Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar:
Mirëmbrëma!
Mirë se keni ardhur!
Kjo është mbledhja e parë e Këshillit Ekonomik Kombëtar të qeverisë së re dhe duke ju falënderuar për praninë tuaj, dua të nënvizoj se ne jemi shumë të dëshiruar që ta përmirësojmë më tej procesin e komunikimit dhe ndërveprimit me sipërmarrjen dhe me të gjithë aktorët e tregut, bazuar në eksperiencën e krijuar dhe duke reflektuar me ta dhe boshllëqe që kemi identifikuar mbi bazën e analizës së 4 viteve të shkuara.
Ne besojmë shumë që i kemi krijuar vendit, sipërmarrjes dhe vetes, në kuptimin e institucioneve të shtetit, një bazë të re, një platformë ku ndërveprimi mes nesh mund të jetë jo vetëm shumë më aktiv, po shumë më efikas.
Kjo qeveri ka në përbërjen e vet edhe një figurë të re, një rol të ri, që është figura e ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, me rolin e avokatit të sipërmarrjes brenda qeverisë, për ta çuar shqetësimin e çdo sipërmarrjeje në veçanti, por edhe të grupeve të ndryshme të interesit brenda botës së sipërmarrjes, menjëherë në majën më të lartë të piramidës dhe për të vënë në lëvizje automatikisht, përmes ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ministrinë dhe ministrin përkatës në funksion të adresimit të një problemi të sipërmarrjes. Qoftë ky një problem që ka të bëjë me një çështje për një grup të caktuar, qoftë ky një problem që ka të bëjë me një sipërmarrës në raport me administratën.
Dëshiroj t’ju them se në këto pak javë punë të zyrës së re së ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes janë trajtuar 49 raste komunikimi të drejtpërdrejtë të një sipërmarrjeje me qeverinë. Një pjesë e tyre janë zgjidhur, një pjesë janë në proces. Ajo që vlen të nënvizohet është që procesi udhëhiqet në çdo sektor nga ministri përkatës. Ministri përkatës është përgjegjës për përgjigjen që jep sektori përmes ministrit, lidhur me problemin e shtruar. Besoj se kjo vlen jo vetëm në aspektin e zgjidhjeve konkrete, por dhe në krijimin e një klime mbytëse për elementet e administratës që mund të sillen në mënyrë të padenjë, që mund të kenë qasje të gabuara, apo që mund të marrin vendime që e dëmtojnë punën e sipërmarrjes.
Krijimi i kësaj klime mbytëse do të rrisë me ndihmën tuaj, sigurisht, me bashkëpunimin tuaj, me bashkëpunimin e gjithë aktorëve në treg, figurën e çdo sipërmarrësi, do të rrisë autoritetin e çdo kompanie, për të bërë të qartë që çdo kompani është një pasuri, jo vetëm e pronarëve, por edhe e vendit dhe si e tillë s’mund të cenohet nga askush. Nëse një kompani ka një problem me shtetin dhe ka një detyrim të paplotësuar, të papërmbushur, të anashkaluar, kjo nuk do të thotë që ajo kompani të trajtohet në mënyrë jo dinjitoze. Përkundrazi, do të thotë që ne të bëjmë maksimumin që problemet të zgjidhen në interes të dyanshëm. Aty ku është cenuar interesi i kompanisë, ky interes duhet të vihet në vend. Aty ku është cenuar interesi i shtetit, ky interes duhet të vihet në vend.
Prandaj para se të hyj në disa detaje te çështjes së ditës, që është buxheti i vitit 2018, paketa fiskale dhe procesi i derregullimit, dëshiroj që përmes jush të përsëris apelin tim për të gjithë sipërmarrësit të mëdhenj apo të vogël, cilido që ushtron aktivitet ekonomik apo tregtar në këtë vend, që të na vënë në provë, në raport me sa thashë më lart; që të përdorin avokatin e tyre brenda në qeveri, që është ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen; që të mos zgjedhin një marrëveshje ilegjitime për të kapërcyer një lumë, që artificialisht shfaqet përpara tyre në elementë të administratës që kërkojnë të nxjerrin përfitime në kurriz të sipërmarrjes, por të zgjedhin bashkëpunimin me ministren e Shtetit dhe me qeverinë për ta tharë lumin, duke marrë masa direkte për këdo që krijon këto lumenj artificialë.
Edhe në rastet kur gjenden në pozitivë të vështirë, pasi për shkak të kontrolleve identifikohen shkelje, apo detyrime të papërmbushura, nuk duhet të pranojnë asnjë arbitraritet dhe nuk duhet të cedojnë në asnjë fije nga e drejta e tyre, për t’u trajtuar me respekt, me seriozitet dhe me drejtësi.
