KE, PO progresit të Shqipërisë. PO statusit të vendit kandidat

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, pas përfundimit të takimit të tretë, të “Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE”, të mbajtur sot në Tiranë:

 

Kryeministri Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Po e nis me atë që ju tanimë e dini. Progres-Raporti ka konfirmuar me një “PO” të fortë dhe të qartë rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, bazuar në argumente konkrete për konsolidimin e një rruge të nisur rezultatesh të prekshme, që në muajt e parë të qeverisjes sonë.

Raporti dëshmon dhe thekson punën e qeverisë, si një punë që meriton të njihet dhe të vlerësohet për vetë Shqipërinë me dhënin e statusit e vendit kandidat për vendin tonë. Më lejoni të shtoj, përpara se t’ia jap fjalën Komisionerit për të bërë një paraqitje më të shtjelluar, se ky Progres-Raport ka një nënvizim shumë të fortë dhe nuk lë shteg për asnjë dyshim dhe alibi, se pse Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Mbi të gjitha është një rekomandim i pastër, pa asnjë presje pas “PO”-së.

Dua ta mbyll, duke thënë;

Ne sot ndihemi edhe më shumë të rënduar nga pesha e përgjegjësisë dhe pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi i që i ka bërë Komisioni rekomandimit na bën të ndihemi mirë në raport me gjithë shqiptarët, sepse puna ka vazhduar pa asnjë lëkundje, pa asnjë mëdyshje, pa asnjë ulje të ritmit të reformave dhe të përpjekjeve të gjithanshme transformuese. Duke falenderuar Komisionerin, duke falenderuar të gjithë skuadrën e palodhur dhe durimplotë të tij për të na mbështetur dhe për të na ndihmuar në gjithë këtë proces të vështirë, më lejoni që t’ia lë fjalën zotit Stefan Fyle.

Komisioneri Fyle:

Ju faleminderit shumë!

Mirëdita të gjithëve!

Ne sapo kemi zhvilluar raundin e tretë të “Dialogut të Nivelit të Lartë” për prioritetet kyçe. Por më lejoni të filloj, duke shpjeguar një kompleks më të gjerë të punës. Kemi pasur një konferencë në Selanik, para dy javësh, po ashtu konferenca në Vjenë, e cila u zhvillua dje në fakt.

Në të dyja këto konferenca u theksua rëndësia e vazhdueshme e zgjerimit. Më duhet të theksoj se në këto konferenca zgjerimi ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga prioritet e Komisionit.

Përsa i përket aspektit dypalësh, ka qartë një dinamikë të gjerë në marrëdhënien tonë. Ne kemi pasur raunde të tjera të “Dialogut të Nivelit të Lartë”, në mars, në prill. Kryeministri ishte në Bruksel. Në maj po ashtu patëm takimin e Këshillit të Asociimit sëbashku. Po ashtu, qershori do të sjellë një takim të rëndësishëm me shtetet anëtare të BE, për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Pra, edhe njëherë, kjo është një panoramë e gjerë e këtyre aktiviteteve. Kjo është panoramë, në të cilën unë solla një Raport të cilin komisioni e miratoi dy orë më parë. Ne e përgatitëm këtë Raport për shtetet anëtare. Në këtë Raport pasqyrohen kryesisht ecuritë apo progresi i kohëve të fundit në reformën në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, nuk është ashtu siç e kanë raportuar disa prej jush, një Progres Raport, i cili në fakt vjen zakonisht në fund të vitit, në tetor dhe vetëm një herë në vit. Po ashtu, disa prej jush keni raportuar që ky Raport, i qershorit pra, u shty. Në fakt ai është miratuar sipas procedurave normale.

Duke u bazuar tek gjetjet tona, ne konfirmojmë pa pikë dyshimi, ashtu siç e tha dhe zoti kryeministër, pa kushte dhe pa rezerva, rekomandimin që shtetet anëtare i japin Shqipërisë, statusin e vendit kandidat.

Ne e kemi bazuar këtë rekomandim gjithmonë  tek ky angazhim politik, i vazhdueshëm dhe në mënyrë të vendosur, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe angazhimit e përkushtimit për një reformë gjyqësore gjithpërfshirëse, si edhe duke u bazuar tek vlerësimi ynë i progresit apo ecurisë që është bërë në këto fusha. Përveç këtyre edhe veprimet që janë ndërmarrë nga Shqipëria, që nga Raport-Progresi i tetorit të shkuar.

Jam i inkurajuar nga angazhimi që është treguar nga Shqipëria dhe nga përpjekjet për reformë në të shkuarën, por edhe ato që vazhdojnë sot. Shoh në fakt, një argument të fortë për një vendim pozitiv nga shtetet anëtare.

