Kisha e Shën Mërisë në Dropull, perlë e trashëgimisë sonë kulturore

Kisha e Shën Mërisë së Peshkëpisë së Sipërme në Dropull, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore është rilindur plotësisht, falë restaurimit mjeshtëror që i ka nxjerrë në pah vlerat e rralla të arkitekturës bizantine, të fshehura nga rrënimi degradues.

Kryeministri Edi Rama bëri sot një ndalesë në Kishën e rimëkëmbur, e cila është kthyer në një arsye më shumë për të vizituar këtë zonë mahnitëse të Gjirokastrës.

 “Është një nga kishat më të vjetra në rajon, në mos më e vjetra dhe ishte pothuaj gjysmë e rrënuar. Përdorej më shumë si strehë nga njerëz të ndryshëm që në periudhën e tranzicionit e kalonin kufirin në mënyrë ilegale dhe ishte kthyer në një zonë totalisht të pafrekuentuar. Rruga që shohim sot nuk ka qenë dhe ishte shumë e vështirë për t’u aksesuar. Kemi gjurmët e para të ndërtimit që datojnë që në shekullin e 11-të. Është ruajtur altari i vjetër prej guri. Kemi bërë projektin me shumë detaje, me një kontribut të madh të profesor Aleksandër Meksit dhe Pirro Thomos, që kanë lënë gjurmët e tyre në këtë restaurim. Janë restauruar të gjitha pikturat murale. Kemi edhe restaurim të jashtëm të gjithë oborrit,” – shpreh deputetja e zonës dhe ish ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa theksoi se për zonën ku ajo ngrihet dhe për gjithë Dropullin është një nga kishat më të rëndësishme.