Kamëz, po përfundon kopshti fantastik “Niko Hoxha” për 200 fëmijë

Kopshti “Niko Hoxha”, pjesë e lagjes së re që po rindërtohet në Kamëz, pritet të përfundojë së shpejti. 200 vogëlushë do të gjejnë aty strehën e dijes dhe argëtimit, në kushtet më optimale.

Për të parë kompleksin e ri arsimor, një infrastrukturë shembull edhe për objekte të tjera me këtë funksion, ishte në Kamëz, Kryeministri Edi Rama.

Kopshti “Niko Hoxha” shtrihet në një sipërfaqe prej 2000 metër katrorë, me 8 klasa dhe mirëpret 200 fëmijë. Në ambientet e jashtme janë këndet sportive dhe këndet e lojërave. “Fëmijët do të kenë një kopësht pesë herë më të madh dhe me të gjitha standardet. Për herë të parë do të jetë një kopësht me ushqim, ku çdo fëmijë do të ketë tavolinën e ngrënies, krevatin e fjetjes, tavolinën ku do të mësojë, si dhe këndin ku do të lozë”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Për nga funksionet dhe kapaciteti, kopshti “Niko Hoxha” është i njëjtë me një shkollë. “Kopshti emrin ka të tillë se nga funksionet është një shkollë e vërtetë, që nga kapacitetet, nga psikologu, infermierja tek dhomat e fjetjes, dhomat e ngrënies”, – tha drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Fare pranë kopshtit të ri, puna do të nisë së shpejti edhe për kompleksin prej 270 apartamentesh për familjet e prekura nga tërmeti. Së bashku me shtëpitë e reja, kopshtin, shkollën dhe qendrën shëndetësore, banorët do të jetojnë të përditshmen e tyre në kushte dhe standarde shumë të mira se më parë.  “Po flasim me drejtorin e  Fondit që të bëjmë një kombinim edhe me shtëpitë individuale. Infrastruktura e re do të përfshijë pallatet, do të përfshijë kopshtin , shkollën dhe ambiente publike komunitare,” – u shpreh ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.