Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkia Mirditë është një kantier pune ku po zbatohen një sërë projektesh dhe ndërhyrjesh infrastrukturore, të cilat do t’i ofrojnë banorëve më shumë lehtësi dhe komoditet në jetën e tyre të përditshme.

Rikualifikimi urban i sheshit të qytetit Rrëshen, një investim me vlerë 187 milion lekë, është investimi i munguar për qytetarët, i cili do të dhurojë në një sipërfaqe prej 8200 m2, më shumë gjallëri, ngjyra, mjedise të rikualifikuara, me gjelbërim dhe ndriçim dekorativ. Projekti gjithashtu parashikon rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës nëntokësore.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Ndrec Dedaj inspektoi sot punimet për sheshin, shkollën e mesme, pedonalen dhe disa rrugë të rëndësishme për qytetin.

Shkolla e mesme e Rrëshenit është një tjetër investim madhor i cili do të ofrojë për nxënësit e kësaj shkolle mjedise të rijetëzuara përmes rikonstruksionit në themel të mjediseve ekzistuese dhe shpesh jo funksionale që kjo shkollë kishte dikur. Me Investimin prej afro 119 milionë lekë do të mundësohet sistemi i ri i ngrohjes, kabinetet dhe laboratorë bashkëkohore, sistemimi i terreneve sportive me kushtet më optimale, si dhe mjedise të tjera argëtuese.

* * *

Qyteti i Rrëshenit do të prezantohet ndryshe për turistë e vizitorë të huaj dhe vendas, duke nisur që nga rruga hyrëse e tij.  Segmenti rrugor  Kryqëzimi autostradë – hyrja e qytetit Rrëshen” (Lot 1) i është nënshtruar projektit për rikonceptimin urban , një investim ky me vlerë prej 149 milion lekësh, i cili synon që në një periudhë të shkurtër kohe të sistemojë infrastrukturën e rrënuar të kësaj rruge, duke i dhënë asaj pamjen e një infrastrukture europiane.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj inspektoi sot në terren ecurinë e punimeve për këtë rrugë.

Rruga do të zgjerohet, nga të dyja anët me trotuar, si dhe do të sistemohet një kthesë problematike e saj, e cila prej vitesh shkaktonte pengesa të mëdha në komunikim, kryesisht në kohë reshjesh. Sistemimi i saj do të shmange një herë e mirë përmbytjen e rrugës ne atë kthesë, përmes ndërtimit të një ure qe lehtëson kalimin e ujërave te shumte, gjate muajve te dimrit. Kjo jo vetëm do ti japë një dimension të ri urban hyrjes së qytetit Rrëshen, por do të shtojë sigurinë për fëmijët e shkollave që banojnë në lagjen Ura e Fanit. Ndërsa në segmentin nga Ura e Fanit – autostradë, do të ketë ndërhyrje për eliminimin e kthesave, dhe zgjerim të saj.

Duke shpjeguar projektin, Kryetari i Bashkisë u shpreh: “Është 1.5 kilometra, do të bëhet me trotuarë në të dy anët. Pjesa nga varrezat deri në hyrje të qytetit, me kanalizime.  Ka qënë kthyer një rrugë makth për qytetarët. Rruga do të jetë me ndriçim nga të dyja anët dhe do të lehtësojë, do të bëjë të mundur që qytetarët të lëvizin lirshëm.”

Gjelbërimi në të dy krahët e rrugës do të jetë një tjetër element, jo vetëm dekorativ.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.