Angazhimi apo përkushtimi i këtij momenti dhe përpjekjet e tanishme duhet të vazhdojnë dhe të intensifikohen përtej takimit të qershorit të shteteve anëtare, në mënyrë që të garantohet pakthyeshmëria e reformave dhe në veçanti për sa i përket shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Këto reforma duhet të jenë gjithëpërfshirëse, koherente dhe të orientuara drejt rezultateve.

Në këtë aspekt, ju lutem më lejoni të flas për tre çështje;

Së pari, unë e mirëprita dhe mirëpres miratimin javës së shkuar të Udhërrëfyesit për prioritetet kyçe nga qeveria shqiptare. Ky është një dokument i rëndësishëm, i cili tregon qartë planin dhe strukturën e qeverisë përsa i takon reformave të mëtejshme, që kanë të bëjnë me BE dhe që do ta sjellin më vonë Shqipërinë në një fazë tjetër të procesit të zgjerimit.

Po ashtu, kam mirëpritur synimin e qeverisë për të themeluar dhe për të pasur seancën e parë të atij që njihet si Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, për të sjellë  në një tryezë të rrumbullakët të gjithë palët e interesuara për çështje që kanë të bëjnë me BE. Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë thelbësore për suksesin e ambicieve tuaja për integrimin tuaj në BE.

Së dyti, në këtë këndvështrim apo kontekst, më duhet të them që klima e vazhdueshme konfrontuese politike, e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe mund të pengojë procesin e reformave. Si qeveria dhe opozita duhet të tregojnë moderim dhe të ndërveprojnë në mënyrë konstruktive me një qasje që bazohet tek kompromisi.

Së treti, për sa i përket grevës së urisë, të zyrtarëve të larguar nga puna, kam njohuri dhe informacion për këtë grevë dhe e shoh me shqetësim. I bëj thirrje grevistëve që mos të vënë  shëndetin dhe jetët e tyre në rrezik. Ne po e ndjekim këtë çështje nga afër dhe flasim për to në mënyrë të rregullt me qeverinë. E do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Së fundi, unë vërtet besoj se e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE dhe jam vërtet i bindur për kapacitet e Shqipërisë për të trajtuar siç duhet sfidat e integrimit në BE.

Ne mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar që të punojmë sëbashku me Shqipërinë dhe ta ndihmojmë vendin në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Ju faleminderit!

Kryeministri Rama: Përpara se t’i japim mundësi të gjithë përfaqësuesve të medias, më lejoni të them dhe unë disa fjalë më konkretisht, duke filluar jo me një falenderim të rastit, por më një falenderim shumë të ndjerë, në radhë të parë për ministrin tonë të Jashtëm dhe ministren tonë të Integrimit, që realisht më bëjnë krenar dhe na bëjnë krenarë për punën e tyre të shkëlqyer.

Po ashtu, dua të falenderoj të gjithë ministrat që kanë qenë në vijën e parë për të konfirmuar këtë rekomandim, duke ndjekur me vullnet dhe me mundim përmes shumë vështirësish të pesë prioritetet; duke filluar nga ministri i Brendshëm, puna e të cilit merr një vlerësim të lartë në Progres Raportin që u bë sot publik dhe duke vazhduar me ministrin  e Drejtësisë, ministrin e Mirëqenies Sociale, ministrin e Shtetit për Çështjet vendore dhe antikorrupsionin dhe ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Inovacionin.

Një falenderim plotësisht i merituar dhe aspak formal, i shkon përjashtimisht, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Ilir Meta, i cili në mënyrë të dedikuar është vënë në dispozicion të përpjekjes së përbashkët për të avokuar se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Ka pasur një axhendë të ngjeshur komunikimesh me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarw.

Nuk është po ashtu, sa për të larë gojën, por është dhe ky një falenderim i sinqertë për Kryetaren e Komisionit Parlamentar të Integrimit, zonjën Majlinda Bregu, e cila nga pozicioni institucional ka pasur edhe ajo, rolin e vet të çmuar në këtë proces.

Dua të falenderoj edhe ambasadorët e vendeve anëtare për gjithë komunikimin intensiv që na kanë garantuar dhe për krijimin e kushteve që mesazhi dhe faktet të dalin të padeformuara në drejtim të kancelarive europiane. Nëse do të më pyesni me një fjali çfarë është ky Progres Raport për mua, unë do të thosha më shumë punë për qeverinë, më shumë realizëm për opozitën.

Unë do të thosha se Progres Raporti, faktikisht, nënvizon një ecje të shpejtë përpara në politikat antikorrupsion, duke nënvizuar po ashtu se një numër i lartë hetimesh, nuk përfundojnë në dënime. Ky është një problem serioz, për të cilin ne kemi diskutuar më gjerë nw kontekstin e nevojës për një reformë të madhe në drejtësi, edhe në “Dialogun e Nivelit të Lartë”, që sapo përfundoi.

