Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Bruksel, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Kryeministri pati një takim tejet inkurajues me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker. Presidenti Juncker shprehu keqardhjen për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në jug të vendit dhe ofroi mbështetjen e Komisionit, i cili është duke mobilizuar ndihmën e emergjencës nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
Në takim u diskutua për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe zhvillimet në rajon. Kryeministri Rama bëri një paraqitje të reformave integruese dhe shtetndërtuese, për të cilat mori vlerësimin dhe mbështetjen e Presidentit të KE.
Presidenti Juncker rikonfirmoi angazhimin e Komisionit në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe siguroi se KE do të vazhdojë të japë mbështetje dhe asistencë në hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në BE. Presidenti Juncker vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon.