Deklaratë e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi për vendimet e datës 28 Korrik të KKT:
Në këtë komunikim publik, dëshiroj të ndaj me ju disa vendimmarrje të mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Ka pasur një interes të madh për këtë vendimmarrje, e cila i ka dhënë rrugë nga sot investimeve private në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me një vlerë totale prej 250 milion Euro.
Impakti në punësim do të jetë 2800 të punësuar të qëndrueshëm, në sektorë si; hidroenergjitika, energjitë e rinovueshme, sistemeve fotovoltaike të prodhimit te energjisë elektrike, turizmit etj.
Vetëm në një resorit të miratuar sot, vlera e investimit shkon në mbi 150 milion euro.
Ndërkohë kemi marrë edhe vendime të rëndësishme për të rikonstruktuar, për të sjellë në normalitet dhe për të modernizuar, dy institucione të kulturës shumë të rëndësishme siç janë Teatri i Operës dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare. Dy institucione, të cilat për shume e shumë vite të lëna jashtë vëmendjes dhe të kthyera në institucione që i mungon dinjiteti i merituar.
Natyrisht që ne besojmë se interesi i rritur i investimeve vjen mbas konsolidimit të kuadrit ligjor. Kemi miratuar kujtoj një ligj shumë pro biznes për investime strategjike, kemi miratuar ligjin e partneritetit publiko – privat, kemi miratuar ligjin e turizmit dhe aktet nënligjore në funksion të tij. Por ndërkohë kemi përmbyllur një proces që për më shumë se njëzet vjet nuk ka mundur dot të finalizohet, hartimi dhe miratimi i Planit të Zhvillimit Kombëtar. Një plan i munguar që i ka hapur tani rrugën, zbërthimit apo derivimit në Plane të Zhvillimit Rajonal dhe në Plane të Përgjithshme Vendore.
31 Bashki për pak javë do të miratojnë në Këshillin Kombëtar të Territorit, Planet e Përgjithshme Vendore, çka do të thotë do të hapin një dritare të re, jo vetëm për industrinë e ndërtimit, por për ekonominë vendore dhe kombëtare në përgjithësi.
Agjencitë në mbështetje të biznesit, siç është Agjencia e Zhvillimit të Territorit, apo Agjencia e investimeve të huaja, AIDA, në bazë të ligjit, janë të detyruara sot të të kthehen në sportele unike, apo në agjentë asistues për investitorët.
Jemi duke kontribuar për krijimin e një klime pozitive biznesi, te cilën dëshiroj ta lidh me një proces i cili sot është kryefjala, është pika me e fortë dhe më e nxehtë e axhendës sonë të përbashkët politike dhe shoqërore, reforma në drejtësi.
Reforma në drejtësi do të na japë mundësinë, jo thjesht dhe vetëm, të pastrojë këtë sistem nga korrupsioni, jo thjeshtë dhe vetëm të kemi një trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të ndershëm, jo thjesht dhe vetëm më të fortë në goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, por do të sjellë si efekt të drejtpërdrejtë të saj një klimë shumë me të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj.
Sistemi i drejtësisë i reformuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të risë sigurinë juridike. Unë preferoj ta lexoj edhe këtë interes të shtuar të investimeve private, siç e përmenda më sipër, si një besim tashmë të rikthyer tek te gjithë shqiptarët, se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë, procesi jo vetëm i ligjeve te mira që nuk na kanë munguar por edhe i njerëzve të mirë të ligjeve që na kane munguar deri dje, po jep tani shenjat e para të besimit të biznesit, sektorit privat dhe investitorëve për të ardhmen e Shqipërisë.
Po e mbyll duke thënë se kjo është Shqipëria të cilës ne i besojmë, një Shqipëri ku nuk ka vetëm ligje të mira, për shkak të kontributit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por ka dhe njerëz të mirë në ligje, ka dhe një klimë biznesi që buron nga siguria juridike. Le të ecim së bashku, me klasën politike, por edhe me gjithë shqiptarët, në këtë rrugë, që është rruga e Shqipërisë së re.