Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zona e madhe informale prej 24 hektarësh, e njohur si Lagja Kume në Vlorë, është një prej zonave, e cila ka vuajtur ndër vite mungesën e investimeve. Megjithëse fare pranë plazhit të vjetër, për shkak të rrugëve të vështira dhe mungesë së rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, lagja nuk përmbushte kushtet bazike për mikpritjen e turistëve gjatë sezonit turistik. Por edhe në lagjen Kume ka nisur transformimi. Një projekt ambicioz me vlerë 4 milionë dollarë parashikon ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin, gjelbërimin, duke rritur vlerën e banesave dhe krijuar kushte për përfshirjen e tyre në mikpritjen për turistët gjatë sezonit të verës. Ndërkohë që janë ndërtuar rrjetet e ujësjellës – kanalizimeve.

Pikërisht në Kume ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama, ku të shumtë ishin banorët që shprehën falenderimet për investimin e bërë në pragun e shtëpive të tyre.  “Kjo është një nga zonat e painvestuara në vite, që ka vuajtur mungesën e investimeve dhe të vlerësimit përsa i përket infrastrukturës dhe është një nga vendimet më të rëndësishme që është marrë në të gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës, sepse kjo përfshin një lagje të tërë. Është një investim, vlera e të cilit shkon në katër milionë dollarë, në të cilin përfshihen rreth 40 mijë metër katrorë asfalt. Janë rreth 20 mijë metër katrorë trotuare dhe 16 mijë metër linearë investime në kanalizime të ujrave të bardha dhe rreth 30 mijë metër linearë investime”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili shpjegoi ndër të tjera se projekti parashikon edhe unifikimin e mureve të jashtëm rrethues, i miratuar në dakordësi me banorët.  “Ashtu siç e kemi diskutuar, do të jetë një mur standard me një kangjellë, që do ta miratojmë së bashku, për të patur një standardizim të të gjithë territorit. sepse është vërtetë një zonë kaq afër detit, por kaq shumë e lënë në harresë. Ndërkohë që me investimet  e reja që do të ndodhin në zonën e portit, çdo gjë në këtë lagje merr një vlerë fantastike”, – tha Leli

Investimi në lagjen Kume, duke qenë shumë pranë plazhit të vjetër, është një nga investimet më të rëndësishme pranë zonës turistike. “Ne duam të investojmë në vijim në mënyrë që t’i japim Lungomares vazhdimësinë, jo vetëm në drejtim të jugut, por edhe në drejtim të veriut,” – u shpreh kryebashkiaku Leli, i cili duke u  ndalur në mënyrë të veçantë në investimet në ujësjellës-kanalizime tha se “problematika në furnizimin e ujit të pijshëm ka, por falë të gjitha këtyre ndërhyrjeve që kemi miratuar, ne jemi në një fazë të mirë investimesh që janë miratuar së fundi. Vetëm investimet në ujësjellës muajt e fundit kanë kapur vlerën 10 milionë euro, që do të mbërrijnë në Bashkinë e Vlorës dhe zgjidhja definitive e furnizmit me ujë të pijshëm është projekti që kemi me Bankën Gjermane KFW, i cili do të kapë vlerën prej 25 milionë euro dhe për të cilin janë duke përfunduar procedurat për rehabilitimin e ujësjellësit në të gjithë territorin e Vlorës.”

“Ju faleminderit Kryeministër për këtë investim. Është një komunitet që ka 30 vjet që vuan për një copë rrugë”, – shprehet një nga banorët e zonës.

Ndërkohë që Kryeministri Rama theksoi se investimet e deritanishme i kanë sjellë Vlorës më shumë ekonomi dhe potencial. “Pjesa e parë e punës, me gjithë aksin qendror dhe me gjithë çfarë janë bërë investime i kanë sjellë Vlorës shumë më tepër ekonomi dhe potencial. Tani, nga kjo fazë do të hyjmë në fazën që t’i bëjmë edhe këto pjesë që të jenë pjesë që t’i shërbejnë turizmit. Pra, çdo shtëpi këtu, gjatë verës, kush dëshiron t’i kthejnë edhe në infrastrukturë mikëpritëse, fiton diçka dhe i ka të ardhura plus”, – u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.