Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fermerët shqiptarë po rrisin investimet në teknologji, e cila garanton rritjen e prodhimit dhe të cilësisë. Kryeministri Edi Rama ka vizituar një prej fidanishteve më moderne në Divjakë, e cila, siç shprehet vetë fermeri, konkurron sot denjësisht edhe Holandën e standardeve më të larta sa i takon teknologjisë. “Është hera e parë që këtë serë e kemi ndërtuar me forcat tona. I gjithi konstrukti metalik. Për herë të parë në Shqipëri e jo vetëm në Shqipëri. Holandezët kur erdhën e panë më thanë mos ia trego njeriu që e ke bërë këtë se na le pa punë,” shprehet ai.

Ai shton se mbulon sot afro 90% të tregut shqiptar, por edhe eksporton. “Jemi faktor në tregun shqiptar, i rëndësishëm, për të mos thënë më i rëndësishmi. Eksportojmë në Kosovë, Maqedoni, Bullgari. Kam kërkesa edhe në Itali. Jemi një emër në hartën e fidanishteve dhe punëve të tilla, jo vetëm nga sipërfaqja, por dhe nga teknologjia e ndërtimit,” thekson fermeri.

Kryeministri ishte edhe në serën e perimeve të Stavri Zakas, ngritur vetëm një vit më parë me anë të një financimi 10 milionë lekë nga AZHBR. Sot, prodhimi i këtij fermeri është i garantuar për shitje që në fazën e mbjelljes, pasi siguron cilësi dhe plotëson standardet ndërkombëtare.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.