Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilli sot një vizitë në Landin e Bavarisë, Gjermani, me ftesë të Kryeministrit bavarez Markus Söder, si pjesëmarrës në takimin tradicional të fillimvitit të Unionit Social-Kristian (CSU), për të adresuar lidershipin e Unionit, mbi sfidat europiane, Shqipërinë si një shembull suksesi në rajonin tonë dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, e me Bavarinë posaçërisht, përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar e kulturor.

Pas adresimit të takimit tradicional të fillimvitit, Kryeministri Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin bavarez, Markus Söder, Presidentin e EPP dhe liderin e grupit të EPP në Parlamentin Europian, Manfred Weber dhe Kryetarin e grupit parlamentar të CSU për Bavarinë, Klaus Holetschek.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Faleminderit shumë. Ndihem më i përulur dhe më i nderuar se kurrë që jam ftuar si mik nderi nga kolegu im mjaft i çmuar e miku im i dashur Markus Söder dhe nga grupi i Unionit Social-Kristian (CSU) për të pasur këtë moment të jashtëzakonshëm, jo vetëm shkëmbimesh, por edhe të një ndjesie europiane.

Për ata që nuk e dinë, 40 vjet më parë Franc Josef Strauss vizitoi Shqipërinë tërësisht të izoluar. Aso kohe ishim Korea e Veriut e Europës. Vizita e tij ishte një dritë e beftë shprese. E më pas marrëdhëniet gjermano-shqiptare u rivendosën pak vite më pas. Qysh prej asaj kohe, nëse do të pyesnit shqiptarët, ka një lidhje të veçantë me Landin e Bavarisë dhe natyrisht që Bayern i Munihut ka luajtur rolin e vet, nuk e mohoj dot, por nuk ka të bëjë vetëm më futbollin, por ka të bëjë me diçka që është më e thellë.

Kemi mijëra shqiptarë që jetojnë këtu dhe ata nuk mund të jenë më mirënjohës dhe më të përmbushur sesa kaq, duke qenë pjesë e ekonomisë dhe e përpjekjeve të komunitetit bavarez.

Thënë gjithë kjo, gjithashtu pata nderin që të kisha mundësinë të ndaja disa mendime edhe në praninë e një kolegu tjetër mjaft të shquar dhe miku të dashur, më duhet të them sot Arnold Beber, i cili përfaqëson Europën në sytë tanë prej kaq shumë vitesh.

Kemi folur për temat që kemi diskutuar dhe i kemi hedhur ne tryezë edhe me kryeministrin tuaj gjatë vizitës së tij historike në Tiranë.

Sigurisht kemi folur edhe për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe si Shqipëria mendon të kontribuojë, kundër migracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që kemi arritur me Italinë.

Më duhet të them se Shqipëria nuk është zgjidhja pasi jemi shumë të vegjël dhe nuk kemi mjetet për të qenë zgjidhja, pikë së pari, dhe së dyti, sepse zgjidhja nuk është madje as në duart e një vendi të madh si Gjermania, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në këtë zgjidhje, ashtu siç çdo vend europian duhet të bëjë pjesën e vet për të kontribuar në këtë zgjidhje pasi kjo sfidë kërkon një përgjigje mbarë europiane.

Çdo përpjekje e veçuar është e dënuar të sjellë pasoja që mund të bëhen të pariparueshme për të ardhmen ndaj e gjithë familja europiane duhet të qëndrojë së bashku e të bjerë dakord për një përgjigje të vetme e jo për përgjigje të shumta e të larmishme që ndonjëherë nuk lidhen me brezat e ardhshëm, por me politikën e ditës.

Po të mund të spekuloja këtu do të thoja se dallimi mes djemve dhe burrave në detyrë është se djemtë duan të tregojnë diçka, burrat duan të bëjnë diçka dhe kjo është po kështu ajo çfarë vendet duhet të bëjnë kur varen nga qeveritë që kanë.

Ne jemi këtu, duam të jemi pjesë e zgjidhjes, duam të jepi pjesë e përpjekjes. Ne nuk jemi BE, por jemi E pa B kështu që,  askush nuk mund të vendosë për ne, nëse jemi a jo europiane sepse kjo tashmë është vendosur tashmë nga Zoti i plotfuqishëm e nga gjeografia që na ka vendosur në mes të Europës dhe Bashkimi Europian është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Nuk ka ekzistuar asnjë realitet tjetër i ngjashëm në histori.

Pra, hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri duhet të dalësh nga BE-ja. Është thjesht një fluturim 1orë e gjysmë prej këtej dhe ne jemi në mes.

Ne duam të jemi plotësisht pjesë e saj. Për këtë ne duhet të bëjmë punën tonë, po bëjmë gjëra të mira, mendoj, në shumë fusha. Ekonomia jonë po ecën më mirë, turizmi ynë po lulëzon e meqë ra fjala, ju ftoj të gjithëve të vini e të na vizitoni. Nuk do të pendoheni dhe do donit të ktheheni dhe natyrisht, duam të bëjmë gjëra me qeverinë e Landit të Bavarisë dhe do të ishim shumë të lumtur që të ishim të dobishëm.

