Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e promovimit të zyrave të rikonstruktuara të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural:

Përshëndetje të gjithëve.

Këtu nuk kemi ardhur thjesht sepse ishte momenti për të kremtuar një transformim shumë të rëndësishëm të infrastrukturës të kësaj Agjencie, me karakter strategjik për zhvillimin e vendit, por edhe sepse jemi në kushtet kur Agjencia e rilindur e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka hyrë në procesin e vlerësimit të aplikimeve, bazuar në qasjen tonë të re për zhvillimin e bujqësisë.

Në ditët në vijim, ne kemi përcaktuar edhe një itinerar për të promovuar aplikantët e suksesshëm dhe aplikimet e suksesshme, si një instrument që fermerët shqiptarë të informohen sa më shumë lidhur me ndryshimin e qasjes që ne kemi përcaktuar me politikën tonë të re, për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm bujqësor dhe rural.

Kjo Agjenci mbështetet drejtpërdrejt me fonde shtetërore dhe me fonde të Bashkimit Europian. Dhe me akordimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, sigurisht që kjo Agjenci merr edhe më shumë peshën e një përgjegjësie të madhe, fakti, edhe fondet europiane për zhvillimin rural pësojnë një rritje të ndjeshme, në rast se ne dhe Agjencia do të jemi në gjendje të përfitojmë sigurisht, nga kjo rritje. Asgjë nuk është e falur apo e dhënë pa mundim nga pala që e kërkon, në familjen europiane ku ne duam të integrohemi.

Ajo që ka rëndësi është se sot, ne jemi në kushtet kur kemi plotësuar një nevojë të domosdoshme, pasi në Progres-raportin e tetorit 2013-të, kjo Agjenci, që është një agjenci pagesash kyç për zhvillimin bujqësor dhe rural, ishte vënë në shënjestër si një institucion që nuk plotësonte standardet, për të administruar e vetme fondet komunitare.  Rreth 100 punonjës të Agjencisë ishin kyçur në 11 zyra, të mbingarkuara me njerëz dhe me mjete dhe në pamundësi të plotë për të ushtruar detyrën e tyre, ashtu siç duhet.

Përfundimi në dhjetor i këtij transformimi strukturor dhe akoma më e rëndësishme, paralelisht ndërtimi hap pas hapi, nga kjo Agjenci, i rrugës së caktuar në qasjen tonë të re, ka bërë që sot, ne të jemi shumë optimistë për mundësinë që i kemi krijuar vetes, qoftë për të thithur më shumë fonde, qoftë dhe për t’i akorduar fondet e thithura në mënyrë shumë më të efektshme.

Praktikisht, ne jemi shumë krenarë që në një kohë rekord kemi përgatitur gjithë kuadrin ligjor, që bën të mundur akreditimin e kësaj Agjencie nga Bashkimi Europian, një kusht themeltar për të përthithur fondet komunitare të programit të zhvillimit të përbashkët bujqësor të Bashkimit Europian. Është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm përpara, i kryer në më pak se 300 ditë qeverisje, pas vitesh të tëra rrënimi dhe praktikisht, vendosjeje e kësaj Agjencie në pamundësi të plotë për të operuar ashtu siç duhet.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme, edhe hapja e sportelit unik, për të lehtësuar gjithë procesin e informimit të fermerëve. E dini shumë mirë që fermerët tanë punojnë në kushte ende tejet primitive, për shkak se shteti i kishte kthyer krahët fshatit e fermerit, qysh se nuk mbahet mend dhe fermeri shqiptar ishte i vetmi fermer në Europë, në Europën e Bashkuar apo në Europën ende të bashkuar, pa asnjë përkrahje të qëndrueshme nga shteti. Ne nuk kemi konsideruar asnjëherë përkrahje të qëndrueshme për ndarjet e pamenduara dhe korruptive të parave, të vëna në dispozicion të zhvillimit bujqësor dhe rural, që janë bërë mbi baza të një klientelizmi dhe të një rruge krejtësisht qorre për të ngritur zhvillimin e bujqësisë.

70% u rrit buxheti për bujqësinë, në vitin më të vështirë të mandatit tonë. Ishte viti i parë, buxheti i parë, në ditët e para të qeverisjes, kur na duhej të administronim malin e borxheve të fshehura, që gjetëm përpara. Dhe, praktikisht, sot jemi në kushtet kur nuk pretendojmë se kemi përmbysur situatën, por kemi gjithë arsyet të mendojmë se përmbysja ka filluar.

Gjithë procesi i ndryshimit të qasjes dhe i ndryshimit të marrëdhënieve me fermerin na ka dhënë si fillim, një rezultat pozitiv përsa i takon edhe aplikimeve që ka marrë Agjencia. Por faktet flasin më shumë sesa fjalët. Rreth 30% rritje të eksporteve të bujqësisë, vetëm në 5 muajt e parë, me siguri do të thotë diçka. Kemi lehtësuar në mënyrë shumë të ndjeshme fermerin, nga presioni i jashtëzakonshëm i korrupsionit dhe i një administrate që i binte në qafë për t’i marrë frymën, në mënyrë që t’i nxirrte me çdo kusht pjesën e vet të përfitimit të paligjshëm, nga xhepi.

