Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit italian, Matteo Renzi:

Kryeministri Rama:

Përshëndetje të gjithëve,

Papa Françesku vendosi të vinte në Tiranë në vizitën e tij të parë në Europë, Matteo Renzi vendosi të vinte në Tiranë në ditën që mbyll semestrin e Presidencës Italiane dhe dua ta falënderoj nga zemra për këtë vizitë që nuk është siç mund të duket një udhëtim për festa por është një mesazh i qartë për mbështetjen e Italisë ndaj Shqipërisë dhe për bindjen e shprehur më shumë se një herë nga Kryeministri italian, për domosdoshmërinë e integrimit një orë e më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kjo është një marrëdhënie speciale historike, tradicionale, e çuar përpara nga të gjitha qeveritë, në Romë dhe në Tiranë, pavarësisht përkatësive politike. Por unë jam sot veçanërisht i lumtur, sepse kjo është edhe një marrëdhënie speciale mes meje dhe Kryeministrit të Italisë, që njihemi prej kohësh dhe që ndajmë të njëjtat pikëpamje për botën, për Europën, për shoqërinë dhe për domosdoshmërinë e lëvizjes me shpejtësi përpara të së majtës, për të cilën ka nevojë sot më shumë sesa më parë shoqëria e Europa.

Patëm një bashkëbisedim si gjithmonë, të hapur, të drejtpërdrejtë, të shpejtë, në kuptimin e kalimit në çdo pikë, duke theksuar çfarë kemi arritur përmes bashkëpunimit dhe çfarë mund të arrijmë ende më tutje. Edhe njëherë, morëm konfirmimin pa ekuivok të Italisë si një partner strategjik për Shqipërinë, të mbështetjes së vazhdueshme dhe intensive për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit tonë.

Nga ana tjetër, duke e përgëzuar Kryeministrin e Italisë për gjithçka Italia bëri në këto 6 muaj të Presidencës Europiane, por edhe duke i shprehur edhe përpara jush mirënjohjen për mbajtjen larg të flamurit të europeizmit dhe të nevojës që kemi të gjithë bashkë për një Europë më të madhe, jo më të vogël, për një Europë më të prirur nga zhvillimi dhe më pak burokratike, dëshiroj të theksoj se vendosëm edhe piketat për të çuar më tutje bashkëpunimin tonë, në nivelin bilateral dhe në aspektin e përpjekjes që Shqipëria po bën për të luajtur një rol në funksion të integrimit të rajonit tonë në Europë.

E informova Kryeministrin edhe për përparimin që kemi bërë në marrëdhëniet me Serbinë dhe për vizionin tonë për ndërtimin e një aksi strategjik bashkëpunimi, në funksion të bashkëpunimit rajonal dhe në funksion të integrimit europian të Ballkanit. Duke marrë të mirëqenë gjendjen pranë të njëri – tjetrit në çdo rast, patëm, sidoqoftë, kënaqësinë që të ndajmë edhe ndjesinë pozitive të bashkëpunimit më të fundit për shpëtimin e jetëve të njerëzve, pas ngjarjes fatkeqe të tragetit “Norman Atlantik”, e cila fatmirësisht, falë përpjekjeve të kryqëzuara dhe falë impenjimit në vijë të parë të Kryeministrit të Italisë, nuk u pasua nga një tragjedi njerëzore me përmasa të paparashikueshme.

Së fundi, duke e falënderuar Kryeministrin për të gjitha vlerësimet që bëri lidhur me politikën tonë rajonale, lidhur me rezultatet e ish qeverisjes në Shqipëri, kam kënaqësinë që të përcjell një lajm të mirë për një grup interesi që prej shumë vitesh kërkon zgjidhjen e një çështje të mbartur qysh në vitet ’50. Çështje për të cilën janë angazhuar Kryeministra dhe qeveri të Luftës së Ftohtë, të pas Luftës së Ftohtë dhe që asnjëherë nuk është futur në rrugën e zgjidhjes, të një takse absurde, të mbetur qysh në vitet ’50, mbi transportuesit e mallrave nga Shqipëria drejt Italisë. Një taksë që ka mbetur në fuqi sot vetëm për 3 vende, në një inerci absurde, për Shqipërinë, Iranin dhe Sirinë. Me shumë kënaqësi u përcjell të interesuarve, jo vetëm gatishmërinë e Kryeministrit, që kur e kemi shtruar si problem, por edhe dhënien e zgjidhjes, duke bërë që qysh nga fillimi i vitit të ardhshëm kjo taksë të bjerë në nivelin normal të asaj takse që paguajnë të gjithë autotransportatorët që çojnë mallra drejt Italisë.

