Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Këshilli Kombëtar i Territorit i mbledhur sot, nën drejtimin e Kryeministri Edi Rama miratoi një seri vendimesh të rëndësishme, të cilat lidhen me planifikimin dhe rregullimin e territorit, nëpërmjet zbatimit të masave emergjente. Këto vendime u bënë të ditura përmes një komunikimi me median, të tre ministrave të kabinetit, Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, Ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka dhe Ministres së Kulturës znj. Mirela Kumbaro.

Ministrja Gjermeni theksoi që zhvillimet informale, e kanë bërë mëse të domosdoshme nismën për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit.

KKT-ja miratoi gjithashtu edhe vendimin për fillimin e procedurave për hartimin e planit të integruar të përgjithshëm në zonën ekonomike, Tiranë – Durrës.

Në vijim të paketës së masave, KKT miratoi vendimin mbi ndërhyrjen emergjente në mbrojtjen dhe rehabilitimin të zonave të rëndësishme, kombëtare, mjedisore. Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka garantoi se Qeveria është shumë e vendosur për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve, pikërisht zonat e gjelbra.

Vendimi për vënien në një mbrojtje të veçantë dhe marrjen e masave të menjëhershme emergjente për Mbrojtjen e Objekteve dhe Qendrave të Trashëgimisë Kulturore është komunikuar nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.

Në mbledhje u miratua edhe rregullorja e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni: “Sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit u morën disa vendime shumë të rëndësishme që lidhen me planifikimin dhe me kontrollin e territorit.

-Vendimi i parë dhe më i rëndësishmi është Miratimi i nismës për hartimin  e Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Sigurisht, sipas legjislacionit në fuqi, kjo nismë duhet të ishte marrë prej kohësh dhe Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit, duhet të ishte zbatuar dhe realizuar në Shqipëri.

Deri tani, zhvillimet informale, siç e dimë të gjithë dhe kaosi me të cilin po zhvillohen ato në Shqipëri, e kanë bërë mëse të domosdoshme nismën për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Me marrjen e kësaj nisme dhe me hartimin e këtij Plani synohet realisht që në radhë të parë t’i jepet fund informalitetit dhe kaosit të zhvillimit informal dhe urban në Shqipëri. Të fillojë një epokë e re e planifikimit, e kontrollit të territorit, e një zhvillimi ekonomik dhe social, i cili do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë.

Procesi i këtij planifikimi do të jetë një proces gjithëpërfshirës, duke angazhuar të gjithë ekspertizën vendase, duke angazhuar ekspertizën e huaj, duke qenë në bashkëpunim dhe në një proces partneriteti me pushtetin vendor, me grupet e interesit, me shoqërinë civile, me universitetet, me median, duke dashur që ky proces, jo vetëm të jetë përfshirës dhe i qëndrueshëm, por vërtet Plani që do të dalë nga ky proces, të jetë një plan që t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë.

Ajo që doja të theksoja është angazhimi maksimal i qeverisë Rama, i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencisë së Planifikimit të Territorit, por në radhë të parë të të gjithë Këshillit Kombëtar të Territorit që ky Plan Kombëtar. E para, të realizohet sipas afateve dhe legjislacionit në fuqi; nga ana tjetër të jetë proces gjithëpërfshirës dhe të mund të realizojë një Plan Kombëtar, i cili do t’i shërbejë interesave të vendit edhe një të ardhmeje evropiane të Shqipërisë.

-Vendimi i dytë, po kaq i rëndësishëm është Fillimi i procedurave për hartimin e Planit të Integruar të Përgjithshëm në Zonën Ekonomike, Tiranë – Durrës. Të gjithë e dimë që është një zonë nga më të rëndësishmet në vend, me potenciale ekonomike dhe sociale shumë të mëdha, por edhe kjo zonë është prekur gjithashtu nga informaliteti, nga kaosi demografik dhe urban, prandaj hartimi i një plani të integruar për këtë zonë, mendojmë do t’i shërbejë më mirë zhvillimit të potencialeve të kësaj zone dhe të ardhmes evropiane të zonës, Tiranë – Durrës.

