Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Duke i falënderuar të gjithë ministrat që sollën një përmbledhje, shumë pak të detajuar të një pune shumë voluminoze, do të doja të thoja dhe unë disa gjëra, duke rikujtuar që vetëm 100 ditë më parë, kjo Qeveri e mori mbështetjen e Kuvendit që të rilindë Shqipërinë, duke ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit, mirëqenies dhe të integrimit.

Ne besojmë se themeli i kësaj rruge është mirëqeverisja. Kushti i parë i mirëqeverisjes është transparenca. Në këto 100 ditë kemi vendosur si duhet gurin e parë të themelit të mirëqeverisjes. Jemi përkushtuar të qeverisim me transparencë dhe të modernizojmë qeverisjen, si edhe të gjithë shtetin përmes transparencës. Në këto 100 ditë e kemi treguar si duhet me vepra këtë përkushtim. Ne jemi të vetëdijshëm se publiku pret më shumë prej nesh. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se kufijtë e durimit të njerëzve, pas shumë vitesh zhgënjimi dhe rrënimi moral, ekonomik, social, janë tkurrur shumë. Në këto 100 ditë e kemi kuptuar këtë përditë e më mirë.

100 ditë janë shumë pak për të përmbushur të gjitha pritshmëritë nga një qeveri dhe pas një vote popullore. Por, janë mjaft për të treguar se pritshmëria më e parë, ajo e nevojës së njerëzve për një qeveri të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit është përmbushur. E pra, ne besojmë se në këto 100 ditë ne e kemi përmbushur këtë pritshmëri, ashtu siç kemi përmbushur, padyshim, edhe disa pritshmëri shumë të rëndësishme që kanë buruar nga programi i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.

Ky raportim i sotëm që do të dalë ende më i detajuar edhe online, në formën e një raporti për publikun, tregoi shumë përmbledhurazi se çfarë ka bërë qeveria jonë brenda 100 ditëve.

Ne i kemi përmbushur objektivat tona të 100 ditëve. Disa gjëra kanë qenë më të dukshme në sytë e publikut, disa të tjera më pak. Të tjera akoma, njerëzit do t’i prekin vetë, me hyrjen në fuqi të buxhetit 2014, ndërsa shumë të tjera janë pikënisje punësh që do të marrin kohën e tyre. Përgjithësisht, nuk u fol për këto të fundit dhe me të drejtë. Por, e rëndësishme mbetet që sipas nesh, tërësia e rezultateve të punës së 100 ditëve përvijon konturet e një modeli tjetër, e një modeli evropian të mirëqeverisjes. Është pa dyshim vetëm embrioni i modelit që ne do ta zhvillojmë hap pas hapi, në funksion të programit tonë; në funksion të nevojave prioritare të publikut; në funksion të nxitjes së vazhdueshme të nismave dhe të sipërmarrjeve të reja në çdo fushë, si dhe pa dyshim në funksion të dinamikës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, ky raport publik i 100 ditëve, synon patjetër që ta nxisë vështrimin kritik të qytetarëve dhe të bëhet mjet komunikimi, jo vetëm i Qeverisë me qytetarët, por edhe i qytetarëve me Qeverinë. Prandaj, ne shpresojmë që pas kësaj paraqitjeje, si dhe të leximit më të vëmendshëm të këtij raportimi online, të kemi sa më shumë kritika, vërejtje, sugjerime për çfarë mund të ishte bërë më mirë. Apo ende më e rëndësishme në fakt, se çfarë duhet të bëjmë më shumë edhe më mirë, qoftë deri në kufirin e ri të 300 ditëve, qoftë në përgjithësi për kohën në vijim.

