Infrastrukturat arsimore të transformuara sipas modeleve më të mira të shkollave europiane, janë realitet prej vitesh tashmë në qytetet e vendit, ku procesi po vijon me investime të reja që aktualisht ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi.
Shkolla 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamzë, është njëra prej shkollave të kësaj zone, që në sezonin e ri mësimor, në shtator, do t’u vihet në dispozicion nxënësve dhe mësuesve, tërësisht e shndërruar, në një objekt me kushte optimale, të denja për zhvillimin sa më cilësor të procesit mësimor.
Kryeministri Rama ishte sot në Kamzë, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë Rakip Suli për të parë ecurinë e punimeve, sipas një projekti nga më të mirët që po zbatohet.
Shkolla e re do të mirëpresë 1300 nxënës me 38 klasa komode, 10 laboratorë, bibliotekë, terrene sportive e hapësira rekreative, e konceptuar që të shërbejë edhe si një pikë sociale për komunitetin.
Shkolla ndodhet 800 metra nga qendra e qytetit dhe është e formuar nga 5 nivele të ndryshme, një nën tokë dhe 4 mbi tokë, ndërsa në 60 metra në distancë nga shkolla, është vendosur një mbikalim për këmbësorët për kalimin e sigurt të nxënësve.
“Kjo është shkolla e 19 që ndërtohet në bashkinë e Kamzës në periudhën 4 vjeçare. Gjithsej shkojnë 40 objekte arsimore, çerdhe, kopshte dhe shkolla, me një sipërfaqe ndërtimi 10200 metra katror si ndërtim. Për 1300 nxënës, madje këtu do të jetë kërkesë e jashtëzakonshme, se siç kemi diskutuar Kamza shkon 20 mijë nxënës nga klasa e parë deri në 12 dhe mendojmë se ka qenë investimi më i rëndësishme dhe më i duhur në bashkinë Kamzë, falë mbështetjes së qeverisë që ka qenë e jashtëzakonshme” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli
Shkolla është investim i qeverisë gjermane për rindërtimin, – shpjegoi Drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli. “Kjo është në shumën 10 milion bashkë me shtesën vajti 12 milion euro. Nga pikëpamja teknologjike përveç se ka një eficencë energjie të plotë, do të ketë panele diellore. I gjithë sistemi i kondicionimit është në mënyrë automatike për të rritur një efiçençe dhe një optimizmi dhe cilësitë të ngrohjes dhe ftohjes në të gjithë shkollën.” – tha ai.
Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu u shpreh se shkolla është e standardeve më të larta europiane edhe nga pikëpamja e të gjithë shërbimeve që do të ofrojë. “Kjo është një shkollë e standardeve europiane, edhe nga pikëpamja e gjithë shërbimeve që do të ofrojë sepse shkolla qendër komunitare merr vlerë pikërisht këtu nga hapësira që ajo ofron. Hapësira e jashtme, palestra, biblioteka, të gjitha këto janë të aksesueshme dhe pa hapur klasat.” – u shpreh ajo teksa theksoi se në shtator hapen 40 shkolla të reja dhe të rindërtuara financim i qeverisë shqiptare. “Ndërkohë tani kemi mbyllur fazën e aplikimit për rreth 3 miliardë lekë, 30 milion euro të cilat bashkitë, të gjitha bashkitë e vendit kanë depozituar projekte për rehabilitimin apo rindërtimin e shkollave dhe duam që të finalizohen.” – tha Ministrja Manastirliu.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin si një nga më të mirët në këtë drejtim. “Shumë bukur, ky është një projekt që duhet të jetë krenaria e studios suaj të arkitekturës. Këto janë shkolla që mes Parisit nuk i gjen se janë ndërtuar nga e para dhe nuk janë më të vjetra, këto janë shkolla spektakolare. Kamza është shëmbëlltyrë spekakolare, edhe Tirana, po në Kamëz nuk pritej se në Tiranë pritej. Kamza është befasia e gjithë rilindjes.” – u shpreh Kryeministri.
Shkolla e re i shtohet zinxhirit të 18 shkollave të rindërtuara dhe rehabilituara në këtë bashki, me standarde europiane, duke zgjeruar kapacitetet për komunitetin e Kamzës dhe zonave përreth.