Sot, kjo mbledhje i kushtohet temës së buxhetit, një temë madhore e vitit. Besoj se edhe në aspektin e shifrave dhe të fakteve të ekonomisë mund të themi se jemi në kushtet, kur ambicia për të bërë shumë më tepër, është e legjitimuar nga baza që kemi hedhur.
Dua të theksoj që është i katërti vit konsekutiv me rritje ekonomike. Rritja ekonomike ka një përshpejtim relativ, kuptohet në raport me vitin më parë dhe sot jemi në një rritje ekonomike 4-fish nga ajo e 4 viteve më parë. Por jo vetëm kaq, stabiliteti i ritmit të rritjes ekonomike është një tregues kuptimplotë i faktit që reformat po japin frute dhe ne do t’i vazhdojmë t’i thellojmë reformat, të bindur që është e vetmja rrugë për të marrë një rritje ekonomike edhe me të lartë.
Natyrisht që jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e konsolidimit të shifrës së investimeve të huaja, që do të thotë që në 4 vjeçarin që keni përpara na duhen më shumë investime të huaja, për ta konsoliduar shifrën më të lartë historike që është arritur në drejtimin e investimeve të huaja dhe për të krijuar kushtet që disa potenciale të mëdha të vendit, ende të pashfrytëzuara në një pjesë të konsiderueshme të tyre, siç është turizmi, për shembull, të mund të vihen në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetareve.
Ulja e borxhit publik është tjetër shenjë e mirë, domethënëse, kuptimplotë e një procesi që ju te gjithë e kujtoni fare mirë, se e nisëm nga një situatë dramatike për librat e llogarive të shtetit.
E rëndësishme në këndvështrimin tonë është që investimet publike do të rriten me rreth 42% ndaj 2017, si një prioritet themelor i vitit të ardhshëm. Paralelisht buxheti do të garantojë ecurinë e reformave themelore, që nga reforma në drejtësi tek reforma e financave publike, tek reforma e administratës publike, reforma administrative territoriale dhe reforma e ujit që vitin e ardhshëm do hyjë në fazën e vet më domethënëse. Po ashtu, parashikimi për të ardhurat, të cilat sipas projeksioneve tona në vitin që po mbyllet do të tejkalohen, është që në 2018 të kemi një rritje me rreth 6.3 për qind të Prodhimit Kombëtar dhe të arrijmë në 28.1 për qind të këtij prodhimi, një rritje 26 miliard e cila natyrisht, do të bazohet në rritjen e mëtejshme ekonomike, por edhe në përshkallëzimin vendimtar të luftës kundër informalitetit. Kemi të dhëna shumë inkurajuese nga lufta kundër informalitetit në këtë fazë të re dhe është edhe si rezultat i kësaj lufte që projeksioni i rritjes së të ardhurave në fund të vitit është me tejkalim të ndjeshëm nga parashikimi i bërë në fillim të vitit.
Nuk dua të hyj në detaje. Besoj që shpjegimi më pas i ministrit të Financave do të jetë shterues dhe sigurisht edhe ndërveprimi mes jush do të ndihmojë për të prekur çdo detaj të rëndësishëm, por dua të përqendrohem me kërkesën për edhe pak durim nga ana juaj tek paketa fiskale. Përfundimisht, duke zhvilluar dhe një proces intensiv dëgjesash në të gjitha nivelet me sipërmarrjen, me ekspertë të fushës, brenda qeverisë, të pavarur dhe bazuar dhe në ekspertizën ndërkombëtare që na asiston, kemi vendosur që për sa i përket nivelit të TVSh-së do të ulim pragun në 2 milion lekë, pasi besojmë që në këtë fazë, jo vetëm garantohemi për suksesin e operacionit antiinformalitet, duke e bërë shumë më të vështirë për bizneset e mëdha, apo ato më të vogla që të nënraportojnë xhirot e tyre, e kësisoj, duke ndihmuar ndjeshëm konkurrencën e ndershme në formalizmin e biznesit, por, nga ana tjetër, besoj që do të ishte me kosto të pamerituara për fashën deri në 2 milion që të përfshihej në skemën e TVSh-së.
Dua ta ritheksoj atë që ka theksuar në vijimësi ministri i Financave, por jo vetëm, se, kushdo që shqetësohet për rritje kostosh administrative, apo për rritje të çmimeve nuk duhet të shqetësohet, pasi, as njëra dhe as tjetra nuk do të ndodhin dhe gjithçka do të zhvillohet natyrshëm në raportin mes xhiros reale dhe nevojës reale për administrim dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishme, është që, ulja e pragut të TVSh-së nuk do të thotë, përkundrazi, se të gjitha bizneset që operonin në pragun e derisotëm bënin evazion. Pra, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të vogla që ishin jashtë skemës së TVSh-së dhe që janë ende deri në hyrje në fuqi të skemës së re kanë vepruar në mënyrë korrekte. Pra, këtu bëhet fjalë për një goditje vendimtare dhe përfundimtare ndaj gjithë asaj pjese të biznesit të vogël që ka vepruar në mënyrë jokorrekte, duke bërë konkurrencë të pandershme brenda për brenda biznesit të vogël dhe duke ushqyer të gjitha kanalet e konkurrencës së pandershme mes kompanive të biznesit të madh.
