Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Jo vetëm euro” është botimi më ri i promovuar përmes një ceremonie në mjediset e Qendrës për hapje dhe Dialog, (COD) në Kryeministri, i cili ka për autor politikanin italian, ish kryeministër i Italisë, Massimo D’alema.

Libri është shkruar në prag të zgjedhjeve të fundit europiane. Ai parashtron objektivat themelore për ripërtëritjen e Bashkimit Europian. Pavarësisht kohës që ka kaluar, libri mbetet mjaft aktual, për faktin se ka një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë, duke propozuar jo vetëm objektiva konkretë, por një program themelor dhe një vizion për të ardhmen e Europës.

Përmes një bashkëbisedimi, ku pjesëmarrës ishin Kryeministri Edi Rama, personalitete të jetës politike dhe kulturore në vend, botues, të rinj e të reja, studentë, etj, autori D’alema bëri një prezantim të tematikave të trajtuara në libër.

Pjesë nga bashkëbisedimi i zhvilluar gjatë prezantimit të librit “Jo vetëm euro”, të autorit Massimo D’alema:

Massimo D’Alema: Ky libër është shkruar para disa kohësh. Unë e shpjegoj atë në hyrjen që kam shkruar për këtë botim në shqip, por ruan ende një domethënie që vazhdon të jetë aktuale nëse ju do të dëshironi ta lexoni atë. Është një libër që paraqet një vizion të Europës. Unë besoj se në një çast krize, kjo është e vërteta. Europa po jeton një krizë dramatike, nga kjo krizë mund të dalim vetëm duke pasur guximin e një vizioni të ri që të hedh shikimin drejt një Europe më demokratike dhe kjo është një nga temat kryesore të librit dhe jo ndaj një teknokracie të largët që jeton diku atje në Bruksel. Por një Europë demokratike e cila sillet rreth veprimtarisë në Parlament dhe një Komision Europian që të funksionojë si një qeveri e vërtetë e Europës. Në Europë që të ketë një politikë të re ekonomike dhe sociale, e cila të ketë si përparësi të vetën jo rreptësinë, kontrollin e bilanceve publike, por rritjen ekonomike dhe punësimin, në veçanti për të rinjtë.

Nuk është vetëm euro për Europën, është një tërësi vlerash dhe objektivash që vënë në lëvizje vetëdijet e qytetarëve europianë, por edhe një Europë më solidare, e aftë që të përballet më mirë me sfidat e mëdha dramatike të botës sot.

Shqipëria gjatë viteve të vështira të tranzicionit të vet, sigurisht ka mundur të mbështetet në miqësinë e Italisë, në mënyrë të veçante të së majtës italiane. Unë kujtoj akoma krizën financiare të piramidave, valë të tëra emigrantësh që mbërritën tek ne në mënyrë të papritur, misionin “Alba” që e kërkoi qeveria Prodi, kujtoj angazhimin e përbashkët përballë tragjedisë së Kosovës kur Shqipëria qe e aftë të priste me mijëra persona që iknin nga Kosova. Italia i qëndroi pranë Shqipërisë me vullnetarët tanë. Ne kemi jetuar shumë çaste të vështira.

Europa po përballet në mënyrë të ndryshme me krizën aktuale, në këtë libër flitet për një Europë më të bashkuar, me më autoritet, në gjendje për të kryer rolin e vet në skenën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha në këtë libër nënvizohet një tezë bazë  e politikës së jashtme italiane që nuk është thjesht mendimi im, por është një opinion që ka bashkuar të gjitha forcat e majta të të gjitha qeverive italiane. Ne jemi të bindur që fati i Ballkanit Perëndimor është që  të jetë pjesë e BE.

Shqipëria nuk është një kufi i largët. Shqipëria si vende tw tjera të Gadishullit Ballkanik janë në zemrën e Europës, dhe është detyrim i BE që të punojë nëpërmjet një procesi të angazhuar, të përshpejtuar, për ta përmbushur këtë ribashkim të kontinentit tonë. Ndër të tjera ne flasim për një vend, dhe këtë e them me një vlerësim të sinqertë, që çdo ditë bëhet më modern. Mund edhe të më thonë që ka konflikt interesi sepse një miku im prej shumë vitesh, që është një lider, një burrë shteti europian, ky zotëria që është i ulur këtu pranë meje, e të themi që nuk është një kryetar fisi ballkanik, por është një burrë shteti europian. Ky vend i ka të gjitha dokumentet në rregull për tu bërë një nga protagonistët e politikës europiane. Unë mendoj, kthehem mbrapsht me disa nga ministrat që ulem përreth tryezës së Këshillit Europian, e pastaj kthehem e mendoj për Kryeministrin shqiptar, mendoj që ai do ta meritonte shumë mirë vendin në dritën e parimeve dhe vlerave të Bashkimit Europian, ai do të meritonte vendin e shumë të tjerëve. Nuk them në mënyrë abuzive, sepse dhe ata kanë të drejtë, por sigurisht jo në mënyrën më të denjë në atë vendin që zënë në KE.

