Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

E pozicionuar vetëm 10 kilometra nga qendra e Beratit, në fshatin Fushë Peshtan, kantina Nurellari, e mirënjohur tashmë edhe në Zvicër e Francë, është kthyer në një bujtinë nga më tërheqëset të zonës. Ka qenë mbështetja e qeverisë përmes fondeve të AZHBR-së, që ka nxitur investitorin, ndër më të spikaturit dhe mjaft të suksesshëm në prodhimin e verës Made in Albania që të zgjerohet edhe me ambiente mikpritëse, të cilat i japin një atraksion plus edhe vetë qytetit turistik të Beratit. Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër transformimin e kantinës Nurellari me një stil unik për vizitorët, të cilët deri pak kohë më parë pasi degustonin verën nuk kishin mundësi të qëndronin më tepër dhe të shijonin klimën dhe natyrën e mrekullueshme të zonës.

“Kantina është bërë multifunksionale. Shërben edhe si hoteleri për katin e dytë, por edhe si banak për të ekspozuar produktet. Holli i arreduar me stil artizanal. Janë 6 dhoma, afërsisht shkojnë 20 shtretër. Çdo dhomë ka arredim të veçantë. Mënyra e arredimit edhe të kantinës funksionale është që ne të kemi edhe akomodim edhe degustim,” tregon zoti Nurellari.

Ai shton më tej se verërat që prodhohen në këtë kantinë kanë arritur të eksportohen deri në Francë, ndërsa shton se pjesë e investimit të ri, falë mbështetjes së AZHBR-së, janë edhe butet franceze që i japin shije dhe aroma të veçanta verërave.

“Me AZHBR-në kemi marrë rreth 10 bute franceze. Janë A-ja e buteve franceze. Janë bute 300-vjecare,” pohon ai.

Kantina Nurellari është një nga modelet më të suksesshme të biznesit në vendin tonë, e vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Ajo disponon një sipërfaqe të konsiderueshme në vreshta, por bashkëpunon edhe me fermerë lokalë të zonës. Çelësi i suksesit është pikërisht cilësia e produktit, për të cilën koha ka treguar se faktori klimë i ndërthurur me faktorin tokë kanë qenë vendimtare. Kjo ka bërë që “Nurellari” të kthejë tashmë sytë edhe nga agroturizmi, një fushë ku shembujt e suksesit po shtohen edhe si rezultat i vëmendjes dhe mbështetjes së qeverisë drejt këtij trendi.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.