Kjo është qasja ime për këtë. Ne qëndrojmë së bashku për çdo gjë që mundet e për aq sa mund të jetë kjo e dobishme. Megjithatë, ne jemi të vegjël e nuk jemi të pasur, por të qenit të vegjël e jo të pasur nuk na ndalon të jemi së bashku në nivel moral kur  je pjesë e një familjeje dhe kur di vendin tënd dhe si ta nderosh këtë vend tëndin në familje.

 

Faleminderit!

 

* * *

-Një pyetje për Kryeministrin Edi Rama. Sa të mëdha janë përpjekjet e vendit tuaj për momentin për të përmbushur këtë marrëveshje. Sa e madhe është sfida për ju. Ju e thatë vetë që ju vetë nuk mund ta zgjidhni këtë çështje, duhet një përgjigje mbarë europiane.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Së pari, më duhet të them se është shumë e rëndësishme të dëgjosh nga të dyja palët këtu në Gjemani, se ajo çfarë po bëjmë nuk është në shkelje të asnjë vlere evropiane dhe të asnjë vlere njerëzore, pasi nuk ishte e dukshme kur e nisëm këtë gjë dhe u përballëm me shumë kritika, sidomos nga miqtë e mi homologë socialistë në Evropë, ndërkohë që është shumë e thjeshtë në sytë e mi. Nëqoftëse kjo marrëveshje do të ishte lidhur, po themi, midis Italisë dhe Republikës Çeke apo nëqoftëse Shqipëria nuk do të ishte Shqipëria, por do të ishte, të themi Sllovakia, askush nuk do ta kishte zënë me gojë, do të kishte qenë gjëja me e natyrshme, – solidaritet evropian – dhe ka një marrëveshje nëse nuk gaboj, Emanuele e di më mirë sesa unë, brenda Bashkimit Evropian, që mbështetet tek koncepti i rishpërndarjes, apo jo, – ç’ka nënkupton se nuk mund të jetë mallkimi i Italisë që është toka e parë përtej detit Mesdhe që shihet nga Afrika dhe nuk mund te jetë mallkimi i Gjermanisë, që është Gjermania.

Pra, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë dhe fakti që ne po bëjmë pikërisht atë çfarë të shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e  politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikws sw ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja.

Kjo nuk është çështje e së majtës apo të djathtës, kjo është çështje e asaj çfarë BE dhe Evropa do të jenë 10 vite prej këtej; si do të duken ky kontinent e këto vende në 2040, në 2050 e më gjatë. Dhe kjo është përgjegjësia e udhëheqjes dhe atyre që janë votuar për këtë.

Ndaj po them, që për ne, besoj bëmë atë çfarë duhet të bënim sepse për ne BE nuk është një menu nga ku ti mund të zgjedhësh çfarë të pëlqen dhe lë atë çfarë nuk të pëlqen.

Ndoshta do të donim që të kishim diçka tjetër për të bërë, por na duhet të përballemi së bashku. Nuk është diçka e lehtë, nuk është një temë mjaft e këndshme për t’u marrë sepse është objekt i kaq shumë diskutimeve, por duhet të japim kontributin tonë dhe nuk ka rëndësi nëse nuk jemi anëtarë të BE.

Ne kemi detyrën të sillemi si anëtarë të nderuar, dinjitozë, të cilëve u besohet plotësisht, të këtij komuniteti.

Nuk ka rëndësi që ju jeni BE apo që ne jemi E pa B. Nuk ka rëndësi. Kjo është mënyra se si e shoh dhe sigurisht, kjo është një përpjekjeje. Markusi e tha shumë mirë, duhet të shohim, duhet të vëzhgojmë sesi ecën sepse kjo është diçka e re. Do të nxirren mësime, do të bëhen përshtatje dhe vendet e tjera më pas mund të përshihen, por ju po flisnit për Turqinë këtu. Pse po flisnit për Turqinë? Sepse Turqia është burimi i korridorit ballkanik, pra nëqoftëse nga ajo anë do të ketë një valë tjetër, atëherë korridori ballkanik do të jetë si të thuash, korridori kryesor. Pra, pse të mos përpiqemi të shohim që tani një zgjidhje të përbashkët me korridorin ballkanik me vendet qe janë pjesë e tij me Maqedoninë e Veriut, Serbinë kryesisht, duke qenë se kalohet përmes tyre? Këto janë zgjidhje, të cilat së paku janë një përpjekje vullnetmirë dhe nuk e shoh këtë si një linjë partiake. Ne jemi qeveri socialiste, në Itali qeveria nuk është socialiste për të thënë më të paktën, por ky nuk është një problem socialist apo kristian-socialist, por ky është një problem evropian ndaj socialistët, kristianë-socialistët apo kristianë-demokratët apo të gjithë ata që kanë përgjegjësi për të përfaqësuar qytetarët e Evropës, duhet të punojnë së bashku për ta bërë këtë për qytetarët e Evropës sepse njerëzit në rrugë votojnë një të dielë dhe pastaj për 4 vjet kanë të njëjtat probleme. Kështu që, nuk mund të merren me një debat të pakuptimtë dhe me politikën e ditës që humbet kohë dhe që i lë gjërat si janë e pastaj vjen një ditë, kur përballemi me një goditje, panikosemi dhe nuk dimë çfarë të bëjmë.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.