Faleminderit, Kryeministër!

Po ashtu, biseduam për hapjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Një punë e admirueshme e bërë me këmbëngulje gjatë gjithë këtij viti, duke adresuar një problem të madh për emigrantët shqiptarë që punojnë dhe që paguajnë taksa në vendet e tjera, nga ana e ministrit tonë të Mirëqenies Sociale, e cila ka sjellë në njohjen e viteve të pensionit nga disa vende dhe sot, ne ramë dakord që projekti i vendosur në tavolinën e përbashkët të dy ministrave të çohet më tutje me fillimin e drejtpërdrejtë të negociatave.

Në rastin e Italisë kemi dhe një kënaqësi të veçantë ta bëjmë këtë, sepse nuk është vetëm Shqipëria që kërkon njohjen e pensioneve për një numër të konsiderueshëm emigrantësh që punojnë në Itali, por edhe Italia, për një numër të konsiderueshëm italianësh që punojnë në Shqipëri, që janë rreth 20 mijë. Janë rreth 20 mijë italianë që do të përfitojnë nga zgjidhja e këtij problemi të mbartur për vite të tëra.

Së fundi, duke e falënderuar Kryeministrin që ndan me ne ditën e vigjiljes së Vitit të Ri, duke i uruar një Vit të Ri të suksesshëm në përpjekjen në të gjithë frontet dhe duke qenë të bindur, – për të qenë unë i bindur të paktën, – që do t’ia dalë, padyshim, ta bëjë Italinë vendin e ëndrrave dhe shpresave të gjeneratës tjetër, dua ta falënderoj edhe për angazhimin për t’u impenjuar në vetë të parë për të mos lejuar mbylljen e Katedrës së Albanologjisë, në Universitetin La Sapienza, që është një nga ato realitete të vogla por shumë cilësorë të një marrëdhënieje të vjetër dhe historike.

Matteo Renzi është një fiorentin, tifoz i Fiorentinës, nuk ka fituar asnjë Champions League. Nuk e di a i kujtohet ndonjë kampionat i Serisë A, por për ne është një mik ende më i veçantë duke qenë një fiorentin. Sepse kontributi i njerëzve të kulturës fiorentine në Shqipëri është kontribut i veçantë. Kjo godinë është vepër e arkitektëve dhe njerëzve të dizajnit fiorentin. Është dizajnuar nga dikush që sot konsiderohet babai i dizajnit modern, Gio Ponti. Nga ana tjetër, edhe vetë bulevardi që Kryeministri përshkoi për të ardhur këtu është projekti i një tjetër arkitekti fiorentin Armando Brasini. Jemi në zemër të arkitekturës fiorentine dhe siç i kam thënë Matteo Renzit, besoj e mbajta fjalën, “hajde në Tiranë, sepse është më afër Tirana se Firence nga Roma dhe do ndjehesh sikur je në Firence”.

Kështu që, mirëserdhe në shtëpi Kryeministër!

Kryeministri italian Matteo Renzi:

Faleminderit nga zemra, zoti Kryeministër! Faleminderit nga zemra, Edi!

Edhe herën e shkuar u takuam në një tjetër pallat, të bërë nga një tjetër arkitekt fiorentin, ishte “Palazzo Vecchio”, “Pallati i Vjetër” thënë ndryshe, në Firence. Në atë kohë unë isha kryetar bashkie dhe Edi sapo kishte përfunduar detyrën e tij si kryetar bashkie i Tiranës. E pra, u takuam ndërsa kishim ato funksione. Sot, të dy kemi ndërruar punë, por mbi të gjitha kemi vendosur të ndërrojmë dhe të ndryshojmë në këtë kuptim, vendet tona, sepse të dy duam që dy vendet tona të jenë gjithnjë e më shumë të aftë të ndërtojnë idealin europian. Po! Sepse Shqipëria tashmë është në Europë. Nuk është ende brenda institucioneve europiane apo 28 vendeve, por nuk bëhet fjalë thjeshtë për të futur Shqipërinë në Europë. Shqipëria tashmë është në Europë. Bëhet fjalë për të hapur dhe zgjeruar më shumë portat, dyert e shtëpisë së madhe europiane. Duhet ta bëjmë këtë, sepse është e drejtë. Duhet ta bëjmë, sepse është e dobishme. Duhet ta bëjmë, sepse kjo gjë shërben dhe para së gjithash, kjo gjë i shërben Europës shumë më parë sesa t’i shërbejë Shqipërisë, apo vendeve të tjera që kanë statusin e vendit kandidat.

