Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Koha për përgjegjësi qytetare në këtë fazë rritjeje të numrit të infektimeve:

 

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një konferencë shtypi e pazakonshme dhe arsyeja lidhet me domosdoshmërinë për të përcjellë një mesazh të qartë tek të gjithë qytetarët  këtij vendi, në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit COVID-19, kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe faktikisht po ulet dhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet COVID.

Natyrisht, ne jemi shumë të motivuar që të bëjmë gjithçka si duhet, në mënyrë që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese, por për këtë duhet motivim i gjithësecilit. Ky është një moment për një përgjegjësi maksimale nga gjithësecili, sepse ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë e infektimeve dhe që u vu re me numra që u rritën në mënyrë dramatike pak kohë më parë në vendet e Europës po reflektohet tani dhe këtu.

Masat që janë në fuqi janë masa, të cilat në këndvështrimin e ekspertëve teknikë, funksionojnë, por që të funksionojnë ashtu siç duhet, duhet të zbatohen ashtu siç duhet. Nga ana tjetër, qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe në tërësi e autoritetve që janë përgjegjëse për zbatimin e këtyre masave ka qënë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa represive, mirëpo, mesa duket, mesa konstatohet prej ekspertëve të shëndetësisë që janë në terren, në javët  e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe natyrisht, me ato eksese të patolerueshnme në lokale të caktuara apo qoftë dhe nga politikanët.

E këtu, me politikanët do ta bëj shumë të qartë, që nuk kam parasysh vetëm politikanët që i përkasin partive të tjera, por kam parasysh dhe ata që janë pjesë e partisë që unë drejtoj, të cilët shkelin rregullat, duke u mbledhur nëpër salla e nëpër dhoma me më shumë persona nga ato që përcakton Komiteti Teknik. Kjo është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme, sepse të gjitha bashkë bëjnë në tërësi atë që nuk duket sot si një front i bashkuar përgjegjësish qytetare, individuale dhe komunitare në luftën kundër COVID-it.

Ne nuk jemi të shqetësuar përsa i takon stabilitetit tonë shëndetësor, por, nëse nuk veprojmë tani, nëse nuk reagojmë me përgjegjshmëri tani, nëse secili nuk bën tani detyrën, atëherë, situata rrezikon të ndërlikohet, numri i infektimeve rrezikon të rritet dhe patjetër, barra e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor rrezikon të rëndohet, në kushtet kur në fakt është e shmangshme.

Jemi besoj të gjithë të qartë që masat propozohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, nuk propozohet nga askush tjetër. Por, nga ana tjetër, në radhë të pare, ne në anën e qeverisë, por sigurisht dhe ju në anën e mediave kemi detyrimin të bëjmë më shumë sesa të tjerët, ne të parët, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt.

Tashmë është e konfirmuar që Pfizer do të fillojë lëvrimin e sasive të tjera, hap pas hapi, duke nisur nga mesi i shkurtit. Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinimeve do të rritet sipas kalendarit, ama, koha kur vaksinat dhe masa e numrit të të vaksinuarve të këpusë zinxhirin është ende larg në të gjitha vendet, edhe këtu.

Edhe njëherë po e nënvizoj për të gjithë, duke filluar nga tregtarët, të cilët të gjithë fleksibilitetin, të gjithë mirëkuptiminm, të gjithë motivimin e autoriteteve shtetërore për të mos i ngarkuar më shumë psikologjikisht, por edhe për të mos i frenuar në mëkëmbjen e vështirë pas asaj goditje që morën vitin e shkuar, nuk duhet në asnjë mënyrë ta marrin si një mundësi për të abuzuar. Pastaj me radhë të gjithë tjerët, por, sigurisht, tregtarët kanë një përgjegjësi të posaçme, pasi mjediset e tyre janë dhe mjediset ku është ndërveprimi më i madh mes njerëzve dhe ku është edhe rreziku më i madh. Nuk është rreziku më i madh në rrugë, nuk është rreziku më i madh në zyra, nuk është rreziku më i madh në shtëpi. Rreziku më i madh është aty, ku është edhe ndërveprimi më i madh. E nëse nuk duam të kthehemi tek masat e forta kufizuese, duhet sot të mos kërkojmë të nxjerrim maksimumin, duke vënë në rrezik jetën e njerezve dhe duke vënë në rrezik, stabilitetin e sistemit tonë shëndetsor.