Në vizitat që kemi bërë së bashku me Ministrin dhe me Drejtoren e Agjencisë kemi konstatuar lehtësimin e fermerëve nga kjo barrë e rëndë e të shkuarës së afërt. Jo pak fermerë na kanë thënë që mjafton ky lehtësim për të rimarrë rrugën, me një ritëm të ri. Kemi qenë me Profesorin në Lushnjë, kur disa nga protagonistët e zhvillimit të atjeshëm na kanë paralajmëruar për këtë rritje eksportesh, aq sa na u duk edhe e ekzagjeruar, të them të drejtën. E, faktet janë kokëforta dhe janë shumë inkurajuese.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë për t’u adaptuar me sfidën e madhe, të krijimit të mundësive që na jep statusi i vendit kandidat, për të pasur më shumë akses në fondet komunitare.

Sfida e radhës, që është në proces dhe për të cilën ne jemi duke punuar intensivisht nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, është padyshim formalizimi dhe rajonalizimi i bujqësisë, për të rritur punësimin dhe për të rritur eksportet. Të gjithë duhet ta dinë që ne nuk do të financojmë më projekte jashtë një sensi të zhvillimit rajonal dhe kombëtar bujqësor. Ne nuk do të shpërndajmë më fonde, kuturu, për kultura apo për investime që nuk përputhen me planin kombëtar të zhvillimit rajonal të bujqësisë. Në këtë mënyrë, ne do të nxisim fokusimin e rajoneve tek ato kultura dhe tek ato investime që janë shkencërisht të argumentuara si më të efektshme dhe të dobishme në ato rajone, për arsye të terrenit, për arsye të klimës, për arsye të të gjithë atyre elementëve që e bëjnë me avantazh ose me disavantazh, një rajon me një tjetër. Kjo është detyra e munguar për vite të tëra, e shtetit shqiptar, në raport me fshatin. E, këtë detyrë ne kemi marrë përsipër ta kryejmë dhe kemi filluar të punojmë për ta kryer me sukses. Dhe besojmë se përmes kryerjes së kësaj detyre, ne do të orientojmë zhvillimin në rrugën e duhur, duke krijuar kushtet për rritje të sipërfaqeve në investimin në bujqësi. Një sfidë që duhet me patjetër ta fitojmë dhe që do ta fitojmë me mjetet e reja të kohës që jetojmë. Ne nuk mund ta synojmë përmes mjeteve të cilave u ka ikur koha.

Një gjë tjetër e rëndësishme, që vjen si mesazh i politikës së përbashkët europiane të bujqësisë është se ajo zhvillohet pikërisht në mbrojtje të traditës bujqësore, të traditës rajonale, të traditës lokale dhe kombëtare të vendeve të Bashkimit Europian. Tradita jonë kombëtare, rajonale dhe lokale e bujqësisë është zhbërë në vite kaosi dhe korrupsioni, që e kanë çoroditur tërësisht fermerin, duke ia bërë të pamundur që të orientohet, duke i ndjekur trendet e përcaktuara nga politika qeveritare në zhvillim.

Pikërisht, ne këtë kemi si synim: Të japim mesazhe të qarta, orientime të qarta dhe të krijojmë trende të qarta përmes politikës sonë të nxitjes së zhvillimit bujqësor.

Sigurisht, jemi të vetëdijshëm për një problem shumë të madh që trashëgojmë, që ka të bëjë me titujt e pronësisë dhe me faktin se ende nuk kemi kushtet për tregun e tokës bujqësore. Por, nga ana tjetër, jemi duke punuar intensivisht që këtij problemi t’i qasemi me një mënyrë të re. T’i qasemi përmes krijimit të incentivave financiare dhe nxitjes së rritjes së sipërfaqes, falë mbështetjes financiare me skemat tona, në mënyrë që kjo të vijë si një proces natyral dhe jo i imponuar nga lartë-poshtë.

Së fundi, sigurisht që ne jemi këtu për të ndihmuar, por jemi të vetëdijshëm se ndihma jonë konsiston tek promovimi i nismës së fermerit dhe jo tek marrja e një roli që nuk i takon më shtetit në pushtet, sot.

Ne nuk jemi “reganianë”, por do jua sjell në vëmendje një fjalë të Presidentit Regan, sepse besoj që i shkon këtij mjedisi dhe i shkon filozofisë sonë të nxitjes së zhvillimit përmes nxitjes së drejtpërdrejtë të talentit dhe vullnetit të fermerit. Presidenti Regan thotë fjalët më të tmerrshme që unë kam dëgjuar bashkë, në anglisht, që janë: “Jam nga Qeveria dhe kam ardhur t’ju ndihmoj”. Sepse ai besonte se problemi më i madh për individin ishte Qeveria. Por, nga ana tjetër, ne besojmë se Qeveria u bë problem i madh për individin në Shqipëri dhe për fermerin në mënyrë të veçantë, – se për fermerin po flasim,  – për një periudhë të gjatë kohe, për shkak se e pengoi të orientohej dhe e pengoi të fokusohej në drejtimin e duhur. Ne duam që ta ndihmojmë fermerin që të orientohet dhe të fokusohet, por jemi të vetëdijshëm se është nisma e fermerit, është iniciativa e lirë që duhet të triumfojë edhe në fshat. E jo politika asistencialiste e lëmoshës, e thërrmimit të buxhetit në një farë feje, që nuk sjell asgjë të qëndrueshme për zhvillimin e vendit.