Ne kemi besuar dhe besojmë edhe më shumë sot, pas 100 ditëve në qeveri; se libri i trashë i gabimeve që kemi trashëguar nga paraardhësit në qeveri, sot kundërshtarët tanë në opozitë; është një ndihmë e paçmuar që ata na kanë dhënë për të punuar, duke gabuar më pak dhe në radhë të parë duke mos i përsëritur gabimet e vjetra. Kjo ka bërë ndryshimin e qasjes sonë  ndaj problemeve të parlamentarizmit. Ndaj dua ta falënderoj Kryetarin e Kuvendit, pasi besoj që ajo çka ka ndryshuar në Kuvend, si qasje ndaj parlamentarizmit është themeltare për atë që vjen më pas, në qasjen e Qeverisë ndaj sigurisë, ndaj ekonomisë kombëtare dhe familjare; ndaj shërbimeve dhe administratës publike, duke e bërë të tërë këtë qasje më të thjeshtë, falë leximit të vëmendshëm të gabimeve të paraardhësve tanë dhe pa dyshim, duke na ndihmuar që t’i arrijmë më lehtë objektivat e 100 ditëve. Mbi të gjitha në përmbushjen e prioritetit të prioriteteve. Një qeveri e njerëzve, një qeveri me njerëzit, një qeveri për njerëzit.

Nuk dua të marr shumë kohë, duke përsëritur gjëra që përgjithësisht u thanë, por dua të nënvizoj çka është bërë konkretisht për të çuar përpara projektin tonë dhe për ta ndërtuar rrugën e qeverisjes mbi vizionin që mishëron programi ynë, lidhur me shërbimet publike.

Ne kemi besuar gjithmonë dhe sot jemi të thirrur në provë nga publiku për të provuar se modernizimi tërësor i shërbimeve publike, duke filluar nga funksionimi i administratës, si mishërim i kulturës demokratike të ushtrimit të pushtetit, është në fakt pjesa e munguar në vite e luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe kundër mungesës së përgjithshme të efiçencës së shërbimeve.

Konkurrenca dhe vlerësimi i meritës, në kushtet e një transparence sa më të plotë, janë vlerat që ne sapo kemi nisur ta bazojmë këtë proces që do të marrë kohën e vet. Krijimi i mundësive të barabarta është qëllimi që orienton veprimin tonë për të vënë nevojën e qytetarit të zakonshëm, në qendër të procesit të modernizmit të shërbimeve publike.

Rritja e shkallës së përgjegjshmërisë sociale, në respekt të lirive dhe të të drejtave kushtetuese të njerëzve dhe mbrojtjes së shëndetit publik, mjedisit të përbashkët, si dhe atyre më në nevojë, është pa dyshim shtysa natyrale e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” që në boshtin e vet ka Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim që janë dy forca të krijuara dhe që jetojnë në emër të përgjegjshmërisë sociale.

Praktisht, në 100 ditë ne e kemi garantuar tanimë që qysh prej 1 janarit, 800 mijë njerëz mes moshës 40 dhe 60 vjeç do të marrin vizitën mjekësore falas. E kemi garantuar tanimë, pas kaq e kaq vitesh, kur janë shpenzuar jo pak para, për të bërë farsa propagandistike me kancerin e gjirit. Që nga 1 janari, 30 mijë gra dhe vajza statistikisht, as nuk merrnin dot ekzaminimet gjatë shtatzënisë, as nuk bënin dot vizita për kancerin e gjirit për shkak të pamundësisë dhe varfërisë, do t’i bëjnë falas.

Ne kemi garantuar rinormalizimin, pas një periudhe absolutisht të papranueshme, për të mos thënë fjalë të tjera, të muajve paraelektoralë, të bllokimit të plotë të sistemit të shërbimit nëpër spitale, duke rifurnizuar spitalet me ilaçe dhe duke garantuar që në të gjithë spitalet të fillojë një shërbim normal sipas të shkuarës, jo normal sipas asaj që do të jetë pas 4 vjetësh.

Kemi garantuar që hapësirat publike të spitaleve t’i kthehen spitaleve, t’i kthehen të sëmurëve, t’i kthehen njerëzve në nevojë dhe të mos mbeten hapësira pazaresh, ku zhvillohet aktivitet tregtar mes pisllëkut dhe rrëmujës. Vetëm në QSUT kemi mbjellë 650 pemë, aty ku kishte dhjetëra e dhjetëra ngrehina që zhvillonin aktivitet tregtar.

Në arsim, krahas kantiereve që janë hapur për reformat e mëdha të arsimit që do të kërkojnë kohën e tyre dhe do të jenë temë e debatit vitin e ardhshëm, ne kemi bërë të njëjtën gjë. Kemi çliruar shkollat nga aktiviteti tregtar dhe njëkohësisht, i kemi dhënë rrugë projektit kryesor që ne kemi për arsimin parauniversitar, ndërtimit të shkollës si qendër komunitare. 36 projekte pilot kanë nisur duke përfshirë Qeverinë, trupën mësimore dhe prindërit për ta vënë shkollën, në shkallë vendi më pas, në shërbim të komunitetit dhe të mjedisit, të lagjes përreth, por dhe të kulturës, artit dhe sportit në komunitet.