Duam vërtetë, që përmes këtij plani, kjo zonë të jetë një model suksesi për zhvillimin ekonomik dhe social në Shqipëri.

-Vendimi i tretë, ka të bëjë me Masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore, në zonën e kurorës së Tiranës. Është në vazhdën e vendimeve që u morën edhe në mbledhjen e kaluar të Këshillit Kombëtar të Territorit, duke dashur t’i vëmë një barrikadë, t’i ndalojmë ndërtimet informale, sidomos në zona që janë kaq të rëndësishme, jo vetëm për sot, por edhe për brezat që vijnë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm, që unë dua ta ndaj me ju është Miratimi i Rregullores së Këshillit Kombëtar të Territorit. Ajo që dua të theksoj është që ky Këshill më parë ka funksionuar pa Rregullore. Mendojmë që edhe ky është vendim i rëndësishëm që KKT-ja, si autoriteti më i lartë i planifikimit të territorit, duhet të ketë një rregullore dhe të funksionojë sipas një rregulloreje të caktuar.

Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka: “Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm sot në mbledhjen e KKT-së ishte pikërisht për masat emergjente që nevojiten për të ndërhyrë në mbrojtjen dhe rehabilitimin të  zonave të rëndësishme, kombëtare mjedisore.

Siç dhe jeni në dijeni, sot në Shqipëri është një numër jo i vogël, i zonave të mbrojtura, parqeve kombëtare, të cilat në vitet e fundit kanë pësuar një dëmtim shumë të madh. Ndaj dhe Këshilli Kombëtar i Territorit e konsideroi një emergjencë për të rehabilituar pikërisht këto zona, të cilat nëse do t’i konsiderojmë të mbrojtura, vetëm të mbrojtura nuk kanë qenë përgjatë mbi 20 viteve e fundit. Sigurisht, rreth 90 % e ndërtimeve që gjenden në zonat në fjalë janë ndërtime informale dhe që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është pikërisht kthimi i tyre në identitet. Sigurisht që ka një ligj të posaçëm për menaxhimin e parqeve kombëtarë, ku dhe lejet në mënyrë të domosdoshme janë për t’u dhënë nga KKT-ja, ku do të thoja në shumë pak raste, mos të themi në asnjë rast, nuk është vepruar në mënyrë të atillë.

Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare është edhe rritja e sipërfaqeve të gjelbra, po aq më shumë edhe rritja e zonave të mbrojtura, që është dhe një nga rekomandimet e KE-së. Ndaj unë do t’i garantoja të gjithë qytetarët shqiptarë se Qeveria është shumë e vendosur për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve pikërisht zonat e gjelbra, zona me të vërtetë rekreative për pushuesit e mbarë vendit, por edhe turistët e huaj

Do t’ju falenderoja dhe të kërkoja bashkëpunimin e çdo qytetari shqiptar, të denoncojë në kohë reale, çdo ndërhyrje që mund të bëhet, pikërisht në këto zona të mbrojtura.”