E pra, me këtë frymë, sot, ne po përfundojmë 6-mujorin europian apo të kryesisë së Italisë në Bashkimin Europian. Dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë gjë në Tiranë, jo në Romë, sepse, si të thuash, është një copëz e tregimit të të ardhmes të Europës, që do të vijë një ditë dhe se nëse duam ta themi, edhe një copëz e së shkuarës sonë. Europa lind në Romë, në ’57-ën, me Traktatin e Romës dhe rritet më tej, me kalimin e viteve. Ajo duhet të përballë çaste entuziazmi, gëzimi të madh, por edhe çaste vështirësie. Dhe kur, më në fund, bie Muri i Berlinit dhe ndryshon gjeografia e Europës, atëherë ne na duhet të përballemi me probleme dhe sfida të reja.

Italia dhe Shqipëria ditën të përballonin një moment vështirësie të madhe. Dhe sot, të dyja këto vende janë në gjendje të përfytyrojnë të ardhmen. Përpiqem të mendoj të njëjtën gjë edhe për traditën, kulturën e vendit tuaj. Ashtu siç zoti Kryeministër, ju përmendët shumë më parë sesa detyrimet që sjell Traktati i Mastrihtit, detyrime të tjera, në radhë të parë qëndron krenaria, qëndron përkatësia. Të njëjtën gjë që ndjen zemra ime, ndërsa ndodhem në një Pallat të krijuar nga gjeniu fiorentin. Por unë besoj se është e rëndësishme të themi, teksa mbyllim këtë 6-mujor, që ose Europa do të zgjerohet, ose Europa do të humbë një shans të madh. Shqipëria prej disa muajsh është zyrtarisht një vend që gëzon statusin e vendit kandidat. Ne jemi shumë të lumtur për këtë gjë, por jo vetëm kaq. Tani na duhet të rëndim, të vrapojmë, të bëjmë gjëra në mënyrë të tillë që negociatat të jenë të shpejta.

Unë mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që populli shqiptar të dijë që Italia do të jetë gjithmonë dhe sidoqoftë, sponsori dhe partneri i parë e kryesor për këtë projekt të saj. Natyrisht, me shumë qartësi i shpreha Kryeministrit Rama që kjo gjë do të varet edhe nga çfarë do të bëjnë vendet e tjera. Mendoj që është shumë e rëndësishme një punë e zgjuar, një punë e bashkëndarë, që në këtë moment Shqipëria dhe Serbia po bëjnë. 23 janarin e ardhshëm, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Serbisë dhe Italisë do të takohen së bashku në Romë. Shpresoj të mund t’i pres ata të tre së bashku dhe njëherësh, edhe kryeministrat për një tjetër takim trepalësh mes kryetarëve të qeverive, në muajt që do të vijojnë. Marr që tani angazhimin për të theksuar me shumë forcë, përballë Parlamentit Europian dhe Presidentit të Komisionit Europian, që nuk mund të kemi një të ardhme të Europës, nëse nuk do të kemi zgjerim të saj.

E, ky është argumenti i parë që ne prekëm.

Jemi këtu për të mbyllur një 6-mujor dhe për të hapur një histori të re së bashku. Por është edhe historia e madhe e një miqësie dypalëshe, e një marrëdhënie dypalëshe. Një marrëdhënie miqësie mes Edi Ramës dhe meje sapo përfundoi me batutat e tij për skuadrën e Fiorentinës. Do të përpiqemi ta ndreqim. Unë kam një orë ngjyrë vjollcë që po ia dhuroj dhe ai mund të më dhurojë mua, një kravatë ngjyrë vjollcë. E kuptoni apo jo.