Përzgjedhja e drejtorëve të drejtorive rajonale me konkurs të hapur dhe me finale publike, bazuar në gjykimin e jurive, ku ishin të përfshirë edhe mësues në pension që kanë lënë gjurmë në jetën e atyre komuniteteve, edhe profesorati, është vetëm hapi i parë. Kështu do të vazhdojmë me zyrat arsimore, kështu do të vazhdojmë me drejtoritë e shkollave, kështu do të vazhdojmë edhe me mësuesit e rinj që do të merren në punë. E kemi premtuar. Ka vetëm një mënyrë, besojmë ne, për ta mbrojtur mësuesin dhe shkollën, sado të flasë politika, sado të flasë qeveria. Është interesi i prindërve, për t’u dhënë fëmijëve mundësinë që të kenë mësuesit e duhur. E pra, përfshirja e asambleve të prindërve në përzgjedhjen e mësuesve, duke patur dhe ata të drejtën e votës, ku mësuesit të merren në konkurs, do të jetë një garanci që të mos ketë më kurrë mësues që ju mohohet e drejta për të dhënë mësim apo që ju hiqet e drejta për të dhënë mësim për arsye politike.

Kemi ndaluar kurset private me pagesë. Shkollat tona ishin bërë mjedise, ku zhvilloheshin kurse private pas mësimit, me lekë. Sot nuk ka më kurse private. Janë të ndaluara! Në rast se sot dikush i zhvillon, ndëshkohet me ligj. Në vend të tyre, kemi filluar shërbimin e asistencës falas pas mësimit, për ata që janë në nevojë për këtë asistencë.

Është përcaktuar, falë mbështetjes së qeverisë britanike edhe rruga se si do të fillojmë që vitin tjetër nëpërmjet një agjencie ndërkombëtare të akredituar dhe të mirënjohur botërisht, akreditimin e universiteteve.

Përgjegjshmëria jonë sociale është treguar qysh në ditët e para të 100-ditëshit, kur ata 300 romë të shkretë, rrinin në mes të rrugës, atje poshtë tek kthesa. I shikonte gjithë shoqëria, i shihte pa dyshim dhe gjithë qeveria, por qeverisë nuk i vëmë faj se s’kishte më sy për të parë, se po ikte nga sytë këmbët ato ditë dhe s’dinte çfarë të merrte më përpara nga ato që ka lënë mbrapa. Ne bëmë të mundur që ata sot të jenë një komunitet normal me strehim, me shërbim shëndetësor, me shkollim.

Po ashtu gjetëm para nesh pamundësinë për të paguar 165 mijë njerëz me aftësi të kufizuar që nuk paguheshin që nga muaji korrik. Se këta thonë që jua lamë lekët. Por në qoftë se na i lanë, përse nuk ua dhanë atyre që në muajin korrik? Pse nuk jua dhanë atyre në gusht? Përse nuk jua dhanë atyre në shtator? E pra, domethënë që nuk na i lanë, i morën lekët. Edhe për 100 mijë familje në ndihmë ekonomike, me vështirësi shumë të mëdha, edhe sot ne jemi të gatshëm të themi me plot gojën që brenda 100-ditëshit garantuam që në muajin dhjetor ata ta marrin të gjithë pagesën për dhjetorin. Kemi garantuar me buxhetin e ri, që nga janari asnjëherë më të mos vonohen pagesat e tyre. Ndërkohë që, po pastrojmë edhe skemën për të mos lejuar më që të tjerët të futen si invalidë dhe të vijnë me vrap dhe me mercedes për të marrë pagesën e invalidit. Ashtu sikundër për të mos lejuar që familje të varfra të vihen në shantazh, “e merr, s’e merr ndihmën ekonomike”, në varësi nga vota për kryetarin e komunës.