Po ashtu vlerësohet roli i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive  në 4 mujorin e parë të vitit për intensifikimin e një pune që faktikisht, në mënyrë specifike, Raporti thotë se ka hedhur dritë mbi deklarimet problematike të një numri të përcaktuar personash, që citohen në raport konkretisht.

Vullneti politik i vazhdueshëm për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe për të zhvilluar me vendosmëri luftën ndaj korrupsionit është një nënvizim që sigurisht na inkurajon, por nga ana tjetër ne e marrim si detyrë parësore shtëpie, që fokusi të jetë në zbatimin e legjislacionit për deklaratat pasurive, në hetimet proaktive dhe në miratimin e masave për të rritur eficencën e hetimeve dhe për të ndërtuar në vijim, një bilanc  gjithmonë e më të qëndrueshëm. Bilanc, që do të mund të garantohet, duke filluar nga Reforma në Drejtësi për të cilën siç e thashë kemi folur dhe jemi tërësisht dakord se na duhet një proces gjithëpërfshirës, na duhet një proces që të ketë në horizont një produkt të ri, më shumë pavarësi, por dhe më shumë integritet dhe profesionalizëm në sistemin e drejtësisë. Sigurisht, na duhet një proces, ku të mos jetë një proces ekskluziv i qeverisë, por ku të përfshihet jo vetëm opozita padyshim, por dhe aktorë dhe faktorë të tjerë në bashkëpunim me Komisionin, dhe në bashkëpunim edhe me ekspertizën e lartë ndërkombëtare që falë BE, por dhe strukturave të tjera na vihet në dispozicion.

Dua të marr dhe pak kohë për të nënvizuar vlerësimin e operacioneve të suksesshme të policisë në fusha të ndryshme, si dhe vlerësimin për atë që jemi përpjekur ta nënvizojmë vazhdimisht, për bashkëpunimin gjyqësor dhe policor ndërkombëtar, gjë që është vetëm në fillimet e veta dhe pikërisht, ashtu siç Raporti inkurajon, është edhe objektivi ynë, që të përdorim gjithmonë e më shumë, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të ndërtojmë skuadrat e përbashkëta hetimore me vendet mike dhe partnere.

Vlerësimi për hapat e ndërmarra në luftën kundër trafiqeve dhe po ashtu vlerësimi për monitorimin më në fund, të të gjithë hapësirës detare me radarë të rinj dhe vënien në funksionim të plotë të sistemit TIMS pas një periudhe të gjatë anarkie dhe bllokimesh, na bëjnë, e them me plot gojën, krenarë që kemi qenë jo vetëm në lartësinë e detyrës, por kemi qenë tërësisht të hapur dhe të sinqertë me publikun, kur kemi thënë se çfarë po bëjmë dhe se çfarë mendojmë se është për t’u vlerësuar dhe jo për t’u akuzuar.

Rritja e performancës në kapjen e lëndëve narkotike dhe në arrestimin e trafikantëve është një e dhënë e këtij Raporti që pa as më të voglin dyshim përbën një inkurajim shumë të madh dhe një pikë referimi për ne. Duhet të përbëjë një pikë referimi edhe për opozitën, por mbi të gjitha për opinionin publik dhe për opinionin e vendeve anëtare, padyshim.

Fjalia ime e fundit padashur të shkoj më tutje në aspekte të tjera që u diskutuan mbi bazën e Progres Raportit e me siguri pastaj ju keni ditë përpara dhe secili do të bëjë detyrën e vetw për t’u shtjelluar, është se jemi tërësisht në një mendje me Komisionerin. Kjo padyshim nuk është një shpikje as e Komisionerit dhe as e imja, se politizimi i luftës, kundër krimit, nuk i shërben askujt përveç krimit. Politizimi i luftës kundër trafikut të drogës dhe kundër trafikantëve, nuk i shërben askujt, përveç trafikut të drogës dhe trafikantëve.

Prandaj le të bëhemi bashkë për të pasur një vijë të qartë ndarëse mes kampeve politike dhe kampeve në parlament, që natyrshëm janë të ndarë në funksion të një demokracie funksionale dhe kampit tonë të përbashkët të qytetarëve dhe përfaqësuesve të qytetarëve të këtij vendi dhe kampit të botës së krimit, të trafiqeve të korrupsionit, të paligjshmërive dhe të përfitimeve të paligjshme.

Të bëhemi bashkë për të ndarë axhendat partiake dhe betejën mbi bazën e axhendave partiake, betejë plotësisht legjitime dhe demokratike, me axhendën tonë kombëtare që pikë të parë të vetën ka Shqipërinë europiane, Shqipërinë në BE.