Marr me mend se opinioni publik shqiptar ka prirjen për të hyrë në Europë, unë them se kujdes, se nuk është e gjitha fushë me lule. Ka shumë probleme, por meqë problemet ekzistojnë, atëherë le t’i përballim ato të gjithë sëbashku. Kjo është domethënia e mesazhit tim.

Kryeministri Rama: Unë do të doja të thoja dy fjalë. E para, shpresoj që ky botim në shqip, si paraqitje të të pëlqeje, dhe e dyta do të doja t’ia nisja nga një nënkapitull i vogël i librit që është shumë interesant edhe për ne, ku flitet për populizmin si për një armik e si një barrierë të madhe në ecjen tonë. Të them të drejtën, këtu shqiptarët në përgjithësi i vuajnë shumë këto ndarje që shkojnë kundër zgjerimit, kundër Europës, kundër myslimanëve e kështu me radhë.

Ju flisni për një mundësi për ta luftuar populizmin nga poshtë, e unë mendoj se është interesante ta zhvillojmë këtë koncept. Si mund të luftohet populizmi nga poshtë ndërsa është e qartë që ashtu siç e përshkruani ju në libër, si një pozitë mbrojtjeje e establishmentit ekzistues në Europë, ashtu edhe një vepër, një akt besnikërie ndaj asaj çka ekziston. Kjo do të ishte një kafshatë shumë e lehtë për populistët. Pra ky koncept i luftimit nga poshtë, si do mund të bëhet?

Massimo D’Alema Çfarë është historikisht populizmi? Populizmi përkufizohet nga studiuesit e shkencave politike si një politikë që i bën thirrje popullit kundër elitave dhe pra, në elitat gjen kundërshtarin, pra elitat europiane, teknokracitë europiane, është një thirrje që i bëhet pa dallim popullit kundër elitave dhe natyrisht, më pas kjo thirrje që i bëhet popullit, bëhet edhe një thirrje kundër të huajit, kundër atij që është i ndryshëm, kundër atij që kërcënon identitetin tonë. Por nëse ne bëjmë gabimin të mbyllemi brenda këtij establishmenti, ne do të mundemi. Ka vetëm një mënyrë për të mundur populizmin, e është ajo për të mobilizuar një pjesë të popullit. Unë këtë fjalë ia drejtoj sidomos të majtës, pra nuk luftohet dhe nuk mundet populizmi pa popullin. Nëse ne propozojmë një vizion të Europës, sipas të cilit Europa është shkurtimi i shpenzimeve sociale, ulje e pensioneve, ulje e buxhetit për shëndetin publik sepse nuk na dalin llogaritë në fund, ky është një vizion teknokratik që i çel rrugën demagogjisë së shfrenuar të populizmit. Atëherë Europa duhet që të kthehet dhe të jetë sërish motori i rritjes së punësimit, të promovimit të të drejtave sociale. Kjo është sfida e madhe, sepse është mënyra e vetme për të ndritur një pjesë të popullit.

Kryeministri Rama: Unë kam nënvizuar një pjesë të vogël të librit, ku flitet për rolin e shtetit dhe ku nënvizohet protagonizmi i shtetit në Shtetet e Bashkuara dhe demonizimi i shtetit në Europë. Do të ishte interesante që ta zhvillonim pak këtë temë edhe në kuptimin e asaj që është një nga kuajt e betejës së të matjes europianiste, një rol më i rëndësishme për rritjen dhe për punësimin.

Massimo D’Alema: Le ti themi gjërat haptazi. Le të themi që ne na ka munduar një kompleks. Ne kemi vetëm përvojën e një Europe ku shteti ishte populist dhe kishim dhe përvojën e shtetit social demokratik. Gjithë historia jonë ka qenë një histori fataliste e në një farë pike menduam që të çliroheshim nga kjo. Pra duhet të ndryshojmë. Ka pasur një injektim të fortë të një kulture liberale. Unë mendoj se pjesërisht kjo ishte diçka e nevojshme, por rrezikuam që të kalonim kështu nga një ekstrem në tjetrin, si puna e lavjerrësit. Pa një rol aktiv të shtetit, zhvillimi modern nuk ndodh.

