Investime të tjera të rëndësishme në zemër të Vlorës pritet të transformojnë përfundimisht pamjen e saj dhe të rrisin ndjeshëm fuqinë ekonomike të jugut bregdetar.
Kryeministri Rama e vijoi vizitën e tij inspektuese atje ku po vazhdon puna për Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me zonën e portit, ku do të nisë së shpejti ndërtimi i portit të ri turistik në vend të portit të vjetër. Paralelisht me portin turistik do të ndërtohet edhe porti i ri i mallrave tek Triporti, së bashku me portin e ri të peshkatarëve.
“Këtu është kantieri ku ishim para pak kohësh, ku, në fakt, ata që na prisnin me shumicë ishin banorët e kësaj zone, të cilët ishin prekur për arsye të infrastrukturës së re që po ndërtojmë. Ajo që dua të ndaj me ju është se problematika e tyre në lidhje me strehimin është zgjidhur me një vendim të Bashkisë së Vlorës, sipas të cilës, të gjitha familjet që kanë patur probleme të dokumentacionit të pronësisë dhe të pamundësisë për t’u pajisur me dokumenta të tjera, janë garantuar që do t’u paguhet qeraja nga Bashkia e Vlorës, me një vlerë nga 100 deri në 130 mijë lekë të vjetra që është tregu mesatar i çdo shtëpie këtu në Lungomare të Vlorës. Është një rrugë rreth 24 metra e gjerë, e cila do të bëjë në fund fare realitet ëndrrën e shumë brezave, rrugën Transballkanike të mbërrijë deri në port”, – sqaroi Kryebashkiaku Leli, zgjidhjen e dhënë nga Bashkia e Vlorës për të gjithë qytetarët me problematika të dokumentacionit, në zonën që preket nga investimi.
Kryebashkiaku Leli theksoi ndër të tjera se “projekti do t’i japi Muzeut Kombëtar të Pavarësisë vëmendjen që nuk e ka patur kurrë, pasi ishte i fshehur mes kioskave të shëmtuara të ndërtuara në vite. I gjithë ky shesh do të shndërrohet në pyll me pemë të larta, që do të zgjidhen të tilla për t’ju përshtatur natyrës dhe klimës bregdetare të gjithë territorit. Ndërkohë , – vijoi ai, – projekti vazhdon me rehabilitimin e të gjithë hapësirave, me shpresën e madhe që të gjitha këto të kurorëzohen me atë që është iniciativa më e fundit dhe më pozitive për aspektin turistik të të ardhmes së këtij qyteti, Portin e qytetit në një port jahtesh tanimë.”
Për Kryeministrin Rama, “porti do të ndryshojë komplet, përfundimisht, jo fytyrën, por edhe energjinë ekonomike të Vlorës.”
“Edhe porti i ri i mallrave, bashkë me peshkatarët e Triportit dhe zgjidhet përfundimisht edhe tmerri i peshkatarëve – që nuk kanë asnjë kusht atje, – zgjidhet me kushte optimale. Ata do ta marrin vetë në administrim nga Ministria pjesën e tyre. Ndërkohë pjesa tjetër është pjesë që kompeson të gjithë nevojën për mallra dhe pasagjerë”, – u shpreh Kryeministri.