Keqardhje për rastet e denigrimit për qëllime politike

Deklaratë e Zyrës së Shtypit të Kryeministrisë:

S’ka dyshim se qeveria e ka treguar me fakte konkrete vëmendjen e plotë ndaj pretendimeve të opozitës. Konkretisht, në çdo rast kur opozita ka drejtuar gishtin në drejtim të personave të caktuar, me detyra administrative, është bërë verifikimi i plotë. Dhe në tre raste, verifikimi është pasuar me kërkesën për largim nga detyra për mospërmbushje të standardit etik në mbajtjen e një detyre. Por, fatkeqësisht, në rastet e tjera ka rezultuar së Partia Demokratike ka bërë thjesht politikën e saj të vjetër, denigruese, duke spekuluar me emra konkretë dhe mbi dokumentë të keqpërdorur, për manipulim të opinionit publik.

Duke hedhur poshtë çdo akuzë që është ngritur në këto raste, qeveria rinënvizon vullnetin e vet të palëkundur, për të dëgjuar me vëmendje çdo pretendim të opozitës. Qeveria e siguron Partinë Demokratike se do të verifikojë me seriozitetin më të madh, çdo pretendim edhe në këtë drejtim dhe do të reagojë menjëherë pozitivisht për çdo rast të paraqitur me provat përkatëse. Kjo është një kulturë e re qeverisëse dhe këtë kulturë, Qeveria do ta afirmojë si shprehjen më kuptimplotë të vetëdijes se pushteti është i njerëzve e jo anasjelltas, si deri gjashtë muaj më parë.

Duke e falenderuar Partinë Demokratike për kontributin e dhënë në tre rastet e lartpërmendura dhe duke shprehur keqardhjen më të sinqertë për çdo rast tjetër, ku janë përgojuar e denigruar për qëllime thjesht politike, njerëz tërësisht të pafajshëm, Qeveria e Shqipërisë e garanton publikun për vendosmërinë e vet të palëkundur, për ta luftuar pa kompromis të keqen, kudo dhe sido ajo të shfaqet.