Po ashtu, hyjmë në një tjetër skemë të taksimit të ndërtesave, pa rritje takse, por thjesht duke kaluar nga një taksë e sheshtë në një taksë që bazohet tek vlera e ndërtesës, gjë që praktikisht është e mundur në kushtet kur një pjesë e rëndësishme e pushtetit vendor sot është më e konsoliduar për shkak të reformës dhe nga ana tjetër, mbi bazën e parimit tonë që kush ka më shumë duhet të paguajë më shumë, kush ka më pak duhet të paguajë më pak. Bashkë me paketën, kemi një paketë që besojmë është në kohën e duhur për stimulin që do i japim investimeve në turizëm, pas uljes së pragut të TVSh-së, duke e çuar nga një prag 20% në një prag në nivelin më të ulët të rajonit 6%, ne do të përjashtojmë nga tatimfitimi, do të përjashtojmë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga taksa e pasurisë të gjitha investimet në turizëm për struktura akomoduese me 4 dhe 5 yje. Këto struktura akomoduese, kuptohet, do të duhet të jenë të certifikuara sipas një liste të brandeve globale të mirënjohura dhe certifikuara botërisht, që do të thotë, e thënë ndryshe, se, nuk do të mjaftojë që dikush të prodhojë 5 yje llamarine, t’i lyejë me të verdhë dhe t’i ngulë në tarracë për të marrë këto incentiva, por do të thotë që 5 yjet, apo 4 yjet të jenë të certifikuara nga një operator i cili merr përsipër të operojë strukturën. Kështu investitori me këtë certifikatë përfiton përveç avantazheve të ligjit të investimeve strategjike për turizmin që kanë të bëjnë me tokën etj., të gjitha këto lehtësira.
Jemi në diskutim ende të papërfunduar lidhur me sigurimet shoqërore të punonjësve të këtyre strukturave gjatë periudhës kur strukturat nuk janë në aktivitet të sezonit turistik, por kjo është për tu definuar e nuk mund të them për momentin asgjë.
Po ashtu, kemi një incentivë për sektorin e teknologjisë së informacionit. 5% tatim fitimi për të gjitha subjektet që prodhojnë “software”. Do përjashtojmë nga TVSh-ja plotësisht 52 kategori pajisjesh dhe mjetesh të peshkimit. Do të ndryshojmë akcizën e cigares me një riskedulim të rritjes së saj.
Së fundi, pjesa e tretë, por jo për nga rëndësia, është vazhdimi i mëtejshëm i asaj që ne e kemi konsideruar si prioritet në funksion të lehtësimit sa më të madh, drastik, të sipërmarrjeve dhe të qytetarëve nga pesha e burokracisë, reforma e derregullimit. Kemi shumë rregulla. Për çdo rregull kemi nga një copë letër dhe pas çdo cope letre në gjithë këto vite kemi gjetur rëndom një parazit, apo një grabitqar me thikë në gojë.
Reforma e derregullimit është një nismë themelore e këtij mandati që ka në qendër pikërisht qytetarin dhe sipërmarrjen në domosdoshmërinë për t’i lehtësuar maksimalisht nga rregullat që iu mbeten vetëm në letër dhe nga letrat që kthehen në instrumente për korrupsion.
Kjo reformë, synon që të garantojë së pari diçka që besoj përbën një lehtësim kapital. Çdo dokument që i kërkohet qytetarit, apo sipërmarrjes dhe që një qytetar apo një kompani duhet ta marrë nga shteti, vetë zyra kërkuese duhet ta sigurojë për të. Pra, shteti nuk mund të kërkojë nga qytetari dhe nga sipërmarrja, “ik merr një dokument në një zyrë tjetër të shtetit”. Çfarë dokumentesh prodhon vetë shteti, çdo zyrë, për nevojat e veta duhet t’i sigurojë për qytetarin dhe për kompaninë, që do të thotë, t’i jepet fund ecejakeve, “shko te ajo zyra, pastaj shko te ajo tjetër, pastaj merr një letër dhe atje, pastaj duku dhe atje” e radha, orë, ryshfete, historira pafund që janë një nga burimet kryesore të stresit dhe të nervozizmit të njerëzve në jetën dhe në punën e tyre të përditshme.
Grupi i ngritur për hartimin e gjithë dokumentit për rekomandimet për derregullimin ka vendosur në tryezën e qeverisë dhe faktikisht pas tryezës së qeverisë është në tryezën e çdo ministri planin konkret për ta modernizuar këtë reformë.
