Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama së bashku me drejtoren e Agjensisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano, prezantuan rezultatet e procesit të Këshillimit Kombëtar, që sipas kryeministrit ka qenë një proces i jashtëzakonshëm për sa i përket volumit të punës dhe intensitetit të komunikimit me qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare, 563.195 qytetarë dhanë opinionet e tyre për 12 pyetje nëpërmjet tre metodave: atë të dërgimit me zarf të pyetësorit në çdo familje shqiptare, plotësimin e tij nëpërmjet faqes online si dhe plotësimin në tendat e ngritura në çdo bashki.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në konferencën me mediat u shpreh se tashmë detyrë e qeverisë është që përgjigjet e marra nga qytetarët të kthehen në plane konkrete.

Si herë e parë ishte natyrshëm, me shumë të panjohura edhe për ne vetë, por faktikisht, ajo që është më e rëndësishmja tani është që gjithë atyre qytetarëve që morën pjesë, pavarësisht opinioneve të tyre, t’u kthejmë besimin, tu shpërblejmë besimin, t’u japim mbrapsht atë që meritojnë, përkushtimin tonë, angazhimin tonë, që zëri i tyre të dëgjohet me respekt dhe që opinionet e tyre të kthehen në plane konkrete zbatimi në atë drejtim që ata na kanë orientuar me pjesëmarrjen e tyre. Kjo është A-ja, në mënyrë që procesi i Këshillimit Kombëtar të rritet, të konsolidohet dhe të përfshijë gjithnjë e më shumë qytetarë, pa dallim bindjesh e pa dallim në asnjë aspekt dhe duke ruajtur konfidencialitetin”, tha kryeministri Rama.

Drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dha më shumë detaje rreth procesit që u lançua në 19 janar dhe u mbyll zyrtarisht në 31 mars të këtij viti.

“Ishte një pyetësor me 12 pyetje, me 3 alternativa i cili iu adresua çdo shtetasi shqiptar, në moshë madhore dhe pyetësori ka qenë tërësisht anonim. Procesi është menaxhuar dhe koordinuar nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, shpërndarja e zarfeve në adresë është kryer nga Posta Shqiptare dhe në fund, hedhja e të dhënave është realizuar nga INSTAT”, sqaroi drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar sipas kryeministrit Rama do të jenë vetë qytetarët ata që do të japin mendime për temat që duhet të përfshihen në pyetësor.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.