Përtej të gjithë batutave të miqësisë dhe për miqësinë mes dy popujve, kjo miqësi duhet veç të fuqizohet. E them këtë gjë, edhe për gazetarët italianë. Është shumë e mirë kjo masë e parashikuar për ligjin e stabilitetit. Tani ka nevojë vetëm për një dekret zbatues. Tashmë është ligj, do të hyjë në fuqi pasnesër. Do të jetë i nevojshëm një dekret zbatues i ministrit Lufi, të cilin e dëgjuam këto orë të fundit, na premtoi që do të jepet brenda pak javësh. Edi, duke bërë shaka, thotë që ky është një problem që është zgjatur në kohë që nga ’54-ra. Na u deshën 60 vjet, por më në fund e zgjidhëm. Duhen bërë gjërat, por duhen bërë edhe shpejt.

Së dyti, dy ministrat tanë të Punës dhe Mirëqenies Sociale do të vijojnë më tej negociatat me tryeza teknike për njohjen e pensioneve.

Mendoj që është e rëndësishme edhe tema tjetër, ajo e mbrojtjes së Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe e Albanologjisë, por mendoj se është e rëndësishme nga ana jonë të bëjmë edhe një tjetër përpjekje, falë edhe miqësisë së Qeverisë shqiptare, për të afirmuar me më shumë vendosmëri praninë e gjuhës italiane në Shqipëri. Edhe këtu, për gazetarët italianë, në ligjin e stabilitetit, për herë të parë kemi një kontribut të rëndësishëm, i cili do të rritet në vitet e ardhshme, për studimin e gjuhës italiane jashtë Italisë. Dhe kjo jo vetëm përmes kanaleve më tradicionale. Këtu, gjuha italiane është veçanërisht e pranishme edhe përmes televizionit, kanaleve satelitore. Nuk kemi më monopolin e gjuhëve të huaja, por e folëm këtë gjë edhe me ambasadorin italian, sistemi arsimor mund të ofrojë mundësi të tjera.

Jemi të sigurt për bashkëpunimin me Qeverinë shqiptare dhe bindjen për të bashkëpunuar në sektorë të tjerë si ai i energjisë hidrike apo sektorë të tjerë.

Të gjitha tema, çështje që i prekëm, apo do të trajtohen më tej me Qeverinë shqiptare.

Doja ta përfundoja duke thënë që ishte dikush që thoshte që historia do të mbarojë, por në të vërtetë historia nuk mbaroi. Pas rënies së Murit të Berlinit, kishte historianë, madje dikush shkroi: “Fundi i historisë”. E historia nuk mbaroi, por ndryshoi gjeografia. Rajoni i Ballkanit e di shumë mirë sesa ka ndryshuar gjeografia. Jo vetëm me shumëfishimin e vendeve, rritjen e tyre në numër, por edhe me qendërsinë e problemeve të reja. Kur dikush vë në diskutim hyrjen e Shqipërisë apo e vendeve të tjera të Ballkanit në Bashkimin Europian, ky dikush gabon çdo gjë. Sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme, përballë sfidave gjeopolitike që na qëndrojnë përballë, që Shqipëria jo vetëm të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por të jetë në zemër të saj, së bashku me të gjithë ne. E pra, përballë jo fundit të historisë, por ndryshimit të gjeografisë, politika e jashtme e Italisë ka dy shtylla të saj kryesore: Mesdheu, si vende të detit tonë, – pikërisht gjatë këtyre muajve të parë, ne kemi zhvilluar shumë iniciativa nga Tunizia, Algjeri, në Kajro dhe të gjitha që rrodhën nga Mesdheu – dhe në Ballkan, vendi që për një shekull ka qenë vend lufte dhe që sot është vend paqeje. E dua ta mbyll pikërisht kështu; në Uells, me Edin diskutuam, ai pati një fjalim mjaft të bukur gjatë takimit plenar me Presidentin Obama, Cameron, etj., ku ai theksoi se në vitin 2014, 100 vjet pas Sarajevës apo Luftës Botërore, mund të shihet sot një zonë e Ballkanit e aftë të ndërtojë paqen dhe të japë shanse, mundësi për zhvillim. Dhe bëri shumë përshtypje. Të gjithëve na preku kjo gjë. Më pëlqen të mendoj që viti 2014, ky vit që po mbaron, – përfitoj nga rasti t’ju uroj të gjithëve ju, – mund të jetë një rast i mirë për Europën që të jetë gjithnjë e më shumë shtëpia e shpresës dhe jo vetëm një vend ku flitet për detyrime. Sepse, nëse ne e bëjmë më të fortë ëndrrën europiane, atëherë do të jemi në gjendje t’u japim brezave të rinj entuziazmin dhe besueshmëri. Por, nëse do ta humbnim shansin për të qenë vetvetja, do të tradhtonim të shkuarën tonë dhe aq më keq, do të tradhtonim të ardhmen tonë. Ne jemi këtu sot, më 30 dhjetor, për t’ju thënë që kemi shumë dëshirë të ndërtojmë të ardhmen tonë së basku.

