Shkolla 9 vjeçare “Njazi Mastori” dhe kopshti parashkollor me të njëtin emër, në Sukth të Durrësit, janë shndërruar në kantierin më të ri të rindërtimit nga themelet. Tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar nuk e kurseu as këtë objekt arsimor, të ndërtuar që prej vitit 1963. Një projekt i mirëkonkonceptuar do të kthehet në një shkollë model, me infrastrukturë bashkëkohore, përmes financimit të buxhetit të shtetit.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot në terren, punimet, të cilat sapo kanë nisur në një sipërfaqe prej 5725 metrash katrorë. Sipas parashikimit, shkolla e re do të hapë dyert për 970 nxënësit e saj pikërisht më 26 nëntor, 1 vit pas tërmetit shkatërrimtar.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Ermijona Sako tha se struktura e vjetër është shembur plotësisht. Në vend të saj do të ringrihet një objekt trekatësh, me 27 klasa dhe 8 laboratorë, si dhe do të ndërtohen nga fillimi mjediset e jashtme sportive, si dhe ato të gjelbëruara që nuk kanë ekzistuar më parë.
“Objekti ekzistues është i ndërtuar që në vitin 1963. Nga konkluzionet e institutit rezultoi se duhej shembur. Bëmë shembjen e tij në muajin prill. Projekti i ri propozon ngritjen e një objekti trekatësh të pajisur me palestër, dhe me sallë polivalente. Parashikon 27 klasa në ndërtim, 8 laboratorë, si dhe pjesa tjetër që është për administratën. Siç e shikoni këtu ka nisur puna nga themelet. Pas palestrës kemi murin e verdhë. Ai tregon kufirin e shkollës. Kemi dhe fusha të jashtme ku do të zhvillohen aktivitete. Shkolla është ndërtuar me konceptin e përdorimit për qëllime sociale. Gjithashtu ndërtimi do të jetë modular në mënyrë që koha të jetë sa më e shkurtër.”, u shpreh ajo.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se më 26 nëntor shkolla duhet të hapë dyert për nxënesit e saj. “Më 26 nëntor do ta hapim.”- tha Kryeministri.
Shkolla 9 vjeçare “Njazi Mastori”do të përmbushë të gjitha standardet e shkollës si qendër komunitare. Drejtori i Ri i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli u shpreh se “Ajo që është shumë e rëndësishme, është se kjo shkollë ka dhe një sallë polivalente me një hyrje për publikun, që mund të aplikohet koncepti i shkollës si qendër komunitare dhe mund të përdoret edhe nga komuniteti jashtë orarit të shkollës.”
Kryeministri Rama pa në detaje projektin, pjesë e të cilit është edhe ndërtesa e parashkollorit, si dhe fushat sportive me hapsira të bollshme. “Ky është objekti parashkollor. Sistemi Parashkollor është objekt më vete. Ka dhe hyrje më vete dhe ka këtë këndin e fëmijëve që është është më i mbrojtur. Këtu është palestra e shkollës dhe këtu shtrihet e gjithë shkolla. Ka dhe fushën sportive nga mbrapa, që është terren i hapur.”- shpjegoi Drejtori i FShZh Dritan Agolli.
Në shkollë janë të regjistruar edhe 12 fëmijë me aftësi ndryshe, për të cilët, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Ermijona Sako tha se infrastruktura e re i përmbush të gjitha kushtet, si ashensori, daljet e emergjencës apo lehtësi të tjera të parashikuara posaçërisht për ta.
Gjithashtu kryetarja e Bashkisë së Durrësit bëri të ditur se nga Programi i Rindërtimit, Sukthi përfiton 4 objekte, ku përveç kësaj shkolle janë “Shkolla e Perlatit”, një gjimnaz dhe shkolla e mesme e bashkuar “Ismet Manushi”, të cilët do të bëhen nga PNUD.
Lidhur me ecurinë e nënshkrimit të kontratave për fillimin e punimeve në terren, Ministri Ahmetaj informoi Kryeministrin se: “Javën që vjen kemi dhe dy kontrata që mbyllen për infrastrukturën. Deri sot kemi mbyllur Kavajën dhe Fushë-Krujën. Javën që vjen mbyllet Thumana dhe Bubqi dhe fillon dhe aty puna në terren. Me shpronësimet kemi ecur.”
Gjithashtu, Drejtori i FShZh Dritan Agolli u shpreh se: “Në kantier kemi lidhur 20 kontrata me rreth 33 objekte. Nga paketa që ka qenë e parashikuar për të financuar me buxhetin e shtetit, kanë mbetur 5 objekte që shumë shpejt përfundojmë projektidetë dhe lidhim kontrata. Mbyllim paketën që u alokua në fillim nga buxheti për rreth 38 objekte arsimore.”
Dhjetra objekte të tjera arsimore do t’i nënshtrohen rindërtimit për të cilat Minisri i Rindërtimit Ahmetaj shpjegoi: “Kemi edhe 2 sete të tjera. Një set është me bashkinë e Tiranës, që shkojnë 18 shkolla, por 9 prej tyre do të bëhen me fonde të buxhetit të shtetit. Pjesa tjetër mendohet t’i shtohet paketës, që tashmë e ka marrë Komisioni Europian nëpërmjet UNDP. UNDP në hapin e parë ka marrë 22 shkolla, që janë në proces prokurimi. Ne kemi dorëzuar edhe listën përfundimtare, të përjashtuar të gjithë ato që do të financojmë ne nga buxheti i shtetit. Mendohet që ata do të financojnë rreth 40 shkolla me një shumë prej rreth 50 milionë euro, plus 15 që tashmë sapo kanë filluar. Pra, 65 milionë euro po shkojnë për shkollat dhe 50 milionë për trashëgiminë kulturore, që janë në proces projektimi.”
Gjithashtu Ministri Ahmetaj bëri të ditur se javën tjetër FSHZh dhe bashkia e Tiranës hapin fazën e dytë të tenderimit të njësive individuale:
“Të martën FSHZH dhe bashkia e Tiranës hapin fazën e dytë të tenderimit të njësive individuale, që do të thotë që nëse procesi shkon mirë dhe besoj do të shkojë shumë mirë, për 7-8 ditë, ndoshta dhe më pak do të jenë kontratat e njësive individuale.”
Përsa i përket procesit të shpërndarjes së granteve të rindërtimit, në bashkinë e Durrësit, Ministri Ahmetaj u shpreh se “Vetëm bashkia e Durrësit, pra qytetarët e Durrësit, përfitojnë 24 deri në 26 milionë dollarë që është granti irikonstruksionit.”
Kryetarja e Bashkisë Ermijona Sako tha se ky proces është drejt përmbylljes: “Besoj se kësaj jave do të bëjmë kërkesën. Jemi duke bërë verifikimet e fundit me hipotekën, por brenda javës do të sjellim kërkesën për grantet e rindërtimit, për rikonstruksionin dhe për ambientet e përbashkëta”përfundoi ajo.
Newsroom
Kantier i ri në Sukth, rilindje nga gërmadhat e 26 nëntorit tragjik