërësisht të vendosur për të çuar përpara një axhendë shumë ambicioze, në kushtet kur vendi e ka të domosdoshme të dalë nga një krizë dramatike dhe kur gjenerata tjetër e ka të domosdoshme të marrë më shumë besim, për të dhënë më shumë rezultat për vendin.

Zoti Rama, me qenë se jemi në fund të intervistës, ajo që më bëri përshtypje, para se të futeshim në këtë lidhje direkte, është që teksa ju shihja në plane, ishit duke lexuar një libër. A mund të na e zbuloni titullin?

Libri është libri më i fundit i Alastair Campbell, i cili ma bëri dhuratë dje, përpara se të largohej.

Zoti Rama, sot nisi viti i ri akademik. A keni një mesazh për të gjithë studentët që vijnë në auditorët e universiteteve sot?

Mesazhin do ta japë ministrja e Arsimit. Unë do t’i bashkohem asaj dhe të gjithë atyre që sot nisin rrugëtimin e një viti tjetër akademik, me një mesazh timin të shkurtër solidariteti, mbështetjeje dhe inkurajimi, në rrjetet sociale.

Zoti Rama, unë ju falënderoj që ishit me ne në studio për të diskutuar së bashku rreth ditës suaj dhe zhvillimet më të fundit në qeveri. Faleminderit që e nisët ditën tuaj me emisionin ”7 pa 5”.

Faleminderit ju dhe imagjinoni se sa më e ndryshme do të ishte dritarja juaj, në qoftë se do të ishit të dy burra aty.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.