Modernizmi i sistemit është A-ja dhe Zh-ja e ndryshimit që ne do të sjellim në shërbime. Nga viti i ardhshëm do të fillojmë ta bëjmë sistemin e përfshirjes në ndihmë ekonomike dhe në aftësinë e kufizuar, objektiv. Ta bëjnë këtë gjë kompjuterët, bazuar në kriteret që u jepen dhe bazuar mbi një mekanizëm që bashkërendon të gjitha të dhënat e individit. Për individë që janë pronarë tokash, për individë që janë pronarë makinash, për individë që gëzojnë gjëra që normalisht nuk i gëzon një njeri në ndihmë ekonomike, e thotë kompjuteri që nuk e meriton dhe nuk e thotë partia.

Më tutje është hera e parë që pas kaq shumë e shumë vitesh, brenda 100 ditësh, një qeveri të arrijë dhe të tregojë se është aty për ta marrë në mbrojtje konsumatorin.

Brenda 100 ditëve janë ndaluar therjet e kafshëve nëpër rrugë. Therjet e kafshëve, ku të mundeshin ata që i thernin dhe nuk kuptohej kush ishte kafsha në atë mes. Sot jemi në kushtet kur po vihet në efiçencë edhe procesi i sigurisë së mishit të blerë përmes gjithë verifikimeve dhe stampave të nevojshme. Kemi marrë brenda 100 ditëve bekimin e shumë qytetarëve në Krujë, se kishin 20 vjet që nuk hapnin dot dritaret dhe sidomos në vitet e fundit mezi gjenin rrugën për në Krujë nga tymi dhe nga mjegulla e guroreve dhe e furrave të gëlqeres. Kemi marrë në mbrojtje Krujën, Gjirokastrën dhe Beratin, ku nuk lejohen më abuzime të tilla, ku është ndaluar çdo ndërtim i ri dhe ku një plan i ri transformimi, duke filluar nga mbrojtja, do të vihet në jetë nga viti që vjen.

Nuk po flas për Vlorën, sepse foli më mirë se unë ajo zonja që kishte parë detin pas 20 vjetësh, po dua të theksoj pjesën që ka të bëjë me korrupsion dhe me krimin. Kanë folur vetë përditë dhe në mënyrë buçitëse faktet, provat, arrestimet, kallëzimet për atë që në fakt kemi gjetur, dhe për atë që ndeshim dita-ditës.

Në 100 ditë flasin shifrat, shifra të pakontestueshme të luftës kundër kriminalitetit dhe të luftës kundër korrupsionit. I dëgjuat shifrat nuk dua të zgjatem më tutje me to, por një gjë është e sigurt se vetëm nga një miradministrim shumë bazik i doganave dhe tatimeve në 2 muaj të këtij 100 ditëshi kemi rritur me 3.6 miliardë lekë buxhetin e shtetit, krahasuar me një vit më parë.

Këto janë prova të pakontestueshme të asaj që ka ndodhur me paranë e shqiptarëve në të gjitha frontet dhe në çdo hap të qeverisjes së atyre që sot janë në opozitë. Unë i kuptoj kur ngrenë zërin, sepse dhimbjet e brendshme të tyre janë lehtësisht të marrshme me mend se nga u vijnë për ne që ndeshemi në çdo pjesë të frontit të kësaj lufte me gjithfarë abuzimesh dhe gjithfarë lidhje pas lidhjesh që të gjitha pastaj shkojnë e i lidhin në një pikë aty ku burojnë edhe ulërimat më të mëdhaja kundër nesh. Dua të vë theksin tek ajo që ne kemi filluar të bëjmë, Ministri i Drejtësisë nënvizoi në formë vullneti dhe në formë përpjekjesh të Qeverisë për të ndikuar qoftë në legjislacionin ekzistues, qoftë edhe në aksesin e qytetarëve në drejtësi. Por, reforma në drejtësi nuk është dhe nuk mund të jetë një reformë ekskluzive e Qeverisë. Reforma në drejtësi është dhe duhet të jetë një reformë, ku të përfshihen të gjithë. Parlamenti, pa dyshim, njerëzit e sistemit nuk diskutohet, miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë po ashtu dhe e gjithë shoqëria, sepse sado të bëjmë secili në pjesën e vet, nëse ne nuk e atakojmë në zemër, një sistem korporativ që është kthyer në një sistem fitimprurës për ata që sot gëzojnë privilegje dhe marrin peng interesa të më të dobëtëve, atëherë kjo korporatë jo vetëm do të mbysë përfundimisht drejtësinë, por do të mbysë çdo shpresë tek një Shqipëri e drejtë, ku drejtësia jep drejtësi dhe ku e drejta nuk është mall që blihet sipas nevojës, por është shërbim kushtetues që i jepet të gjithëve sipas asaj që ju takon nga libri themeltar i bashkëjetesës sonë në këtë vend.

