Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e hapjes dhe të nisjes nga puna të spitalit privat shqiptar “Continental”, në Tiranë:
Me shumë kënaqësi e kam pranuar ftesën e organizatorëve të kësaj ceremonie, sepse unë besoj që edhe në sferën e shërbimit shëndetësor, si çdo sferë tjetër, çdo investim i ri, jo vetëm publik, por dhe privat, rrit premisat për më shumë konkurrencë dhe patjetër për më shumë cilësi.
Kini parasysh që shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri, në tërësi, vlerësohen rreth 85 miliardë lekë, nga të cilat, 43 miliardë, pra rreth 430 milion dollarë janë shpenzime jo publike për mallra dhe shërbime që ofrohen nga operatorët privat. E parafytyroni për një moment sikur këto mallra dhe këto shërbime të operatorëve privatë, të ishin në një shifër më të ulët apo sikur ta mendonim shërbimin shëndetësor pa kontributin e operatorëve privatë.
Nëse sot, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se pavarësisht hapave të hedhura në drejtim të rilindjes së sistemit shëndetësor, situata është ende larg së qeni një situatë e kënaqshme për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë sistem, është e pamundur të imagjinojmë një proces të suksesshëm transformimi pa stimuluar me të gjitha mundësitë përfshirjen e sa më shumë operatorëve dhe sipërmarrësve privatë në këtë sistem.
Sot, patjetër që mund të vihet re në tërësi një përmirësim në aspektin e lehtësimit të aksesit në shëndetësi të qytetarëve, duke filluar nga barnat që kushtojnë 70 milionë dollarë më pak në tërësi, sesa tre vjet më parë. Nga ana tjetër, janë 85 barna të reja në listën e rimbursimit, prej të cilave, 45 principe të reja aktive, nga të cilat përfitojnë rreth 150 mijë qytetarë shqiptarë.
Ne duam dhe besojmë se do t’ia dalim që të përfshijmë plotësisht në skemën e rimburisimit me të gjithë zërat, të gjithë ata që janë të pasiguruar, duke krijuar një tjetër kusht themelor për atë që për ne duhet të jetë shëndetësia në Shqipëri, një sistem shëndetësor me mbulim universal, ose e thënë ndryshe, një sistem shëndetësor ku nuk ka rëndësi sa para ke në xhep për të marrë shërbimin që meriton.
Kemi vënë në funksion më në fund shërbimin e urgjencës mjekësore 24 orë në 7 ditë për sëmundjet kardiake dhe ato vaskulare cerebrale, ku përfitojnë rreth 4 mijë persona mesatarisht, që deri dje e vuanin jashtëzakonisht shumë mungesën e këtij sistemi. Po ashtu, kemi financuar në mënyrë të ndjeshme shërbimin spitalor për të vënë në funksionim kabinete të reja të kardiologjisë dhe të diabetit. Mund të rendis edhe më shumë, duke vazhduar me 10 paketat pa pagesë që financohen 100% nga qeveria, pra që janë falas, dhe që kanë nisur të zbatohen jo vetëm në spitalet shtetërore, por dhe në spitalet jo publike. Këtu dua të ndalem. Dua të ndalem sepse besoj që njësoj siç kemi vepruar dhe po veprojmë e do vazhdojmë të veprojmë pavarësisht kundërshtive, në sistemin arsimor, ku për ne nuk është e rëndësishme nëse shërbimi merret në universitetet e financuara nga shteti apo në universitete e financuara nga privatet, – por është e rëndësishme që cilësia, standardet, kriteret, vlerat dhe parimet e arsimit të lartë në Shqipëri të jenë të garantuara, pavarësisht se kush është financuesi i institucionit, – të njëjtën gjë duam të bëjmë dhe në sistemin shëndetësor, ku për ne, është e domosdoshme që konkurrenca të garantohet përmes një procedure të unifikuar të akreditimit, të rivlerësimit periodik, të këmbimit të informacionit shëndetësor klinik dhe individual. E unifikuar pavarësisht nëse spitali është publik apo nëse spitali është privat.
