Kryeministri Edi Rama u prit sot në Kiev nga homologu i tij ukrainas Denys Shmyhal.
Kryeministri shprehu falenderimet për ftesën e marrë nga Presidenti Zelenskyy për zhvillimin e kësaj vizite që mundësoi shprehjen drejtëpërsëdrejti, gjatë takimeve të zhvilluara, të solidaritetit të Shqipërisë ndaj Ukrainës, si dhe njohjen nga afër me një realitet të dhimbshëm, atë të luftës dhe pasojave të saj.
Kryeministri Rama siguroi për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se Shqipëria do t’i bashkohet përpjekjeve të Ukrainës për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta, së bashku edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama u shpreh: “Së pari më lini të them sërish se jemi vërtetë të nderuar që jemi ftuar këtu dhe që na është dhënë mundësia për të dhënë një kontribut mjaft të vogël në mbështetjen tuaj, duke bërë gjithçka që mundeshim që prej ditës së parë të kësaj lufte të tmerrshme e deri më tani, sot kur jemi këtu, për të mbështetur në mënyrë të zëshme Ukrainën në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Kemi ardhur këtu si tre vende anëtare të NATO-s nga Ballkani Perëndimor dhe jemi të kënaqur që shohim se pesë vende anëtare të Ballkanit Perëndimor që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, kanë qëndruar krah jush e krah botës demokratike në tre votimet e bëra. E sigurisht, kjo vlen edhe për Serbinë që ka marrëdhënie mjaft të veçanta me Rusinë, gjithashtu dhe për Shqipërinë e cila ka pasur marrëdhëniet në nivelin më të vogël të mundshëm pavarësisht marrëdhënieve historike, por nuk kemi pasur asnjë ndjesi të keqe deri sa filloi lufta. Duke vazhduar me Malin e Zi, që është vendosmërisht i rreshtuar me Aleancën Euroatlantike e deri tek Bosnje dhe Hercegovina.
Po kështu, do doja që t’ju kujtoja për faktin se ka një vend tjetër në Ballkanin Perëndimor, janë gjashtë vende, i cili nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, Kosova, që qysh prej ditës së parë është rreshtuar vendosmërisht pranë Ukrainës, deri në fund.
Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thashë edhe gjatë konferencës së shtypit, e thashë edhe publikisht që ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës, pasi ata njerëz e meritojnë dhe ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme, sepse nuk mbetën peng i së shkuarës, për të kujtuar se si Ukraina u soll aso kohe kur Kosova sulmohej, por qëndruan për atë çka besonin për Ukrainën. Kjo do të ishte mirë që Ukraina ta rikonsideronte e të përçonte mesazhin e duhur në emër të komunitetit të ri politik europian që duam të ndërtojmë sëbashku.
Edhe dy gjëra të fundit. I nderuar Kryeministër, faleminderit që ndatë me ne realitetin, jo më në foto të atyre çka kemi parë nga qytetet e bombarduara. Ishte shumë mallëngjyese dhe shumë e dhimbshme të gjendeshe aty e të shihje se si këto qytete kaq të gjalla të Ukrainës ishin shndërruar në qytete të humbura. Do të jemi shumë të kënaqur që të bashkohemi në përpjekjet tuaja për të rindërtuar këto qytete e ndërkohë që Shqipëria ka dhuruar 1 milionë euro, nuk është diçka që do të zgjidhë problemet tuaja, por për buxhetin tonë ishte diçka që tregon mendoj respekt për ju. Ne duam që të bashkohemi me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit e të ndërtojmë kështu një bllok, secili prej vendeve një ndërtesë, që do të jetë aty për të kujtuar që dikur Ukraina kishte miq dhe po kështu për të treguar solidaritetin me fakte e jo vetëm me deklarata.