Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Aktin Normativ që mundëson normimin dhe monitorimin e çmimeve të shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.

Konkretisht, Aktin Normativ “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.

Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjëherë Bordi i Transparancës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Në mbledhjen e tij të parë dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi i Transparencës vendosi:

1. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
3. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Bordi i Transparancës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.