Zhvillimi ekonomik është qartësisht një sfidë që lidhet me modelin. Ne trashëgojmë një model ekonomik tipik për tranzicione dhe kemi mbetur i vetmi dhe i fundit vend në tranzicion nga pikëpamja e modelit ekonomik, me rritje ekonomike pa punësim dhe ndërkohë me burime rritjeje që sot po shterojnë, qoftë të ardhurat nga emigrantët, qoftë të ardhurat nga bumi në ndërtime që tanimë i përket të shkuarës. E pra, na duhet një model i ri zhvillimi. Zhvillim i qëndrueshëm me burime të reja rritjeje ekonomike dhe sigurisht burimet e reja të rritjes ekonomike janë aty. Janë aty dhe janë të shpërdoruara në mënyrë kriminale. Foli Ministri i Energjisë për shpërdorimet në fushën e sektorit të naftës, në fushën e sektorit të minierave dhe po ashtu janë aty edhe në shpërdorimin që i është bërë tokës, janë aty edhe në shpërdorimin që i është bërë bregdetit, janë aty edhe në shpërdorimin që i bëhet pasurive tona kulturore, sepse të gjitha këto janë burime tona të rritjes. Tek të gjitha këto, ne do të kërkojmë rritjen, paralelisht me stimulimin e investimeve që krijojnë punësim, që prodhojnë që të krijojnë kushte që ato shifrat përqindjet e rritjes të jenë të shoqëruara me rritje të numrit të njerëzve që jetojnë drejtpërdrejt me punën.

Ne e kemi thënë dhe kemi qenë shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët; Taksa e sheshtë për ne është grabitje, thjesht dhe qartë. Taksa e sheshtë për ne është padrejtësi. Taksa e sheshtë për ne është e papranueshme. Ne e kemi hequr taksën e sheshtë. Falë heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së një sistemi taksimi të ndershëm që nga 1 janari do të përmbyset piramida e derisotme për të gjithë ata që taksohen për të ardhurat e tyre personale dhe do të kemi një tjetër piramidë, ku kush është më lart në piramidën e të ardhurave do paguajë më shumë dhe kush është më poshtë drejt bazës do paguajë më pak. Paralelisht, me këtë ne kemi qenë gjithmonë të qartë që kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe sigurisht që 15% tatim fitimi për kompanitë është një taksë shumë e ulët edhe në rajon, edhe në Evropë. Nuk përbën asnjë lloj rritjeje të paarsyeshme dhe asnjë lloj cënimi të xhepit të ekonomisë që ka të bëjë me kompanitë, por sigurisht ne mirëkuptojmë dhe e kemi ftuar dhe përsëri e ftojmë biznesin e madh të bashkohet me ne në luftën kundër informalitetit. Në luftën që vjen nga pabarazia, disa paguajnë, disa s’paguajnë dhe mos t’i cënojë ata që paguajnë siç i cënon deri më sot. Ndërkohë ata e dinë më mirë se të gjithë, çfarëdo që të thonë në publik, se ajo që kanë paguar deri dje ka qenë shumë më tepër se 10%, shumë më tepër se 15% dhe nuk ka shkuar në xhepat e shtetit, ka shkuar në xhepat e pushtetit në formë gjobash arbitrare, në formë ryshfetesh, në formë mitmarrjeje të dhunshme. Kjo është e vërteta. Pra, në këndvështrimin tonë ne e kemi ulur edhe për ta taksën që i paguajnë shtetit në formën e tatimit të fitimit në këtë rast.