Ju falënderoj përzemërsisht. Do të shihemi në Itali, por jo vetën në Itali, edhe në Shqipëri, por sidomos teksa punojmë së bashku. Sepse do të punojmë që Shqipëria të jetë e shtëpisë në Europë dhe Europa të jetë e qytetarëve dhe qytetareve. Pra, të reshtë së qeni një vend vetëm i burokracisë, por të jetë një vend i shpresës dhe i ëndrrës. Pikërisht këtë gjë u përpoqëm të bënim edhe në ketë 6- mujor.

Faleminderit!

 

Kryeministri Rama e vlerësoi Italinë si partner strategjik, ju Kryeministri Renzi, si e klasifikoni Shqipërinë në kuadër të këtyre marrëdhënieve? Së dyti, a është folur konkretisht për një intensifikim të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare?

Kryeministri Renzi: Absolutisht është thelbësor roli i Shqipërisë dhe u përpoqa ta them edhe pak më përpara. Nuk është e rastësishme që ndodhemi këtu dhe është edhe dëshmi gjithashtu, se në disa vite ka ndërruar tërësisht marrëdhënia mes komunitetit shqiptar dhe komunitetit italian. Ka ndërruar me të vërtetë gjithçka dhe kjo është shumë e bukur. Është një histori integrimi dhe suksesi. Për ne, Shqipëria sot është një partner i natyrshëm dhe është një lojtar i rëndësishëm në zonën e Ballkanit dhe gjithashtu, ka një lidership inteligjent dhe karizmatik; jo sepse Edi ka qenë kryetar bashkie apo i përket botës së kulturës, por reformat e tij janë reforma që i shërbejnë Shqipërisë; jo sepse këtë e thotë Europa, por sepse këto reforma i shërbejnë popullit shqiptar.

Për ne, ju jeni me të vërtetë bashkëbisedues të natyrshëm dhe kjo është diçka e bukur dhe që kjo ndodh nga pikëpamja kryesisht komunitare. Gjithashtu, e gjej mëse të vlerësueshëm faktin që kemi një integrim të komuniteteve tona, sepse ne kemi një komunitet të madh shtetasish shqiptarë, por edhe familje të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe shtetas shqiptarë të cilët kanë lindur në Itali. Pra janë bij të një historie emigracioni që ishte një problem i madh në ’97-ën, ’98-ën, por tashmë është një histori suksesi dhe qetësie. Sigurisht që kjo nuk e nënvlerëson edhe aspektin ekonomik. Kemi folur përsa i përket disa mundësive dhe perspektivave. Kemi biseduar edhe për një bast, për bastin e integrimit që është një bast win-win, pra, që është një bast për të dy ne dhe nëse ne do të arrijmë të bëjmë të mundur një partnership, një bashkëpunim me realitetet serbe do të dilte akoma më shumë interesante. Sepse janë të shumta edhe sipërmarrjet e vogla e të mesme italiane që ndodhen këtu. Gjithashtu është një numër i madh punonjësish shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali. E pra, ne duam një implementim të mëtejshëm të kësaj historie.

Kryeministri Rama: Sigurisht që folëm edhe për bashkëpunimin ekonomik. Unë fola këtu për tre çështje konkrete, por bashkëbisedimi për bashkëpunimin ekonomik është i vazhdueshëm, është intensiv dhe mbi të gjitha është krejtësisht i natyrshëm në çdo kontakt që ne kemi me njëri-tjetrin, por edhe në gjithë punën e përbashkët që ne bëjmë me Italinë, falë edhe prezencës së një ambasadori të veçantë që është ambasadori Gaianni, i cili përfaqëson Italinë. Por nga ana tjetër, me shumë dinjitet dhe afeksion na ndihmon të përfaqësojmë interesat tona në komunikimin me sipërmarrjen italiane që, siç e dini, është një komunikim i vendosur dhe që po e ndjekim intensivisht përmes një kalendari etapash që kanë nisur në Veriun e Italisë, si fillim.

Dhe aq e vërtetë është kjo, sa unë jam i bindur që nëse ambasadori do të kërkonte shtetësinë shqiptare, ne do t’ia jepnim me shumë gatishmëri dhe madje do të ishim gati t’i propozonim edhe një vend si ambasador i Shqipërisë në Romë.

Përsa i përket aspektit tjetër, që ka të bëjë me përpjekjen tonë, unë mund të kisha folur, por nuk doja ta vija në vështirësi Matteon, duke u thënë sipërmarrësve italianë që hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk ka sindikata dhe hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk paguani më shumë se 15% të fitimit. Por këto unë ia them në vazhdimësi dhe kam mundësi t’ia them edhe në instanca të tjera. Kështu që nuk dua ta shqetësoj mikun tim dhe në Tiranë nuk ka ardhur që të kujtohet që ka sindikata në Itali, apo të shohë se s’ka sindikata në Shqipëri.

Kryeministri Renzi: Po bëja shaka. Po bëja shaka.

 

Mirëdita Kryeministri Rama. Mirëdita Kryeministri Renzi. Sfida që sapo keni kaluar sëbashku njëra, prej të cilave është sidomos ajo e tragetit që mori flakë. Një bilanc i këtij bashkëpunimi të parë mes Italisë dhe Shqipërisë ka fakte pozitive, fakti që ju keni shpëtuar jetë dhe madje shmangët një tragjedi të vërtetë. Por dhe mbi çështje të tjera si siguria në anije, ose më lini të them çështja e sigurisë në detin Adriatik. Kjo pyetje është për Kryeministrin Rama, por mund të përgjigjet edhe Kryeministri Renzi. Sa, kriza në Greqi mund ta cenojë apo të prish këtë ëndërr të Shqipërisë?

Kryeministri Renzi: Më lejoni të them që ne jemi shumë afër me lutjet, me dashuri dhe me solidaritet pranë familjeve të viktimave. Natyrisht, edhe pranë familjeve të bashkëkombësve tanë, të të gjithë atyre që humbën jetën dhe jemi pranë familjeve të të gjithë qytetarëve që humbën jetën në dritën e asaj çka ndodhi, pra, të zjarrit në tragetin “Norman Atlantic”. Prandaj, mendimi im është për familjet e marinarëve turq, të cilët vdiqën në afërsi të brigjeve italiane. Ishte një e diel e vështirë kjo e fundit. Përsa i takon shkaqeve përsa ndodhi, i takon magjistraturës të hedhë dritë mbi to.

Natyrisht i jam mirënjohës Kryeministrit Edi Rama, pasi bashkëpunimi ishte i menjëhershëm, si në orët e vështira, Ministri i Mbrojtjes u lidh menjëherë me Ministrin tonë të Mbrojtjes, zonjën Pinotti. Në një pikë të caktuar, ujërat shqiptare hynë në lojë. Qe shumë i mirë bashkëpunimi edhe me Kryeministrin e Greqisë Samaras. Edhe një herë shpreh ngushëllimet e mia për dy marinarët shqiptarë që humbën jetën, sot natën, në operacionet e shpëtimit. Këto familje kanë afërsinë e Qeverisë sime, por sigurisht edhe të asaj shqiptare. E rëndësishme është që çështja e krenarisë të mos tingëllojë pak ndryshe, sidomos pas fjalëve të dhimbjes që shprehëm ne. Është ajo krenari e të gjithë burrave dhe grave, të institucioneve shqiptare, italiane, greke, sidomos ato italiane në këtë rast, do të thosha unë, si institucionet e porteve apo të flotës, të gjitha këto institucione, të cilat ndërhynë në këtë situatë kaq të vështirë. E pra, pati momente me të vërtetë heroike. Më shumë se 400 jetë të shpëtuara në kushte moti veçanërisht të rënda, duke penguar në këtë mënyrë që zjarri të përhapej në mënyrë të pandalshme. Nëse kjo do të ndodhte, do të kishim pasur një masakër të vërtetë. Sigurisht kjo nuk do të thotë që familjet që kanë humbur një të afërm mund t’u kthehen të afërmit e tyre. Duhen përdorur fjalë vërtet të kujdesshme për të ndjerët, por edhe për familjet e tyre. Por shpëtimi, për mënyrën sesi u krye dhe në kushtet në të cilat u krye, ju garantoj që kur gjatë natës mes të dielës dhe të hënës na thanë se gjendja po përkeqësohej me shpejtësi, që zjarri po përhapej dhe kjo gjë kuptohej lehtë nga të gjithë rimorkiatorët që po i afroheshin, vërtet që ekzistonte rreziku që të kalohej, të përcillej mesazhi i braktisjes së anijes në atë orë të natës, në ato kushte, me më shumë se 300 udhëtarë në bord. Situata ishte vërtet e rëndë. U bë një punë shumë e mirë, punë për të cilën ne jemi krenarë. I takon magjistraturës të hedhë dritë, do ta bëjë një gjë të tillë. Sigurisht vajtojmë për viktimat, por edhe për sigurinë që është në një moment vështirësie, sidomos në këtë kuptim.