Anasjelltas, ne besojmë që hapi i domosdoshëm për ta thelluar konkurrencën dhe për të rritur kapacitetet e shërbimit është autonomia spitalore në sistemin shëndetësor publik, si e vetmja kurë intensive që i duhet sistemit për t’i kthyer edhe spitalet shtetërore në ndërmarrje me pjesëmarrjen direkte të trupës mjekësore në vendimmarrje dhe me një menaxhim të pavarur nga Ministria e Shëndetësisë.
Mirëpo, këtu ka shumë njerëz që e kuptojnë fare mirë se për çfarë e kam fjalën. Na duhet paraprakisht të kemi qartësi për koston e çdo veprimi spitalor, në mënyrë që autonomia të jetë e bazuar në protokolle të sakta dhe të kostuara për të mos u kthyer në një anarki financiare me pasojë çuarjen në faliment të plotë të këtyre ndërmarrjeve publike spitalore.
Është me shumë rëndësi për ne që trupa e mjekëve të jetë bashkërenduese e nevojave, të jetë bashkërenduese e kërkesave dhe të jetë bashkërenduese e prioriteteve në gjithë procesin e vendimmarrjes, në funksion të cilësisë së shërbimit spitalor. Zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me shëndetësinë jo publike, pra me spitalet dhe strukturat private që ofrojnë shërbim shëndetësor , si struktura komplementare dhe jo antagoniste, në përmbushje të një qëllimi të vetëm; dhënia e një kujdesi shëndetësor sa më të besueshëm, sa më cilësor për të gjithë qytetarët. E patjetër, që ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorën e shtrirë të sektorit privat, të sipërmarrjes private për të ndërtuar partneritete të reja publike private për kujdesin shëndetësor, duke synuar përfshirjen edhe në shërbimet bazë përveç shërbimeve mbështetëse.
E ne besojmë që struktura të tilla private, kanë një potencial të madh për t’u kthyer dhe në struktura partnere të strukturave shtetërore, spitalore.
Për herë të parë në historinë e mjekësisë në Shqipëri, qeveria mbështet oferta të shërbimeve mjekësore, të sistemit miks publik – privat, plotësisht të ngjashme me këto oferta që janë gjithmonë e më të shumta në vendet europiane, ku prej kohësh ka dalë mësimi i artë se nuk është e përballueshme cilësisht kërkesa, thjesht dhe vetëm duke besuar tek shpërndarja e buxhetit të shtetit dhe duke krijuar një situatë antagoniste mes shërbimit publik dhe shërbimit privat.
Vendosja e këtyre ofertave me mbështetjen e qeverisë në funksion të qytetarëve sjell që numri i personave që përfitojnë kura me cilësi të lartë, në një kohë të shkurtër të jetë një numër që rritet në mënyrë të konsiderueshme. Një numër, që përndryshe do të mbetej shumë më i kufizuar në rast se mes shtetit dhe privatit do të vazhdonte hendeku i madh ndarës që e ktheu në perceptimin publik, – e jo pa të drejtë, – në një kufi mes shëndetësisë për të kamurit dhe shëndetësisë për të varfrit.
Ne nuk besojmë që shëndetësia duhet të ndahet me këtë vijë mes shtetit dhe privatit. Ne refuzojmë të pranojmë që shëndetësia mund të jetë e ndarë nga ky hendek dhe që shërbimi kombëtar shëndetësor publik të jetë një shërbim për ata që nuk kanë.