Policia e Shtetit ka patur një fleksibilitet maksimal. Inspektoriatet e angazhuara në këtë proces kanë patur një fleksibilitet maksimal. Ne nuk duam që Policia e Shtetit dhe inspektoriatet të hynë e të dalin nëpër lokal, bare, restorante dhe klube, sepse kjo nuk është më e mira për ecurinë e aktivitetit tregtar, apo nëpër qendrat tregtare, nëpër dyqane e kështu me radhë. Por, nëse nga ana e tregtarëve nuk ka reagim të mënjehershëm, sigurisht që do të ndodhë kështu. Do të jetë Policia e Shtetit, do të jenë inspektoriatet që do ta imponojnë me forcë, zbatimin e masave dhe natyrisht, me të gjitha gjobat përkatëse, të cilat do t’i rrisim.

Në ditët në vijim do t’i rrisim gjobat për baret, restorantet, lokalet, qendrat tregtare dhe do të bëjmë një shkallëzim, sipas hapësirave dhe sipas kushteve për abuzim. Unë e kam shumë mik Ermal Mamaqin, por është e patolerueshme që të mblidhet një milet i tërë në atë formë, siç ndodhi dhe po përmend një emër këtu, i bindur se nuk po bëj një goditje selective, aq më tepër në kushtet kur është një personazh i mirënjohur për të gjithë dhe i respektuar nga të gjithë. Është e patolerueshme! Është shembulli më i keq që mund të japim kur kemi edhe detyrimin si persona publikë të japim shembullin më të mirë.

E kështu me radhë, lokalet në bllok, lokalet në zona të caktuara në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë, lokalet më të mira, lokalet me më shumë fitime, lokalet me më pak dhimbje koke, të bëhen vatra ku kërcen COVID-i me muzikë. Është e patolerueshme!

Edhe njëherë e përsëris mirëkuptim për të gjithë dhe kjo thirrje është një thirrje për solidaritet, është  një thirrje për unitet, është një thirrje për të mos hapur të çara në një front që duhet të jetë i bashkuar, ku secili luan rolin e vet, ku qeveria ka përgjegjësinë e  madhe të udhëheqë dhe të koordinojë të gjithë aktorët e tjerë, ku media ka përgjegjësinë të nxjerrë në pah problematikat dhe shkeljet e rregullave, po ku ata që duhet të zbatojnë rregullat, tregtarët, biznesmenët, kanë përgjegjësinë e madhe të jenë pjesë e frontit duke zbatuar rregullat. Ne nuk do ndahemi me njëri-tjetrin, nuk do fillojmë luftën me njëri-tjetrin, ndërkohë që të gjithë së bashku duhet të luftojmë me virusin. Virusi nuk vjen të prekë duke zgjedhur as partitë, as kushërinjtë, as patriotët nga një krahinë apo në një tjetër, por i prek të gjithë, pa parë fare majtas apo djathtas.

 

 -Zonja ministre, duke patur parasysh se shqiptarët nuk jemi suedezë dhe na spikat në fakt, kjo dëshira për të mos u përmbajtur rregullave, për të mos thënë na spikat papërgjegjshmëria, ju do ta lini gjithçka në dorë të qytetarë apo keni një strategji? Kjo strategji, deri në sa infektime ditore shkon për të ndryshuar masat aktuale? Sepse shoh Gjermaninë që përgjegjshmëria e qytetarëve e dimë si është dhe është në karantinë, po ashtu Greqia. A ka një shifër ditore që mund të jetë mjaftë dhe pas kësaj të mund të ketë masa të shtuara?

