Klos, një nga pikënisjet e veprës madhore të Rrugës së Arbrit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e punimeve për Rrugën e Arbrit, në kantierin pranë tunelit në Klos:

Është e vërtetë, 550 vjet pas ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit që vjen prej Dibre, për të ardhur në këto fushëbeteja epike të Dibrës, ku u shkrua dhe fati i kombit tonë, shpesh, edhe pse sot shkohet e vihet me makinë, duket sikur shkojmë e vijmë me gomar, sepse rrugët ekzistojnë, por janë në gjendje të mjerueshme. U lanë rrugëve për 20 e kusur vite dhe nëse do të ishin bërë gjërat me mend, me projekte dhe me radhë, Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar të paktën 10 vjet më parë.

Por, fatkeqësisht, qeveria që e premtoi me më shumë fuqi e me më shumë ulërima se të gjitha të tjerat, jo që nuk e përfundoi, por vetëm sa e pickoi, siç bëri në të gjithë Shqipërinë, duke na lënë ne barrën që t’i bëjmë rrugët, por duke lënë mes nesh dhe rrugëve një gropë të madhe borxhesh.

Për Rrugën e Arbrit, në marrjen e mandatit gjetëm 5 kontrata me vlerë 2.6 miliardë lekë, por i gjetëm faturat në tavolinë. Asnjë kokërr leku të paguar. Rruga nuk diskutohet që nuk dukej asgjëkund. Dukeshin vetëm gjurmët e atyre festave me daulle e me shirita për ato inaugurimet për t’i hedhur hi syve kësaj dynjaje.

E njëjta situatë ishte kudo dhe këtë dua ta përsëris për të gjithë ata që kujtojnë se të bësh një rrugë është njësoj si të shkruash një koment në Facebook, – e mendove, e bëre. Ndërkohë që të bësh një rrugë do të thotë të projektosh, do të thotë të gjesh financimin, do të thotë të ndërtosh kontrata dhe të kesh një supervizim serioz. Asnjë nga këto të katërta nuk bëheshin derisa ne morëm detyrën.

Projekte copë-copë, si projekti i Rrugës së Kombit, që sot jeni ju dëshmitarë, janë të gjithë shqiptarët dëshmitarë, që na sjell lajme me masivë dheu që bien në rrugë e me shkëmbinj që shkëputen e rrezikojnë jetën e njerëzve. 37 pika kërcënimi për sigurinë ka ajo rrugë, e projektuar në këmbë dhe e ndërtuar shkel, shko, bjeri daulleve dhe ik.

Kur erdhëm gjetëm një mal me borxh për programin e transportit rrugor të shtetit shqiptar. 43 miliardë, 400 milionë euro, gati dyfishi i asaj që kushton sot ky projekt, borxh që jo vetëm nuk mund ta mbanim më se po na fuste poshtë si shtet, njësoj siç na futën poshtë piramidat e 97-ës, por që iu kishte marrë frymën kompanive që ishin të falimentuara, ose në prag falimenti, sepse bankat u kishin bllokuar gjithçka.

Kush na thotë “nuk keni bërë asnjë kilometër rrugë”, gabon. Është krejtësisht gabim.

Ne kem paguar deri në fund të 2017-ës, 37 miliardë për kilometra rrugë. Të bësh kilometrat e rrugëve, nuk do të thotë të bësh tendera për kilometra rrugësh, do të thotë të ndërtosh kilometra rrugësh. E përveç faturave për ato shfaqjet e neveritshme me daulle e me shirita, që rezultuan në 5 inaugurime të 5 copave të Rrugës së Arbrit, pa lënë mbrapa asnjë punë, ne kemi likuiduar 9 kontrata për rrugën Plepa-Rrogozhinë që sot e gjithë ditën nuk është akoma aty ku duhet dhe aty ku do ta çojmë ne. Kemi likuiduar 2 kontrata për rrugën Kukës-Krumë dhe të tjera e të tjera që të mos i marr me radhë.

67 kontrata rrugësh në proces ndërtimi të papaguara.

Si mundet një qeveri që të bëjë tendera me qindra kilometra, pa i pasur lekët?

Mundet, por duhet të quhesh Sali.

Si piramidat. Jep një, merr dy dhe në fund dhanë të gjithë dhe u zhyt Shqipëria dy pashë nën tokë. Kështu edhe rrugët. Jep tendera, merr mbrapsht vota dhe lëri rrugët rrugëve, njësoj, bashkë me borxhin.

334 kilometra nga ato rrugë të tenderuara as kishin filluar fare. 208 të tjera ishin të pakolauduara fare.

Ne jo vetëm i likuiduam të gjithë detyrimet, por i ndërtuam dhe i kolauduam 320 kilometra rrugë.