-Zoti Kryeministër, a mendoni se Ballkani dhe Shqipëria mund të japin kontribut të posaçëm për krizën e refugjatëve, duke provuar dhe kështu veten para BE?

Sot paradite u takuam me Komisionerin Avramopulos që mbulon drejtpërdrejtë tematikën e emigracionit. Faktikisht besoj që janë gjithmonë e më shumë njerëz në një mendje që mënyra se si kriza u administrua të paktën deri tani, ishte krejtësisht kaotike dhe mbi të gjitha e bazuar nga një anë tek vullneti i Kancelares për të hapur krahët e mikpritjes dhe nga ana tjetër tek refuzimi i një numri të rëndësishëm të vendesh anëtare për të marrë pjesë në këtë ndarje përgjegjësish.

E faktikisht ajo që ndodhi në korridorin e Ballkanit ishte një spektakël jashtëzakonisht i trishtueshëm për atë që ne mendojmë se është Europa dhe që duhet të bëjë Europa. Ashtu sikundër, ishte dhe mbetet një shembull tjetër spektakolar i një boshllëku mu në mes të Europës, nga mungesa e integrimit të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Refugjatët hyjnë në BE nëpërmjet Greqisë. Dalin nga BE dhe hyjnë në Maqedoni. Vazhdojnë në Serbi, pastaj hyjnë prapë në BE, në Kroaci dhe pastaj vazhdojnë rrugën në Slloveni. Faktikisht ajo që ndodhi ishte thjesht një përcjellje nga një stacion treni, në një stacion treni tjetër , ku disa nga vendet i vunë edhe pagesë, çdo refugjati. Pra refugjatët paguanin për të marrë trenin. Ajo që unë dhe disa kolegë thamë në takimin para disa muajsh në Bruksel me Kancelaren, ishte që këtu ka nevojë për një plan të përbashkët europian. Një plan i përbashkët europian do të thotë që jo çdo vend të ndërtojë ato hot-spotet sipas mundësive të veta, disa me tenda ushtarake, disa me tenda cirku, por plani të përmbajë një sistem qendrash mikpritje në Greqi, në Shqipëri, – ne i dhamë gatishmërinë, megjithëse nuk jemi pjesë e Korridorit, jemi gati të marrim dhe ne pjesën tonë, – në Maqedoni, në Serbi e kështu me radhë , ku ata të mikpriten me standarde të barabarta. Sepse p.sh në një qendër refugjatësh në Serbi, ose në Maqedoni, një refugjat kushton 20 herë më pak sesa një refugjat në një qendër mikpritëse në Austri apo në Gjermani. Unë si një njeri që e kam provuar emigracionin, – sigurisht që nuk kam ikur nga ndonjë bombardim, por e di mirë një gjë, – ajo që refugjatët i shtyn drejt objektivit, nuk është ajo që kanë lënë pas, por frika se mos nuk arrijnë aty ku duan të shkojnë. E nuk ka Zot që i mban ata në tendat ushtarake pa kushtet minimale në Serbi, ose në Maqedoni, ose dhe në Greqi, në rast se duan të shkojnë në Gjermani. Në rast se do të kishte një sistem europian të koordinuar dhe trupat pritëse do të ishin europiane sigurisht me punonjës lokal, si dhe do të bëhej një proces real, kontrolli regjistrimi dhe rishpërndarje, kjo gjë do të funksiononte fare mirë. Siç e tha dhe presidenti D’alema, numri nuk është ndonjë dramë e madhe. Po të shikosh numrin e refugjatëve që kanë hyrë në Europë në krahasim me numrin e popullsisë së Europës është një numër modest. Por mënyra se si ato shfaqen të shkakton panikun. Sot përsëri unë i thash Komisionerit se ne jemi gati të marrim pjesën tonë. Por ne nuk mund të hapim portat të nxitur nga ndjenja e bujarisë dhe të ngecim në një kurth bashkë me ata, që pastaj të vijnë në Shqipëri dhe të kërkojnë trafikantë për të shkuar në Itali. Prandaj ne bashkë me qeverinë italiane, por bashkëpunojmë prej 6 muajsh , jo për të ngritur mure, por për bërë të mundur që nga njëra anë të mos lejojmë hapjen e një linje trafiku dhe nga ana tjetër të bëjmë presionin maksimal që gjithë Bashkimi Europian të sillet si BE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.