Komiteti Teknik i Ekspertëve mbi situatën e COVID-19 propozon që strategjia e Fazës II për rihapjen të vijojë. Në takimin e radhës sot, në praninë edhe të Kryeministrit Edi Rama, Komiteti doli në këtë konkluzion pas një analize të hollësishme të fakteve që lidhen me situatën e deritanishme.
“Jemi brenda numrave që tregon se strategjia që ju është propozuar ka qenë mirë e menduar, gjë që tregon se ne e kemi të kontrolluar. E për këtë arsye, ne propozojmë që kjo strategji të vazhdojë me hapjen e planifikuar në datën 11, në vijimësi me datën 18, por gjithmonë duke fuqizuar survejancën, jo vetëm në zonat e kuqe, por dhe në ato të gjelbra njëkohësisht, duke parë e duke shtuar gatishmërinë shëndetësore, mjekët dhe personeli janë tashmë më të trajnuar. Njëkohësisht duke shtuar kontrollet nga strukturat përkatëse, për të parë sesi protokolli do të plotësohet,” – u shpreh prof. Mira Rakacolli nën cilësinë e kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Si mjek infeksionist dhe pjesë e komitetit teknik të ekspertëve jemi në një stad ku falë përkujdesjes që është bërë dhe duke respektuar masat e vendosura, jemi në parametra optimalë të sëmundjes. Ajo që mua si specialist më brengos është që hapja të mos konsiderohet si shqyerje, pra, mos heqim dorë nga premisat e mira ndaj vetes dhe ndaj mjedisit, por t’i respektojnë ato në vijimësi. Shtimi i rasteve do mundet të ndodhë vetëm nëse nuk respektohen masat. Nuk do ketë rikthim në masë të madhe të Covid në vjeshtë, por do të jetë thjesht i përzier me infeksionet e tjera respiratore të stinës. Do jetë vetë imunizimi i popullatës që do realizojë shkëputjen e zinxhirit të infektimit ndaj virusit Covid. Them se jemi në momente oportune që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur,” – ishte apeli i mjekut Tritan Kalo.
Kryeministri Rama ndau të njëjtin shqetësim në lidhje me sjelljen dhe kujdesin e vetë qytetarëve, në mënyrë që situata të mos precipitojë.
“Realisht jam i shqetësuar për mundësinë që në kushtet e hapjes, njerëzit fillojnë të harrojnë që faktikisht jemi të hapur, por e kemi mes nesh këtë armik të padukshëm dhe nëse nuk respektojmë rregullat, mund të biem pre e një invazioni tjetër, sepse vala e dytë, sikundër e kam dëgjuar prej jush, nuk është një riardhje e virusit me forca të reja, por është faktikisht një dorëzim i njerëzve për shkak të sjelljes së gabuar në pushtetin e virusit që është këtu faktikisht,” u shpreh Kryeministri.
Drejtuesja e Shërbimit Epidemiologjik dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Silva Bino u shpreh se janë trefishuar testimet dhe janë ulur rastet pozitive. “Ne kemi trefishuar numrin e testimeve këtë muaj dhe ne i masim, kemi dhe një indikator, që është 5% pozitivitet, gjë e cila është një indikator shumë i mirë në lidhje me kontrollin e virusit. Dje kishim nën 5% pozitivitet, gjë që është një indikator të cilin ne duhet ta ruajmë. Kjo është arsyeja pse ne po marrim masa që të rrisim numrin e testimeve, të bëjmë dhe gjetje aktive të rasteve. Duke qenë se bie niveli i përhapjes së virusit, atëherë rastet duhet të gjenden në mënyrë aktive. Kjo është arsyeja pse ne po përdorim disa metodika të reja në lidhje me gjetjen aktive të rasteve, duke përfshirë mjekun e familjes dhe duke e integruar bashkë me shërbimet e Shëndetit Publik,” – u shpreh Bino.
“Po monitorojmë me kujdes raportin mes rasteve pozitive, qofshin të vetëizoluara dhe numrit total të të shëruarve që sot e kemi në nivel 71.85% nga 842 raste që kemi pasur në tërësi,” deklaroi Albana Fico, Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik.
“Numri i personave të shtruar te ne ka qenë mbi 250, nga të cilët 170 janë shëruar. Aktualisht kemi 30 persona të shtruar, një numër më i vogël, por përsëri prej tyre kemi të sëmurë rëndë në terapi pothuajse intensive, të tjerët janë në gjendje të rënduar, por janë duke marrë asistencën maksimale nga ana shëndetësore,” – u shpreh mjekja Najada Como, shefe e shërbimit Infektiv në QSUT.
“Pranë Urgjencës vazhdon kontrolli i situatës. Pozitive është që numri i thirrjeve ka rënë shumë. Ne kemi kryer 222 mijë thirrje vetëm nga 9 marsi deri më sot, me një mesatare 4800 në ditë. Ndërsa ditën e sotme jemi me 2035 thirrje. Po ashtu numri i thirrjeve drejt “0800”, që janë rreth 36 mijë nga data 19 kur u hap ky numër, me një mesatare 730 në ditë, sot jemi tek 380 thirrje nga ky numër. Pozitiv është edhe fakti i uljes së numrit të vizitave në tërësi, si dhe fakti që të sëmurë Covid me simptoma të lehta kërkojnë vetë që të trajtohen në banesë, jo në spital,” – u shpreh kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u ndal te testimet serologjike. “Pas dy jave pune intensive në QSUT, rezultatet e para të testimit të serologjisë, dua të theksoj që është një testim për një kampion të parë, pra, do të vijojë testimi në grupe të riskut, siç e kemi vendosur, sa i përket personelit mjekësor dhe të infektuarve të identifikuar sipas skemës që po vlerësohet nga Komiteti i Ekspertëve. Rezultatet e deritanishme tregojnë për një organizim shumë të mirë të të gjithë sistemit, por edhe të cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve, pasi, siç tregojnë të dhënat, ne kemi hyrë në ditën e nëntë të një situate ku nuk kemi asnjë humbje jete, pra, prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që na gëzon, sepse edhe një humbje jete është e dhimbshme. Duam të vijojmë me këta tregues, por ka një rëndësi të madhe, ndërgjegjësimi i popullatës, kujdesi dhe sjellja personale në këto momente ku ne do të vijojmë me fazat e rihapjes, ashtu siç Komiteti i Ekspertëve vijon të na këshillojë,” – u shpreh Manastirliu.
Kryeministri Rama theksoi se deri në datën 18 maj pothuajse i gjithë biznesi do jetë rihapur, përveç transportit publik, për të cilin ende nuk ka një vendim për hapje. “Plani është i qartë. Deri në datën 18, ne do jemi mbi 90% të liruar. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik, me autobusë apo furgonë, sidomos ndërqytetas, por edhe në qytet. Po shikojmë akoma të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Nuk e dimë ende se si mund të jetë. Ndërkohë që gjithë pjesa tjetër do çlirohet ndjeshëm, kuptohet duke evituar grumbullimet me më shumë se 10 persona etj.,” – u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, anëtarët e Komitetit Teknik pohuan përkundër disa pretendimeve, se nuk ka asnjë provë që virusi të ketë qarkulluar në vend që në muajin janar.
“Në opinionin tim dhe nga rezultatet që kam parë nuk mendoj që ne kemi pasur Covid që më përpara, ndoshta nga janari apo më përpara. Sëmundja ka ardhur nga fqinji ynë, pasi ka filluar në Itali e pastaj ka ardhur tek ne,” – u shpreh Prof. Andi Koraqi, shef i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT.