Tregu agroushqimor i Divjakës, me sipërfaqe prej 1 hektar, është vendi ku çdo ditë mbledh fermerët e zonës, për të tregtuar prodhimet e tyre, por edhe për të promovuar produktet vendase dhe tërhequr eksportues.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti i zonës Erion Brace vizitoi në një ditë të zakonshme pune, tregun e Divjakës që shërben gjithashtu edhe si pikë grumbullimi për promovimin dhe shitjen e produkteve bujqësore vendase, tek eksportues të ndryshëm.
Fermerët thonë se lehtësitë fiskale që janë aplikuar në tërësi e në mënyrë të veçante heqja e TVSH-së për makineritë dhe inputet bujqësore, ka reduktuar kostot e aktivitetit bujqësor dhe ka mundësuar investime të reja në teknologjinë bashkëkohore. “Ky vit bujqësor na ka shpërblyer për të gjitha kulturat. Kemi dalë shumë mirë. Prodhimet na janë shitur dhe vazhdojnë të shiten. Ka zbutje në të gjitha inputet bujqësore. Edhe sa i përket plehut të bimëve, apo çdo produkti që nevojitet për përkujdesjen e bimëve i marrim më lirë,” – shprehet një prej fermerëve.
Sipas deputetit Brace, suksesi i fermerëve, ndonëse të rinj në moshë, qëndron tek përkushtimi i tyre ndaj tokës dhe fakti që të ardhmen e tyre kanë dëshirë ta ndërtojnë në vendin e tyre. “Divjaka gjithë suksesin e ka tek këta djemtë e rinj, të cilët nuk kanë ikur, që kanë ndenjur, që punojnë me tokën dhe që duan mbështetje për atë pjesë që na takon ne si qeveri. Deri tani kanë marrë atë që kemi dhënë ne nga inputet bujqësore. Heqja e TVSh për makineri dhe pajisje e ka dhënë efektin. Një pjesë që kanë marrë fitime i kanë bërë makineri bujqësore. Nuk i kanë as në llogari, i kanë bërë investime. Një pjesë tjetër po i bën sera. Ato lekë që kanë fituar po i bëjnë sera. E natyrisht po shtohet prodhimi, rritet dhe djemtë e rinj këtu nuk largohen prej këtej,” – u shpreh ai.
Gjithashtu një nga fermerët tregoi eksperiencën e tij në blerjen e një makine të kushtueshme bujqësore, për të cilën nuk ka paguar TVSH, duke kursyer një shumë të konsiderueshme parash, të cilën do ta investojë në ndërtimin e një sere.
***
Politikat nxitëse të qeverisë kanë shtuar interesin e fermerëve për të investuar edhe në industrinë ushqimore.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me zv/kryeministrin Erion Brace ishin në fermënKokoneshi, e cila vetëm një vit më parë përfitoi nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural me një vlere prej 12,3 milionë lekësh, të cilat i investoi për shtimin e kapaciteteve prodhuese. Sot prodhon deri në 1300 litra qumësht në ditë, sasi e cila blihet e gjitha nga fabrikat e përpunimit të qumështit, për shkak të cilësisë mjaft të lartë të produktit.
“Ia dimë për faleminderit shumë qeverisë shqiptare. Na ka dhënë hapësira të zhvillohemi,” shprehet Andi Kokoneshi, duke shtuar se në të ardhmen pritet ta rrisë edhe më tepër kapacitetin prodhues, për të arritur drejt një cikli të mbyllur me një linjë prodhimi.
“Shpresojmë ta bëjmë me cikël të mbyllur. Të krijojmë një linjë përpunimi qumështi për mocarelë, djathë bebe, kos frutash për fëmijë,” deklaroi ndër të tjera fermeri që gjithashtu pohon se do të dyfishojë numrin e bagëtive deri në 200 krerë.
Zv/kryeministri Brace nënvizoi faktin se kjo familje fermere ka braktisur qytetin për t’u zhvendosur në fshat dhe për të rritur edhe më tepër investimin.
“Ishin brenda në qytet. Kanë dalë nga qyteti fare dhe kanë ardhur këtu,” u shpreh zv/kryeministri Brace.
***
Në fshatin Kamenicë të Divjakës, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zv/Kryeministri Erion Brace, panë nga afër pjesën fundore të veprës më të madhe vaditëse të gjithë këtyre viteve në zonën e Myzeqesë. Ky sistem i ri vaditës do të përmirësojë rreth 5100 hektarë tokë, të cilët kanë pasur mungesë të ujit të ëmbël. “Kemi një problem me tokat këtu se janë të kripura dhe uji i ëmbël është domosdoshmëri për të garantuar prodhimin e gjithë zonës”, – tha zëvendëskryeministri.
Kryeplaku i fshati thotë se ky vit ka qenë i mbarë në prodhim dhe se ky investim do të ndihmojë edhe më shumë fermerit e kësaj zone, duke ulur kostot për prodhimet e tyre. “Uji do vijë këtu e do shkojë ku të shikon syri, ku janë vetëm toka të kripura në Adriatik. Natyrisht, gjithë banorët e zonës do t’i japin fund historisë së vaditjes me pompa”, u shpreh Braçe.
***
Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën e fshatit Babunjë që e lidh atë me Fierin, rrugë kjo e lënë në harresë për dekada dhe që vështirësonte jetën e gjithë banorëve të kësaj zone. “Kjo është rruga që të lidh me Fierin. Kemi menduar që të bëjmë dhe urbanizimin e gjithë zonës, gjithë fshatit Babunjë, deri edhe një kilometër më tutje, me trotuare, me ndriçim”, – tha zëvendëskryeministri.
Rruga e kompletuar me ndriçim, trotuare dhe gjelbërim nga të dy anët do të lehtësojë dhe përshpejtoje edhe nxjerrjen në treg të produkteve bujqësore të fermerëve të kësaj zone.