Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Korçë:

Këto dëgjesa kanë kuptim shumë të madh. Është shumë e rëndësishme që të kemi një pamje sa më të qartë të pasqyrës shpirtërore, ekonomike, sociale të çdo komuniteti, në funksion të të cilit duam të punojmë 4 vitet e ardhshme.

Thelbi është që ka një hendek të madh mes njerëzve të zakonshëm që votojnë dhe qeverisë që është e votuar për të drejtuar vendin dhe për të bërë punët për vendin. Këtë hendek e krijon një administratë, e cila në një pjesë të konsiderueshme të saj është e kalbur, nga pikëpamja e mekanizmave. Po ashtu ka brenda saj shumë parazitë e grabitqarë, që e bëjnë të pamundur për njeriun e zakonshëm zgjidhjen e një problemi që mund të zgjidhet menjëherë, mjafton vullneti i mirë për ta zgjidhur, por ia bëjnë të pamundur dhe kontaktin me më lart sesa një zyrë.

Duke e parë këtë hendek dhe duke kuptuar që këtë sistem dhe këta parazitë e grabitqarë mund t’i pastrojmë nga sistemi vetëm nëse bëhemi bashkë me njerëzit çdo ditë, ne po ndërtojë një mekanizëm real bashkëqeverisjeje me njerëzit e zakonshëm, një koalicion real.

Dhjetë vite më parë, mbase do të ishte e pamundur, por sot teknologjia na jep mundësinë të jemi të gjithë të lidhur në kohë reale, mjafton një celular, një kompjuter apo një pikë me kompjutera për ata që s’kanë. Ne po përgatisim një platformë, e cila do të çelet me krijimin e qeverisë së re dhe të gjithë janë të ftuar të regjistrohen si anëtarë të koalicionit qeverisës. Jo me pseudonime dhe me “qytetar dixhital”, por me emër e mbiemër, me numër telefoni. Nëse do të marrin pjesë në zërin e ankesave, do t’i dalin për zot ankesave, jo shpifje. Nëse ne bashkëpunojmë për këtë mekanizëm, çdo ankesë do trajtohet në kohë reale. Prapa ekranit do jetë një armatë e tërë njerëzish që do merret me çdo çështje që shtrojnë anëtarët e koalicionit. Në këtë mënyrë të gjitha ankesat e kërkesat do ndiqen deri në fund.

Dikush këtu tha se ka shkruar në Kryeministri dhe ka marrë përgjigje disa herë. Por sistemi që ne kemi aktualisht ka një dobësi, i mungon një hallkë. Kryeministria u kthen përgjigje të gjithëve, por e drejtojnë te zyra ku duhet të zgjidhë problemin. Atje pastaj mbetet. Këtë hallkë ne do ta plotësojmë. Nuk do ta lëmë përgjigjen me kaq, që të thotë “drejtohu tek “x” zyrë”, por do merret vetë Kryeministria dhe ministria përkatëse me zyrën tjetër. Për çdo rast do ketë përgjigje finale. Ka dhe raste që s’të takon e drejta, ka raste që janë çështje gjykatash dhe aty qeveria nuk ka çfarë të bën.

Në rastet kur rezulton që qytetarit përgjigjja i është mohuar padrejtësisht, jo vetëm që do marrë zgjidhje problemi, por ai që e ka mohuar përgjigjen do ikë nga puna. Nuk mund të paguhesh nga shteti, nga taksat, nga kontributet, nga djersa e gjithë atyre njerëzve që iu shërben dhe s’pyet për ta. Kjo do t’iu japë njerëzve që janë pjesë e bashkëqeverisjes një fuqi të re.

Por, nuk do të jetë vetëm një portal ankesash. Por ata që janë anëtarë të koalicionit në çdo komunitet do të mund të marrin pjesë në diskutime për çështje të caktuara, do mund të ngrenë çështje të caktuara, që janë çështje politike dhe që kanë të bëjnë me politikat e qeverisë.

Një grup deputetësh mund ta thërrasin Kryeministrin apo ministrat në interpelancë e t’i kërkojnë llogari, se janë deputetë dhe e kanë të drejtë me ligj ta bëjnë këtë gjë. Në këtë platformë, ne do ia japim këtë të drejtë njerëzve të zakonshëm. Një komunitet i caktuar ka një problem, le të themi, me djegien e mbeturinave, me ndotjen e lumit, një problem me një ndërtim, do mjaftojë një numër i caktuar anëtarësh të koalicionit, njerëzish të zakonshëm, të cilët do i kërkojnë ministrit përkatës interpelancë. Interpelanca do të zhvillohet në platformën online. Ministri do të japë llogari, siç bëhet në parlament.