Është plotësisht e mundur e kemi parë shembuj spektakolarë se si shërbimi publik në bashkëpunim me partnerin privat, – që nga check-up, tek qendrat e dializës, tek instrumentet mjekësorë, do të vazhdojmë më tutje dhe me shërbime të tjera, – ofron në sistemin publik, një kujdes shëndetësor cilësor, të barabartë me atë që ofrohet në strukturat private të ekselencës. Paragjykimi se me paratë e shtetit s’ka punë privati, është një absurditet që i takon epokës së gurit të marksizëm-leninizmit, sepse e vërteta është që ndarja nuk bëhet nëse privati duhet apo nuk duhet të përfshihet në partneritet me shtetin. Ndarja bëhet nëse shteti në përfshirjen e privatit i ngarkon më shumë taksapaguesit kur marrin shërbimin apo administron më mirë taksat e tyre dhe shërbimi që marrin njerëzit në nevojë përballohet pa faturë plus. Ky është ndryshimi themelor. Tjetër është të bësh koncesione apo partneritete për shërbime që i ofron shteti ku qytetarëve u kërkohet të paguajnë para plus për të marrë shërbimin e komplet tjetër është ajo që bëjmë ne, që me të njëjtat para që ne japim një shërbim mediokër, të japim një shërbim cilësor duke përfshirë sipërmarrjen private për dy arsye themelore. Arsyeja e parë është që nëse ngritja e një shërbimi të ri, siç është dializa në të njëjtën kohë, në të gjithë territorin e Shqipërisë kërkon një masë parash që ne nuk i kemi, atëherë ftojmë sipërmarrjen private që këtë masë parash ta garantojë që në momentin e parë dhe me paratë që ne kemi në dispozicion për këtë shërbim, llogarisim në harkun e X viteve shlyerjen e këtij investimit në partneritet me shërbimin privat. E dyta, menaxhimi në këto partneritete është shumë më i garantuar sot, për arsye se nga njëra anë janë partneritete që lindin nga nevoja reciproke e përputhjes së interesave mes shtetit e privatit, por dhe me ekzigjencën e partnerit privat që paratë që investon ti kullandrisë në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë që sot e gjithë ditën strukturat shtetërore nuk e kanë të mundur ta bëjnë.
E nuk e kanë të mundur ta bëjnë për arsye se prej 25 vitesh, spitalet tona vazhdojnë të jenë sistem komunist pa komunizëm. Për shkak se pjesëmarrja në vendimmarrje për nevojat, për kërkesat, për prioritetet, për administrimin e trupës spitalore është zero. Buxhetet vazhdojnë të ndahen në mënyrë të centralizuar nga lartë, poshtë, e kjo e bën sistemin në natyrë, në fiziologji, të vështirë për të qënë konkurrues me sistemin privat kur vjen puna tek eficensa.
Autonomia spitalore është përgjigja dhe ne duam një orë e më parë që ta bëjmë të mundur këtë autonomi sepse është e vetmja kurë intensive për ta shfarosur kancerin e përhapur në gjithë sistemin të epokës së dikurshme kur shteti paguante, shteti mbante përgjegjësi e në mungesë të komunizmit siç e thashë, secili që punon në shtet e konsideron veten njeri të lirë për të bërë çfarë të dojë, e na jep mundësinë që të krijojmë sinergji në sistem.
E së fundi, dy fjalë për këtë investim i cili më duket të paktën nga jashtë ogurmirë sepse ngjyrat janë zgjedhur me mjaft mençuri, e unë nuk hyj tek ata që thonë “mos i shiko gunën por shikoji punën”. Unë mendoj që guna tregon shumë për punën, megjithatë kjo është një çështje tjetër. Dua thjesht të marr një fjalë nga ajo që tha profesori në fjalën hapëse e dua të uroj me gjithë zemër që kjo të mos jetë e vërteta entuziaste e ceremonisë, por e vërteta e përditshme e spitalit, që ky investim mbresëlënës nuk është një investim vetëm për ata që kanë, por është një investim për të gjithë ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor.
Ne do të bëjmë gjithçka edhe në vijimësi, jo vetëm për këtë strukturë, por për të gjitha strukturat private të shërbimit shëndetësor, që të përfitojmë nga kapacitetet dhe nga cilësia e këtij shërbimi për të kompensuar boshllëqet në shërbimin shtetëror, duke krijuar pikërisht atë sinergji që thashë më parë, që me të njëjtat para, të bëjmë sëbashku më shumë nga pikëpamja e cilësisë dhe e sasisë në kujdes shëndetësor e mbi të gjitha, që ky të jetë një proces – nga ana jonë, – miradministrimi i fondeve që kemi në dispozicion, duke bërë të mundur që ata që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, pavarësisht se kapërcejnë pragun e spitalit shtetëror apo kapërcejnë pragun e spitalit privat, marrin shërbimin, por nuk janë të detyruar të paguajnë një faturë ekstra, sepse këtë shërbim do e marrin në spitalet private.
Ju uroj fat, ju uroj suksese, kurajë dhe vullnet të mirë për ta bërë edhe këtë strukturë të re një pjesë të zinxhirit të ekselencës në shërbimin shëndetësor dhe kujdesit për të gjithë ata që kanë nevojë për këtë shërbim në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.
Shumë faleminderit!