Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shërbimi shëndetësor, prej më shumë se një viti ofrohet përmes një modeli të ri menaxhimi, i cili bën prioritar qytetarin, duke afruar mjekët pranë vendbanimit të tyre.

Në janarin e viti që shkoi u lançua krijimi i Qendrës Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, një “binjakëzim” me menaxhim unik të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” me Spitalin Bashkiak të Kavajës.

Kjo qendër është modeli i parë i aplikuar në spitalet tona, që mundëson mirë administrimin e burimeve njerëzore, njohurive dhe profesionalizmit, duke ofruar shërbime më të shpejta dhe më cilësore pranë vendbanimit.Me këtë model të ri menaxhimi, pacientët nuk kanë më nevojë që të vijnë në Tiranë, por janë kirurgët, pneumologët, ortopedët, internistët, ata që do të shkojnë pranë pacientit në Kavajë.

Aktualisht, përmes një projekti po investohet në rehabilitimin e infrastrukturës, i cili synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe krijimin e mundësive për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në kushte moderne dhe dinjitoze për qytetarët dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kavajë, së bashku me Ministren e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, për të parë punimet për rehabilitimin e qendrës, e cila ofron shërbime shëndetësore për rreth 100,000 banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth.

Kjo është Qendra spitalore Shefqet Ndroqi njësia Kavajë, Spitali bashkiak i Kavajës, i cili është bashkuar me spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” nën një ombrellë administrimi, pikërisht për të sjellë ekselencën e shërbimeve shëndetësore sa më pranë banorëve dhe sa më pranë qytetarëve. Kjo strukturë spitalore i shërben dhe bashkisë së Kavajës dhe bashkisë së Rrogozhinës. Janë diku te 120 mijë banorë që marrin shërbim këtu dhe një fluks të madh përballon shërbimi i urgjencës.

Aktualisht jemi duke bërë një rikonstruksion të kësaj godine për të përmirësuar kushtet dhe ambientet e kësaj qendre spitalore. Veçoria e kësaj strukture spitalore është fakti që këtu kemi dhe mjek dhe infermierë që shërbejnë në të dy spitalet. Pra në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe në njësinë e Kavajës.

Kemi shërbime të tilla si kirurgjia, ortopedia, fizioterapia, mjek që vijnë nga spitali “Shefqet Ndroqi”, këtu në Kavajë sipas planifikimit të shërbimeve, duke i ofruar kështu dhe mundësi për të shkëmbyer dije dhe njohuri me mjeket që punojnë këtu në këtë strukturë spitalore, por dhe duke përmirësuar akoma më shumë shërbimet që ofrohen në këtë spital. Një mundësi administrimi shumë e mirë për optimizuar, jo vetëm infrastrukturën spitalore, pra për të bërë të mundur që dhe në spitalin e Kavajës të përdoren në maksimum sipërfaqet e kësaj strukture spitalore, por edhe për të ngritur kapacitetet e mjekëve, infermierëve që shërbejnë këtu duke marrë dhe duke shkëmbyer njohuri profesionale dhe me mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi”.” – shpjegoi Ministrja e Shëndetsisë Koçiu, teksa veçoi shërbimin e Kirurgjisë, i cili filloi funksionimin pas 6 viteve.

“Do doja të veçoja këtu shërbimin e kirurgjisë, i cili falë këtij administrimi të përbashkët ka filluar të funksionojë dhe në këtë strukturë spitalore.  Deri 6 vite përpara nuk ofrohej si shërbim. Dhe shërbime të tilla si rehabilitimi fizik dhe këtu jemi pikërisht në pavionin e fizioterapisë nuk kryhej më përpara. Tashmë kemi mjekë që vijnë dhe ofrojnë shërbimin e duhur nga spitali “Shefqet Ndroqi”. Kemi shërbimin e ortopedisë. Janë dy mjekë ortopedë, të cilët vijnë sipas planifikimit të vizitave.” – u shpreh Ministrja Koçiu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi modelin e organizimit të shërbimit, ku edhe mjekët kanë një pagë më të lartë, por edhe kushte më të mira pune, të pakrahasueshme me ato të viteve më parë. “Ato fotot aty ishin tmerr, se si keni punuar në ato kushte” – u shpreh kryeministri, duke iu referuar fotove të ekspozuara në hyrje të objektit, që paraqisnin gjendjen e dikurshme të spitalit. Ndrësa lidhur me pagat, Kryeministri theksoi se ato janë në një nivel më të kënaqshëm. “Me pagat, mirë tani se këtu se është ngritur niveli i spitali, ky tani quhet pjesë e “Shefqet Ndroqit”. – u shpreh Kryeministri.

Spitali është i pajisur me aparatura ekzaminuese imazherike si skaner dhe ofron shërbime në: Sëmundje të brendshme, Kirurgji të përgjithshme, Maternitet, Pediatri.

Gjatë vitit 2024, vetëm shërbimi i urgjencës në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” – Kavajë  ka pritur mbi 18.000 raste.

Rehabilitimi i shërbimit të urgjencës ka mundësuar përballimin e të gjitha urgjencave për qytetin e Kavajës dhe zonën e plazhit të Golemit, Mali i Robit, Qerret, Spille kryesisht gjatë sezonit veror ku dhe fluksi pritës është i lartë për ofrimin e shërbimeve për pushuesit dhe turistët e huaj.

Spitali ka një kapacitet prej 80 shtretërish dhe një staf mjekësor prej 97 profesionistësh, si dhe 45 punonjës mbështetës.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.