Patjetër që duhet të ishte bërë më shumë në të gjithë vitet e këtij rrugëtimi për të ndërtuar shtet me infrastrukturë serioze dhe mund të ishte bërë më shumë, nëse rrugët nuk do ishin ndërtuar shkel e shko dhe ik pastaj, pasi ke marrë votat. Por, nëse ka një gjë që nuk mund t’i thuhet qeverisë tonë, është që ne i lamë rrugët rrugëve.

Rrugët e lëna rrugëve, ne i morëm në dorë, lamë borxhet dhe i kemi ndërtuar hap pas hapi dhe do vazhdojmë, sepse për ne, edhe ajo rruga e famshme, e ndërtuar me 15 kontrata nga Rrogozhina deri në Fier, nuk është rrugë. Ajo është një turp.

Si mund të jetë rruga kryesore turistike e vendit, një rrugë ku ecin bashkë, por ballë për ballë, Mercedes-i me lopën! Vjen turisti me autobus dhe del çobani me dhi. Rruga turistike e Saliut!

Nderkohë që për Rrugën e Arbrit, ne gjetëm një projekt që kushtonte shumë më tepër se ky dhe që ishte mizerje, me tunel pa tub emergjence. Gati 3 kilometra tunel për t’i futur njerëzit brenda, pa iu lënë mundësi të dalin, nëse ndodh, largqoftë, ndonjë hata. Është e ndaluar në të gjithë botën, edhe në Afrikë, të ndërtosh 3 kilometra tunel dhe të mos kesh dalje emergjence. Po ashtu, kjo rrugë bën dyfishin e punëve, bazuar në projektin e ri dhe më e bukura për ju është që lidh edhe Klosin. Në projektin e Saliut, Klosi nuk ishte pjesë e rrugës.

Ndërsa brenda kësaj periudhe që ne do të ndërtojmë rrugën, ju do të shikoni që do të ketë një urë nga njëra anë e tunelit, 220 metra, 150 metra e lartë dhe një urë tjetër nga ana tjetër e tunelit, matanë, po kaq dhe Klosi do të lidhet me Tiranën për 30 minuta, Bulqiza për 40 minuta, Burreli për 60 minuta dhe Peshkopia që është pak më larg, përsëri do jetë shumë më afër, 80 minuta Distanca që ishin të paimagjinueshme, por që ama do përshkohen si zotëri, jo si shofer ku Benz-i të duket si mushkë kur vjen këtu. Edhe kur zbret nga vetura, të duket sikur ke zbritur nga mushka.

Ne kemi sot një buxhet, sepse kemi mundësinë, pasi kemi shlyer gjithë ato borxhe, se është kollaj të thuash, “ore, ku janë rrugët, ku i keni bërë ju?”

E dini si është historia jonë, e qeverisë sime? Si historia e një familjeje ku kryefamiljari i la të gjithë lekët në baste dhe u zhduk, duke e lënë gjithë familjen në borxh. Kështu ishte shtëpia e përbashkët e Shqipërisë, që na la ne Sali hajgarja.

Kur po vija këtu rrugës, pashë nja 20-30 veta. Ata të shkretët nuk kanë faj, se kishin dhe një deputet në krye, njësoj si çingijet tek filmi “Koncert në vitin ’36”; “Rama ik! Rama ik!” Dhe Saliu, – ma çoi Olta, – kishte nxjerrë fotografi, “Dibra e pret me protesta narko… ku di unë”. “Koncert në vitin ’36”. Vetëm se ky ia merr të keqen Albert Verrisë, se ky është 1000 herë më qesharak sesa roli i Albert Verrisë dhe këto çingijet e veta janë 1000 herë më qesharake se çingijet e Albert Verrisë, që dalin nëpër cepa dhe i japin skapamentos me atë fuqinë motorike që i ka ngelur Saliut dhe iu duken ato të skapamentos sikur janë bomba.

Në vitin 2009, para parlamentit shqiptar thoshte, ky katërvjeçar, – domethënë,  deri në 2013-ën, – do jetë katërvjeçari i përfundimit të rrjetit rrugor, që do të përgjysmojë distancën me Tiranën, që nga Vermoshi. Edhe Vermoshin do t’ia përgjysmonte distancën me Tiranën. Edhe Konispolin do t’ia përgjysmonte distancën me Tiranën. Edhe Sarandën, Gjirokastrën, madje edhe Tropojën do ta sillte në Tiranë për gjysmën e kohës, Saliu. Po ashtu Dibrën dhe Korçën. Pastaj thoshe se brenda 2 viteve, – domethënë, në 2011-in, – do kishte ndërtuar Rrugën e Arbrit, Tiranë-Elbasan, Qafë Plloçë-Qukës, boshtin e jugut dhe shikoni boshtin e jugut të Saliut. Elbasan – Belsh, Kuçovë – Berat, Kardhiq – Delvinë, Konispol – Sarandë, të gjitha këto do ishin bërë në 2011-ën. Fushë Krujë – Ura e Limuthit, tamam Limuth dhe do bënte me 4 korsi rrugën Shkodër-Vlorë.

Ku i ka këto?