 

Ministrja Manastirliu: Atëherë, përsa i përket numrave apo situatës epidemiologjike, e cila më pas do të na sillte një vendimmarrje të re përsa i përket masave shtesë në lidhje me kufizimin e përhapjes së infeksionit, më lejoni të them që janë disa kritere që ne vlerësojmë kur ndërmarrim masa të reja. Nuk është vetëm rritja e numrit të infektimeve, por është gjithashtu dhe situata në spital dhe padyshim, përqindja e pacientëve, të cilët janë në kujdes intensiv. Deri më tani ne kemi një situatë të kontrolluar të spitaleve, aspak të mbingarkuar. Përveç 550 shtretërve të dedikuar në 4 strukturat tona, janë në tërësi 1600 shtretër në spitalet rajonale, të cilët janë në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID, të cilët kanë problematika shëndetësore të rënda dhe që janë në gatishmëri për të ofruar kujdes shëndetësor. Gjithashtu, edhe për sa i përket terapive intensive në vend ku janë vetëm 32% të kapaciteteve të zëna deri tani, përsa i përket terapisë intensive në katër spitalet COVID. Nga ana tjetër, patjetër, një alert i shtuar dhe që bënë pjesë dhe në tërësinë e kritereve të vlerësimit janë dhe fatalitetet, të cilat vlerësohen dhe ato në tërësinë e gjithë kritereve që u shpjegova. Pra, duke vlerësuar në mënyrë dinamike këto kritere epidemiologjike do të kemi dhe masa, të cilat ndërmerren nga Komiteti i Ekspertëve.

Siç ju thashë Komiteti i Ekspertëve është tërësisht i angazhuar në ndjekjen ditore të situates, ndaj kërkohet një sjellje shumë e përgjegjshme e qytetarëve. Ne i kemi modelet e mira. Nuk ka nevojë pse të krahasohemi me Suedinë, pasi, nëse do të rikthehemi pak muaj më parë, e këtë mund ta vërtetoni dhe ju në kronikat tuaja, keni raportuar se sa mirë po zbatoheshin masat, se si filloi të përdorej maska kudo, në ambientet e jashtme, në ambientet e brendshme. Pra, ishte një zbatim korrekt i masave, i cili dha një impakt dhe nëse do të bëjmë një krahasim të valës së epidemisë që ndodhi në tetor- nëntor dhe më pas një ulje të numrave e një qëndrueshmëri, ishte falë masave dhe zbatimit me korrektësi nga qytetarët shqiptarë.

 

– Nuk e di a keni informacion për të paktën qindra qytetarë shqiptarë që janë në banesë e po trajtohen në kushte spitalore, me medikamente, të cilat trajtohen vetëm në kushte spitalore, madje jo në pavion, por në terapinë intensive? Me të gjitha ato medikamente, me gjithçka. I kanë përdorur edhe terapitë e moderuara apo fillestare të ofruara falas nga shtetit, por për mendimin e tyre, mendojnë se në shtëpi kurohen më mirë dhe vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi. Nuk dua të spekuloj në asnjë formë tjetër, pse qëndrojnë në shtëpi. Po ju tregoj vetëm një lloj medikamenti [tregon medikamentin], ky është medikamenti që është intramuskular, është në masë, po përdoret në shtëpi.

Kryeministri Edi Rama: Për këtë besoj që përgjigjen më saktë mund ta japi ministrja. Ajo që unë dua të them nga informacionet, leximet, konsultimet dhe krahasimet e bëra me çfarë ndodh në vendet përreth, edhe nga bisedat me kolegë kryeministra lidhur me këtë situatë, është që jo vetëm këtu, mesa unë kuptoj dhe këtë mund ta konstatoni dhe në artikuj që kanë dalë plotë dhe në kronika televizive të bëra dhe në vendet të tjera, flas për vendet të paktën që janë në rrezen e interesimit tonë të vazhdueshëm, njerëzit priren të marrin shumë ilaçe. Megjithëse kjo është diçka që kundërshtohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet shëndetësore, kundërshtohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët, mesa duket frika, kujdesi, ankthi, nevoja psikologjike për të qenë brenda, i shtyn njerëzit që të marrin shumë ilaçe, kur ndërkohë ajo që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha nivelet edhe në vende të tjera është që ky virus duhet trajtuar me disa kura bazë, pa u turrur për të mbingarkuar veten me ilaçe përsa kohë që gjendja është jo kritike. Kur gjendja shfaqet kritike, duhet shkuar në spital. Kjo është gjëja që unë mund ta them, pa pretendimin për të dhënë përgjigje shteruese apo për të folur këtu si ekspert.

