Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës do t’i rikthehet qytetit si një burim i rëndësishëm ekonomik. Kjo falë restaurimit tërësor të saj, duke e pastruar nga ndërtesat e ngritura pa plan e projekt dhe nga shkurret e shumta që i zënë frymën. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi u takuan me disa nga banorët që jetojnë në territorin brenda dhe përreth kalasë. Kryeministri ii theksoi se të gjithë që do preken nga projekti do të sistemohen sipas ligjit në mënyrë që Kalaja të kthehet në një atraksion turistik dhe një mundësi më shumë për banorët të nxjerrin fitim falë turistëve.

“Duhet të bëjmë një projekt preciz edhe për shtëpitë ekzistuese që nuk do preken, që të kthehen në shtëpi kalaje, jo në shtëpi sikur janë në periferitë e Tiranës. Shtëpitë ekzistuese që janë këtu, sipas projektit, ato që janë ngjitur me murin nuk mund të rrinë, por ato që janë në zemër të kalasë rreth e rrotull, do t’i risistemojmë që t’ju japim një pamje të re, duke ruajtur muret, por duke përdorur gurë, në mënyrë që nesër, pasnesër, ju të keni mundësi të nxirrni fitim duke pasur këtu turistë, duke krijuar hapësira për të bërë ndonjë dyqan të vogël për artizanatet, apo për prodhime të vendit”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Restaurimi i Kalasë së Ali Pashës, monument kulture i kategorisë së parë, ka nisur, ndërkohë që, sipas kryebashkiakut të Tepelenës, faza tjetër do të jetë shtrimi me kalldrëm i rrugëve përreth Kalasë dhe brenda saj, si dhe instalimi i sistemit të ndriçimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.