Faleminderit!

 

Pyetje: Zoti Rama në krye të qeverisë shqiptare ju keni pritur dy raporte të Brukselit për rekomandimin e statusit të vendit kandidat dhe në të dyja rastet ka qenë një rekomandim pa kushte. Nga sot që ju lexoni raportet nga ndryshojnë mes tyre raporti i dhjetorit dhe rekomandimi i dhjetorit, krahasuar me atë të bërë sot dhe si i lexoni ju sinjalet e vendeve të ashtuquajtura skeptike për votimin e tyre më 23 qershor?

Kryeministri Rama: Besoj se Komisioneri është  njeriu më i duhur këtu për të dhënë një pamje të qartë të dallimit mes dhjetorit dhe ditës së sotme, në kuptimin e Raportit, por për sa më takon e kam thënë në dhjetor, e përsëris dhe sot; Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor. I kam thënë dhe arsyet që unë mendoj se sollën në shtyrjen e këtij vendimi. Por ajo që vlen sot të analizohet është se argumenti pavarësisht shkaqeve që çuan në formulimin e këtij argumenti, por argumenti i dhënë nga disa prej vendeve anëtare, ishte pavarësisht punës mbresëlënëse të qeverisë, na duhet më shumë kohë për të konfirmuar, nëse kjo punë do të jetë e qëndrueshme dhe nëse këto rezultatet të para do të pasohen nga një bilanc i qëndrueshëm rezultatesh në këto drejtime.

Le të biem dakord që nuk është hera e parë që, në dy-tre muajt e parë, një qeveri e sapozgjedhur bën disa gjëra mbresëlënëse. Por në rastet e së shkuarës ka ndodhur dhe kjo ka sjellë edhe ndonjë hezitim, që pas 2-3 muajve të parë, gjërat janë kthyer në pikënisje, madje duke degraduar. Besoj që ne, me këto muaj që na u dhanë për të provuar veten. E provuam veten. Duhet ta përsëris; nuk ndjehem sot në asnjë mënyrë në kushtet për të folur për ndonjë triumf, nuk do të dëgjoni as sot dhe as në vijim, asnjë notë triumfalizmi nga ana ime apo e qeverisë sonë.

Ne e marrim këtë moment si momentin kur rritet mbi ne pesha e përgjegjësive, sepse rruga e integrimit nuk shkon duke u bërë më e lehtë, por shkon duke u bërë më e vështirë. Kalimi nga matura shtetërore në universitete nuk shkon duke e bërë më të lehtë punën, por shkon duke e bërë më të vështirë punën, për të marrë një kualifikim më të lartë, meqenëse jemi në kohën e maturës shtetërore dhe meqë kemi atë krahasimin midis rekomandimit dhe vendimit final.

Përsa i përket skeptikëve, më lejoni që në këtë moment t’i gëzohem faktit që ne ia dolëm të bëjmë punën tonë. Më lejoni të rezervojmë kohën që kemi në dispozicion për ata që edhe vjet, siç e theksoi Komisioneri, na mbështetën hapur, vende mike, vende partnere, që pa asnjë ngurrim e duan Shqipërinë me statusin e vendit kandidat. Ditët në vijim do të kemi kohë edhe për skeptikët.

 

Zoti Fyle, pavarësisht se ka një rekomandim më të fortë dhe një “PO” më të fortë të KE, duket se Raporti vjen në të tjera kushte tashmë, kur janë zhvilluar zgjedhjet në PE dhe duket se euroskeptikët kanë fituar më shumë terren. A mund të ketë kjo ndikim më të madh, në vendimin e vendeve anëtare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë?

Komisioneri Fyle: Përsa i përket pyetjes të parë, që ju ia bëtë zotit Kryeministër, edhe unë bie dakord me atë që ai tha. Keni plotësisht të drejtë që edhe përpara fjalës kushtëzim apo kushteve, pavarësisht se edhe kjo fjalë nuk është përdorur kurrë, megjithatë po të shikohet më nga afër mënyra si janë ndërtuar fjalitë, do të shikohet një farë cilësimi që është bërë. Ne jemi treguar tepër të qartë, që këtë herë nuk ka kurrfarë cilësimi. Kjo është e para.

E dyta, në atë kohë, në fund të vitit të shkuar, shtetet anëtare e bënë fare të qartë faktin se dëshironin të shihnin një bilanc apo historik më të besueshëm nga pala shqiptare, në këto dy fusha, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti, të cilin ne e kemi miratuar sot në Komision, para dy apo tre orësh, në fakt jep pikërisht këtë panoramë apo fotografim të një bilanci të besueshëm, sepse ajo që shtetet anëtare dëshirojnë që ne të bëjmë si Komision, është që këtë moment, në kohë t’i jepnin atyre një Raport, që ata të marrin një vendim në qershor, në takimin e Këshillit.