Po ju them vetëm një fakt, s’po vazhdoj të merrem me certifikatat e kështu me radhë, në 13 institucione varësie ka rezultuar një numër prej 140 dokumentesh të cilat në një vit janë lëshuar 590 mijë herë. 590 mijë radha. 590 mijë njerëz që udhëtojnë për të zënë atë radhë. 590 mijë pagesa. 590 mijë mundësi për t’iu nxirë jetën 590 mijë individëve.
Pjesa më e rëndësishme e këtyre dokumenteve janë një numër vërtetimesh të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që vetëm në vitin 2016 ka prodhuar 275 mijë e 702 vërtetime. Po kështu janë mbi 150 mijë ekstrakte që janë lëshuar nga Qendra e Kombëtare e Biznesit në një vit. 3 vërtetime të Shërbimit Kombëtar të Punësimeve në një vit lëshuar 110 mijë herë, apo 9200 autorizime lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Konsum i pafund orësh në sportelet e shërbimit të tatimpaguesve për të marrë vërtetime.
Vetëm këto 9 vërtetime iu kanë konsumuar tatimpaguesve 92 mijë orë. 71 mijë orë iu ka marrë vetëm pritja për ekstraktet e QKB-së. 74 mijë orë autorizimet e doganave. 9200 autorizime 74 mijë orë, një lemeri e vërtetë. Sot jemi në kushtet kur është një listë e gjatë dokumentesh, vërtetimesh, që tanimë nuk janë detyrim i juaji dhe i asnjë sipërmarrjeje. 56 vjet kohë të humbura në një vit vetëm nga një set dokumentesh.
Ndërkohë ne do të vazhdojmë të derregullojmë lejet, të derregullojmë licencat dhe të derregullojmë autorizimet për t’i dhënë fund sa më shumë akteve administrative që prodhohen në ditë me lloj-lloj emërtesash dhe që e torollisin një pjesë vitale të shoqërisë nëpër sportele, nëpër korridore, nëpër telefona, nëpër labirintet e një stresi që ka 27 vjet që akumulohet. Janë 141 lloje autorizimesh që lëshohen nga 19 institucione qendrore. Është e pakuptueshme çfarë lidhje kanë ministritë me autorizimet, që do të thotë që të gjitha ato që do të mbeten do të kalojnë në agjencitë zbatuese dhe 94 licenca. Inventari i tyre është i plotë dhe besoj që deri në fund të muajit të ardhshëm ne do të kemi një listë fundore që do ta ndajmë dhe me ju si pjesë e ligjit për lejet e licencave dhe autorizimeve të cilin do ta shikojmë edhe në Parlament për t’i dhënë një prerje të fortë të gjithë këtyre degëve parazite të pemës së rregullave të shtetit për qytetarët.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë shumë shpejt do të bëjë prezantimin e shërbimeve të reja online dhe brenda 100 ditëve 24 autorizime të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave do mund të merren online, shërbimet e ofruara nga Inspektorati i punës do mund të merren online, vërtetimet e punësimit dhe deklarimi i punëdhënësve nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit do mund të merren online. Po ashtu, brenda 300 ditëve të para do të ketë një sërë procesesh të tjera që do të jenë tërësisht online.
Këto ishin pak a shumë tre aspektet e lidhura me atë që është, në fakt, qëllimi qoftë i buxheti, qoftë i paketës fiskale, qoftë i derregullimit, rritjen e mëtejshme ekonomike, stimulimin e investimeve prodhuese, rritjen e punësimit dhe kuptohet me rezultat të pritshëm rritjen e të ardhurave që përkthehet dhe në rritje të mirëqenies.
Duke shpresuar që gjithkush prej jush këtu do të stimulohet që nisur nga sektori ku ka më shumë njohje dhe kompetencë të na bëjë propozime konkrete për leje, licenca, autorizime, vërtetime, dokumente që në eksperiencën e tij kanë rezultuar të panevojshme, të paarsyeshme, të tepërta, ose që mund të kompensohen nga diçka tjetër që ekziston dhe duke iu kërkuar të gjithë sipërmarrësve që na ndjekin, apo që përmes jush do të informohen sipas grupeve të interesit që të bëjnë të njëjtën gjë, unë ju siguroj se ne do të jemi përherë të gatshëm dhe jemi të supermotivuar që ta bëjmë këtë shtet shtetin me më pak rregulla që përkthehen në letra dhe shtetin ku rregullat dhe letrat që mbeten të jenë mjaftueshëm për t’u garantuar veprimtaria e secilit dhe e komunitetit dhe për tu ulur në një masë drastike korrupsioni i ryshfetit edhe i torturës për procedura.
Shumë faleminderit!