Pa dyshim që 100-ditëshi do të kishte qenë perfekt në qoftë se do të ishte kurorëzuar me statusin e kandidatit, edhe pse e kemi thënë dhe pa dyshim e përsëris edhe sot nuk do të ishte arritja jonë ekskluzive. Ne thjesht bëmë çmos në 100 ditë që t’i jepnim atë shtysë që mungonte për ta merituar statusin, bazuar në çka është shprehur Komisioni 1 vit më parë dhe bazuar në gjithçka kemi dëgjuar nga miqtë dhe partnerët tanë që nga fillimi i 100-ditëshit. Nisma për dialog të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian që Komisioneri Fyle e vlerësoi si nismën e dialogut të nivelit të shkëlqyer, ishte njëri nga hapat e kërkuar prej kohësh dhe që ne e realizuam falë edhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Ministres së Integrimit me shumë përkushtim në gjithë këtë proces. Plani Strategjik i Veprimit për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsëri ishte një domosdoshmëri e shkuar dhe u realizua në një kohë rekord. Po ashtu, edhe krijimi i sektorit të Shoqërisë Civile në Ministrinë e Integrimit ishte një risi që u përshëndet. Por, të gjitha këto nuk ishin çka e kishin penguar Shqipërinë deri dje të merrte statusin. Të gjitha këto ishin plotësuese për të marrë vlerësimin e lartë që morëm dhe sigurisht, vendimi për marrjen e statusit në qershor nuk ishte vendimi më i mirë që BE mund të merrte. As për rajonin nuk ishte gjëkundi vendimi më i mirë. S’ka dyshim që ne na vjen mirë, më vjen mirë mua, i vjen mirë të gjithë ministrave, i vjen mirë gjithë përfaqësuesve të shumicës parlamentare që puna e saponisur e Qeverisë së re është vlerësuar me notat më pozitive, nga vendet anëtare. Gjë që na është ritheksuar qoftë në bisedën e drejtpërdrejtë me Komisionerin Fyle pas marrjes së vendimit, marrjes së vendimit për të mos marrë vendim, qoftë në takimin që së bashku me Ministrin e Jashtëm dhe Ministren e Integrimit kemi patur me ambasadorët e Bashkimit Evropian para dy ditësh. Mbetemi të keqardhur që opozita vazhdon “ia mbyt katundit” siç i thonë lidhur me çështjen e statusit, ndërkohë që vetë kushtet e vështirësuara prej situatës brenda disa vendeve anëtare të BE-së mund ta kishin bërë opozitën më solidare jo me Qeverinë natyrisht, por me shqiptarët përballë qëndrimesh të papranueshme që mbajtën haptazi ndaj nesh në vigjilje të vendimmarrjes, përfaqësues forcash ekstremiste antievropiane në disa vende anëtare. E kam dëgjuar udhëheqësa dhe udhëndjekësa të Partisë Demokratike të na akuzojnë si eurofobë, se po hedhim baltë mbi Evropën. Jo! Ne thjesht kemi refuzuar të pranojmë në heshtje fyerjet dhe kategorizimet e papranueshme që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në prag të vendimmarrjes, jo nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, po nga forca dhe individë që ëndërrojnë hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit Evropian dhe deri edhe daljen nga euroja apo nxjerrjen e vendeve të tyre jashtë BE-së. Kësi forcash, fatkeqësisht, po rriten nëpër sondazhe në vendet e tyre dhe zërat e kësisoj individëve është fakt se arrijnë ta ndikojnë për keq edhe fatin në tërësi të politikës evropiane të zgjerimit. Kjo është e vërteta. Është një e vërtetë e njohur botërisht. Nuk është shpikje e jona, siç ishte për shembull albanofobia që ishte shpikje ekskluzivisht shqiptare. Nëse për opozitën këto forca janë të dëshiruara, sepse pengojnë përveç shumë gjërash brenda BE-së edhe rrugën tonë të integrimit dhe kështu opozita mund të fajësojë Qeverinë apo mua vetë për mosmarrjen e statusit me shpresënë në fakt të varfërë se do nxjerrë ndonjë pikë uji për mullirin e vet në këtë thatësirë të madhe për të. Kjo është zgjedhja e opozitës. Ndërsa unë vetë mes heshtjes kokulur ndaj deklaratave të atyre që në çfarëdo gjuhe të Evropës e akuzojnë haptazi Shqipërinë si çerdhen e gjithë të zezave dhe thënies shqip të së vërtetës, se këto lloj forcash dhe jo Shqipëria janë problemi i Bashkimit Evropian, sot nuk preferoj heshtjen tinëzare për motive politike të brendshme, po shqipen e qartë, shqipen evropiane të Naim Frashërit që ia ka thënë këtij kombi kaherë se dielli i shqiptarëve lind nga perëndimi. Shqipen evropiane të Fan Nolit që e bëri Shekspirin të flasë edhe shqip dhe foli për të gjithë shqiptarët gjuhën evropiane të integrimit në Evropë ende pa aguar Bashkimi Evropian. Shqipen evropiane që në Shqipëri e flasin njësoj në harmoni myslimanë dhe të krishterë, në emër të të cilëve si Kryeministër i këtij vendi e refuzoj me përçmim abuzimin që bëjnë në fenë e shqiptarëve, këto lloj forcash dhe individësh që s’kanë asnjë lidhje me idealin e etërve themelues të Bashkimit Evropian.