Këto janë arsyet pse unë fillova me një panoramë apo me kontekst më të gjerë, me Konferencën e Selanikut, si dhe me Konferencën e Vjenës, të cilat kanë ndodhur pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Në të dyja këto konferenca është rikonfirmuar angazhimi dhe përkushtimi i perspektivës europiane për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vazhdimi i zgjerimit. Në fakt, edhe kur ishim në Vjenë e dëgjova qartazi këtë gjë. Dëgjova mbështetjen e shteteve anëtare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, qartë, qartë. Kjo gjë tregon se ne mund të kemi numra të ndryshëm të parlamentarëve, por jo politika të ndryshme të Parlamentit Europian. Parlamenti Europian  ka qenë gjithnjë një nga mbështetësit dhe mbrojtësit më të fortë të zgjerimit. Parlamenti ka qenë ai institucion që e ka bërë shumë të qartë, që zgjerimi nuk është pjesë e problemit, por është pjesë e zgjidhjes. Unë besoj që rezultatet e zgjedhjeve në Parlamentin Europian do të çojnë në një reflektim nga ana e të gjithëve ne, duke përfshirë këtu edhe deputetët e PE-së dhe shpresoj që ky reflektim do të jetë më pak i saktë politikisht, të themi, dhe më shumë demokratik, përsa i përket legjitimitetit.

Gjëja e fundit që dëshiroj të them është që unë shpresoj që zgjerimi nuk do të ndikohet nga rezultatet e zgjedhjeve në Parlamentin Europian. Ne, së bashku me partnerët tanë, vendet kandidatet dhe aspiruese, me mbështetjen e plotë të vendeve anëtare, por edhe me mbështetjen dhe përfshirjen e parlamenteve kombëtare, por dhe të Parlamentit Europian, kemi pasur mundësinë që ta ritregojmë historinë e zgjerimit si një politikë të besueshme. Ne kemi ndërtuar themelet për një proces zgjerimi akoma më të fortë, i cili nuk është thjesht “OK” u bë kjo apo ajo gjë, por një proces që bazohet tek thelbësoret, tek ato tre shtyllat, siç i quajmë ne:

Sundimi i së drejtës, kapitujt 23 dhe 24. Duke filluar me këto çështje që në fillim të negociatave;

Natyrisht, edhe qeverisja ekonomike, siç e quajmë ne. Duke u përpjekur që në këtë moment, në kohë, që përpara se të fillojnë negociatat për anëtarësim, të shikohet konkurueshmëria dhe që do të kontribuojë në politikat e rritjes ekonomike dhe të krijimit të vendeve të punës;

Shtylla e tretë, për të cilën do të flitet edhe në Raport Progresin e tetorit, do të jetë fuqizimi i institucioneve demokratike dhe kapacitet administrative të vendeve tona.

Unë vërtet besoj që këto janë ato shtyllat thelbësore, themelet që do të bëjnë të gjitha institucionet e jo vetëm institucionet, por edhe shtetet anëtare, që të japin rezultate përsa i përket zgjerimit, në mënyrë të besueshme.

 

Zoti Fyle, Kryeministri Rama, dje ka përdorur një krahasim sa i përket integrimit, duke nënkuptuar se komisioneri, mësuesi sipas tij, na vë notë të mirë, ndërsa drejtori, kam parasysh këtu, Këshillin e Ministrave, nuk dihet se çfarë vendimi do të marrin për Shqipërinë. Kaq qasje të ndryshme kanë drejtori dhe mësuesi?

 

Kryeministri Rama: E para, duhet të më citoni në rregull në shqip dhe e dyta pastaj, përkthyesi nuk di si do ta përkthejë këtë histori. Nuk është saktësisht kjo gjëja që unë kam thënë dhe për më tepër e kam thënë në një kontekst të caktuar. Megjithatë, unë edhe jua përsëris dhe me këtë rast e dëgjon edhe Komisioneri. Unë kam thënë që ne kemi detyrimin të bëjmë atë që na takon për të marrë provimin, për të cilin ka një komision, komisioni i provimeve. Pastaj, a ka vend klasa që të hyjnë edhe ne, apo duhet të presim, këtë e vendos drejtoria. Këtë kam thënë unë dhe e kam thënë, kuptohet, me një shaka, që është gjysma e së vërtetës.

Nëse ju insistoni që Komisioneri të vijë këtu, të komentojë shakatë tona, ju mund ta bëni.

 

Zoti Kryeministër kam edhe për ju një pyetje. Unë uroj vërtet që Shqipëria, kësaj radhë ta marrë statusin, si qytetare e këtij vendi, por në rast se na refuzohet, gjithmonë nga drejtori…

Kryeministri Rama: Nga Drejtoria.