Greqia dhe Italia. Unë mendoj se në këtë rast Italia dhe Shqipëria dhanë prova, dëshmi të një efiçense shumë të mirë dhe të gjitha meritat u takojnë njerëzve që punuan për këtë. E them një gjë të tillë për të theksuar që në ditët që do të vijojnë do të doja të takoja edhe pilotin e helikopterit, që për orë të tëra bëri vajtje-ardhje mes anijes dhe bregut dhe personelin e anijes tregtare që për orë të tëra ka punuar. Dhe ruaj vërtet mesazhe miqsh, për ata udhëtarë që ishin rastësisht udhëtarë në ato tragete, të cilët ndërruan drejtimin dhe të cilëve iu kërkua që të mirëkuptonin. E pra, me atë zjarr, me ato kushte moti, deti, ere, edhe një herë, me ato kushte meteorologjike, bashkëkombësit tanë punuan në një mënyrë të tillë. E pra, kjo gjë na bën të jemi krenarë për cilësinë e kësaj pune. Natyrisht, faleminderit autoriteteve shqiptare për bashkëpunimin e plotë që dhanë dhe sigurisht, respektimin më të madh për magjistraturën.

Kryeministri Rama: Fatkeqësisht, sot mësuam lajmin e hidhur të humbjes së jetëve së dy marinarëve në rimorkiatorin shqiptar, që nuk ishin pjesë e Forcave të Armatosura siç u tha në fillim, por të thirrur në ndihmë për operacionin. I shpreh edhe unë ngushëllimet e mia familjeve, ashtu si dhe familjeve të të gjithë atyre që humbën jetën. Por dua ta theksoj, sepse e kam ndjekur dhe unë orë pas ore, zhvillimin e ngjarjeve, që në radhë të parë i detyrohemi një shprehje mirënjohjeje dhe falenderimi Matteo Renzit, për mënyrën sesi koordinoi dhe udhëhoqi një operacion tmerrësisht të vështirë, duke pasur parasysh që kushtet e motit ishin nga ato më të jashtëzakonshmet. Nga ana tjetër, dua të shpreh krenarinë për Forcat tonë të Armatosura, për ministren e Mbrojtjes, sëbashku me ministrin e Brendshëm, që u angazhuan dhe vërtet qëndruan në lartësinë e sfidës, duke dhënë një ndihmesë të vyer në kuadrin e një operacioni që përfshiu të tria vendet. Sigurisht që njeriu e ka gjithmonë të vështirë të gëzohet për atë që nuk ndodhi, por parë nga brenda zhvillimin e operacionit, vërtet është shmangur një katastrofë që mund të kishte përmasa të jashtëzakonshme. Dhe kjo i dedikohet pikërisht të gjithë atyre njerëzve që luftuan në vijë të parë, siç e tha Kryeministri, në kushte moti jashtëzakonisht kundërshtar dhe në kushte teknike të një anijeje që ishte marr peng nga flakët.