Aspekti tjetër, për fat të keq, është që në këtë histori bëhet biznes, jo në Shqipëri, por kudo. Në Itali, përshembull, ky është një problem i madh nga farmacitë dhe u jepen njerëzve ilaçe pa fund. Ne e kemi thënë në mënyrë të përsëritur që gjëja më e udhës është të merret receta e mjekut të familjes e të bëhet trajtimi bazë, gjithmonë, përsa kohë që gjendja nuk është kritike. Në momentin kur gjendja fillon të bëhet kritike, aty pastaj patjetër që janë përsëri autoritetet shëndetësore që vendosin e të çojnë në spital.

Për pjesën që pyetët po ia kaloj ministres që të flasë më shumë në detaje, sepse nuk jam në gjendje të jap një përgjigje të kënaqshme për këtë fakt.

Ministrja Manastirliru: Nuk mund të them që kjo çështje që ju ngritët, nuk është një çështje shqetësuese edhe për ne. Edhe për strukturat tona të shëndetësisë, por mbi të gjitha për ekspertët, të cilët vlerësojnë të gjithë ecurinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët, mbetet një shqetësim elementi që ka të bëjë me devijimin nga protokollet e standardizuara që ne aktualisht kemi. Aktualisht, ne kemi protokoll të standardizuar për trajtimin ambulator në banesë. Një protokoll, i cili ndiqet nga mjeku i familjes për dy forma të sëmundjes. Formën e lehtë dhe atë të moderuar. Protokolli është i ndryshueshëm, i cili po rivlerësohet në bazë të evidencave shkencore, të bazuara nga institucionet ndërkombëtare që merren me këto evidenca e që më pas, ne adaptojmë protokolle mjekimi në vendin tone. Janë protokolle për t’u zbatuar nga mjekë, të cilët janë të kualifikuar për t’i dhënë këto protokolle e që sigurisht, për format e lehta e të moderuara të sëmundjes është mjeku i familjes dhe askush tjetër.

Sa i përket protokolleve spitalore dhe këtu bëj dhe një herë thirrje sepse është një shqetësim për ne, por mbi të gjitha për mjekët në spitale, të cilët vërejnë se vijnë qytetarë në kushte të vështira shëndetësore apo të agravuara shëndetësore, do të thotë që e traskurojnë veten apo simptomat, duke qëndruar në banesë, duke marrë terapi, të cilat në kushte të tjera do të jepeshin në spital, por duke i paraprirë ndonjëherë terapive në banesë e duke mos bërë ato analizat e nevojshme laboratorike, imazherike, më shumë ndonjëherë dëmtojmë se sa shpëtojmë. Pra, në parimet e mjekësisë, të mos bësh dëm është e para dhe ne jemi shumë të kujdesshme dhe apeli për qytetarët është: Në rast agravimi të simptomave duhet drejtuar në spitale, tek mjekët, të cilët janë të specializuar për të ndjekur terapinë spitalore.