Cila është përgjegjësia juaj në këtë rast?

Kryeministri Rama: Faleminderit! Unë jam i bindur që edhe ju si gjithë të tjerët dhe jo vetëm si qytetare, por edhe si televizion Klan, jeni të gëzuar sot. Nuk e dyshoj këtë gjë. Keni luftuar edhe ju për statusin. Në rastin konkret, pyetja juaj më kujton pyetjen që më bënin para zgjedhjeve, se çfarë do bësh ti, në rast se humbet zgjedhjet. Unë mendoj që ne, në këtë rast e kemi bërë detyrën tonë. Vendimi për Shqipërinë, shpresojmë, urojmë dhe po punojmë që të jepet bazuar mbi Raportin e Komisionit. Vendet anëtare kanë kërkuar një Raport nga Komisioni, për të konfirmuar bilancin. Raporti ja ku është. Por, sigurisht, vendet anëtare kanë edhe arsye të tjera, që janë arsyet e tyre dhe që nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Unë kam nderin dhe privilegjin të jem Kryeministri i Shqipërisë dhe përgjigjem për punë që bën qeveria e Shqipërisë përpara shqiptarëve.

Komisioneri Fyle: Komisioni, përsa i përket fushës së zgjerimit, punon shumë ngushtë me vendet anëtare dhe do të thosha në harmoni të plotë. Ne, duke vepruar mbi kërkesën e shteteve anëtare, kemi përgatitur një Raport që është rezultat i kësaj kërkese që është bërë. Shtetet anëtare gjithmonë kanë vlerësuar objektivitetin e Komisionit dhe faktin që ne përqendrohemi tek faktet. Shpresoj që kjo herë do të jetë si të gjitha herët e tjera, kur shtetet anëtare do ta marrin vendimin në fund të këtij muaji.

 

Zoti Kryeministër, cila është oferta juaj, që ta mbajë këtë dialog të hapur, të cilin e ka nisur Komisioneri?

Kryeministri Rama: Ne, e përsëris, sot, përsa na takon, ndjejmë se kemi më shumë përgjegjësi dhe jo më shumë arsye për të festuar. As sot dhe as ditën kur do marrin statusin nuk do të ketë fishekzjarrë në qiellin Tiranës. Nuk do të ketë as koncert. Më vjen keq për Çiljetën e për këngëtarët e tjerë, që mund ta kishin ndryshe këtë ditë, po të ishin të tjerët në qeveri. Nuk do të ketë koncert, nuk do të ketë miting kundër opozitës. Do të ketë vetëm një ditë, për të shprehur rritjen e barrës së përgjegjësisë ndaj nesh. Besoj se e ndajmë bashkë mendimin që nuk është e lehtë të kërcesh atë vallen e shpatave me një tjetër, kur tjetri nuk do. Lerë më pastaj, të kërcesh Shtrausin, kur tjetri s’do. Se kjo nuk është as valle shpatash, është një kërcim shumë i sofistikuar, për të shkuar bashkë drejt Bashkimit Europian.

Megjithatë, ne do të bëjmë çmos që t’i ofrojmë opozitës gjithçka mundemi, që të përfshihet në vallëzim. Se vallëzimi, në këtë rast bëhet bashkë. Jemi absolutisht të vendosur që çdo reformë, çdo ligj, çdo hap ta diskutojmë me opozitën. Por, ne kemi fituar zgjedhjet, opozita i ka humbur zgjedhjet. Mandatin për ta çuar këtë vend përpara e kemi ne. Ne do dëgjojmë, por ne do të udhëheqim. Se nuk mund t’u justifikohemi të tjerëve dhe për më tepër Komisionit që, siç e dëgjuat, do të bëjë Raport tjetër e tjetër e tjetër, se nuk është Raporti i fundit ky, duke i thënë që e ka fajin opozita. Nuk e kemi përdorur ndonjëherë këtë term dhe nuk kemi ndërmend ta përdorim. Ne do bëjmë çmos që opozita të jetë pjesë, por ne do të udhëheqim.

 

Zoti Komisioner, janë dashur 5 vjet që Shqipëria të jetë në një pozicion që të marrë statusin e vendit kandidat. Cilat mendoni se kanë qenë problemet kryesore që kanë qenë edhe pengesa për të arritur në këtë ditë dhe sidomos në vendimin që do të merret në takimin në fund të qershorit?

Komisioneri Fyle: Së pari, kemi të bëjmë me një analizë për Shqipërinë. Nuk është se unë po merrem me librin e Rekordeve Guinness, se cili ka qenë vendi më i parë që ka arritur këtë apo atë, sepse çdo vend ka sfidat e veta, specifikat e veta, të cilat duhen marrë parasysh. Nuk është se ne i vëmë vendet në një linjë, që të shohim se kush ka arritur përpara apo herët etj., etj…  Pra, nuk i listojmë ato.