La vetëm shesh-pushime daullesh e shiritash dhe borxhe.

Tiranë-Elbasan është një tjetër katrahurë, se donte të hapte tunelin për zgjedhje. U nis me daulle e me saze për të hapur tunelin dhe rruga pa projekt. E keni parë në lajme, rrëshqiti nja tre herë, ranë kodrat poshtë. Na u desh të ribëjmë të gjithë projektin nga e para dhe na doli edhe më shtrenjtë ai ahengu i hajgares atje, se donte të hapte tunelin që të merrte votat në Elbasan dhe mori Noc Rrokun nga Elbasani.

Rruga Tiranë-Elbasan, sot ka projektin, ka dhe financimin që gjetëm për të korrigjuar të gjithë, – se na ka kushtuar shtrenjtë hajgarja, nuk është vetëm puna e borxheve, por është puna që duke bërë nga e para ato rrugët e lëna rrugëve, duhen lekë dhe brenda vitit do ta mbarojmë rrugën Tiranë-Elbasan.

E keni dëgjuar kur thotë, ia lashë gati By-Pass-in e Fierit, se gati quan që bëri tenderat dhe i ra edhe daulleve. Ashtu e di, po i re daulles, u bë rruga.

By-Pass-i i Fierit, një tjetër histori, bashkë me By-Pass-in e Vlorës, e tmerrshme, projekt mizerje, kontrata mizerje, me disa kompani fantazma që ziheshin me njëra-tjetrën. Na u bë sheshi i By-Pass-it, sikur u ngjall Çezari me Pompeun duke luftuar në Fier. Disa që vinin kamionët kundër tjetrit dhe bllokonin njëri-tjetrin, se nuk kishin lekë për t’i dhënë njëri-tjetrit. Na u desh të prishim kontratën, ta rishikojmë projektin, bashkë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që ishin pataksur nga ai shesh beteje atje, mes kompanive fantazmë.

Deri në shtator do ta nisim dhe deri sezonin tjetër do ta përfundojmë By-Pass-in e Fierit. Ashtu sikundër do ta nisim dhe atë të Vlorës, por ai ka një afat pak më të gjatë, se është vepër shumë më komplekse.

Kam dhe një tjetër për hajgaren. Nuk pushon, “Edi Rama nuk e do Veriun”.

E dini se sa shkon në veri, domethënë, nga Tirana e lart dhe sa shkon nga Tirana e poshtë nga Programi “1 Miliardë për Rindërtim” që fillon me Rrugën e Arbrit?

Mbi 85% e fondit të 1 miliardëve shkon nga Tirana e lart. Nga Tirana e lart, çfarë është, veri apo jug? Natyrisht, është jug po ta shohësh me pozicionin e Saliut që sheh nga këtu poshtë për andej, sipas interesit. Por në fakt është veri.

Ashtu sikundër janë dhe një sërë aksesh të tjera strategjike që do të ndërtohen me kantierin e madh. Është kantieri më i madh i ndërtimit të punëve publike. Ishin disa dibranë nga këta figurat e Facebook-ut nga Londra, që thoshin, “reklama-reklama, HD-HD”. Kanë të drejtë, nuk kanë faj, do ta shikojmë, por rrugët tona do jenë HD, nuk do jenë brrrrrr si rrugët e Saliut.

Miqtë e mi, unë ju falënderoj të gjithëve këtu. Më vjen shumë keq për të gjithë torturat e pafundme. Do kisha dashur dhe do kishim dashur t’i bënim më shpejt këto punë, por veprat publike dhe punët e qeverisë nuk janë si komentet në Facebook që bëhen shpejt, – prandaj dhe unë bëj shumë komente se bëhen shpejt. Janë punë komplekse që kërkojnë angazhime të mëdha dhe kërkojnë kohë dhe durim. E di që durimi është malli më i shtrenjtë sot në Shqipëri, se gjithë këto vite, duro e duro, iu ka ardhur të gjithë njerëzve në majë të hundës, por vetëm mos më ngatërroni mua me 20 e ca vjet përpara sesa të merrja detyrën. Për çfarë mbaj përgjegjësi dhe mbajmë përgjegjësi, jemi gati të mbajmë përgjegjësi.

Gabime kemi bërë dhe do bëjmë sepse punojmë, por faje ndaj këtij vendi, kurrë, kurrë! Sepse, siç e nisa me një shprehje të heroit tonë kombëtar dhe po e mbyll me këtë shprehje që për mua është një nga motivet e punës time; Çfarëdo që të ndodhë, unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit dhe deri në fund do bëj bashkë me të gjithë shokët dhe shoqet e armëve, gjithçka mundemi që të fitojmë kohën e humbur për dekada. E duke shpresuar që durimi që është malli më i shtrenjtë do të gjendet në atë tregun e komuniteteve të debatit e të diskutimeve, na shani sa të doni, vetëm na doni sa të mundeni.

Shumë faleminderit!