Sa i përket trajtimit në banesë ka pikërisht dy protokolle specifike për dy format e sëmundjes. Ajo çfarë ne jemi duke bërë, pikërisht sepse e vlerësojmë shqetësimin e qytetarëve të përcjellë sot nëpërmjet zërit tuaj, por më besoni, kemi shumë informacione që na kanë ardhur pikërisht për trajtimin në banesë me protokolle spitalore e për të cilat jemi duke marrë masa në raport me standardizimin e recetës farmaceutike të mjekëve kur ato dërgohen në farmaci dhe kjo recetë e standardizuar do të na mundësojë të shohim në kohë reale, cili është mjeku që përshkruan këto barna për jo vetëm terapinë tashmë të COVID, por për të tërë terapitë. Mbi çfarë baze protokolli i përshkruan dhe sigurisht për të marrë masat e nevojshme. Kjo i vlen shumë transparencës, por mbi të gjitha, kujdesit për qytetarët

Kryeministri Rama: Kishte dhe një nuancë në shtrimin e pyetjes që mbase meriton një shtjellim, kur tha që për arsye që nuk dua të spekuloj. Nëse unë e kuptova mirë, nënkuptimi i asaj që tha Erjoni ishte që njerëzit zgjedhin të trajtohen me protokolle spitalore në shtëpi sepse nuk kanë besim të shkojnë në spital dhe patjetër që ky është një problem, në rastin kur ndodh kështu. Është një problem që duhet ta adresojmë dhe mendoj duhet ta zgjidhim sëbashku. Natyrisht, secili duke bërë pjesën e vetë të punës, se nuk më takon mua të bëj punën e medias, nuk i takon medias të bëjë punën time, secili bën pjesën e vet të punës.

Sigurisht që ka pasur arsye për t’u ndjerë jo mire, apo për t’u ndjerë edhe keq, kur përmes mediave janë shfaqur raste që nuk i bëjnë nder sistemit tonë shëndetësor. Këtu kulmi ishte rasti i asaj sanitares, e cila ishte sjellë si një monstër e vërtetë, duke mashtruar një familje të tërë, për të përfituar para, por duke i nxjerrë në pah këto raste e duke dhënë një kontribut të madh, në fakt, për t’i adresuar, qoftë kur rasti është i natyrës kriminale, siç ishte rasti në fjalë, qoftë kur rasti nuk është i natyrës kriminale, por është i natyrës problematike lidhur me administrimin, lidhur me zbatimin e rregullave, apo me çfarëdo qoftë që përbën kompleksin e shërbimit shëndetësor, duhet të kemi parasysh dhe duhet edhe këtu, dhënë një kontribut, mendoj unë, nga ana juaj, që ndërkohë janë me mijëra e me mijëra njerëz që marrin shërbimin e duhur, që ndërkohë sistemi funksionon më së miri për shumicën dërmuese të rasateve e të njerëzve, përderisa shifrat dhe faktet e thonë këtë, përderisa numri i atyre që shkojnë në spital, që marrin shërbimin, që dalin të shëruar, është shumë i konsiderueshëm. Që do të thotë që është përgjegjësi e madhe dhe është përgjegjësi kryesore për ju të gjithë, në radhë të pare, që në kushtet kur ne nuk kemi akoma një sistem drejtësie që të bëjë gjënë e duhur, ashtu siç duhet në të gjitha aspektet, të nxirrni në pah këto raste dhe të ndihmoni që bartësit e këtyre fenomeneve të ndëshkohen. Sanitarja që sot është në burg, është në burg falë kontributit të një emisioni investigativ dhe është një kontribut i madh. Ashtu sikundër, nëse marrim kontributin e Fiks Fare në historinë e vet, mbase mund të jetë më i madh se kontributi i të gjitha prokurorive të marra sëbashku në të njëjtat vite.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të kuptohet që në kushtet kur jemi, që psikologjia shoqërore është e brishtë, sepse nuk flasim për një grip e nuk flasim për fenomene, të cilat janë jashtë shumë interesave, po flasim për një çështje që lidhet me interesin e çdo njeriu, që prek çdo mendje, sepse çdokush është i ekspozuar, çdokush është i rrezikuar dhe lidhet drejtpërdrejtë me shëndetin, është shumë e rëndësishme që në një mënyrë ose një tjetër të dalë në pah edhe ana tjetër e medaljes. Dhe të mos ndodhë, kjo mund të jetë e kuptueshme që kantieret e punëve nëpër Shqipëri njerëzit t’i shohin vetëm kur shkoj unë, në fund të fundit, i panë apo nuk i panë, kantieret aty janë e kjo mund të ndikojë në vlerësimin për punën që bëjmë ne, por nuk cënon as jetë, as sigurinë e njerëzve, asgjë. Këtu flasim për jetën dhe për sigurinë dhe është shumë e rëndësishme kjo, sepse mendoj që mjekët dhe infermierët e këtij vendi meritojnë të vihen në piedestal, në këndvështrimin tim, jo të ndjehen të shkelur me këmbë nga sulmet dhe nga mënyra se si ekspozohet vetëm njëra anë e medaljes, që është një anë shumë e errët patjetër, të cilën duhet ta adresojmë sëbashku, por që nuk është ana e vetme dhe është shumë më pak sesa ana tjetër.

