Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Marriott Group:

Më vjen sinqerisht shumë mirë që jam këtu për të finalizuar një operacion, i cili shumë kohë më parë do të dukej fantazi, – hyrjen e Marriott International në Shqipëri dhe pasjen në Tiranë, të një hoteli të Marriott International.

Është fryt i një përpjekjeje të nisur kohë më parë, në të gjitha aspektet, për t’i dhënë industrisë sonë të turizmit një përmasë të re dhe për të krijuar kushtet që aktorët e mëdhenj të kësaj industrie të mund të hyjnë në Shqipëri dhe Shqipëria të mos mbetet më i vetmi vend siç ishte deri dje, pa asnjë lloj hoteli me pesë yje reale, se me yje të prera vetë, të lyera me të verdhë e të ngulura nëpër tarraca, ne kemi qenë të parët nëpër Europë. Por me 5 yje reale, ne faktikisht jemi të fundit edhe në rajon.

Kështu që ky është një moment shumë i gëzueshëm.

Marriott International nuk ka nevojë për prezantimin tonë. Është një markë e njohur botërisht. Kompania më e madhe globale e hotelerisë, e cila do të jetë në projektin e Arenës Kombëtare, tanimë një pjesë integrale dhe do t’i japë programit të të gjithë kompleksit të Arenës Kombëtare një përmasë edhe më tërheqëse, edhe më spektakolare.

Sot, ne e nisëm ditën me Samitin për Investitorët në turizëm. Kemi pas pak nënshkrimin e marrëveshjes së Marriott International me një nga kompanitë flamur të sipërmarrjes shqiptare, ALbStar-in. Së shpejti presim një tjetër marrëveshje dhe hyrjen e Hayat në Shqipëri, një tjetër markë që deri pak kohë më parë ishte e paimagjinueshme se mund të vinte në Shqipëri.

Më tutje, të tjerë do të pasojnë. Ne kemi bindjen, janë të gjitha operacione që janë në zhvillim dhe që në pjesën më të madhe nuk ka pse të mos kurorëzohen me sukses.

Dua të nënvizoj këtu një fakt. Shumëkush përpiqet ta komentojë së prapthi këtë fokusimin tonë tek hoteleria me 5 yje, si të ishte një politikë për të pasurit dhe për një grusht njerëzish.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Hoteleria me 5 yje sjell kontribut dhe impakt shumë më të fortë në vetë industrinë e turizmit në tërësi dhe në ekonominë e vendit, sesa hoteleria e kategorisë më të ulët, për imazhin që është kryesori në industrinë e turizmit, për nivelin e lartë të shpenzimeve, për kontributet në punësim, në cilësinë e vendeve të punës, në paga dhe mbi të gjitha, për kulturën që sjell në një sektor ku kultura e mikpritjes është themelore.

Kështu që Shqipëria me 5 yje do të jetë një Shqipëri tjetër nga Shqipëria, e cila për një kohë kaq të gjatë nuk pati asnjë hotel me 5 yje realisht. Sigurisht do të jetë një rrugë jo e shkurtër. Do të duhet shumë punë. Do të duhet kohë, por bëhet fjalë për investime të mëdha që kanë edhe një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare.

Falenderoj të gjithë ata që bënë të mundur finalizimin e këtij operacioni dhe në mënyrë të veçantë, Silvian që u shfaq në Tiranë si Mata Hari, në fillim fare. Unë, në fakt, në fillim e dëgjova si emër, i erdhi fama përpara se t’i vijë figura para meje, Silvia e Marriott. Falë gjithë udhëtimit të parë të mbikëqyrjes që Silvia e Marriott-it bëri, – është bërë personazh popullor në mjediset e industrisë së turizmit në Shqipëri – dhe pastaj falë këmbënguljes së ministrit dhe patjetër vizionit dhe vullnetit të kompanisë AlbStar, sot ne jemi vetëm pak minuta larg nënshkrimit të një marrëveshjeje, e cila për turizmin shqiptar është një marrëveshje që përbën një moment për t’u shënuar dhe për t’u mbajtur mend.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.