Projekti i Rilindjes Urbane për Ulzën, me një financim prej 700 milion lekësh nga qeveria e ka transformuar tërësisht qytezën e lënë në harresë prej vitesh. Kryeministri Edi Rama inspektoi shëtitoren e re të qytetit. Në kuadër të këtij projekti janë rehabilituar tërësisht fasadat, si dhe është ndërtuar sheshi i qytetit, së bashku me rrugicat kryesore të tij. Kryeministri Rama u takua edhe me banorë të Ulzës, të cilëve iu bëri të ditur se veç këtyre ndryshimeve në saj të Rilindjes Urbane, një tjetër projekt që do ta zhvillojë me tepër Ulzën është ai për shëtitoren buzë liqenit, e cila do t’i japë një zhvillim akoma të madh zonës dhe do ta bëjë edhe më atraktive atë për turistët.
“Unë jam rritur këtu, – shprehet një banor, – por s’ka bërë vaki ndonjëherë gjithë ky investim i bukur, i mrekullueshëm. Unë mbaj mend 3-4 baraka që ishin në ndërtim.”
“Jam shumë i impresionuar. Unë kam qenë këtu. Ka qënë një tmerr. Tani është bërë si një qytezë jashtë shtetit. Duhet bërë një lloj shëtitore poshtë te liqeni, se po qe se rregullohen këto poshtë dhe shtëpitë t’i ndihmojmë të rregullohen, këtu bëhet turizëm,” – u shpreh Kryeministri.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se ky investim jo vetëm ka ndryshuar pamjen e qytetit, por nxit edhe ekonominë lokale. “Me rregullimin e këtij qyteti që u bë në kuadrin e rikualifikimit urban, pothuajse këtu është rritur dyfish çmimi i banesave. Qytetarët që ishin duke e lënë këtë qytet, tani kanë filluar të kthehen.”
* * *
Me një investim prej 120 milionë lekë ka nisur ndërtim i Unazës së Klosit, një domosdoshmëri për qytetin për shkak edhe të kalimit nëpër qytetet të makinave të rënda të kromit nga miniera e Bulqizës. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për Unazën, për të cilën theksoi se nisur nga rëndësia që ka për qytetin, ndërtimi i saj ishte një premtim i bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2015 dhe tani ka nisur ndërtimi, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve lokale.
“Ishte zotim që bëri Valbona në fushatë, që do bëjmë unazën, pavarësisht që Valbona nuk ia doli që të fitonte. Po pak rëndësi ka kjo. Njerëzit janë njësoj, janë si kudo. Nuk lidhet kjo me çfarë ngjyre ka fanella e kryetarit të Bashkisë. Por lidhet me çfarë nevojash kanë njerëzit. Kështu që do bëjmë më shumë akoma. Shpresojmë që të kemi më shumë bashkëpunim dhe projekte nga Bashkia.
“Është një investim prej 120 milion lekësh të reja. Shmang të gjithë trafikun që vinte në qytetin e Klosit dhe kalon rrugën nacionale,” – shpjegoi drejtuesi i punimeve.
Si pjesë e Rilindjes Urbane, në Klosin fillon së shpejti edhe projekti i rehabilitimit të fasadave.