Rasti konkret, përsëri çështja është që shqetësimi është i përbashkët, mesa unë kuptoj, ama është shumë e rëndësishme që të kuptohet që rritja e cilësisë së shërbimit, rritja e integritetit profesional, e dinjitet profesional, e seriozitetit profesional të të gjithë sistemit lidhet padiskutim me ekspozimin e çdo rasti. Kjo për ne është gjithmonë një lajm i mire, sepse është një e keqe më pak, një qelizë kanceroze më pak në gjithë sistemin. Por lidhet dhe me e nevojën për t’i dhënë njerëzve qetësi, për t’i dhënë njerëzve siguri e për të mos u ekspozuar njerëzve një panoramë ku duket sikur në spitalet e Shqipërisë kush shkon, vdes, kush shkon, grabitet, sepse po të ishte kështu, këtu do ishim në kushtet kur do kishim qindra e mijëra njerëz ose të vdekur, larg qoftë, ose të grabitur, që nuk është rasti. Janë 65 mijë operacione që bëhen në Shqipëri çdo vit, plus, ndërhyrjet miniinvazive, që shkojnë 90 mijë. 90 mijë prekje në trupin e njerëzve. Ndodh që të ketë operacione që dështojnë. Jo më larg se dje apo pardje, në Spanjë ishte bërë një nam i madh për një tragjedi të pashembullt në spital. Jo më pak se përpara disa ditësh, në Rumani u dogj spitali i dytë brenda kësaj perjudhe me të vdekur, në rastin e parë 20 e ca të vdekur, në rastin tjetër 10 të vdekur në spital nga flakët. Morën flakë spitalet, u dogjën njerëz brenda për shkak të instalimeve dhe mbingarkesës së krijuar si rezultat i përdorimit në 24 orë në 7 ditë të javës të oksigjenit. Domethënë, janë gjëra të rënda, shumë tragjike, që ndodhin dhe prapëseprapë ka një ekuilibër.

Këtu ishte arsyeja e ndërhyrjes time. Dhe faleminderit për pyetjen Erion.

 

-Ka një plan për të mbyllur baret dhe restorantet, apo për të zgjeruar orën policore, sa kohë të kalojë kjo fazë e pandemisë?

Kryeministri Edi Rama: Po faleminderit dhe pyetje shumë me vend, që më ndihmon të bëj një rekapitulim të kësaj konference dhe ta përsëris. Ne i jemi qasur kësaj lufte në këtë fazë me shumë fleksibilitet, duke pasur padyshim mbështetjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve që ka besuar deri tani të paktën, që këto masa janë të mjaftueshme në këtë fazë dhe duke besuar që njerëzit do vazhdojnë të jenë ashtu siç kanë qenë deri përpara disa javësh.

