KiE, OK Planit të Qeverisë për zgjidhjen e problemit të pronave

Deklarata për shtyp e Zëvendësministrit të Drejtësisë, Idlir Peci:

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, i cili mbikëqyr ecurinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, mori dje një vendim shumë pozitiv mbi Planin e Veprimit, të miratuar nga Qeveria shqiptare, në lidhje me zgjidhjen e problemit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Komiteti i Ministrave përgëzon Qeverinë shqiptare për miratimin e Planit të Veprimit me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë dhe konstaton se Plani u Veprimit po zbatohet sipas afateve të përcaktuara në të. Gjithashtu inkurajon Qeverinë shqiptare të vazhdojë zbatimin e Planit të Veprimit, sipas hapave dhe afateve të përcaktuar në të.

Vendimi u mor pa debat, gjë që tregon për përqasjen shumë pozitive të Komitetit të Ministrave ndaj Planit të Qeverisë shqiptare.

Është hera e parë që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës merr një vendim kaq pozitiv ndaj Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kjo falë punës që është bërë këto 6 muajt e fundit nga Qeveria shqiptare.

Në shtator 2013, kur kjo Qeveri filloi punën e saj, situata e kthimit dhe kompensimit të pronave ishte dramatike. Ishte një kaos i vërtetë dhe nuk kishte një plan veprimi të qartë dhe transparent, gjë që kërkohej për vite me radhë nga Këshilli i Europës.

Gjykata e Strasburgut në dhjetor të 2012-s mori një vendim pilot kundër Shqipërisë, ku i kërkohej palës shqiptare të adresonte çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave në mnyrë të tillë që të mos kishte më shkelje të të drejtave të pronarëve. Fatkeqësisht, deri në dhjetor 2013, kur ne u njohëm me situatën nuk ishte bërë asgjë për këtë gjë. Gjykata ka lënë një afat prej 18 muajsh për adresimin e situatës, afat i cili skadon në 17 qershor 2014.

Ne kemi aplikuar në Gjykatë për shtyrje të afatit, në mënyrë që të kemi kohën e nevojshme për të kryer ato reforma të nevojshme dhe të shumëpritura.

Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është një vendim politik dhe një mesazh i qartë për mbështetjen që Komiteti i jep politikës së Qeverisë shqiptare. Shpresojmë që dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut të jete po aq pozitiv, sa dhe vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Vendimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është një lajm i mirë, pasi jo vetëm vlerëson punën e deritanishme të Qeverisë, e cila në vetëm 6 muaj ka bërë për çështjen e pronave shumë më shumë seç është bërë në këto 23 vjet sëbashku, por është gjithashtu, një lajm i mirë edhe për të gjithë ata qytetarë, që në 23 vjet janë endur dyerve të gjykatave në kërkim të të drejtës së tyre. Nëse ky vendim politik i Komitetit do te adoptohet edhe nga Gjykata, ata do të shohin dritën jeshile të zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës.
Qeveria shqiptare ka depozituar pranë Gjykatës së Strasburgut, një plan të qartë dhe realist dhe është pikërisht kjo arsyeja, pse për herë të parë në 23 vjet, Komiteti vendosi dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut po vendos, ta mbështesë Qeverinë shqiptare dhe planin e saj.

Ju faleminderit