Ndaj, këto skema përcaktojnë edhe një ndryshim epokal për bujqësinë. Kalimin nga bujqësia e mbijetesës, tek bujqësia e krijimit të mirëqenies. Nga bujqësia për të marr frymë, tek bujqësia që rrit frymëmarrjen e ekonomisë kombëtare dhe rrit frymëmarrjen e popullit si i tërë.

Duhet të falënderoj Ministrin që me kompetencë, me integritet dhe me shumë sens demokratik dëgjueshmërie të grupeve të interesit në këtë fushë, po hap një faqe të re në qeverisjen e këtij sektori dhe po jep kontributin themelor që kjo Qeveri të hapë një faqe të re në qeverisjen e fshatit.

Dua të falënderoj edhe Drejtoren që në një kohë kaq të shkurtër, por me shumë përkushtim dhe vullnet të mirë, ka arritur që ta jetësojë dëshirën dhe vullnetin tonë për të hapur një faqe të re, edhe në aspektin e nxitjes dhe të mbështetjes së fermerit.

Sigurisht, dua të falënderoj edhe të tjerët që janë këtu të pranishëm, duke filluar nga miku ynë Francois Begeo, i cili e shoqëron prej vitesh tanimë sektorin, në emër të Bashkimin Europian dhe me të cilin patëm mundësi të ndajmë kënaqësinë që, më në fund, edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian mund të hyjnë në këtë godinë dhe t’u duket vetja si në Bashkimin Europain dhe jo si në një vend që Bashkimin Europian e do me fjalë, por nuk arrin dot ta dojë me fakte.

Përfitoj nga rasti të përgëzoj një numër të madh fermerësh që i janë përgjigjur thirrjes së Agjencisë, për të aplikuar për skemat e reja. Çdo garë ka fitues, ka edhe jo fitues, por në këtë garë nuk ka të humbur. Sepse edhe ata që nuk kanë fituar dot, qoftë për shkak se nuk mund dot të përmbusheshin me financim të gjitha kërkesat, qoftë për faktin se nuk kanë qenë të përgatitur sa duhet për të marrë fondet, kanë krijuar një eksperiencë.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se do të na duhet, nga njëra anë të rrisim financimin vitin e ardhshëm dhe nga ana tjetër se kemi të bëjmë me një konkurrencë gjithnjë e më të fortë për të pasur akses në këto fonde, pasi rritja e njohurive dhe e eksperiencës së shumë fermerëve do të na vërë në kushte të vështira. Ajo që është e rëndësishme është që skemat janë të krijuara për krijuar zinxhir vlerash dhe jo thjesht për të marrë ca para, për t’i hedhur ato para dhe për të mundur që përmes atyre parave të hedhura, familja fermere të hajë bukë e djathë, në darkë. Por për të krijuar kushtet që ato para të gjenerojnë të tjera para, të gjenerojnë të tjera vende pune, në një zinxhir vlerash.

Shumë faleminderit.

***

Qasja e re e qeverisë për zhvillimin e bujqësisë shënon rezultatet e para optimiste, me rritjen 30% të eksporteve të prodhimeve shqiptare. Këtë lajm shumë pozitiv për bujqësinë, por edhe për ekonominë shqiptare, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti e dhanë sot, në promovimin e zyrave të rikonstruktuara të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.

Një element i rëndësishëm në zbatimin e programit të qeverisë për bujqësinë u vlerësua Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. AZHBR është një agjenci qeveritare, qëllimi i të cilës është mbështetja e zhvillimit të agrikulturës dhe rural në Shqipëri, përmes fondit të programit qeveritar për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe të fondeve të BE dhe donatorë të tjerë.

Ministri Panariti  theksoi rëndësinë e AZHBR-së, si një institucion me atribute të një banke për bujqësinë, ndërsa u shpreh se jemi në fillimin e një transformimi të madh të bujqësisë dhe Agjencia e Pagesave është katalizatori financiar i këtij zhvillimi.

“Përqasja jonë për mbështetjen financiare të bujqësisë është tërësisht e re. Si pjesë e programit qeveritar, përqasja jonë është e orientuar drejt rezultatit dhe drejt pengimit të skemave klienteliste. Skemat tona janë të orientuara drejt mbështetjes së fermerit dhe agropërpunimit,” – u shpreh Ministri Panariti.

AZHBR ka nisur zbatimin e skemave të reja mbështetëse, nga të cilat, nëpërmjet aplikimeve, përfitojnë fermerë dhe agropërpunues në të gjithë vendin. Për herë të pare, këto skema përfshijnë edhe mbështetje financiare për zhvillimin rural.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.