Mirëpo, çfarë po shohim, njerëzit nuk janë sot, siç kanë qenë përpara disa javësh. Që nga viti ri ka filluar një lëshim i vetes në tërësi dhe ka shumë abuzim. Që nga njerëzit që nuk vënë maskat në rrugë, ose shoh ca nga këta patriotët e mi nëpër rrugët e Surrelit, kur vij për punë, i venë si fularë, i kanë si shaje të modës francize. Ose faktikisht nuk ka asnjë lloj sensi të përgjegjësisë dhe të rrezikut në njësitë tregtare, që të gjitha. Ky është fakt. Sheh qartësisht që këtu ka një lëshim të vetes, një lloj lehtësie të madhe me të cilën po merret kjo punë. Mirëpo është shumë e qartë që në çdo centimetër që ne lëshojmë, virusi përparon. Kjo është shumë e qartë. Në çdo centimetër që ne fitojmë, virusi zmbrapset, se e di shumë mirë që ka plot në Shqipëri ekspertë, jo si unë dhe si ju, por ekspertë pa shkollë, – ata i dinë të gjitha zakonisht, – që fillojnë me ato humoret, jo po virusi fle natën, jo po virusi del vetëm ditën etj..

Ora policore është kufizimi i mundshëm i kontakteve. Nëse nuk ke mundësi të mbyllesh brenda deri kur të iki virusi, një vit, dy, tre vjet, – siç u mbyll brenda mbreti Henri i 7 i Anglisë, në kohën kur ra epidemia dhe qëndroi i izoluar totalisht e të gjitha kontaktet i kishte në një distancë të mjaftueshme, – atëherë do kufizosh sa të mundesh kontaktet. Një orë më pak, është një orë më pak kontakte. Nuk është çështja se del natën apo del ditën. Është një orë, dy, tre orë më pak kontakte.

Kështu që në këtë aspekt është një opsion, patjetër. Ne jemi fatkeqësisht që nga fundi i javës së shkuar në diskutim, për çfarë duhet të bëjmë dhe presim dhe nga Komiteti i Ekspertëve.

E para është të zbatojmë njëherë mirë këto që kemi dhe Policia e Shtetit të ndryshojë qasjen, inspektoriatet të ndryshojnë qasjen. Më vjen shumë keq në rast se në ditët në vijim nuk do shikojmë ndryshim qasjen nga njësitë tregtare. Më vjen shumë keq, por gjëja e fundit që unë dua të ndodhë në këtë vend është që inspektorë, taksidarë, përfaqësues të autoriteteve shtetërore të futen nëpër lokale, nëpër biznese, nëpër njësi tregtare. E për këtë arsyeje më duket se është një çlirim i tretë, mbas çlirimit të Shqipërisë në ’44-ën, çlirimit të dytë në ’90-ën, për biznesin, biznesin e vogël që mos ketë më inspektorë tek dera. Gjë që e kemi realizuar dhe që po e implementojmë tani, hap pas hapi, derisa me fiskalizimin mos ketë më fare, asnjë njeri. Sepse e kam shumë të qartë se kur fillon kjo, fillojnë edhe abuzimet. Po si t’ia bëjmë kur nëpër lokale, jo 2 apo 3 metra sa është distanca, por rrinë ngjitur, bëjnë edhe parti dhe ja marrin COVID-in njëri-tjetrit vesh më vesh?

Këto ditë do shikojmë reagimin mbas këtij mesazhi dhe ndërkohë do të përgatitemi për zbatimin rigoroz të masave dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë kufizime të tjera, pa dashur kurrësesi të kthehemi tek kufizimet e forta të vitit të shkuar. Por disa kufizime të tjera jemi duke i studiuar që të kenë impakt minimal ekonomik, por që kenë impakt maksimal në uljen e ndërveprimeve që sjellin rritjen e infektimeve. Ju e dini, është Komiteti që bën gjithë vlerësimin, ndërkohë, të numrave, të trendëve etj., por jemi shumë të bindur që tani duhet të reagojmë me forcë, në qoftë se nga ana e njësive tregtare nuk do ketë reagim dhe sigurisht të reagojmë jo me forcë, por më fort me qytetarët që nuk venë maskën në të gjitha mjediset ku janë jashtë shtëpisë.

Shumë faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.