Jemi votuar për transformim rrënjësor të Shqipërisë

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama sot më gazetarët:

-Zoti Kryeministër, jemi sot përballë faktit të ndërprerjes së një marrëdhënieje të një ministri me Qeverinë. Nga diskursi, ju e dini, që në qeveritë europiane ndodh shumë shpesh riformatimi i kabinetit qeverisës. Do të doja të dija nëse në të ardhmen a do të ndodhë kjo me qeverinë tuaj?

Në fakt, në vendet serioze riformatimi nuk ndodh shpesh. E, në rastin konkret, nuk ka pasur asnjë sekondë në këto treqind e pak ditë që unë të kem menduar për riformatimin. Përkundrazi, mund t’ju them me sinqeritetin më të plotë se më vjen keq vetëm për një gjë, që asnjëherë nuk kam pasur kohën e mjaftueshme për t’ju shprehur të gjithë ministrave dhe ministreve të qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” mirënjohjen time për përkushtimin e tyre të plotë dhe vlerësimin tim për faktin se falë kontributit të gjithsecilit janë arritur një më një të gjithë objektivat e 300 ditëshit në çdo sektor.

 

-Dje Parlamenti mbylli punimet, duke votuar një reformë, reformën territoriale, pa votat e opozitës. Reforma në Drejtësi që do të nisë në shtator, a jeni të vendosur ta bëni bashkë me opozitën?

Mua më rezulton ndryshe. Reforma është votuar pa votat e Partisë Demokratike, por jo pa votat e opozitës. Sepse, Partia Demokratike, pa asnjë dyshim, është opozita më e madhe e vendit, por nuk është në zotërim të monopolit të opozitës. Dje, me reformën janë bashkuar në një seancë debati dhe votimi edhe përfaqësues të partisë së dytë më të madhe të opozitës, të cilët gjej rastin t’i falenderoj për qasjen konstruktive ndaj një procesi, ku kam keqardhjen më të plotë për Partinë Demokratike dhe, i cili është kurorëzuar me një sukses të plotë vetëm dje, në ditën e fundit të sesionit. Jo sepse ne nuk mund ta bënim atë më parë, por pikërisht sepse kemi pritur deri në sekondën e fundit Partinë Demokratike. Nga ana tjetër, pritja jonë ka kufi objektivat tanë. Ne nuk do të cedojmë në asnjë objektiv duke pritur. Ne do të bëjmë gjithçka në rrugën drejt objektivit për të dëgjuar, por ne do të udhëheqim. Ne kemi marrë mandatin për të udhëhequr dhe jo për të pritur.

 

-Zoti Kryeministër, me 5 votat e PDIU-së ndjehet më e fuqishme mazhoranca? Do të vijojnë këto vota edhe në reforma të tjera, të ngjashme?

Unë fuqinë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” nuk e llogaris me numrat në Parlament, por e mbështes tek 1 milionë votat që i dhanë “Aleancës për Shqipërinë Europiane” të drejtën që të qeverisë dhe privilegjin që të shërbejë. Që do të thotë se, për sa kohë objektivat ne i realizojmë në funksion të mandatit që kemi marrë në 23 qershorin e shkuar, kjo nuk është një shumicë me 84, 85, 88 apo nuk e di sesa vota, por është një shumicë me të paktën 1 milion vota.

 

Dje ju arritët që ta realizonit reformën, por u duk sikur pati një përplasje të fortë me një nga aleatët me të cilët ju keni nisur rrugëtimin 300 ditor, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila kishte deklaruar se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e saj, mund të dalë nga koalicioni. A keni pasur një komunikim për këtë dhe a do të ndjeheshit të keqardhur në rast se zoti Dule do të largohej nga koalicioni juaj?

Së dyti, kaluat një ditë më parë, falë 84 votave, edhe ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të bëhej kujdes dhe të mos nxitohej me realizimin e reformave që nuk duhen bërë brenda një nate. A do të ndodhë kështu edhe me reforma të tjera dhe pse u nxituat kaq shumë edhe me këtë ligj për KLD-në?

Së pari, Vangjel Dulen unë nuk e kam bërë mik në koalicionin qeverisës. E kam pasur mik më parë, pavarësisht se në ç’koalicion ka qenë dhe do ta kem mik gjithmonë, pavarësisht se në ç’koalicion do të jetë. Sigurisht që, do të isha i keqardhur nëse një reformë historike, me të cilën duhet të ndjehet mirë çdo shtetas shqiptar dhe jo vetëm shtetas shqiptar me kombësi shqiptare, por edhe shtetasit shqiptar me kombësi greke, të ishte sebep për t’u larguar nga koalicioni. Sepse do të ishte, në rastin më të mirë, mungesë objektiviteti në vlerësimin e një reforme që do të ndryshojë përgjithmonë Shqipërinë.

