Shkolla profesionale “26 Marsi” në Kavajë, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, do të rindërtohet nga themelet sipas stadardeve më të larta për institucionet arsimore. Shkolla do të jetë gati në fund të muajit nëntor për nxënësit.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, vizituan kantierin nga ku do të rilindë një godinë tërësisht e transformuar e hapësirave dhe kushteve për 627 nxënës.
Kyetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali u shpreh se shkolla, financim i buxhetit të shtetit, është projektuar për të realizuar të gjitha funksionet, mjedise për mësim, laboratorë, mjedise shërbimesh, etj.
“Në total në Kavajë janë 9 shkolla. Dy shkolla janë në rindërtim nga themelet. Është konvikti i Golemit që rindërtohet nga fillimi komplet dhe pjesa tjetër është në rikonstruksion,” u shpreh Krali.
Edhe shkolla “Fiqiri Kurti”, pjesë e paketës së financimit të KE-së do të rindërtohet nga e para.
“Praktikisht është në proces tenderimi nga UNDP me paratë e KE-së, pra, me 65 milionë eurot që është paketa e madhe,” u shpreh ministri Ahmetaj.
Kreu i Bashkisë Kavajë tha se ndërkohë po ecet me ritme mjaft të shpejta edhe me rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ato të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit tashmë janë gati për të pritur familjet.
“Kemi 143 shtëpi individuale. 17 shtëpitë e para [të dëmtuara nga tërmeti] me 21 shtatorin kanë mbaruar. Javën tjetër hyjnë gjithë familjarët brenda. Vazhdojmë dhe me kontratat me DS1, DS2, DS3, ku njerëzit po i marrin në Postë paratë,” – tha Krali, duke shtuar se janë gjithashtu edhe 7 pallate në zonën e Kavajës dhe 2 në zonën e Golemit pjesë e Programit të Rindërtimit.