Së dyti, megjithatë është dukur e qartë me kohë dhe po flas për disa vite më parë, që konsensusi më i gjerë në këtë vend mund të ishte për axhendën europiane dhe sa më i madh ky konsensus, aq më shpjet do të ecnin gjërat përpara. Dhe po, në Shqipëri, ne mund të na jetë dashur që të investonim pak më shumë sesa në vende të tjera aspirante, që aspirojnë të bëhen shtete anëtare të Bashkimit Europian, që fjala kompromis të kishte kuptim të vërtetë dhe që zgjidhja të gjendej për të mirën dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Në fakt, ka shumë shqiptarë që jetojnë në rajon dhe duhet të jetë diçka, ndoshta, që gjendet në ajër këtu në Shqipëri, sepse kujtdo që është në opozitë, disa shqisa europiane sikur i fiken dhe bëhet tmerrësisht e vështirë që të arrihet konsensusi për atë që unë gjithnjë e kam quajtur axhenda europiane. Shpresoj shumë që Raporti, por po ashtu edhe “Dialogu i Nivelit të Lartë”, i cili përfshin po ashtu opozitën, shpresoj që ndërveprimi ynë me të gjithë palët e interesuara, jo vetëm me qeverinë, jo vetëm me shoqërinë civile apo opozitën, por të jenë të gjithë të përfshirë dhe në mënyrë graduale, kjo do të çojë në një situatë ku partitë politike, të themi do të ndeshen me njëra-tjetrën dhe kjo është normale, sepse në fund të fundit mbi këtë bazohen themelet e demokracisë, por në të njëjtën kohë do të thosha që për hir të vendit, për hir të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian, unë shpresoj që partitë politike të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të trajtuar dhe zgjidhur këto sfida, apo këto “detyra shtëpie” që keni përpara.

 

Zoti komisioner, duke e qenë se e njihni mirë fizionominë e vendimeve që marrin vendet anëtare të BE-së, nga 1 tek 10, ku mendoni se do të jetë vlerësimi i fundqershorit për Shqipërinë, pas këtij raporti, me gjetjet e konkluzionet më të qarta, sipas jush, për vendet anëtare?

Komisioneri Fyle: Ju lutem, ne jemi partnerë; Komisioni dhe shtetet anëtare. Ne nuk spekulojmë për vendimet e njëri-tjetrit dhe nuk përdorim këto lloj vlerësimesh, nga 1 deri tek 10. Nuk do ta thyej këtë rregull këtu në Shqipëri.

 

Një pyetje për Komisionerin. Kërkuat bashkëpunim dhe konstruktivitet për të gjitha reformat në vend, mes mazhorancës dhe opozitës. Në fakt, një reformë shumë e rëndësishme po shkon drejt fundit, ajo për ndarjen territoriale-administrative, që ju nuk e keni përmendur në fakt, në prioritetet tuaja për Shqipërinë. A keni një koment për këtë? A duhet qeveria ta miratojë e vetme?

Komisioneri Fyle: Më lejoni t’ju them në mënyrë të qartë dhe pa pikë dyshimi se çështja është diskutuar gjatë “Dialogut të Nivelit të Lartë”, në këtë raund të tretë. Më lejoni që ta bëj fare të qartë, që, gjatë atij diskutimi, unë e kam ngritur këtë çështje dhe kam thënë se është e një rëndësie tejet të madhe që për çështje kaq vendimtare si kjo, procesi të jetë gjithëpërfshirës. E kam bërë tejet të qartë që është në dorën e qeverisë, por edhe të opozitës, që të japin rezultate për këtë përgjegjësi që kanë. E bëra po ashtu të qartë, që kjo gjithëpërfshirje është e rëndësishme jo thjesht se është një fjalë që ne e përdorim shpesh në Bruksel dhe na pëlqen shumë si fjalë e bukur, por sepse në rast se doni që procesi i reformave të jetë i qëndrueshëm dhe në rast se doni që ju të vazhdoni të ecni përpara pas çdo zgjedhjeje, që të ecni përpara dhe jo të ktheheni mbrapa e t’i ktheheni këtyre çështjeve sërish, atëherë gjëja më e mirë është që të filloni të kuptoni se çfarë do të thotë gjithëpërfshirje. Ndoshta është më mirë që të filloni që këtë çështje ta trajtoni dhe ta zgjidhni në mënyrën e duhur. Ky është një mesazh për të dyja palët, për qeverinë, ashtu edhe për opozitën.