Kjo është njëra anë e medaljes. Të gjithë ata që do të jenë të regjistruar në këtë koalicion do të kenë akses, njësoj siç kanë anëtarët ose pjesëtarët e një koalicioni qeverisës, për të marrë vendimet, projektligjet e qeverisë, sipas sektorëve të ndryshëm që u interesojnë. Do të organizohen diskutime të brendshme, me ministra, zëvendësministra e grupet e punës për ligje të caktuara. Një koalicion real, jo propagandë. Kjo do të na ndihmojë për të fuqizuar shumë të gjithë procesin qeverisës dhe për të marrë vendime sa më të drejta, me mbështetje sa më të madhe popullore.

E di që nuk mjafton presioni mbi administratën, sepse duhet vazhduar reformimi i sistemit. Këto janë gjëra që shkojnë bashkërisht, por nuk mundet  që të presim të modernizohen të gjitha sistemet dhe të lëmë çakejtë të bëjnë kërdinë, siç e kanë bërë gjithë këto vite.

Çdo bashki i ka aq njerëz të zotë, të shkolluar, të ndershëm që të marrin përgjegjësi për të drejtuar zyrat, drejtoritë, agjencitë. Kjo nuk mund të jetë më një histori t’i gjejmë punë njerëzve brenda një rrethi të ngushtë partiak. Kjo duhet të jetë, t’i gjejmë punëve që kemi njerëzit e duhur. Duke u nisur t’i gjejmë njeriut punë në shtet, shkatërrojmë punët e shtetit. Duke i gjetur punës së shtetit njeriun, bëjmë punën e shtetit dhe e bëjmë për shumë njerëz.

Drejtorët e hipotekave nuk do t’i zgjedhim më, siç janë zgjedhur deri më sot. Do t’i zgjedhim me një shpallje publike dhe do t’i ftojmë të gjithë ata që janë inxhinierë, arkitektë, juristë, me diploma të vërteta, le ta ketë emrin si të dojë, le të vijë nga cilado rrugë e jetës. Me një komision të posaçëm do të zgjidhet më i duhuri nga të gjithë ata që janë aty. Kështu për të gjitha agjencitë dhe për të gjitha drejtoritë.

Po t’i ndjekësh dëgjesat, më shumë se 95% e ankesave nuk janë çështje buxheti, janë çështje shteti. Njerëzit thonë, më jep të drejtën që më jep ligji dhe që unë nuk e marr dot. Ju e jetoni në kurriz, sa shumë stres, mërzi, zhgënjim, energji negative, dëshpërim krijohet nga marrëdhënia e një njeriu të zakonshëm me një zyrë shteti. Ne na duhet të luftojmë pikërisht këtë pikë. Ne na duhet të heqim një numër të pafundmë, kot më kot, licencash e vërtetimesh. Ne duhet të bëjmë që brenda këtij mandati, po them më shpejt sesa vonë duhet ta bëjmë hipotekën një procedurë që është 5 minuta. Kjo nuk është një ëndërr që unë e kam parë natën. Kjo është diçka që ndodh në vendet rreth e rrotull në rajon, sepse kanë një hartë. Nëse është një hartë e arkivuar, e dixhitalizuar, nuk kanë çfarë të fshijnë ata.

Pas krijimit të qeverisë, ne do të bëjmë përsëri dëgjesa për buxhetin, për investimet në çdo qark. Edhe kjo është e rëndësishme, që njerëzit të jenë bashkë, të kuptojnë logjikën e investimeve që bëjmë, por edhe ne të marrim maksimumin nga çfarë është pritshmëria dhe njëkohësisht çfarë janë sugjerimet e njerëzve. Jam i bindur që, sado e vështirë që është sfida që kemi, do ia dalim, nëse jemi bashkë. Do ia dalim, nëse arrijmë nga njëra anë ta çojmë deri në fund operacionin shumë të thellë në administratë dhe nga ana tjetër të vazhdojmë si duhet me investimet, me punësimin, me rritjen ekonomike, që kemi marrë përsipër ta çojmë mbi 5%, në mënyrë që të ndihet tek të gjithë.

Opozita jonë janë parazitët dhe grabitqarët që iu marrin frymën njerëzve. Kundërshtarët tanë janë këta.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.