Përsa i takon pyetjes tjetër që lidhet me krizën greke, unë e kam ndjekur jo pa admirim përpjekjen e bërë nga Kryeministri Samaras dhe nga qeveria e koalicionit, për të adresuar një problematikë të mbingarkuar nga një e shkuar ku në vend të reformave u bënë shpenzime dhe në vend të qasjes ndaj problemeve, problemet u fshehën, duke e shtyre në vazhdimësi përballjen me realitetin dhe duke ua lënë dorë pas dore, qeverive të mëpasshme. Dhe besoj se ajo çka ka treguar kjo periudhë e vështirë për Greqinë është që jo vetëm që rruga e reformave është e pashmangshme, por edhe se sot është koha për të bërë reformat, të cilat qeveritë e mëparshme i kanë lënë për t’ia kaluar të tjerëve, duke u munduar të blejnë kohë dhe jo të konsumojnë pushtetin për t’ju dhënë mbrapsht njerëzve, atë që njerëzit kanë kërkuar me votën e tyre, por të konsumohen njëra pas tjetrës nga pushteti, duke diskretituar edhe vetë politikën, edhe vetë klasën politike.

Shqipëria është sot në kushtet e rimarrjes së rrugës së rritjes ekonomike. Vitin e kaluar e kemi mbyllur me një program shumë agresiv reformash, të rakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të përballuar një borxh të fshehur dhe po ashtu dhe një borxh të drejtpërdrejtë prej 720 milionë dollarësh në formën e punëve publike të papaguara, të shërbimeve të papaguara për spitalet, të shërbimeve të papaguara për shkollat, të tatimit mbi vlerën e shtuar të parimbursuar dhe jam shumë krenar që deri nesër paradite, ne do të kemi shlyer 400 milionë dollarë dhe vitin e ardhshëm do të kemi shlyer përfundimisht këto borxhe ndaj kompanive, që sollën një bllokim financiar dhe praktikisht në një rrëmujë të librave të llogarive të shtetit.

Nga ana tjetër kemi krijuar kushtet që të krijohet një model i ri zhvillimi. Shqipëria ka qenë e bazuar në rritjen e saj në dy burime që sot po shkojnë duke u shteruar, dërgesat e emigrantëve që kanë rënë në mënyrë drastike tanimë, vit pas viti, edhe sepse ata që janë dërguesit më të mëdhenj janë emigrantët në Greqi dhe në Itali që duhet prej disa vitesh të përballen me krizën edhe në vendin ku ata sot punojnë si kontribuues të rregullt dhe bumi i ndërtimeve. Të dyja këto nuk mund të konsiderohen më burime rritjeje, ndaj ne jemi kthyer nga aktivitetet prodhuese. Shqipëria fatmirësisht ka shumë potenciale, në energji, minerale, turizëm bujqësi dhe padyshim manifakturë dhe tek manifaktura kemi pasur një rritje të eksporteve prej 28%. Shohim një potencial të madh që eksportet të vazhdojnë të rriten, mirëpresim kompanitë italiane që po vijnë gjithnjë e më shumë drejt vendit tonë, për arsye se gjejnë një mjedis shumë të favorshëm, vetëm një orë larg Italisë, njësoj si të lëvizësh brendapërbrenda Italisë, të gjithë flasin italisht, një krah pune i gatshëm dhe në moshë të re, një sistem taksash shumë i thjeshtë, vetëm me 15% tatim fitimi, pavarësisht fitimit, pra, kemi një taksë të sheshtë 15% për kompanitë dhe padyshim, edhe një fleksibilitet në kontratat e punës, absolut, pa sindikata që na shqetësojnë dhe mbi të gjitha, duke vlerësuar meritën përmes punës.

Ndërkohë që, nga ana tjetër po ndjekim me shumë admirim dhe me shumë vëmendje gjithçka po bën qeveria e Matteo Renzit, për të adresar problemet e korrupsionit dhe të burokracisë. Ne kemi një problem të madh me korrupsionin dhe një problem të madh me administratën publike, që vjen edhe si rezultat i një sistemi të ngrirë normash që shfrytëzohen vetëm për të mos punuar.

Ndërkohë që përsa i përket Europës, ne besojmë shumë dhe shpresojmë shumë që Europa do të jetë shumë më pranë shpresave të njerëzve, sesa frikës së njerëzve, do të jetë shumë më tepër një forcë që promovon shpresën, sesa një forcë që nxit frikën.

 

Të nderuar shkëlqesi kryeministra, ju në të shkuarën keni të përbashkët faktin se e keni qenë kryebashkiakë, tani jeni kryeministra dhe po ashtu jeni ndjekës të politikave të Tony Blair, por partitë e majta që ju drejtoni ju akuzojnë se reformat që po ndërmerrni janë të djathta. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?

Kryeministri Renzi: Që nuk është e vërtetë.

Kryeministri Rama: Është absolutisht e pavërtetë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.