Këshilli i Ministrave, përafrim i legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj:

Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku ndër të tjera janë miratuar 17 vendime, që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e komunitetit të BE, teksa ne jemi në procesin e anëtarësimit.

Janë 17 vendime në fakt që aplikojnë të gjitha detyrimet që ne kemi në lidhje me BE, kur vjen puna tek tregu i punës dhe liberalizimi i tregut të punës. Kjo do të thotë që me hyrjen  në fuqi të këtyre vendimeve, ne kemi zbatuar dhe kemi filluar zbatimin,- pavarësisht situatës me statusin dhe teksa jemi në pritje të konfirmimit të statusit kandidat,- ne kemi përafruar Shqipërinë në dy kapituj, kapitullin 2 dhe 24.

Kapitulli 2 ka të bëjë me çështjet e lirisë së lëvizjes së punëtorëve, në të gjithë tregun e përbashkët evropian. Kurse kapitulli 24 ka të bëjë me të drejtat, liritë e siguritë e individëve në territorin e Bashkimit Evropian. Kjo është një përpjekje e qeverisë tonë, sipas porosisë së kryeministrit, që pavarësisht situatës me statusin kandidat, të gjitha ministritë kanë vijuar përafrimin e legjislacionit, në mënyrë unilaterale, për secilin prej kapitujve që ne do të duhet të negociojmë zyrtarisht me pasjen e statusit kandidat.

Dua të theksoj se këto 17 marrëveshja janë një pararendje e liberalizimit të tregut të punës, që ne synojmë ta bëjmë edhe me vende të tjera, sidomos me Kosovën, pas mbledhjes së Prizrenit. Duke filluar nga ky muaj, ne do të kemi një seri reformash legjislative në tregun e punës, çka do të thotë, që ne do të liberalizojmë tregun e punës nga Mitrovica në Gjirokastër. Do të thotë që çdo shtetas i Republikës së Kosovës apo të Shqipërisë do të mund të punojë, i pakufizuar nga leja e punës, në këtë hapësirë gjeografike, Nga Mitrovica në Gjirokastër. Ky besoj është një lajm shumë i mirë dhe një projekt konkret, pas mbledhjes së Prizrenit.

Dua të theksoj se kemi ngritur një grup pune, i cili do të synojë liberalizimin e tregut të punës, pra heqjen  e kërkesave dhe kuotave për lejet  e punës. Gjithashtu, për të gjithë të rinjtë që vijnë nga Lugina e Preshevës dhe dëshirojnë të punojnë në Republikën e Shqipërisë.

Ju faleminderit!