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro: “Vendimi tjetër, në të njëjtën natyrë siç ishte Mbrojtja e Pasurive Natyrore që mori sot Këshilli Kombëtar i Territorit është edhe vënia në një mbrojtje të veçantë dhe marrja e masave të menjëhershme emergjente për Mbrojtjen e Objekteve dhe Qendrave të Trashëgimisë Kulturore me një rëndësi të veçantë. Bëhet fjalë për një përditësim të listës, rishikim të listës të objekteve të Trashëgimisë Kulturore të të gjitha natyrave të përcaktuara qartë nga ligji për Trashëgiminë Kulturore, identifikimi i atyre objekteve që kërkojnë ndërhyrje emergjente dhe pezullimin e dhënies së lejeve zhvillimore deri në planin e përgjithshëm definitiv të territorit, çka do të bëjë të mundur edhe njëherë përcaktimin e zonave më të rrezikuara, të cilat nuk janë pak. Po të shikojmë hartën e Shqipërisë që është shumë e pasur me të tilla zona dhe që shpesh herë në vitet e fundit janë bërë objekt raportimi edhe nga media. Kjo vjen në vazhdën e vendimit pararendës të KKT-së, që është moratoriumi në tre qytete: Berati, Gjirokastra të mbrojtura nga UNESCO dhe Kruja, për të  mos dhënë më asnjë leje ndërtimi të asnjë lloj natyre. Ripërcaktimi i zonave A dhe zonave B të mbrojtura nga ligji i trashëgimisë kulturore është gjithashtu në vazhdën e një përpjekje tjetër të Ministrisë së Kulturës,  e cila ka vënë në dijeni të gjitha bashkitë e vendit  për rishikim të rregullave, me të cilat do të funksionojë Këshilli Kombëtar i Restaurimit, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pas riformatimit të tyre, i cili do të ndodhë shumë shpejt, si dhe në kuadrin e një reforme të përgjithshme që Ministria e Kulturës po ndërmerr për menaxhimin territorial të objekteve të trashëgimisë kulturore. Do të na lejojnë këto masa që të vëmë në kontroll dhe monitorim për të shpëtuar nga rreziku ato objekte që janë në rrezik sot dhe për të mbrojtur në vazhdim të gjitha zonat e tjera të përfshira nga ky ligj.”

Pyetje:  Zonja Gjermeni, ju folët për  një Plan Kombëtar Territorial. Në fakt dy ditë më parë Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kreu i opozitës Basha, kërkoi që në hartimin e këtij plani të përfshihet edhe pushteti vendor. Ia jepni këtë garanci?

Ministrja Gjermeni: Pa diskutim! Unë e theksova. Është edhe në dokumentin që ne kemi hartuar për nismën, është një dokument shumë i plotë, në të cilën jo vetëm analizohet situata, kuadri ligjor, problematika që ka në Shqipëri, Zhvillimi Urban dhe Zhvillimi i Territorit, por në një kapitull të veçantë është edhe partneriteti dhe bashkëpunimi. Patjetër pushteti vendor është një nga partnerët kryesorë, që vërtet Plani i Përgjithshëm Kombëtar të ketë një proces gjithëpërfshirës dhe Pushteti Vendor është aktor kryesor. Ndërkohë që dua të theksoj që edhe planet e njësive vendore ekzistuese, do të jenë bazat mbi të cilat ne do të ngremë punën për Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Pra, jo çdo gjë do të fillojë nga fillimi, do të shikohet që në hartimin e Planit Kombëtar, gjithçka që është bërë deri tani, të jetë pjesë e këtij procesi, duke qenë, e theksoj, përfshirës dhe duke mundur që secili plan, ai i njësive vendore dhe ky kombëtar, patjetër që të jenë plotësues për njëri – tjetrin dhe të mund të zhvillojnë potencialet e çdo rajoni e çdo zone përkatëse. Pa diskutim që pushteti vendor është partner kryesor.

Pyetje: Ju folët për zhvillimin e zonës Tiranë – Durrës në autostradë, do të ketë prishje të ndërtimeve në këtë zonë që janë afër rrugës nacionale, do të ketë prishje të atyre objekteve që mund të kenë dhe leje dhe që janë shumë afër rrugës?

Ministrja Gjermeni: Përsa u përket masave që ne kemi marrë në kuadër të një emergjence kombëtare,  e theksojmë lidhur me kaosin e zhvillimit urban, do të ketë edhe masa rehabilituese lidhur me ndërtimet që janë pa leje. Në radhë të parë, duke ndaluar ndërtimet e tjera informale dhe duke përcaktuar kritere të qarta për ndërtimet që janë, në qofte se janë në proces legalizimi apo jo, në cilën fazë janë para se të ndërhyhet lidhur me rehabilitimin e mjedisit.

Pyetje: Po ndërtimet me leje?

Ministrja Gjermeni: Ndërtimet me leje?! Asnjëherë nuk kemi thënë se do të prishen.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.