Dua të jem prapë shumë i qartë dhe në shqipen evropiane dua ta përcaktoj sot rrugën tonë drejt Familjes Evropiane me fjalët e njërit prej mendjendriturve më të mëdhenj të Evropës që ia kushtoi jetën dhe kaloi mes shumë peripecish për të çelur rrugën e Bashkimit Evropian, Jean Monnet, i cili thoshte “nuk jam optimist, por jam i vendosur për Bashkimin Evropian”. Rrugën e fatit evropian për atdheun tonë e kanë shkruar gjeografia, historia, gjaku, letrat dhe stërmundimet e njerëzve tanë që nga rilindasit e kombit, tek heronjtë e çdo beteje për kombin shqiptar, që nga dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare, tek martirët e diktaturës komuniste, që nga emigrantët e parë të ambasadave dhe studentët e dhjetorit, pak pas tyre, tek artistët që shkëlqejnë nëpër botë dhe tek çdo shqiptar i zakonshëm që në tërë këto vite ka ëndërruar Evropën dhe ka ndërtuar një copëz sado të vogël Evrope, qoftë këtu në Shqipëri për vendin apo për familjen e vet, qoftë jashtë Shqipërisë. Rrethanat e reja në Evropë prodhojnë, fatkeqësisht, gjithnjë e më pak optimizëm për Bashkimin Evropian dhe gjithnjë e më shumë “enlargement fatigue” siç e quajnë atyre anëve lodhjen nga zgjerimi, ndërsa për ne prodhojnë përditë dhe më shumë vendosmëri. Vendosmëri jo për t’u mbushur mendjen atyre që do të na gjykojnë në Bruksel për progresin e bërë, por për të ndërtuar çdo ditë për popullin tonë rrugën e Shqipërisë Evropiane. Vendosmëri për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur në sytë e mbarë botës. Vendosmëri për të ecur më shpejt në rrugën që kemi nisur në këto 100 ditë, për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare dhe familjare të shqiptarëve. Vendosmëri për dialog për të dëgjuar me vëmendje të tjerët, opozitën, sipërmarrjen, grupet e interesit, shoqërinë civile, përpara se sa të marrim vendimet që e kemi ne peshën e përgjegjësisë t’i marrim për çka është në kompetencat e Qeverisë. Vendosmëri për të marrë përgjegjësi për të bërë ne të parët detyrën karshi Kushtetutës, ligjit, palëve të tjera të interesuara sipas çështjeve dhe rasteve dhe pastaj për ta kërkuar deri në fund marrjen e përgjegjësisë edhe nga të tjerët. Vendosmëri për të krijuar dhe forcuar partneritete në çdo drejtim dhe për çdo sfidë për të ndërtuar së bashku me të tjerët falë dialogut dhe përgjegjësive respektive rrugën e re të Shqipërisë së gjeneratës tjetër. 100 ditë pasi u ulëm në shërbim të zgjedhësve dhe për Shqipërinë e gjeneratës tjetër në tryezën e qeverisë së vendit, ne edhe falë refuzimit për të na e dhënë statusin tani dhe për të na e lënë në qershor, jemi ende më të vendosur dhe ende më besimplotë se ç’ishim që jo vetëm do t’ia dalim të mbajmë çdo zotim që kemi marrë përpara shqiptarëve, por do t’ia dalim që në katër vjet të transformojmë imazhin e të huajve për Shqipërinë, atdheun tonë të përbashkët.

 

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin e prezantimit të punës së 100 ditëve të para të qeverisjes.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.