Nga ana tjetër, sigurisht, ne jemi në një koalicion, por nuk jemi në një kazermë. Subjektet e koalicionit kanë këndvështrime që jo gjithmonë përkojnë me njëri-tjetrin dhe në këtë rast këndvështrimet tona ishin të papërkueshme, sepse për ne ka qenë, është dhe mbetet e qartë se Himara nuk është çështje më shumë se ç’është Tropoja, Dibra, Shkodra, Durrësi, Tirana, Elbasani, Korça dhe të gjitha bashkitë e tjera të Shqipërisë. Në këtë pikë nuk ka asgjë më shumë për të shtuar. Në ndërkohë, me reformën e djeshme, Shqipëria jep një shembull të shkëlqyer për të gjithë fqinjët dhe padyshim, si një vend europian në Europë. Sepse, garanton në një mënyrë absolutisht bujare dhe largpamëse një trajtim absolutisht të posaçëm për minoritetet. Janë 61 bashki, që tanimë përbëjnë korpusin e qeverisjes vendore në Shqipëri. Por të mos harrojmë se, në fakt, janë 58 bashki të krijuara në bazë të kritereve të zonës funksionale dhe janë 3 bashku, ajo e Finiqit, e Dropullit dhe e Pustecit të krijuara mbi një kriter të vetëm, përjashtues nga kriteret e zonave funksionale, që është vetëdija jonë për të respektuar përulësisht lirinë dhe të drejtën e çdo shtetasi shqiptar me një kombësi tjetër.

Sa i përket vendimit të djeshëm të Kuvendit të Shqipërisë për të ndërhyrë në funksion të distancimit të qartë dhe të prerë nga një forum i cili është zemra e problemit të madh që Shqipëria ka me drejtësinë, kemi bërë gjënë e duhur, në kohën e duhur dhe me të njëjtën vendosmëri do të shkojmë përpara. Nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se ne jemi votuar për të transformuar rrënjësisht Shqipërinë. E, kur të dalim të japim llogari për mandatin e marrë në 23 qershor përpara popullit që zgjedh, nuk kemi asnjë alibi dhe asnjë mundësi që të justifikohemi apo të fshihemi prapa kujtdo tjetër. Jemi ballë për ballë me popullin shqiptar dhe i përgjigjemi një më një popullit shqiptar.

 

Zoti Kryeministër, a mund të na thoni se si arritët t’i bindit të ashtuquajturit “grupi i rebelëve” për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar? A mendoni se negocimi me ta, në një farë mënyre, do të rrisë presionet e grupit parlamentar me kërkesa të ndryshme ndaj jush në të ardhmen?

Kjo është A.B.C-ja e “ABC”-së, por nuk është A.B.C-ja e mënyrës së si funksionon grupi parlamentar i Partisë Socialiste, sesi funksionon qeveria dhe sesi funksionoj unë. Nuk ka pasur asnjë negocim, me askënd dhe të gjithë deputetët kanë bërë detyrën e tyre.

-Zoti Kryeministër, opozita dhe ish Kryeministri në rrjetin social Facebook e ka cilësuar ndarjen e re territoriale si një hartë elektorale. A është e vërtetë kjo dhe si mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme elektorale, nëse opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje?

Nuk e ndjek ish Kryeministrin në Facebook. Ka një arsye të fortë pse nuk e ndjek, sepse nuk kam kohë për të humbur. Kohë e humbur të merresh me ish Kryeministrin. Populli e ka përcaktuar vendin dhe rolin e tij si një protagonist në Facebook, mes miliarda protagonistëve të tjerë dhe asgjë më shumë.

 

-Më lejoni në fund edhe një pyetje njerëzore zoti Kryeministër. Duke gjetur rastin për t’ju falenderuar, për t’ju uruar për lindjen e djalit tuaj, ka interes publik sesi është gjendja e tij shëndetësore dhe një emocion i juaj i ndarë pa mikrofona, vetëm në rrjete sociale.

Për të më uruar, se për të më falenderuar keni distancë shumë të madhe në moshë, megjithëse ai është shumë king, kështu që mbetet për t’u parë nëse do të kesh djalë apo vajzë, pastaj koha bën çudira, mund të më vijë dita që edhe të më falënderosh.

Për momentin jam unë ai që duhet të falenderoj, ju, të gjithë ata që në pafundësi kanë bërë urimet e tyre për këtë ngjarje kaq të posaçme në jetën time, në jetën tonë familjare. E, mbi të gjitha, të falenderoj në mënyrën më të posaçme Lindën që lindi Zahon. Se, në fund të fundit, unë dhashë një kontribut minimal, ndërkohë që kontributin maksimal e dha Linda.

Faleminderit!