 

Pyetje: Zoti Rama po e ruaj për ju pyetjen e fundit. Pse vendosët sot, që të thyeni traditën e deklaratave tuaja dhe të mos i njihni meritë qeverisë së shkuar për këtë vendimmarrje, ndryshe nga herët e tjera?

Kryeministri Rama: Të marrim statusin pastaj t’i njohim meritat edhe për të tjerët që kanë qenë para nesh. Por, le ta themi hapur, për sa na takon në këtë periudhë nuk besoj se kemi pasur ndonjë ndihmë bujare për të arritur rezultatet, që kemi arritur. Prandaj e thashë në fillim dhe dua ta mbyll edhe në fund që ky raport për mua lexohet kështu;

Më shumë përgjegjësi dhe më shumë punë për qeverinë, më shumë realizëm dhe më shumë përgjegjshmëri për opozitën.

Ne do të vazhdojmë të ecim më shpejt, opozita duhet të zbresë sa më shpejt në tokë. Sepse siç e shihni Raporti i bërë nga një palë e tretë, që është e njohur botërisht për faktin se punon me fakte jo me thashetheme, punon me prova jo me pretendime, punon me kritere objektive dhe jo me subjektivizëm, flet qartë për një medalje që ka dy anë komplet të kundërta, qoftë në luftën kundër korrupsionit, qoftë në luftën kundër trafiqeve, qoftë në luftën kundër drogës, qoftë në luftën kundër krimit të organizuar, qoftë në përpjekjen për të rritur efektshmërinë e gjithë proceseve që përfshihen në prioritete.

Ndërkohë, që nga ana tjetër e medaljes, ka një pamje komplet tjetër. Kështu që sot, unë do të falenderoja dhe e përsëris, Kryetaren e Komisionit të Integrimit për një arsye të thjeshtë, sepse Komisionit i Integrimit për hir të së vërtetës dhe besoj që një pjesë e meritës, në mos e gjitha i takon Kryetares së Komisionit, ka qenë gjithsesi një hapësirë ku është vazhduar puna normal, ku nuk është importuar gjithë ajo që, fatkeqësisht, prodhohet të enjteve në parlament.

Për pjesën tjetër, të marrim statusin dhe të jeni e sigurt, e të jeni të sigurtë se nuk do ngurojmë përkundrazi të njohim meritat e gjithsekujt. Asnjëherë nuk do ta dëgjoni nga unë dhe nga ne, që statusi i vendit kandidat është arritje ekskluzive e qeverisë sonë. Asnjëherë nuk do ta dëgjoni nga unë dhe nga ne, se ne disponojmë ndonjë fuqi ekskluzive për të arritur gjërat që arrihen së bashku dhe që arrihen në stafetë.

Komisioneri tha se do të ketë një raport tjetër në fund të vitit, po do ketë raporte çdo vit. Sepse statusi është hapja e një kapitulli tjetër, nuk është anëtarësim! Deri atë ditë, gjithsekush duhet të marrë pjesë, sepse gjithsekush në pushtet apo opozitë, në politikë apo në shoqëri, përfiton ose dëmtohet nga arritjet ose dështimet në këtë proces.

Për sa më takon mua, unë e mbylla por dua t’ja jap fjalën Komisionerit sepse ju e dini që në Shqipëri, fjala e fundit i jepet gjithmonë mikut. Edhe fjalën e fundit në “Dialogun e Nivelit të Lartë” e pati opozita.

Komisioneri Fyle: Mund ta konfirmoj këtë, vërtet që kështu ndodhi.

Asnjë nga raportet tona nuk janë të lidhur me një qeveri të caktuar, por në traktat ne i referohemi gjithmonë shteteve, vendeve përkatës. Nuk ka qenë hera e parë natyrisht, që gjatë deklaratës time, në hyrjen e Dialogut, natyrisht që unë fola me lavdërime edhe për punën nga qeveria e mëparshme. Më pas gjatë diskutimeve thashë që puna pozitive nuk duhet të ndalohet me aq, nëse një në qeveri apo je në opozitë. Gjithsesi secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për të çuar vendin tuaj përpara, për t’i çuar qytetarët tuaj më afër me Bashkimit Europian. Me këtë dua t’ju them, urime Shqipërisë për këtë raport pozitiv. Ka qenë kënaqësi për mua, sidomos gjatë këtyre dy muajve të fundit, që kemi punuar me këtë raport. Mezi pres, që ne të kemi raundin tjetër të “Dialogut të Nivelit të Lartë” për prioritete kyçe i cili do të ndodhë në muajin shtator.

Kryeministri Rama: Faleminderit të gjithëve për gjithçka! Le të urojmë njëri-tjetrin, që vizita e ditëve të mëtejshme në Francë në takim me Presidentin e Francës do të forcojnë pozitën tonë në vendimmarrjen e Këshillit Europian.

Shumë faleminderit të gjithëve!